Botë

Ligjvënësit ukrainas e mbështesin Zelenskyn pasi Trumpi e quajti “diktator”

Published

on

Parlamenti i Ukrainës, në një shfaqje simbolike të mbështetjes, ka miratuar një rezolutë për të rikonfirmuar legjitimitetin e presidentit Volodymyr Zelensky si udhëheqës i shtetit, pas pikëpyetjeve të ngritura nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia lidhur me ligjshmërinë e mandatit të tij.

Rezoluta vë në pah tensionet mes Uashingtonit dhe Kievit pasi presidenti amerikan, Donald Trump, javën e kaluar e quajti Zelenskyn “diktator pa zgjedhje” për shkak të dështimit të mbajtjes së zgjedhjeve në kohë lufte dhe e akuzoi Kievin për nisjen e luftës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka pretenduar se nuk mund të ketë bisedime të paqes me Ukrainën sepse Zelensky nuk është udhëheqësi legjitim i shtetit për shkak se mandati i tij presidencial fillimisht ishte paraparë të përfundonte në maj të vitit 2024.

Megjithatë, sipas Kushtetutës ukrainase, Zelensky mbetet në detyrë si president i vendit për shkak se shteti shpalli gjendje lufte për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, një aspekt që e përmendën ligjvënësit ukrainas kur e miratuan rezolutën në Parlament, që njihet si Verkohona Rada, më 25 shkurt në Kiev.

Gjendja e luftës në Ukrainë, e shpallur në përgjigje të pushtimit në shkallë të gjerë të nisur nga Rusia, nuk lejon zgjedhje sipas Kushtetutës ukrainase. Në të njëjtën kohë, populli ukrainas është i bashkuar në mendimin se zgjedhje të tilla duhet të mbahen pasi të përfundojë lufta”, u tha në rezolutë.

Gjendja e luftës u shpall nga Kievi një ditë pasi Kremlini nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

Zyrtarët ukrainas vazhdimisht kanë përmendur se aspektet praktike, po ashtu edhe ato ligjore, e bëjnë të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve.

Ata kanë theksuar se shqetësimet e mëdha për sigurinë, duke argumentuar se vendvotimet e mbushura me njerëz do të ishin caqe të lehta për ushtrinë ruse e cila ka sulmuar vazhdimisht objektivat civile, përfshirë shkollat, spitalet dhe ndërtesat e banimit gjatë tre vjetëve të fundit.

Për më tepër, miliona ukrainas janë larguar nga shteti për shkak të luftës dhe pjesëmarrja e tyre në zgjedhje duhet të merret parasysh, thanë zyrtarët.

Këto shqetësime janë mbështetur nga dhjetëra grupe të shoqërisë civile, të cilat javën e kaluar lëshuan një deklaratë të përbashkët ku u tha se nuk ka mundësi që të mbahen zgjedhje në rrethanat aktuale.

Vetëm pas përfundimit të luftës dhe arritjes të një paqeje të qëndrueshme… do të jetë e mundshme që të organizohen zgjedhje të lira, fer dhe demokratike”, thanë ata në deklaratën e përbashkët.

Zelensky, i cili nuk ka treguar nëse do të garonte në zgjedhje, ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen këtë vit nëse hiqet vendimi për gjendjen e luftës, diçka që do të ishte e mundur të ndodhte pasi të arrihej një marrëveshje për ndaljen e luftimeve.

Aktualitet

Keir Starmer refuzon dorëheqjen mes një “rebelimi” të brendshëm

Published

on

By

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka bërë të qartë sot para kabinetit të tij se nuk ka ndërmend të largohet nga posti, përkundër presionit të madh që po vjen nga brenda Partisë së tij Laburiste.

Sipas raportimeve nga agjencia AP, Starmer ka vendosur të “luftojë” për postin, duke u kërkuar kritikëve që ta sfidojnë hapur nëse kanë mbështetjen e nevojshme.

Situata brenda “Downing Street” mbetet e tensionuar pasi dy ministra të rinj dhanë dorëheqjen gjatë ditës së sotme, duke kërkuar një lider të ri. Megjithatë, deri më tani, asnjë rival i fuqishëm nuk ka dalë zyrtarisht kundër tij, pasi rregullat e partisë kërkojnë mbështetjen e të paktën 81 deputetëve për të nisur një proces shkarkimi.

Lidershipi i Starmer u vu në pikëpyetje pas rezultateve të javës së kaluar në zgjedhjet lokale, ku Partia Laburiste pësoi humbje të rënda. Ky dështim elektoral është parë si një “alarm” për qeverinë, pasi nëse ky trend vazhdon edhe në zgjedhjet kombëtare, laburistët rrezikojnë të humbasin pushtetin totalisht.

Ky moment konsiderohet si sfida më e madhe politike për Starmer që nga marrja e detyrës, pasi ai tani nuk po lufton vetëm me opozitën Konservatore, por me “rrymën” kundërshtare brenda vetë partisë së tij që kërkon një kurs të ri politik. /BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet izraelite vrasin 380 persona në Liban që nga fillimi i “armëpushimit”

Published

on

By

Të paktën 380 persona janë vrarë në Liban nga sulmet ajrore dhe zjarri i artilerisë izraelite që prej fillimit të armëpushimit më 17 prill, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Izraeli dhe Libani ranë dakord fillimisht për një armëpushim 10-ditor, të shpallur nga Presidenti Trump në prill, i cili më vonë u zgjat edhe për një muaj. Megjithatë, luftimet në jug të Libanit nuk janë ndalur; Izraeli ka vazhduar bombardimet e përditshme, ndërsa Hezbollahu është përgjigjur me sulme ndaj forcave okupuese izraelite. /Al Jazeer/

Continue Reading

Aktualitet

Kriza politike në Britani: Kabineti i Keir Starmer drejt përçarjes përfundimtare

Published

on

By

Mëngjesi i sotëm e gjen kabinetin qeveritar të Sir Keir Starmer të ndarë thellësisht rreth pyetjes më themelore politike me të cilën mund të përballet një tryezë ministrore: nëse kryeministri duhet të vazhdojë të qëndrojë në detyrë apo të japë dorëheqjen, raporton BBC.

Kjo përçarje brenda nivelit më të lartë të qeverisë konsiderohet tashmë e paqëndrueshme, duke krijuar një situatë ku opsionet e mbetura janë të pakta: ose ministrat e kabinetit duhet të japin dorëheqjen apo të shkarkohen, ose vetë kryeministri duhet të largohet nga posti i tij.

Gjatë mbrëmjes së kaluar, Sir Keir Starmer zhvilloi takime me anëtarët e kabinetit, ku u prit me një sërë këshillash të ndryshme dhe shpesh kontradiktore. Ndërsa disa e nxitën atë të vazhdonte betejën politike, të tjerë u treguan më të drejtpërdrejtë duke i kërkuar të hartonte një plan kohor për largimin e tij. Në këtë atmosferë tensioni, disa ministra u përpoqën ta ndihmonin atë të analizonte opsionet e mbetura se si mund të përballet me skenarin e rëndë që ka përpara.

Presioni nuk është i kufizuar vetëm brenda kabinetit, pasi tashmë duket se “penda ka plasur” edhe në mesin e deputetëve të Partisë Laburiste. Numri i deputetëve që deklarojnë publikisht humbjen e besimit te kryeministri po rritet me një frekuencë aq të lartë, saqë është bërë e vështirë të mbahet numërimi i saktë i tyre.

Një goditje e fortë erdhi nga Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, e cila mbrëmë i bëri thirrje Starmerit të caktonte një afat për dorëheqjen e tij, duke iu bashkuar kështu zërave të shumtë që kërkojnë tërheqjen e tij. Deri më tani, BBC ka numëruar të paktën 72 deputetë laburistë që kanë kërkuar publikisht largimin e tij ose një udhërrëfyes për dorëheqjen, shifër kjo që përfaqëson mbi 17% të të gjithë deputetëve të partisë në pushtet.

Në kundërpërgjigje të kësaj kryengritjeje të hapur, Downing Street lëvizi shpejt duke zëvendësuar gjashtë ndihmës ministrash të cilët u ishin bashkuar thirrjeve publike për dorëheqjen e Starmerit. Ndërkohë, deputetja Catherine West njoftoi se po mbledh emrat e kolegëve që kërkojnë largimin e kryeministrit deri në shtator. Megjithëse ajo u tërhoq nga ultimatumi i fundjavës për të nisur një garë lidershipi, kërcënimi mbetet real pasi duhen 81 nënshkrime (20% e deputetëve) për ta zyrtarizuar këtë sfidë.

Nga ana tjetër, Sir Keir Starmer, në një fjalim të mbajtur pas humbjeve në zgjedhjet e fundit, pranoi se qeveria ka bërë gabime, por u zotua t’u provojë të kundërtën skeptikëve. Ai u përpoq të rifitonte vëmendjen përmes tre premtimeve kryesore: forcimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian, shtetëzimit të industrisë së çelikut (British Steel) dhe rritjes së mundësive për të rinjtë, megjithatë mbetet pikëpyetje nëse këto premtime do të mjaftojnë për të shpëtuar karrierën e tij politike.

/BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Irani paralajmëron tensione në Ngushticën e Hormuzit ndaj vendeve që mbështesin sanksionet

Published

on

By

Irani ka paralajmëruar vendet që mbështesin sanksionet kundër tij se mund të përballen me vështirësi gjatë kalimit të anijeve të tyre në Ngushticën e Hormuzit, raportojnë mediat shtetërore iraniane.

Brigadier Gjeneral Amir Akraminia, zëdhënës i ushtrisë iraniane, deklaroi se shtetet që zbatojnë masa ndëshkuese ndaj Teheranit do të hasin “probleme” në këtë korridor detar me rëndësi strategjike.

Shtetet e Bashkuara prej vitesh kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Iranit, ndërsa masa të ngjashme kanë ndërmarrë edhe Bashkimi Evropian, Britania dhe Australia. Këto vende kanë shprehur shqetësime lidhur me programet ushtarake të Iranit, situatën e të drejtave të njeriut dhe mbështetjen e grupeve militante.

Gjatë periudhës së tensioneve të fundit, Irani kishte paralajmëruar më herët edhe anijet e vendeve që mbështesin operacionet ushtarake amerikane dhe izraelite.

Në anën tjetër, disa shtete po shqyrtojnë mundësinë e krijimit të një misioni të përbashkët për mbrojtjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, e cila konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale. Britania ka bërë të ditur se do të dërgojë një anije luftarake në Lindjen e Mesme për të kontribuar në sigurinë e lundrimit në këtë zonë. /CNN/

Continue Reading

Të kërkuara