Lajmet

Horoskopi javor 12- 18 korrik 2021

Published

on

Dashi

Kjo javë nuk do jetë as e mirë e as e keqe. Për çështjet e zemrës gjërat nuk do ecin për mrekulli. Ju të dashuruarit do keni dyshime për partnerin tuaj dhe do mundoheni ta përndiqni atë gjithë kohës. Kjo do e acarojë edhe më tepër marrëdhënien mes jush. Ju beqarët nuk do ngurroni t’ia shprehin ndjenjat atyre që do pëlqeni dhe në këtë mënyrë do e ndryshoni shumë shpejt statusin. Me financat do keni vështirësi dy ditët e para, por dalëngadalë situata do stabilizohet. Do e gjeni çelësin e suksesit. Shëndeti do jetë i shkëlqyer. Do keni mbrojtje të mirë imunitare. Në punë do mundoheni shumë gjithë javës, por do arrini atë që keni dashur. Disa kolegë do ju mbështesin fort.

Demi

Javë e zakonshme dhe pa probleme serioze. Ju të dashuruarit nuk duhet te bëni asgjë që nuk i pëlqen partnerit tuaj sepse mund të keni probleme serioze me të. Merreni çdo gjë shtruar dhe mendoni për të dy palët. Ju beqarët nuk do mendoni shumë për jetën sentimentale sepse do jeni të zënë me punë dhe angazhime të tjera. Sipas Dritare.net, buxheti nuk do jetë aspak i keq nëse shpenzoni me kursim dhe maturi. Po u treguat të pamatur situata do marrë tatëpjetën. Shëndeti duhet pasur më në kujdes se asnjëherë më parë. Do keni dhimbje barku, shpine dhe koke. Në punë do jeni të duruar dhe këmbëngulës. Mund të lodheni paksa, por në fund do arrini atje ku e keni planifikuar.

Binjakët

Kjo ka për të qenë një javë pozitive për të gjithë. Nëse jeni në një lidhje gjithmonë do bëni gjënë e duhur dhe më të mirën për të dyja palët. Në fundjavë nuk do mungojnë as surprizat nga të dyja palët. Ju beqarët do jeni me fat dhe do e gjeni princin tuaj të kaltër. Ai do jetë fiks ashtu si e keni ëndërruar gjithmonë. Në planin financiar do i kuptoni gabimet e bëra deri me tani dhe do mundoheni të gjeni një zgjidhje për çdo problem. Shëndeti për fat të keq do ketë probleme të mëdha. Do hani pa fund dhe kjo mund t’iu sjelle probleme edhe me stomakun përveçse me jashtëqitjen. Kujdes edhe më të nxehtin që do fillojë. Në punë do lodheni pak, por do kënaqeni kur të arrini atje ku keni dashur.

Gaforrja

Këtë javë do jeni shumë më të vendosur dhe të bindur plotësisht për të hedhur hapa para. Mirëqenia do mbizotërojë gjithë kohës në jetën tuaj në çift. Do kaloni vetëm momente të bukura pranë partnerit dhe as që do mendoni t’i hidhni sytë diku tjetër. Ju beqarëve do ju rëndojë pafund vetmia dhe kjo mund t’iu shtyjë të bëni gjëra të gabuara. Kujdes sepse prej tyre do varet gjithë e ardhmja. Buxheti nuk do jetë ashtu si keni dashur dhe mund të bëni edhe sakrifica për të mos u rrënuar plotësisht. Nëse familjaret ju ofrojnë ndihme pranojeni e mos u tregoni krenarë. Shëndeti për fat të mirë do jetë i qëndrueshëm dhe nuk do keni asnjë lloj shqetësimi. Në punë do jeni të motivuar dhe do arrini atje ku keni ëndërruar gjithmonë.

Luani

Në disa momente do ndiheni si të përhumbur këtë javë megjithatë nuk do dorëzoheni dhe do mundoheni ta bëni jetën më të bukur. Çdo gjë do jetë e qetë për ju çiftet dhe kjo sepse lidhja juaj do bazohet tek ndershmëria dhe sinqeriteti. Që ne momentin parë që shihni se diçka nuk po shkon mirë, ju merrni iniciativën dhe flisni me partnerin. Edhe për ju beqarët do jetë një javë shume e mirë. Përfitoni sa me shume! Mos besoni tek reklamat për te bere shpenzime, por kurseni sa me shumë te mundni. Dielli dhe Saturni do jenë planetët që do e mbrojnë shëndetin tuaj. Kujdes me ushqimin e tepërt sepse mund të sjelle pasoja tek stomaku dhe mëlçia. Pozitiviteti do iu ndihmojë të zgjidhni të gjitha problemet profesionale. Mos ngurroni as të kërkoni të drejtat tuaja.

