Aktualitet

Kancelari Olaf Scholz udhëton në Paris

Si e shohin kancelarin e ri në Francë? Dhe pse një vizitë në brigjet e Senës është më shumë se thjesht mirësjellje?

Published

on

Kur prezantuesi e pyeti Olaf Scholzin, gjatë një debati televiziv se ku do të zhvillohej udhëtimi i tij i parë zyrtar si kancelar, ai nuk dyshoi për asnjë sekondë: “Në Paris”. Tani do të ndodhë me të vërtetë: Olaf Scholz-i, kancelari i ri gjerman, do të shkojë në ditën e tretë të mandatit te partneri kryesor evropian i Republikës Federale. Në shtetin fqinj. Në Francë.

Por kjo nuk është hera e parë që Olaf Scholz-i viziton Pallatin Élysée.Ai mbahet mend ende mirë atje si zëvendëskancelar dhe ministër i Financave i Angela Merkelit dhe si partner i homologut të tij francez Bruno Le Maire. Të dy nxitën krijimin e Fondit të Rindërtimit të BE-së për pandeminë COVID. “Tek ne, Scholz-i është mbi të gjitha sinonim i vazhdimësisë dhe parashikueshmërisë”, shpjegon Christophe Arend, deputet i partisë në pushtet (LREM).

Në Francë e lexojnë me kënaqësi programin e koalicionit qeveritar. Edhe nga ana përmbajtësore janë të prirur për mirë ndaj Olaf Scholz. “Mendoj se Parisi do ta ketë lexuar me shumë kënaqësi marrëveshjen e koalicionit, veçanërisht atë që i kushtohet Evropës dhe politikës së jashtme dhe të sigurisë”, thotë Ronja Kempin në një intervistë për DW. Kryesisht sepse qeveria e re gjermane dëshiron të ndërtojë një “Evropë strategjikisht autonome”. Me fjalë të tjera, një Evropë të aftë për të vepruar unanimisht në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Kjo është një kërkesë e vjetër e presidentit francez Emmanuel Macron, e cila deri tani ka hasur në ngurrim nga Berlini.

Në përgjithësi, marrëveshja e koalicionit është në shumë pika një përgjigje e vonuar ndaj dorës së shtrirë të Macronit ndaj Gjermanisë, shpjegon Paul Maurice i IFRI. Sepse për vite me radhë, Franca ishte mjaft e zhgënjyer nga Gjermania e Merkelit. Në shtator 2017, Presidenti Macron prezantoi një plan ambicioz për të ardhmen e Evropës në fjalimin e tij në Sorbonë. “Evropa që ne njohim është shumë e dobët, shumë e ngadaltë, shumë joefikase, por vetëm Evropa na jep hapësirë për manovrim në këtë botë gjatë sfidave të mëdha”. Zgjidhja e propozuar nga Macron: më shumë Evropë.

Shpresa e tij: që Gjermania do të ngrihet, do t’i bashkohet Francës dhe do të ndërtojë një të ardhme të përbashkët evropiane. Por përgjigja nuk erdhi. Kryesisht sepse Gjermania nuk donte të bënte një hap shumë largvajtës drejt integrimit evropian.

06.09.2021

Thyerja e tabusë së “integrimit të diferencuar”

“Me qeverinë e re federale, do të jetë e mundur të gjesh gjuhën e përbashkët më shpejt se më parë për çështjet e politikës evropiane,” thotë Ronja Kempin. Programi i koalicionit qeveritar paraqet në shtatë faqe ndonjëherë kërkesa radikale dhe projekte investimi për të gjithë Evropën. Nuk mund të përfytyrohet që kjo të mbështetet në këtë mënyrë nga fqinjët evropianë, veçanërisht nëse merret parasysh Polonia ose Hungaria. Në teori, këto shtete mund të bllokojnë reformat.

Por koalicioni pohon gjithashtu se prandaj dëshiron të presë më rrallë për ata që frenojnë: “Ne përsëri do t’i japim përparësi metodës së Komunitetit, por do të ecim përpara me shtetet e veçanta individuale aty ku është e nevojshme”, mund të lexohet në marrëveshje.

“Nuk ishte në ADN-në politike të qeverisë së mëparshme,” thotë Kempin, “madje që ta konsideronin “integrimin e diferencuar” – thuhej gjithmonë se 27 shtetet anëtare duhej të ecnin përpara me të njëjtin ritëm”. Tani e tutje, do të jenë të mundshme grupe më të vogla të vullnetshmish. Është pikërisht kjo risi që pritej në Francë.

Marrëveshja e koalicionit përfundimisht i kushton gjithashtu një rëndësi të madhe marrëdhënieve gjermano-franceze. “Në faqen 136 përmendet Asambleja Parlamentare Gjermano-Franceze”, shprehet me gëzim Christophe Arend, i cili ndodhet në bordin drejtues të kësaj organizate. “Kjo është një shenjë e fortë se qeveria e ardhshme gjermane e merr shumë seriozisht këtë asamble, se ne mund të kapërcejmë pengesat edhe përmes niveleve të tjera të bashkëpunimit”.

Deutschland neue Bundesregierung

Çdo martesë ka pikat e saj të mosmarrëveshjes

Megjithatë, pikat e mosmarrëveshjeve në dukje të pazgjidhshme mbeten. Çështja e mprehtë e energjisë bërthamore, për shembull. Asgjë nuk ndryshon në planet gjermane për fundin e energjisë bërthamore. Koalicioni i ri gjerman i ka vendosur vetes synimin të prodhojë 80% të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të energjisë deri në vitin 2030. Në të njëjtën kohë, ai ruan braktisjen e energjisë bërthamore. Në Francë, besohet se qëllimet klimatike mund të arrihen vetëm me energji bërthamore më të mirë moderne.

