Lajmet

Kosovari i akuzuar për krime kibernetike ekstradohet në SHBA

Published

on

Një shtetas i Kosovës është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet për krime kibernetike në dëm të qytetarëve amerikanë, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Ndaj Liridon Masuricës, 33-vjeçar nga Gjilani, i njohur si “@blackdb”, rëndojnë akuzat për konspiracion për mashtrime dhe për përdorim dashakeq të 15 apo më shumë instrumenteve të paautorizuara elektronike.

Nëse shpallet fajtor, Masurica mund të dënohet me burgim në kohëzgjatje maksimale prej 55 vjetësh.

Masurica ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës më 12 dhjetor 2024, ndërsa është ekstraduar në SHBA më 9 maj, në përputhje me marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ekstradimi i Masuricës “është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis”.

Sipas saj, “ky veprim është një hap i madh përpara në ndërtimin e besimit në drejtësi dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Ky është vetëm një rezultat nga hapat që po ndërmarrim për të dëshmuar se Kosova është një vend ku krimi nuk gjenë strehim”, është shprehur ajo.

Ekstradimin e ka përshëndetur edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila ka vlerësuar “bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyeshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.

Për ekstradimin e Masuricës në SHBA ka njoftuar fillimisht prokurori amerikan, Gregory W. Kehoe.

I pandehuri thuhet se ka bërë paraqitjen fillestare në një gjykatë federale në Tampa të Floridas më 12 maj, para gjyqtares Lindsay Saxe Griffin, e cila ka urdhëruar që ai të mbahet në paraburgim.

Sipas aktakuzës, Masurica ka qenë kryeadministrator i BlackDB.cc – një treg i zi online që ka funksionuar nga viti 2018 deri më tani.

BlackDB.cc, sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ka ofruar ilegalisht në shitje kredenciale të vjedhura të llogarive dhe serverëve, informata për kartela të kreditit dhe informata të tjera identifikuese të individëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

“Pasi i kanë blerë, kriminelët kibernetikë kanë përdorur gjërat e blerave në BlackDB.cc për të kryer një varg aktivitetesh ilegale, përfshirë mashtrime me taksa, mashtrime me kartela krediti dhe vjedhje identiteti.

Hetimi ndaj Masuricës është kryer nga Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI), në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane, të cilat kanë thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme për arrestimin e të dyshuarit.

Disa javë më parë, dy kosovarë ishin ekstraduar në SHBA, ku akuzohen për mashtrim dhe vjedhje identiteti të amerikanëve.

Bëhet fjalë për dy të rinj – Ardit Kutleshin, 26 vjeç, dhe Jetmir Kutleshin, 28 vjeç – të cilët ishin arrestuar më 12 dhjetor të vitit të kaluar, në bazë të kërkesës së SHBA-së për ekstradim./REL/

lajme

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike në UBT, Hajdi Xhixha, prezanton kërkimin e saj në Universitetin Suedez të Mbrojtjes

Published

on

By

Dekania e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT, Dr. Hajdi Xhixha, ka marrë pjesë në punëtorinë kërkimore “Research Workshop on Military Profession, Education and Organization”, të mbajtur më 7 tetor 2026 në Universitetin Suedez të Mbrojtjes në Stokholm të Suedisë.

Në këtë aktivitet ndërkombëtar, Dr. Xhixha prezantoi punimin me temë “Russian Cognitive Warfare and European Cognitive Defence from Strategic Concern to Actionable Framework: The Garrison Mindset, the Luria-Lefebvre Framework, and Europe’s Cognitive Defence Architecture”, duke trajtuar luftën kognitive ruse dhe mbrojtjen kognitive evropiane, me fokus në qasjet strategjike dhe kornizat e zbatueshme për adresimin e këtyre sfidave.

Po ashtu, u shpreh gatishmëria për mundësi të ardhshme bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve.

Continue Reading

Vendi

Maqedonci me Përfaqësuesin e SHBA-së në NATO: Diskutohet blerja e helikopterëve “Black Hawk” dhe kontributi i FSK-së në Gaza

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me Ambasadorin Matthew Whitaker, Përfaqësuesin e Përhershëm të SHBA-së në NATO, me të cilin ka diskutuar për thellimin e partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes dhe integrimin e Kosovës në aleancën euroatlantike.

Sipas njoftimit të ministrit Maqedonci, ambasadori Whitaker ka konfirmuar mbështetjen e SHBA-së për rrugëtimin e Kosovës drejt NATO-s dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Gjatë takimit u theksuan pikat kryesore të bashkëpunimit.

Blerjet ushtarake dhe industria e mbrojtjes: U diskutua për procedurat e nisura për blerjen e helikopterëve “Black Hawk”, furnizimin me sisteme ushtarake nga SHBA-ja, si dhe zhvillimin e industrisë vendore të mbrojtjes në Kosovë.

Partneriteti me Iowa-n: U vlerësua bashkëpunimi më se 15-vjeçar me Gardën Kombëtare të Iowa-s përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta.

Misionet ndërkombëtare dhe KFOR-i: Maqedonci shprehu gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar me trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, si dhe diskutoi për bashkëpunimin me NATO-n lidhur me praninë e KFOR-it, optimizimin e hapësirës ajrore dhe shfrytëzimin e mundshëm të Kampit Bondsteel e Aeroportit të Gjakovës.

Ministri Maqedonci i ka dërguar ftesë zyrtare ambasadorit Whitaker për të vizituar Kosovën, duke ritheksuar se partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për të ardhmen euroatlantike të vendit. /E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Rajoni

UBT International Smart Schools shënon Ditën Botërore të Shëndetit Mendor në bashkëpunim me organizatën SIT

Published

on

By

Nxënësit e UBT International Smart Schools kanë shënuar Ditën Botërore të Shëndetit Mendor përmes një aktiviteti të organizuar në bashkëpunim me organizatën SIT, me qëllim të promovimit të mirëqenies emocionale, ndërgjegjësimit dhe rëndësisë së kujdesit për shëndetin mendor.

Përmes këtij aktiviteti, nxënësit patën mundësinë të angazhohen në iniciativa ndërgjegjësuese që theksojnë rëndësinë e shprehjes së emocioneve, komunikimit të hapur dhe mbështetjes së ndërsjellë. Aktiviteti synoi gjithashtu të kontribuojë në krijimin e një mjedisi shkollor ku mirëqenia emocionale dhe shëndeti mendor trajtohen me kujdes, respekt dhe pa paragjykime.

Continue Reading

Lajmet

Fakulteti i Psikologjisë në UBT shënon Ditën Botërore të Shëndetit Mendor në bashkëpunim me organizatën SIT

Published

on

By

Studentët e vitit të parë të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, në bashkëpunim me organizatën SIT, kanë zhvilluar aktivitete me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, me qëllim të promovimit të mirëqenies psikologjike, ndërgjegjësimit dhe rëndësisë së kujdesit për shëndetin mendor.

Aktiviteti shërbeu si mundësi për studentët që të angazhohen në diskutime dhe aktivitete ndërgjegjësuese, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të hapur, mbështetjes sociale dhe krijimit të një mjedisi ku shëndeti mendor trajtohet pa paragjykime.

Përmes aktiviteteve të tilla, Fakulteti i Psikologjisë në UBT synon të nxisë te studentët jo vetëm zhvillimin e njohurive profesionale, por edhe ndjeshmërinë sociale, përgjegjësinë dhe angazhimin për çështjet që ndikojnë në mirëqenien e individit dhe të shoqërisë.

Bashkëpunimi me organizatën SIT përbën një mundësi për të afruar studentët me iniciativa ndërgjegjësuese dhe për të promovuar një qasje më të hapur dhe gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit mendor.

Continue Reading

Të kërkuara