Virgjëresha

Jave shumë e mirë do jetë kjo për ata të gjithë. Lëreni mënjanë egon dhe mundohuni t’i bëni gjërat sa më mirë. Bashkëpunimi në çift do jetë i fortë në çdo moment dhe dialogu do mbizotërojë. Do preferoni të qëndroni më tepër kohë pranë njeri-tjetrit. Ju beqarët do jeni mjaft joshës dhe do bëni për vete persona të shumte. Midis tyre mund të jetë edhe ai që do iu ofrojë një jetë të qetë dhe me momente të lumtura. Financat do i menaxhoni me shumë përkujdes dhe maturi prandaj gjendja do mbetet e mirë gjithë kohës. Shëndeti duhet pasur më tepër në vëmendje sidomos nëse vuani nga diabeti apo nga tensioni. Në punë do jeni mjaft ambiciozë dhe nuk do ndaleni derisa të arrini majat.

Peshorja

Për ju çdo gjë ka për të shkuar për mrekulli gjatë kësaj jave. Planetët dhe të afërmit do ju shtojnë gëzimin dhe buzëqeshjen. Ju të dashuruarit do i shprehni më tepër ndjenjat dhe këtë do e bëjnë me mënyra nga më të veçantat. Partneri nga ana tjetër do iu dashurojë pa dorashka dhe emocionet do jenë të njëpasnjëshme. Ju beqarët vërtet do lodheni tej mase duke joshur, por rezultatet që do arrini do iu çlodhin menjëherë. . Me financat nuk do i keni punët mirë. Do shpenzoni pa menduar dhe do rrezikoni tej mase. Sipas Dritare.net, shëndeti do varet tej mase nga mënyra e të ushqyerit. Po e tepruat me vaktet, me yndyrën dhe me kripën duhet të përgatiteni për probleme. Në punë do jeni këmbëngulës dhe të vendosur për të arritur atje ku dëshironi. Mund të lodheni disi, por do arrini atje ku doni.

Akrepi

Nëse nuk tregoheni tolerantë dhe të duruar kjo javë do jetë shumë e vështirë. Për ju çiftet do jetë periudhë pak e zymtë. Mund të thuhet se do jetë një “lufte e ftohte” dhe ju do vuani. Lëreni pas krenarinë dhe bëjeni ju hapin e parë për të rregulluar gjërat. Për ju beqarët pritet të filloje një lidhje e fortë dhe e këndshme. Dielli do ju bëjë të keni shumë etje për të bërë shpenzime dhe për të fituar para. Kujdes me hapat që do hidhni. Për sa i përket shëndetit do keni disa probleme me gjumin. Merrni masat e duhura, por mos e teproni me medikamentet. Pini një gotë çaj kamomili para se te shtriheni për të fjetur. Kujdes, në punë disa kolegë ziliqarë do kërkojnë t’iu zënë vendin.

Shigjetari

Kjo do jetë një javë e mrekullueshme. Do jeni praktikë dhe optimistë. Ju të dashuruarit çdo ditë do përjetoni ndjesi të reja dhe do ju duket shpesh sikur jeni nëpër ëndrra. Problemet e se shkuarës do i lini pas krahëve njëherë e përgjithmonë. Ju beqarët nuk duhet të luani me zjarrin vetëm për të ndryshuar statusin sepse mund të lëndoheni keq. Sektori i financave nuk do përbëjë asnjë lloj problemi. Prej pak kohesh po ecni vetëm me plane dhe kjo është gjëja më e mirë. Gjendja shëndetësore herë do jetë e mirë dhe herë do lerë për të dëshiruar. Mundohuni të konsumoni nga të gjitha llojet e ushqimeve. Në pune vërtet do lodheni pak, por arritjet do ju bëjnë krenarë për veten.

Bricjapi

Sado që të mundoheni nuk keni për ta ruajtur dot një klimë të ngrohtë sot. Herë pas here do ju duhet të bëni më shumë durim dhe të këmbëngulni. Jeta juaj në çift ka për të qenë shumë ë trazuar dhe nuk do bëni as përpjekjen më të vogël për ta ndryshuar. Debatet do vazhdojnë edhe në mbrëmje. As beqarët nuk do e kenë mendjen për të krijuar një lidhje të qëndrueshme dhe do i refuzojnë ftesat që do ju bëhen. Buxheti mund të mbahet i qëndrueshëm vetëm falë ndihmës së të afërmve sepse ju nuk do arrini dot t’i vini fre vetes. Shëndeti nuk do jetë shumë problematik, por nuk do ndiheni as shumë të qetë. Në punë përfitoni të kërkoni çdo gjë që do doni ë momentin e duhur sepse askush nuk do ju thotë dot jo.

Ujori

Paragjykime, mërzitje, debate dhe konflikte do ketë këtë javë. Shumicën e kohës do ndiheni keq. Situata për ju çiftet do jetë e tensionuar. Kësaj here nuk do jeni ju shkaktarët. Partneri po bëhet i padurueshëm dhe sado durim të keni nuk do e ruani dt harmoninë. Për ju beqarët priten flirte. Do pëlqeheni shumë gjatë kësaj jave, por aventurat që do kaloni mund te mos iu pëlqejnë shumë. Saturni ju këshillon të tregoheni vigjilentë me financat për të mos e përkeqësuar gjendjen. Për sa i përket shëndetit nuk do keni për çfarë te ankoheni pasi do jeni në formë shumë të mirë. Në punë duhet të jeni realiste dhe me këmbë në tokë nëse doni të merrni një drejtim të ri. Do merrni një vendim të rëndësishëm.

Peshqit

Kjo javë ka për të qenë e jashtëzakonshme dhe e mbushur me lumturi. Ju që jeni në një lidhje, këtë jave do iu duket sikur do kaloni një muaj mjalti. Partneri do përkujdeset mjaft dhe disa dëshira do iu plotësohen. Neptuni nga ana tjetër do ndikojë pozitivisht tek jeta sentimentale e ju beqarëve. Tregohuni të ndershëm me ato që do shprehni dhe mos u nxitoni për asgjë. Me financat do tregoheni të matur dhe kjo është një cilësi shumë e nevojshme në këtë kohë të vështirë. Në planin shëndetësor nuk do ketë probleme. Rezistenca juaj fizike do jetë e jashtëzakonshme dhe nuk do keni asnjë shqetësim. Mundohuni të mos stresoheni. Në punë do keni shumë fat dhe çdo objektiv do e arrini pa shumë mundim. /dritare.net

Rajoni

REL: “Askush nuk guxon të thotë jo”: Votuesit nga Kosova flasin për presionet para zgjedhjeve në Serbi

Published

on

By

Shkurtimisht

  • Në prag të zgjedhjeve në Serbi, punonjësve të institucioneve që funksionojnë nën autoritetin e Beogradit në Kosovë u bëhet presion të votojnë për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), sipas dëshmive të katër burimeve të Radios Evropa e Lirë.
  • Ata flasin në kushte anonimiteti, duke thënë se druhen se do ta humbasin vendin e punës nëse nuk votojnë për SNS-në.
  • Sipas tyre, në presionet ndaj votuesve përfshihen edhe zyrtarë të Listës Serbe, partisë që qeveris në të dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e pushtetit në Beograd.
  • As Lista Serbe, as Partia Përparimtare Serbe nuk iu përgjigjën këtyre akuzave deri në publikimin e këtij artikulli.

“Votoj në zgjedhjet në Serbi nën presion [për Partinë Përparimtare Serbe], jo me vullnetin tim të lirë”.

Kështu e nis rrëfimin e saj një qytetare nga Kosova, e punësuar në një institucion arsimor në një zonë të banuar me serbë.

Identiteti i saj, si dhe vendi ku jeton dhe punon, janë të njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë (REL).

Ajo pranoi të flasë për presionet ndaj votuesve nga Kosova në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 25 tetor, me kusht që të mbetet anonime, pasi druhet se mund ta humbasë vendin e punës.

Rrëfimin e saj e konfirmojnë, në mënyrë të pavarur, edhe tri burime të tjera me të cilat bisedoi REL-i.

Në mesin e 6.45 milionë qytetarëve të regjistruar në listën e votuesve të Serbisë, më shumë se 115 mijë kanë adresa në Kosovë.

Ata do të mund të votojnë në 60 vendvotime në katër komuna pranë kufirit me Kosovën: Vranjë, Rashkë, Tutin dhe Kurshumli.

Në këto zgjedhje marrin pjesë kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb, i cili mbështetet te Qeveria në Beograd.

Në zonat e banuara me serbë në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë institucione arsimore dhe shëndetësore nën sistemin e Serbisë, ndërsa institucionet e tjera të këtij sistemi janë zhvendosur në qytete pranë kufirit, në territorin e Serbisë.

Ato financohen nga buxheti shtetëror i Serbisë.

Kështu, shteti serb mbetet punëdhënësi më i madh në zonat e banuara me serbë në Kosovë, me më shumë se 30 mijë të punësuar.

E pyetur se çfarë rrezikon nëse nuk u bindet kërkesave, bashkëbiseduesja e REL-it thotë se vendi i punës dhe jetesa e saj do të viheshin në rrezik nëse nuk voton për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), përkatësisht për listën e saj “Serbia e Bashkuar”.

Deri në publikimin e këtij artikulli, SNS-ja nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me pretendimet se u bën presion qytetarëve për të votuar për të. Në të kaluarën, ajo i ka hedhur poshtë akuza të ngjashme.

Presionet ndaj votuesve janë të dënueshme me ligj.

Kodi Penal i Serbisë parashikon dënim nga tre muaj deri në tre vjet burgim për ata që ndikojnë në votim përmes “forcës ose kërcënimit”.

Për ata që ofrojnë “shpërblim, dhuratë ose çfarëdo përfitimi tjetër” në këmbim të votës, parashikohet gjobë ose dënim deri në tre vjet burgim.

Zgjedhjet në Serbi mbahen në një atmosferë tensionesh të larta dhe polarizimi të thellë shoqëror. SNS-ja, e udhëhequr nga presidenti i deridjeshëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, synon ta ruajë pushtetin pas protestave masive antiqeveritare.

Rivalja e saj kryesore është Lista Studentore, e lindur nga vala e protestave kundër korrupsionit.

“Urdhër nga drejtori”

Sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare ndërkombëtare, sundimi 14-vjeçar i partisë së Vuçiqit është karakterizuar nga kontrolli i fortë mbi aparatin shtetëror dhe dobësimi i demokracisë.

Ndërkohë që Vuçiqi refuzonte ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe negocionte me Prishtinën zyrtare për normalizimin e marrëdhënieve, me mbështetjen e SNS-së në Kosovë u formua Lista Serbe. Kjo parti, e cila konsiderohet satelit i SNS-së, është në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Shumë zyrtarë të Listës Serbe drejtojnë edhe institucione të financuara nga Serbia.

“Të punësuarit marrin ‘urdhër’ nga drejtorët e tyre [se për kë duhet të votojnë] dhe askush nuk guxon të thotë jo, sepse dihet se çfarë pason në të kundërtën”, thotë bashkëbiseduesja e REL-it.

Sipas saj, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme: në zgjedhjet në Kosovë votojnë për Listën Serbe, ndërsa në ato në Serbi për SNS-në.

As Lista Serbe nuk iu përgjigj këtyre pretendimeve deri në publikimin e artikullit.

Bashkëbiseduesja e REL-it thotë se nuk ka marrë para për të votuar dhe as nuk i janë ofruar. Ajo thekson se nuk është anëtare as e Listës Serbe, as e SNS-së. Megjithatë, udhëzimet për votimin e 25 tetorit, sipas saj, tashmë kanë nisur të mbërrijnë. Në vendvotime do të shkojë në mënyrë të organizuar, së bashku me kolegët dhe banorë të tjerë të komunës ku jeton në Kosovë. Transportin drejt vendvotimeve në Serbi, thotë ajo, e organizon Lista Serbe.

Udhëtimi i organizuar për të votuar ka qenë praktikë edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Kjo praktikë nisi më 2022, pasi autoritetet në Kosovë refuzuan të lejonin hapjen e vendvotimeve në zonat e banuara me shumicë serbe për zgjedhjet e organizuara nga Beogradi. Që atëherë, në ditët e zgjedhjeve, autobusët nga Kosova niseshin drejt vendvotimeve në Serbi që në orët e hershme të paradites, çdo një orë. Kolonave të autobusëve dhe veturave u prinin përfaqësues të Listës Serbe. Mes udhëtarëve ishin edhe qindra të punësuar në institucionet që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Institucionet e tjera, si organet komunale dhe degët e postës, u mbyllën nga Qeveria e Kosovës, në kuadër të hapave për shtrirjen e autoritetit të saj në këto zona.

Prishtina zyrtare i cilësoi këto institucione të paligjshme, ndërsa komuniteti serb i përshkruan mbylljet si formë represioni.

Pas mbylljes në Kosovë, këto institucione vazhdojnë të funksionojnë në qytete pranë kufirit, në Serbi. Atje shkojnë edhe punonjësit e tyre për t’i marrë pagat.

“Vota të sigurta për SNS-në”

Një tjetër bashkëbiseduese e REL-it thotë se, gjatë shtatorit, në selinë e një institucioni pranë një vendkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, mori një formular të SNS-së për mbledhjen e “votave të sigurta” në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas saj, aktivistët e kësaj partie i kërkuan të siguronte emrat, adresat dhe numrat e telefonit të 30 qytetarëve, për të cilët do të garantonte se do ta votonin listën e Vuçiqit më 25 tetor.

Edhe kjo bashkëbiseduese punon në një institucion të financuar nga Beogradi, me kontratë me afat të caktuar.

Ajo flet në kushte anonimiteti nga frika se mund ta humbë vendin e punës. Është e bindur se kontrata nuk do t’i vazhdohej nëse do t’i publikohej identiteti.

Për përvoja të ngjashme flasin edhe dy bashkëbisedues të tjerë që folën në kushte anonimiteti, të cilët i thanë REL-it se janë regjistruar në listën e “votave të sigurta” të SNS-së.

“I dhashë të dhënat e mia për këtë qëllim [për ‘votat e sigurta’], sepse personin që m’i kërkoi e kam të afërt dhe kjo e ndihmon ta mbajë vendin e punës”, thotë njëri prej tyre.

Sipas raporteve të vëzhguesve vendorë të zgjedhjeve, kjo praktikë është e përhapur gjerësisht në prag të votimit të 25 tetorit.

Organizata joqeveritare CRTA thotë se ka regjistruar pretendime për presione të drejtpërdrejta politike në vendin e punës në të paktën 16 qytete dhe komuna të Serbisë.

“Presionet përfshinin kërkesa për nënshkrime në mbështetje, mbledhje të ‘votave të sigurta’ dhe pjesëmarrje në fushatë, si dhe kërcënime me pasoja në punësim për shkak të bindjeve politike ose refuzimit të detyrave partiake”, thuhet në raportin për fushatën gjatë shtatorit.

Sipas CRTA-s, të gjitha rastet lidhen me SNS-në dhe listën “Serbia e Bashkuar”.

Për presionet ndaj votuesve paralajmëron vazhdimisht edhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila vëzhgon zgjedhjet.

Në raportin paraprak për zgjedhjet e 25 tetorit, ODIHR-i thekson se nuk janë zbatuar rekomandimet e tij nga zgjedhjet e mëparshme për parandalimin e frikësimit dhe presioneve ndaj votuesve.

Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare Aktiv, i përshkruan presionet ndaj votuesve nga Kosova për të mbështetur pushtetin në Serbi si “model të rrënjosur”.

“Pothuajse në çdo cikël zgjedhor shohim të njëjtën pamje: organizimin e punonjësve të institucioneve publike, shkuarjen në grup për të votuar, transportin e organizuar dhe drejtorët që luajnë rol shumë aktiv në mobilizimin e punonjësve”, thotë Saviq.

Në zgjedhjet e fundit në Serbi, pjesëmarrja e votuesve nga Kosova nuk kaloi 25 për qind. Megjithatë, shumica dërrmuese e atyre që votuan mbështetën koalicionin qeverisës.

Nga 23.878 votues që morën pjesë, më shumë se 19 mijë, apo rreth 80 për qind, votuan për të.

Edhe për këto zgjedhje parlamentare, Lista Serbe u ka bërë thirrje publike votuesve nga Kosova që ta mbështesin SNS-në.

Në anën tjetër, rivalen kryesore të SNS-së, Listën Studentore, e kanë mbështetur disa organizata joqeveritare, lëvizje dhe parti opozitare të komunitetit serb në Kosovë.

Mes kandidatëve të Listës Studentore janë edhe katër profesorë të Universitetit të Prishtinës, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë.

Transport të organizuar drejt vendvotimeve në Serbi u ka ofruar mbështetësve të tij edhe ministri në Qeverinë e Albin Kurtit, Nenad Rashiq, i cili ka mbështetur lëvizjen studentore.

Si është votuar deri më tani?