Parisi e sheh me skepticizëm, nëse jo me frikë, ministrin e ri të Financave, Christian Lindner, një mbështetës të një politike të rreptë buxhetore. Me ardhjen e kreut të FDP-së, reforma e Paktit Evropian të Stabilitetit drejt më shumë fleksibilitetit për sa i përket borxhit publik është edhe më e paarritshme. Edhe këtu, Franca dhe shtetet e Evropës Jugore janë në njërën anë, Gjermania dhe të ashtuquajturit “katër kursimtarët” (Austri, Holandë, Suedi dhe Danimarkë)në kundërshtim të plotë.

Por këto janë grindje të së ardhmes. Para së gjithash, Franca do të marrë presidencën e Këshillit të BE më 1 janar 2022 për gjashtë muaj. Dhe në prill, Franca do të mbajë zgjedhje, rezultati i të cilave nuk dihet ende. Prandaj ka një dritare të vogël prej tre muajsh, gjatë së cilës Franca dhe Gjermania mund të nisin projekte të mëdha evropiane. Edhe për këtë arsye udhëtimi i Olaf Scholz-it në Paris është më shumë se një vizitë mirësjelljeje në brigjet e Senës. Koha për një Evropë të re nuk pret.

Continue Reading

Lajmet

Kroacia reagon ndaj Hagës: Aktgjykim jo përfundimtar, pavarësia e Kosovës nuk pyetet

Published

on

By

Ministria e Punëve të Jashtme e Kroacisë ka reaguar zyrtarisht lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar atë si një vendim jo përfundimtar të shkallës së parë dhe duke refuzuar të paragjykojë epilogun e mëtutjeshëm të procedurës.

Përmes këtij reagimi, MPJ-ja kroate nëvizoi se ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të ngjarjeve, ku Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Diplomacia kroate përfundoi se përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të përdoret aspak si bazë për relativizimin e krimeve serbe, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Grenell: Kurti të veprojë shpejt për ta zhbërë Gjykatën Speciale, deputetët ta ndihmojnë

Published

on

By

Emisari presidencial i Trumpit, Richard Grenell, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale. Grenell ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të veprojë shpejt për ta zhbërë Gjykatën Speciale dhe sipas tij, deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta ndihmojnë në këtë.

“Dënimi i shpallur nga Gjykata e Hagës ndaj Hashim Thaçit, për një luftë të zhvilluar 25 vjet më parë, është i turpshëm.

Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të gjithë të majtë ekstremë. Ata qartazi nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët e bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën.

Gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux ishte në të vërtetë udhëheqësi, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur në vend të tyre politikën e Jack Smithit.

Të gjitha këto gjykata duhet të financohen më menjëherë. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së dhe Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche duhet të veprojnë shpejt. Amerikanët po paguajnë për këto ndjekje penale politike dhe kjo duhet të ndalet.

Edhe Albin Kurti duhet të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë Gjykatë të huaj. Anëtarët e Parlamentit duhet të punojnë me Kurtin për ta bërë këtë të mundur. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”, ka shkruar Grenell.

 

Continue Reading

Lajmet

SHBA-ja: Respektojmë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara thanë se e respektojnë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që ta pranojnë vendimin e gjykatës.

“Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti i Shtetit tha se SHBA-ja mbështet drejtësinë për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre dhe ritheksoi mbështetjen për llogaridhënien, procesin e rregullt ligjor dhe sundimin e ligjit.

Uashingtoni bëri thirrje, gjithashtu, për shmangien e retorikës nxitëse pas shpalljes së aktgjykimit.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë vendimin e gjykatës, të shmangin retorikën nxitëse dhe të vazhdojnë të punojnë drejt një të ardhmeje paqësore dhe demokratike”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Gjykata Speciale në Hagë i shpalli katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërsa Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe avokatët mbrojtës kanë paralajmëruar se do ta apelojnë atë. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Kurtit për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së: Padrejtësi e papranueshme, do të vazhdojmë mbrojtjen në Apel

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si një “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të dëmshëm” vendimin e Dhomave të Specializuara për shpalljen fajtorë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një adresim për qytetarët, kreu i qeverisë theksoi se ky aktgjykimi nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe shprehu besimin se ai do të korrigjohet në shkallën e apelit.

“Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit. Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë”, deklaroi Kurti.

Pavarësisht dënimit, Kurti vuri në dukje se procesi gjyqësor rrëzoi pretendimin më të rëndë që rëndonte mbi UÇK-në, duke vërtetuar se nuk ka pasur një sulm të gjerë apo sistematik ndaj popullsisë civile.

Ai po ashtu ngriti shqetësime për njëanshmëri etnike në procesin gjyqësor, duke kritiukuar faktin se aparati shtetëror serb që kreu krimet mbeti i pagjykuar:

“Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike”.

Kryeministri nënvizoi se pastërtia e luftës çlirimtare mbetet e paprekur dhe se gjykimi i veprimeve individuale nuk e zbeh kauzën historike të Kosovës.

“Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë”, u shpreh ai.

Kreu i ekzekutivit rikonfirmoi se shteti i Kosovës do të vazhdojë t’u ofrojë mbështetje të plotë e institucionale katër ish-drejtuesve gjatë procedurave vijuese ligjore në shkallën e apelit.

 

Continue Reading

Të kërkuara