Lajmet

REL: Kosova kryeson rajonin me përqindjen e të rinjve në burgje. Pse?

Published

on

Më shumë se çdo i treti i burgosur në Kosovë është nën moshën 30-vjeçare.

Të dhënat, të publikuara në fund të prillit në kuadër të Indeksit të Pjesëmarrjes së Rinisë, tregojnë se Kosova ka përqindjen më të lartë të të rinjve në shërbimin korrektues në të gjithë rajonin.

Një vit më herët, Kosova ishte e dyta, pas Shqipërisë.

Për Ferid Murselin nga organizata Demokracia për Zvhillim (D4D) – që grumbulloi të dhënat zyrtare për Kosovën për këtë raport – këto shifra nuk tregojnë vetëm për sistemin penal.

“Në vendin tonë, çdo ditë themi që ‘ky vend ka rini’, ‘rinia është e ardhmja’, por në fakt kjo tregon saktë se ku qëndron rinia, qoftë në dimensionin politik, social ose ekonomik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

 

“Burgjet po reflektojnë një problem më të thellë social”

Përveç shkallës së lartë të të rinjve në burgje, Kosova renditet dobët edhe në tregues të tjerë që lidhen me jetën e të rinjve.

Rreth 35 për qind e të rinjve në Kosovë janë jashtë arsimit, punës dhe trajnimeve – niveli më i lartë në rajon.

Kosova ka, po ashtu, shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së të rinjve në fuqinë punëtore.

“Është një numër shumë i lartë”, thotë Murseli. “Nëse ke papunësi të madhe, atëherë ka gjasa më të mëdha që të rinjtë të jenë të përfshirë në faktorë negativë”.

Ai argumenton se institucionet duhet të investojnë më shumë në reforma arsimore, orientim në karrierë, shkolla profesionale dhe aktivitete komunitare për të rinjtë.

“Duhet të ketë më shumë qendra rinore funksionale, aktivitete sportive, kulturore dhe artistike, në mënyrë që të rinjve t’u ofrohen alternativa pozitive”, thotë Murseli.

Edhe sociologia Donika Gashi nga Instituti Musine Kokalari e sheh këtë statistikë si pasojë të faktorëve më të thellë socialë.

“Kjo shifër nuk mund të lexohet thjesht si çështje kriminaliteti, por si simptomë e pasigurisë ekonomike, dështimit arsimor dhe margjinalizimit social”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Të rinj në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, duke luajtur futboll, në tetor të vitit 2022.

Sipas saj, shumë të rinj hyjnë në konflikt me ligjin pasi nuk arrijnë të gjejnë punë të qëndrueshme, mbështetje psikologjike ose shërbime komunitare.

“Nëse një i ri nuk është në punë, nuk është në arsim dhe nuk sheh rrugë për përparim, sistemi e takon shumë vonë, kur ai tashmë ka hyrë në konflikt me ligjin”, thotë Gashi.

 

“Të rinjtë trajtohen si numra”

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë nëse ka ndonjë plan për ta trajtuar këtë fenomen, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Ngjashëm, as Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk i ka dhënë REL-it leje për vizitë në Qendrën Korrektuese për të Mitur, që ndodhet në Lipjan.

Gjatë një vizite para disa viteve, dy të rinj kishin treguar për jetën e tyre brenda mureve të këtij institucioni, në izolim.

Të dy mezi prisnin lirimin dhe kthimin në shoqëri, por psikologia Fjolla Ibrahimi kishte lënë të kuptohet se ai kthim mund të mos jetë shumë mikpritës.

“Sfidat kryesore që hasin ish të burgosurit në riintegrim, janë mospërputhshmëria me personat e tjerë në rrethin ku ata do të jetojnë, gjetja e një pune permanente, e cila sjell të ardhura, shëndeti i tyre mendor pas daljes nga burgu, si dhe paragjykimi, i cili vjen nga të tjerët”, kishte thënë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Efektet negative që sjell izolimi i të rinjve në një kohë të rëndësishme për zhvillimin e tyre, si në adoleshencë, bëjnë që organizata amerikane Juvenile Law Center të kërkojë zhdukjen e institucioneve të tilla për të mitur.

Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan, tetor 2022.

Kate Burdick, avokate në këtë organizatë, thotë për Radion Evropa e Lirë se izolimi, kontrolli i vazhdueshëm dhe shkëputja nga mbështetja familjare ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin emocional të të rinjve.

“Po flasim për fëmijë dhe të rinj, truri i të cilëve ende është në zhvillim. Kjo është një periudhë kur ata kanë nevojë për mbështetje, jo për trauma shtesë”, thotë Burdick.

Sipas saj, edhe në institucionet ku nuk ka dhunë fizike, vetë ndarja nga familja dhe komuniteti është problematike.

“Ata trajtohen si numra dhe shkëputen nga njerëzit që përbëjnë identitetin dhe mbështetjen e tyre”, thotë Burdick. “Pyetjet që dëgjojmë më shpesh janë: ‘Si mund të flas më shumë me nënën time?’ ose ‘Si mund të mos e humbas ditëlindjen e motrës?’”.

Qendra Korrektuese për të Mitur në Lipjan, tetor 2022.

Sipas saj, alternativa më efektive janë programet komunitare, mentorimi, terapia dhe drejtësia restauruese.

“Kërkimet tregojnë se alternativat ndaj burgimit janë më efektive në uljen e recidivizmit sesa izolimi i të rinjve në institucione”, thotë Burdick.

Kosova nuk mban statistika për shkallën e recidivizmit në vend.

 

Sistemi më shumë ndëshkues sesa parandalues?

Sipas Donika Gashit, në letër, Kosova ka politika parandaluese. Por, në realitet, thotë ajo, sistemi vazhdon të funksionojë ndryshe.

“Kjo do të thotë se institucionet aktivizohen pasi dëmi ka ndodhur: policia, prokuroria, gjykata dhe më pas sistemi korrektues”, thotë ajo.

Parandalimi i vërtetë, sipas Gashit, duhet të ndodhë shumë më herët: në shkolla, familje, qendra për punë sociale dhe shërbime të shëndetit mendor.

“Duhet të kalojmë nga logjika ‘ta dënojmë’ te logjika ‘ta ndërpresim ciklin’”, thotë Gashi.

Ajo argumenton se për veprat më pak të rënda, sidomos për kryesit për herë të parë, duhet të përdoren më shumë masa alternative, si puna në dobi të komunitetit, trajtimi i varësive dhe kthimi në arsim.

“Drejtësia nuk përfundon me shqiptimin e dënimit, por me sigurimin që personi të mos e përsërisë më të njëjtën vepër”, thotë ajo.

Gashi thotë se një nga problemet kryesore mbetet mungesa e mbështetjes pas lirimit. Sipas saj, rehabilitimi nuk duhet të kufizohet në trajnime brenda burgut.

“Duhet të ketë lidhje reale me tregun e punës, mentorim dhe mbështetje psikologjike”, sipas saj.

Ajo paralajmëron se, në të kundërtën, burgu rrezikon të forcojë “identitetin kriminal” të të rinjve.

 

“Parandalimi është më i lirë se burgimi”

Për ekspertët, investimi në arsim, punësim dhe shërbime komunitare shihet si mënyra më efektive për të ulur recidivizmin.

Edhe Burdick argumenton se resurset financiare mund të përdoren më mirë jashtë institucioneve të mbyllura.

“Është shumë më efektive dhe më pak e kushtueshme që mbështetja t’u ofrohet të rinjve në komunitet sesa në burg”, thotë ajo.

Për Murselin, shifrat duhet të shërbejnë si alarm për institucionet. Ai paralajmëron se, pa politika afatgjate dhe investime serioze në rininë, problemet mund të thellohen.

“Nëse vazhdojmë kështu, do të kemi probleme edhe më të mëdha në të ardhmen”, përfundon Murseli. /REL/

 

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara