Lajmet

Këto janë figurat kyçe të qeverisë së re të talibanëve

Published

on

Talibanët kanë formuar Qeverinë e re, teokratike të Afganistanit, disa javë pasi më 15 gusht ra qeveria e Kabulit që njihej ndërkombëtarisht, dhe disa ditë pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare nga Afganistani.

Lideri i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhunzada, një klerik i linjës së ashpër dhe ish-shef i drejtësisë, është emëruar lider suprem. Ai do të ketë fjalën e fundit për çështjet politike, fetare dhe ushtarake në shtetin, sistemi i të cilit ta kujton udhëheqjen e Iranit, i cili që prej vitit 1979 udhëhiqet nga klerikët.

Mullah Mohammad Hassan Akhund, një prej themeluesve të grupit në fillim të viteve të 90-ta, ka shërbyer edhe si ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër gjatë regjimit taliban në vitet 1996-2001, është zgjedhur shef i qeverisë dhe do të mbikëqyrë çështjet e përditshme.

Mullah Abdul Ghani Baradar, një prej bashkëthemeluesve të talibanëve, që më herët ka qenë një prej tre zëvendësve të Akhunzadas, do të jetë zëvendësi i parë i Akhundit.

Mawlawi Hanafi, një figurë e lartë e talibanëve që ka qenë pjesë e ekipit negociator në bisedimet e paqes në Katar, është emëruar zëvendësi i dytë i Akhundit.

Edhe pozita të tjera kyçe janë plotësuar me dy zëvendës: Mullah Mohammad Yaqoob, djali i liderit të ndjerë shpirtëror të talibanëve, Mullah Mohammad Omar, është emëruar ministër i Mbrojtjes.

Sirajuddin Haqqani, lideri i rrjetit Haqqani, që është një fraksion i fuqishëm i talibanëve, do të shërbejë në postin e ministrit të Brendshëm.

Sher Mohammad Abbas Stanekzai, një lider kyç taliban që ka punuar si i dërguar diplomatik, është emëruar zëvendësministër i Jashtëm.

Një prej detyrave të para të qeverisë së talibanëve do të jetë që të tentojnë të hapin kanalet diplomatike dhe ekonomike, teksa kërkojnë njohjen nga qeveritë e huaja, por disa qeveri në Perëndim kanë sinjalizuar se do të “angazhohen” në marrëdhënie politike, por pa e njohur qeverinë e talibanëve.

Të gjithë personat e emëruar në postet e reja, u tha se janë në “detyrë”.

Mullah Hassan Akhund

Akhund është një prej figurave më të larta të talibanëve. Ai ishte një prej anëtarëve që themeloi grupin në fillim të viteve të 90-ta dhe ka shërbyer si zëvendëskryeministër gjatë regjimit taliban gjatë viteve 1996-2001. Ai gjatë asaj kohe po ashtu kishte shërbyer si ministër i Jashtëm dhe guvernator provincial.

Akhund, që vjen nga Kandahari, që konsiderohet si vendlindja e talibanëve, besohet se ka qenë bashkëpunëtor i afërt i Mullah Mohammad Omar, liderit të ndjerë shpirtëror të talibanëve.

Gjatë kryengritjes së talibanëve, Akhund ka qenë një komandant i lartë ushtarak. Ai gjithashtu ka udhëhequr këshillin udhëheqës të talibanëve, që është trupi më i lartë vendimmarrës i grupit dhe që e ka selinë në Kueta të Pakistanit.

Akhund, që prej vitit 2001 gjendet në listën e terroristëve të Kombeve të Bashkuara, vit kur nga pushimi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkura talibanët u rrëzuan nga pushteti. OKB-ja e ka përshkruar atë si një prej “komandantëve më efektivë të talibanëve”. Po ashtu thuhet se ai ka lindur ndërmjet viteve 1955 dhe 1958.

Ibraheem Bahiss, një hulumtues i pavarur afgan, tha se duke pasur parasysh statusin e Akhundit, nuk ishte “befasi e madhe” që ai është emëruar si kreu i ri i qeverisë.

Mullah Baradar

Abdul Ghani Baradar, një lider veteran i talibanëve, është fytyra më publike e këtij grupi militant islamist.

Baradar, 53 vjeç, ishte numri dy gjatë udhëheqjes së grupit nga Mullah Omar dhe kishte koordinuar operacionet ushtarake të talibanëve në Afganistan, përpara se të arrestohej më 2010 në Pakistanin fqinj.

Barabar u burgos nga autoritetet pakistaneze pasi ai, siç u raportua, lehtësoi bisedimet ndërmjet Qeverisë afgane dhe komandës talibane pa miratimin e Pakistanit, që është sponsori kryesor i huaj i grupit militant.

Baradar kishte qëndruar tetë vjet në burg në Pakistan, ku shumë liderë talibanë u larguan pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja më 2001, që rrëzoi nga pushteti regjimin brutal të talibanëve.

Ai u lirua më 2018 me urdhër të SHBA-së pas nisjes së bisedimeve direkte ndërmjet militantëve dhe Uashingtonit, ku u bë udhëheqës i zyrës politike të talibanëve në Katar dhe kryengociator i grupit militant.

Baradar e ka nënshkruar marrëveshjen e shkurtit të vitit 2020 me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Zalmay Khalilzad në ceremoninë e mbajtur në Doha të Katarit.

“Baradar ka qenë figurë kyçe e udhëheqësisë dhe diplomacisë së talibanëve”, thotë Graeme Smith, autori mbi Afganistanin dhe konsulent për Grupin Ndërkombëtar të Krizave me seli në Bruksel.

Por, ai thotë se do të ishte gabim përqendrimi në një lider të vetëm taliban.

“Udhëheqësia e talibanëve është më kolektive sesa hierarkitë poshtë-lartë që janë në organizatat e tjera”, tha Smitth.

“Ata konsultohen gjerësisht, jo vetëm në mesin e udhëheqësisë, por edhe me një numër të këshillave që janë të krijuar brenda grupit”, shtoi ai.

Baradar vjen nga provinca jugore Uruzgan dhe është Durrani Pashtun nga fisi Popalzai. Pashtunët në jug të Afganistanit përbëjnë një pjesë të madhe të udhëheqësisë së talibanëve,

Për shkak të raporteve të afërta me Mullah Omarin, ai fitoi emrin “Baradar” që do të thotë “vëlla”.

Mullah Yaqoob

Mullah Yaqoob praktikisht ishte një emër i panjohur deri më 2015, kur talibanët e pranuan se babai i tij, Mullah Omar, kishte vdekur mbi dy vjet më herët në Pakistan.

Që atëherë, Yaqoob, një njeri ambicioz, u ngrit në radhët e talibanëve. Ai konsolidoi pushtetin, pasi dështoi që atë vit të pasonte babanë e tij në krye të grupit, duke u bërë fillimisht zëvendëslider dhe më pas u emërua shef ushtarak.

Yaqoob, që besohet se është në të 30-tat, ka mbikëqyrur operacionet ushtarake në 13 provincat jugore dhe perëndimore pavarësisht se ai nuk ka eksperiencë në fushëbetejë. Yaqoob ka diplomuar në disa seminare të linjës së ashpër islamike në Pakistan.

Ekspertët thonë se prestigji i të qenurit djali i madh i Mullah Omarit bëri që Yaqoob të bëhej komandant i talibanëve dhe të ngritej në hierarkinë e grupit.

“Mullah Omar ka qenë një lider karizmatik dhe ende ka respekt të madh për të, familjen e tij dhe madje edhe për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, shumica prej të cilëve gjatë viteve janë promovuar në pozita me ndikim”, tha Obaid Ali, ekspert për kryengritjet në Afganistan në Rrjetin e Analizave, një organizatë e pavarur me seli në Kabul.

Sirajuddin Haqqani

Sirajuddin Haqqani është zëvendëslideri dhe shefi ushtarak i talibanëve, që ka mbikëqyrur operacionet në 21 provincat lindore dhe veriore të Afganistanit.

Ai po ashtu është lider i rrjetit Haqqani, që është fraksioni më i fuqishëm dhe më vdekjeprurës i talibanëve. Këtë rrjet, SHBA-ja e cilëson si organizatë terroriste.

Ekspertët thonë se rrjeti ka lidhje të ngushta me Al-Kaidën dhe udhëheqësinë ushtarake të Pakistanit, shtet që për një kohë të gjatë është akuzuar se u ka ofruar strehë të sigurt dhe mbështetje materiale talibanëve.

Rrjeti – që bazën e ka në zonat fisnore në veriperëndim të Pakistanit – është fajësuar për një sërë sulmesh vdekjeprurëse ndaj civilëve dhe afganëve, por edhe forcave të huaja të sigurisë, duke fituar famë për përdorimin e sulmuesve vetëvrasës me bombë në sulme në zona urbane.

Haqqani, për kokën e të cilit SHBA-ja ofron 10 milionë dollarë, është djali i liderit të ndjerë radikal islamik, Jalaluddin Haqqani, që ka qenë një prej komandantëve kyçë të rezistencës në luftën kundër forcave sovjetike në Afganistan në vitet e 80-ta.

Sher Mohammad Abbas Stanekzai

Stanekzai ka qenë zëvendës i Baradarit në zyrën politike të talibanëve në Katar.

Stanekzai është trajnuar dhe ka diplomuar në shkolla prestigjioze ushtarake në Indi në vitet e 80-ta, para se t’i bashkohej muxhahedinëve, guerilëve islamikë të mbështetur nga SHBA-ja, që luftuan kundër forcave sovjetike, gjatë pushimit të tyre 10-vjeçar të Afganistanit.Kur talibanët morën nën kontroll Afganistanin më 1996, pas një lufte shkatërruese civile që zgjati katër vjet, Stanekzai u emërua zëvendësministër i Jashtëm.

Ai flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe është një lider kyç i krahut politik të talibanëve dhe ka qenë një prej të dërguarve kyç të grupit për diplomatët e huaj dhe mediat. /REL

Lajmet

Bajrami: Puna e parë në Kuvend do të jetë kriminalizimi i shkeljes së Kushtetutës

Published

on

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar se një nga veprimet e para të Kuvendit do të jetë jetësimi i nismës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës.

Pas ndërprerjes së seancës konstituive, Bajrami ka shkruar në Facebook se “është urgjencë kombëtare të shpëtohet ky shtet”.

“Puna e parë në Kuvend do të jetë jetësimi i nismës së IKD-së për kriminalizimin e shkeljes së Kushtetutës, në mënyrë që ata që e shkelin Kushtetutën, njësoj si armiqtë e këtij shteti, të përfundojnë në burg, të japin llogari dhe të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kritikuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “mashtrues” dhe e ka akuzuar se po synon ta rrënojë shtetin.

“Ky vend nuk është ndërtuar që një mashtrues, i cili erdhi në pushtet me premtimin e bashkimit kombëtar, ta rrënojë shtetin për të cilin njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjymtyrët dhe mbajnë ende plagët në trup!”, ka deklaruar Bajrami./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi vazhdon në orën 14:00 seancën konstituive, në rend dite zgjedhja e nënkryetarëve

Published

on

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot në orën 14:00 seancën konstituive, ndërsa në rend dite është pika për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Vazhdimi i seancës ishte ndërprerë të premten, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës lëshuan sallën, pas dështimit të zgjedhjes së Vlora Çitakut për nënkryetare.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan gjatë votimit për Çitakun, duke bërë që ajo të mos i merrte votat e nevojshme.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje PDK-së që të paraqiste një propozim tjetër, por partia nuk e bëri një gjë të tillë.

Pas ndërprerjes së seancës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se deputetët e kësaj partie nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit dhe paralajmëroi se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Sot pritet të shihet nëse do të ketë një marrëveshje për përmbylljen e procesit të konstituimit të Kuvendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi dështon sërish të përmbyllë seancën konstituive, PDK lëshon sallën

Published

on

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të përmbyllet edhe në vazhdimin e sotëm, pasi procesi mbeti te zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Në votimin e veçantë për nënkryetarët, Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh në këtë pozitë me 101 vota.

Ndërkaq, kandidatja e PDK-së, Vlora Çitaku, nuk arriti të marrë votat e nevojshme për nënkryetare. Deputetët e LVV-së abstenuan gjatë votimit për kandidaturën e saj.

Pas këtij votimi, deputetët e PDK-së lëshuan sallën e Kuvendit, ndërsa kryetarja Albulena Haxhiu ndërpreu punimet e seancës.

Haxhiu tha se për vazhdimin e radhës së seancës deputetët do të njoftohen me kohë. Me këtë, Kuvendi ende nuk ka arritur ta përmbyllë procesin e konstituimit.

Seanca e sotme vjen në kuadër të përpjekjeve për përmbylljen e seancës konstituive dhe funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Profesorët e UBT-së, Marigona Bekteshi Ferati dhe Mirsad Ferati publikojnë artikull shkencor në revistën e indeksuar në Scopus dhe Web of Science

Published

on

By

Kontributi i stafit akademik të UBT-së në kërkimin shkencor dhe në publikimet ndërkombëtare është pasuruar me një tjetër rezultat të rëndësishëm. Prof. Dr. Marigona Bekteshi Ferati në bashkëautorësi me Prof. Mirsad Ferati kanë publikuar artikullin shkencor me titull “Ethical Imagination from Actor Training to Applied Theatre: Participatory, Horizontal and Relational Studio Practices at the Stella Adler Academy”, në revistën ndërkombëtare Applied Theatre Research: Socially Engaged Performance, të botuar nga Intellect.

Revista është një publikim ndërkombëtar, peer-reviewed, që fokusohet në kërkimet dhe praktikat bashkëkohore në teatrin e aplikuar dhe performancën e angazhuar shoqërore.

Publikimi i artikullit në këtë revistë përfaqëson një arritje të rëndësishme akademike, duke dëshmuar angazhimin e profesorëve të UBT-së në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në adresimin e temave bashkëkohore në fushën e artit, teatrit dhe performancës.

Artikulli trajton imagjinatën etike në procesin e formimit të aktorit dhe kalimin nga trajnimi tradicional i aktorit drejt praktikave të teatrit të aplikuar, duke u fokusuar në praktikat pjesëmarrëse, horizontale dhe relacionale të zhvilluara në studion e Stella Adler Academy. Përmes kësaj qasjeje, autorët shqyrtojnë mënyrat se si procesi i trajnimit artistik mund të krijojë hapësira për bashkëpunim, dialog, reflektim dhe angazhim të ndërsjellë.

Continue Reading

Të kërkuara