Lajmet

Gjykata Themelore hedh poshtë padinë kundër ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë padinë e një grupi aktivist kundër rregullatorit të energjisë në Kosovë në lidhje me shtrenjtimin e rrymës, njoftoi të mërkurën avokati i grupit, Ardian Bajraktari.

Bajraktari shkroi në Facebook se ka pranuar aktvendimin e Gjykatës Themelore, sipas të cilit kërkesa e grupit “Asnji cent ma shumë” për padi ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) është refuzuar.

Ai njoftoi se grupi do të ankohet në Gjykatën e Apelit kundër vendimit të Themelores.

“Beteja ligjore kundër vendimit të ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë vazhdon”, shkroi ai.

Rregullatori i energjisë e miratoi më 11 prill rritjen e çmimeve për tarifat e energjisë elektrike për 16.1 për amvisëri dhe biznese që kanë deri në 50 punëtorë, duke nxitur protesta.

Tarifat e reja u miratuan më 16 prill dhe u futën në fuqi më 1 maj.

Grupi “Asnjë cent më shumë” zhvilloi disa protesta gjatë kohës kur ZRRE-ja po shqyrtonte rritjen e çmimit të rrymës dhe asokohe paralajmëroi padi ndaj saj.

Ngritja e çmimit të rrymës ka çuar edhe në rritjen e çmimeve të produkteve themelore.

Çmimi prej 50 centësh për një bukë tashmë ka ndryshuar shumëkund në Prishtinë: në disa furra buka blihet për 60 centë, e në disa të tjera për 80 centë.

Në disa kafene dhe restorante të kryeqytetit të Kosovës, çmimi për një kafe është ngritur nga 1 euro në 1.5 ose në 2 euro.

Javë më parë, Institucioni i Avokatit të Popullit i kërkoi ZRRE-së t’i pezullojë vendimet për rritjen e çmimit të rrymës deri në përfundimin e hetimeve lidhur me ankesat e qytetarëve.

Sipas tij, rritja e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, “duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale”.

Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e kundërshtoi ashpër vendimin për rritjen e çmimit të rrymës, duke thënë se “rritja e çmimit të energjisë nuk do të mbetet rast i izoluar, por do të prodhojë rritje të çmimeve të tjera”.

ZRRE-ja argumentoi se rritja e tarifave këtë vit ishte e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Kosova, viteve të fundit, është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve./REL/

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara