Lajmet

Katër ditë pune në javë: Cilat shtete e kanë ‘përqafuar’ dhe si po shkon?

Ideja është e thjeshtë – punonjësit do të punojnë katër ditë në javë, ndërkohë që paguhen njësoj dhe kanë të njëjtat përfitime.

Published

on

Diskutimet rreth katër ditëve pune në javë janë rindezuar nga pandemia COVID-19, meqë punëtorët dhe punëdhënësit e kanë në konsideratë rëndësinë e fleksibilitetit dhe përfitimeve në vendin e punës.

Ideja është e thjeshtë – punonjësit do të punojnë katër ditë në javë, ndërkohë që paguhen njësoj dhe kanë të njëjtat përfitime, por me të njëjtën ngarkesë pune.

Prandaj kompanitë që reduktojnë javën e tyre të punës do të funksionojnë me më pak takime dhe më shumë pavarësi në punë.

E përshëndetur si e ardhmja e produktivitetit të punonjësve dhe balancës punë-jetë, avokuesit e këtij sistemi sugjerojnë që sapo të fillojë së zbatuari, kënaqësia e punonjësve rritet, dhe po ashtu edhe produktiviteti.

Sindikatat në të gjithë Evropën po bëjnë thirrje që qeveritë të zbatojnë javën katërditore të punës, por cilat vende e kanë përqafuar idenë dhe si po shkon deri tani?

Belgjika

Në shkurt, punonjësit belgë fituan të drejtën për të kryer një javë të plotë pune me katër ditë në vend të pesë ditëve të zakonshme, pa ulje të rrogës.

Projektligji hyri në fuqi më 21 nëntor, duke u mundësuar punonjësve të vendosin nëse do të punojnë katër apo pesë ditë në javë. Por kjo nuk do të thotë se ata do të punojnë më pak – ata thjesht do të kondensojnë orët e tyre të punës në më pak ditë.

Kryeministri belg, Alexander de Croo shpreson se ndryshimi do të ndihmojë që tregu i Belgjikës të jetë më fleksibël dhe do ta bëjë më të lehtë për njerëzit të kombinojnë jetën e tyre familjare me karrierën e tyre. Sipas tij, modeli i ri duhet të krijojë një ekonomi më dinamike.

Vetëm rreth 71 nga 100 belgë të grupmoshës nga 20 deri në 64 vjeç janë në marrëdhënie pune, më pak se mesatarja e eurozonës prej rreth 73 dhe plot 10 pikë përqindjeje më pak se në vendet fqinje si Holanda dhe Gjermania, sipas të dhënave të Eurostat për tremujorin e tretë të vitit 2021.

Mbretëria e Bashkuar

Kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar që e testuan këtë sistem, tani po planifikojnë që ta bëjnë atë të përhershëm, meqë eksperimenti u dëshmua si “jashtëzakonisht i suksesshëm”.

Dhjetra kompani janë përfshirë në programin pilot gjashtëmujor, më i madhi i këtij lloji, i cili u lansua më 6 qershor të këtij viti për të studiuar ndikimin e orëve më të shkurtra të punës në produktivitetin e bizneseve dhe mirëqenien e punëtorëve të tyre, si dhe ndikimin në mjedis dhe barazinë gjinore.

Rreth 70 kompani në Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë se 3 mijë e 300 punonjës janë regjistruar deri më tani në këtë program, i cili po drejtohet nga studiues në Universitetet Cambridge dhe Oxford, dhe Kolegji i Bostonit, si dhe grupet jofitimprurëse të avokimit 4 Day Week Global, 4 Day Week UK Campaign dhe the UK think tank Autonomy.

Skocia dhe Uellsi

Në Skoci dhe në Uells kjo nismë do të testohet në vitin 2023. Ky vendim erdhi si premtim i një fushate që u bë nga Partia Kombëtare Skoceze (SNP) në pushtet.

Punëtorëve do t’u reduktohet ora me 20 për qind, por paga nuk do t’iu ulet. SNP do të mbështesë kompanitë pjesëmarrëse me rreth 10 milionë £ (11.8 milionë €).

Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Instituti për Kërkime të Politikave Publike (IPPR) në Skoci, 80 për qind e njerëzve që iu përgjigjën idesë ishin shumë pozitivë ndaj nismës.

Spanja

Pasi partia e vogël e majtë Más País njoftoi në fillim të këtij viti se qeveria ra dakord me kërkesën e tyre për të nisur një program pilot modest të një jave pune katërditore, Spanja nisi një projekt pilot në muajin dhjetor.

Piloti do të ndihmojë SME-të të shkurtojnë javën e tyre të punës me të paktën gjysmë dite, pa ulur pagat.

Ky është një test për të parë nëse produktiviteti mund të rritet. Kompanitë që regjistrohen mund të marrin ndihmë nga një fond qeveritar prej 10 milionë euro, por ato duhet të hartojnë mënyra për të rritur produktivitetin që kompenson tejkalimin e kostos së pagave, tha Ministria e Industrisë e Spanjës.

Islanda: Një nga liderët në javën e punës katërditore

Midis viteve 2015 dhe 2019, Islanda kreu pilotimin më të madh në botë të një jave pune me 35 deri në 36 orë (prerë nga 40 orë tradicionale) pa asnjë thirrje për një ulje proporcionale të pagave. Rreth 2 mijë e 500 njerëz morën pjesë në fazën e testimit.

Për të siguruar kontrollin e cilësisë, rezultatet u analizuan nga instituti britanik Autonomy dhe Shoqata Islandeze jofitimprurëse për Qëndrueshmëri dhe Demokraci (ALDA).

Piloti u quajt një sukses nga studiuesit dhe sindikatat islandeze që negociuan për një reduktim të orëve të punës.

Suedia

Në Suedi, një javë pune katërditore me pagesë të plotë u testua në vitin 2015 me rezultate të përziera.

Propozimi ishte që të provoheshin ditët e punës gjashtëorëshe në vend të atyre tetëorëshe pa humbje page, por jo të gjithë ishin të kënaqur me idenë e shpenzimit të parave në pilotim.

Edhe partitë e majta menduan se do të ishte shumë e shtrenjtë për ta zbatuar këtë në një shkallë të gjerë.

Por rezultate pozitive u vunë re brenda njësisë së ortopedisë së një spitali universitar, i cili kaloi 80 infermierë dhe mjekë në një ditë pune gjashtë orëshe dhe punësoi staf të ri për të kompensuar kohën e humbur. Përgjigja e stafit mjekësor ishte pozitive, por edhe eksperimenti u përball me shumë kritika dhe nuk u rinovua.

Megjithatë, disa kompani, si prodhuesi i makinave Toyota, zgjodhën të mbajnë orët e reduktuara për punëtorët e tyre.

Gjermania

Gjermania është shtëpia e një prej javëve mesatare më të shkurtra të punës në Evropë. Sipas Forumit Ekonomik Botëror (WEF), java mesatare e punës është 34.2 orë. Megjithatë, sindikatat po bëjnë thirrje për ulje të mëtejshme të orëve të punës.

Vitin e kaluar, IG Metall, sindikata më e madhe e vendit, bëri thirrje për javë më të shkurtra pune, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në ruajtjen e vendeve të punës dhe shmangien e pushimeve nga puna.

Sipas një sondazhi të Forsa, 71 për qind e njerëzve që punojnë në Gjermani do të dëshironin të kishin mundësinë të punonin vetëm katër ditë në javë.

Japonia

Në vende të tjera si Japonia, janë kompanitë më të mëdha që po hyjnë në këtë sistem, pas njoftimit të qeverisë japoneze në vitin 2021 rreth një plani për të arritur një ekuilibër më të mirë punë-jetë në të gjithë vendin.

Ka disa arsye që kjo mund të jetë e mirë për vendin, ku vdekja nga puna e tepërt merr shumë jetë.

Stafi që punon me orë shtesë shpesh mund të sëmuret për shkak të punës së tepërt ose të bëhet vetëvrasës.

Në vitin 2019, gjiganti i teknologjisë Microsoft eksperimentoi me modelin duke u ofruar punonjësve fundjavë treditore për një muaj.

Lëvizja rriti produktivitetin me 40 për qind dhe rezultoi në punë më efikase.

Zelanda e Re

Ndërkohë, në Zelandën e Re, 81 punonjës që punojnë për gjigantin e mallrave të konsumit Unilever po marrin pjesë aktualisht në një provë njëvjeçare të një jave pune katërditore me pagesë të plotë.

“Qëllimi ynë është të matim performancën në rezultat, jo në kohë. Ne besojmë se mënyrat e vjetra të punës janë të vjetruara dhe nuk janë më të përshtatshme për qëllimin”, tha Nick Bangs, Drejtor menaxhues i Unilever. Nëse eksperimenti rezulton i suksesshëm, thuhet se do të shtrihet në vende të tjera.

Interes i madh në ShBA dhe Kanada

Sipas një sondazhi nga shitësi i softuerëve cloud Qualtrics, 92 për qind e punëtorëve amerikanë janë pro shkurtimit të javës së punës, edhe nëse kjo nënkupton punë me orë më të gjata.

Në Kanada, hulumtimi nga agjencia globale e punësimit Indeed tregoi se 41 për qind e punëdhënësve kanadezë po shqyrtojnë oraret alternative hibride dhe stilet e reja të punës, pas pandemisë COVID-19./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Kurti flet për paradoksin e zgjerimit të BE-së

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i mbajtur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Në këtë samit ishin të pranishëm përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, dhe Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjët dhe Negociatat për Zgjerimin e BE-së, Gert.

Në fjalën e tij, Kurti përgëzoi Shqipërinë për avancimin drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë historike të hapjes së të 33 kapitujve të negociatave. Ai përmendi progresin e Kosovës në sundimin e ligjit, duke theksuar renditjen e vendit tonë në vendin e tretë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore sipas Indeksit të Botës për Sundimin e Ligjit, si dhe faktin se Kosova është konsideruar si vendi më i sigurt në rajon me kriminalitetin më të ulët dhe progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit.

Kurit vuri në pah rritjen ekonomike të Kosovës dhe heqjen nga listat e vendeve të brishta nga Banka Botërore dhe FMN-ja. Megjithatë, ai kritikoi masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës, duke kërkuar heqjen e tyre dhe dhënien e statusit të kandidatit, që sipas tij, Kosova e meriton dhe është e përgatitur për të.

Të flasësh për urgjencë në zgjerim, ndërkohë që aplikimi i Kosovës mbetet i bllokuar për tre vjet, është një paradoks”, tha Kurti. Ai theksoi rëndësinë e reformave dhe përparimin e nevojshëm për zbatimin e Axhendës së Reformave të Planit të Rritjes.

Kurti gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për integrimin në tregun e vetëm të BE-së dhe përparimin në lëvizshmërinë dhe tregtinë rajonale. Ai përmendi sektorët kyç të identifikuar në Samitin e Shkupit si pjesë e Autostradës së Tregut të Vetëm, duke përfshirë Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, mbrojtjen dhe bujqësinë.

Ai theksoi gjithashtu potencialin e Kosovës në transformimin ekonomik digjital dhe çmimin më të ulët të energjisë elektrike në rajon, duke e cilësuar vendin si një qendër të fortë potenciale për fabrikat e Inteligjencës Artificiale të BE-së.

Në përfundim, Kurti njoftoi planet për mobilizimin e të paktën një miliard euro investime kapitale në vit për projekte strategjike dhe theksoi rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës rrugore dhe korridoreve rajonale për avancimin e integrimit ekonomik./KP

Continue Reading

Lajmet

KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, këto janë afatet kryesore

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me përgatitjet për organizimin e zgedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Në mbledhjen e mbajtur, KQZ mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Sipas vendimit të KQZ-së, afatet e aktiviteteve zgjedhore përfshijnë: fushata zgjedhore, aplikimi i subjekteve politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë, regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, akreditimi i vëzhguesve. Si në vijim:

KQZ pranon ekstraktin e parë të regjistrit qendror civil nga Ministria e Punëve të Brendshme/ Agjencia e Regjistrimit Civil më së voni me datën 22.11.2025;

KQZ merr vendim për caktimin e kufizimit të shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025 më së voni me datën 24.11.2025;

Partitë politike të regjistruara deklarojnë mos pjesëmarrjen në zgjedhje në periudhën kohore 24.11.2025 deri më 30.11.2025;

Partitë politike të regjistruara deklarohen për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve, në periudhën kohore 24.27.2025 deri më 30.11.2025;

Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike realizohet nga data 24.11.2025 deri më 30.11.2025;

Periudha e dorëzimit të listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara realizohet nga data 24.11.2025 deri më 07.12.2025;

Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve pulitke në fletëvotim realizohet në datën 08.12.2025;

KQZ merr vendim për emërimin e anëtarëve të Komisioneve  Komunale Zgjedhore me datën 26.11.2025;

KQZ publikon listën e Qendrave të Votimit me datën 25.11.2025;

KQZ miraton dhe publikon listën e Qendrave Komunale të Numërimit me datën 25.11.2025;

Periudha e shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrave të votimit fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 06.12.2025;

Periudha e kundërshtimit dhe konfirmimit e listës së votuesve fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 07.12.2025;

Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 06.12.2025;

Lista e votuesve që përfshinë votuesit brenda dhe jashtë Kosovës certifikohet nga KQZ, me datën 10.12.2025;

Periudha e votimit përmes postës fillon me datën 12.12.2025 dhe përfundon me datën 27.12.2025;

Fushata zgjedhore e subjekteve politike të certifikuara fillon me datën 17.12.2025 dhe përfundon me datën 28.12.2025;

Periudha e regjistrimit të personave me nevoja të veçanta fillon me datën 11.12.2025 dhe përfundon me datën 21.12.2025;

KQZ emëron këshillat e vendvotimeve, më së voni me datën 16.12.2025;

KQZ emëron këshillat e vendvotimeve në përfaqësi diplomatike më së voni me datën 16.12.2025;

KQZ emëron ekipet e numërimit për Qendrat Komunale të Numërimit më së voni me datën 16.12.2025;

Periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve fillon me datën 05.12.2025 dhe përfundon me datën 20.12.2025./EO

Continue Reading

Lajmet

FSK në ushtrimin “Golden Sabre 25”, të organizuar nga misioni i NATO-s në Kosovë

Published

on

By

Forca e Sigurisë së Kosovës mori pjesë në ushtrimin “Golden Sabre 25”, të organizuar nga misioni i NATO-s në Kosovë.

FSK dëshmon kapacitetet specialistike të Gardës Kombëtare në ushtrimin “Golden Sabre 25” për herë të dytë këtë vit. Pjesëmarrja e njësive specialistike të FSK-së në një ushtrim të këtij konteksti, përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në mes të KFOR, FSK, PK dhe EULEX”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Më tej, thuhet se “Angazhimi i FSK-së në këtë kontekst shumëkombësh, me kapacitetet specialistike të Gardës Kombëtare, përbën një dëshmi të qartë të avancimit të aftësive në realizimin e detyrave kyçe për ofrimin e Mbështetjes Ushtarake për Autoritetet Civile( MUAC) në përputhje me standardet e NATO-s. Ky aktivitet mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme partnere dhe aleate, me qellim të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe testimit të gatishmërisë dhe përgjigjes së koordinuar ndaj krizave, në një mjedis kompleks operacional”.

FSK vazhdon të thellojë angazhimin e saj në iniciativa të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, duke u mbështetur në partneritet të qëndrueshëm dhe në vizionin e një vendi të sigurt, të integruar dhe të gatshëm për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global./EO

Continue Reading

Lajmet

BE kërkon sinkronizim të reformave, Kos u dërgon porosi të qartë vendeve të Ballkanit Perëndimor

Published

on

By

Komisionerja për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka kërkuar nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin në sinkron sa i përket realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së.

Sipas saj, është e rëndësishme të mos krijohen hendeqe mes gjashtë vendeve të rajonit, derisa tha se muaji qershor i vitit 2026 është një afat i rëndësishëm në zbatimin e Planit të Rritjes, pasi skadon periudha njëvjeçare e pritjes për reformat e papërmbushura.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.

Kos, në konferencë për media pas përfundimit të samitit rajonal për Planin e Rritjes që u mbajt të premten në Tiranë, tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së, si shpërblim i merituar për përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe vlerat e unionit.

Objektivi ynë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara në sinkron dhe nuk duam që të krijohen hendeqe të reja mes jush gjashtë vendeve të rajonit. Në fund të fundit, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Bashkimit Evropian dhe duhet të jenë pjesë e tij. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen shtete anëtare me të drejta të plota të BE-së si shpërblim i merituar për përafrimin me legjislacionin e BE-së dhe vlerat. Le të përqendrohemi sot në mënyrën sesi të përshpejtojmë punën… Në qershor do të kemi skadimin e periudhës tranzitore njëvjeçare për reformat e papërmbushura nga raundi i dytë i raportimit. Për këtë arsye i bëj thirrje të gjithë udhëheqësve të rajonit që të punojnë më fort për reformat”, theksoi ajo.

Në anën tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se samiti i sotëm ishte i frytshëm, duke konfirmuar se Plani i Rritjes është një urë e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian.

Sot mund të them se kemi mbyllur një takim edhe një herë tjetër të frytshëm me hapa konkretë të mëtejshëm që e afrojnë më tej rajonin me Bashkimin Evropian. Duke konfirmuar përsëri se Plani i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët evropian”, deklaroi Rama.

Pjesë e samitit ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Kosova ende nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes, pasi disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, por të cilat, për shkak të krizës politike në Kosovë, nuk u miratuan në legjislativ.

Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253,3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629,3 milionë eurosh janë hua afatgjata./KP

Continue Reading

Të kërkuara