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia organizoi në zonat e banuara me serbë në Kosovë u mbajtën më 21 qershor 2020.

Ato u zhvilluan sipas praktikës së mëparshme, me misionin e OSBE-së në Kosovë që mblidhte votat.

Fletëvotimet më pas numëroheshin në Serbi, në Rashkë dhe Vranjë.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i dha fund praktikës së hapjes së vendvotimeve në këto zona më 2022. Atëherë, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë kundër mbajtjes në Kosovë të votimeve të organizuara nga Serbia.

Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje disa herë Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për t’u mundësuar qytetarëve të votojnë në zgjedhjet e Serbisë.

Megjithatë, për mbajtjen e tyre në territorin e Kosovës, Prishtina kërkon një kërkesë të drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar, pa ndërmjetësimin e OSBE-së.

Serbia e ka refuzuar këtë, duke pretenduar se një hap i tillë do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Continue Reading

Botë

REL: Bashkëpunimi Serbi-Iran në fushën e IA-së mund të nxisë reagimin e SHBA-së

Published

on

By

Teksa në Senatin amerikan diskutohet një nismë për vendosjen e sanksioneve ndaj zyrtarëve serbë për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, Kinën dhe Iranin, Beogradi zyrtar po thellon lidhjet me Teheranin në fushën e inteligjencës artificiale (IA) dhe të teknologjive të informacionit dhe komunikimit.

Në shkurt të vitit 2025, Serbia dhe Irani nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë. Që atëherë, dy vendet janë pajtuar për krijimin e një komiteti të përbashkët për zbatimin e tij, ndërsa dy ministra të Qeverisë së Serbisë janë takuar me homologët iranianë për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit.

Shtetet e Bashkuara janë në luftë me Iranin që nga 28 shkurti, teksa Teherani zyrtar është gjithashtu nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE), anëtarësimin në të cilin e synon Serbia.

Një nismë dypartiake për miratimin e një ligji për Serbinë është paraqitur së fundi në Senatin amerikan. Nisma propozon edhe vendosjen e sanksioneve për vizat dhe atyre financiare ndaj zyrtarëve serbë.

“Serbia dhe Irani kanë thelluar lidhjet teknologjike dhe politike, pavarësisht sanksioneve të gjera që SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë vendosur Iranit”, thuhet, ndër të tjera, në tekstin e paraqitur nga senatori republikan Chuck Grassley dhe kolegu i tij demokrat, Richard Blumenthal.

Megjithatë, në Serbi operojnë kompani të mëdha amerikane në fushën e zhvillimit të inteligjencës artificiale. Në fillim të tetorit, Beogradi zyrtar nënshkroi në Kombet e Bashkuara Deklaratën e Përbashkët për Partneritetin për Mundësitë në Fushën e Inteligjencës Artificiale, duke iu bashkuar partneritetit të udhëhequr nga SHBA-ja.

“Nuk e di se çfarë mund t’i ofrojë Irani Serbisë në aspektin teknologjik përmes këtij bashkëpunimi”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) eksperti i inteligjencës artificiale, Aleksandar Linc Gjorgjeviq.

Për çfarë bisedoi ministri serb në Teheran?

Në fund të shkurtit të vitit 2025, Serbinë e vizitoi ministri iranian i Telekomunikacionit, Seyed Sattar Hashemi.

Gjatë kësaj vizite, ai nënshkroi me ministrin e atëhershëm të Informacionit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Dejan Ristiq, Memorandumin e Mirëkuptimit dhe Bashkëpunimit në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit (TIK).

Sipas njoftimit të Qeverisë së Serbisë, dokumenti përfshin teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, sigurinë e informacionit, tregtinë elektronike, qeverisjen elektronike dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale. Ristiq theksoi veçanërisht rëndësinë e veprimit të përbashkët të kompanive të të dyja vendeve në tregjet e treta.

Pala iraniane e paraqiti bashkëpunimin me synime edhe më ambicioze: përmendi teknologjinë 5G, infrastrukturën digjitale, sigurinë kibernetike, qeverisjen elektronike, transferimin e të dhënave, ndërmarrjet e reja teknologjike, laboratorët e përbashkët kërkimorë dhe shkëmbimin e ekspertëve.

Pak më shumë se një vit më vonë, ministri aktual i Informacionit dhe Telekomunikacionit i Serbisë, Boris Bratina, u takua me homologun e tij iranian, Hashemi, në Teheran. Ata ranë dakord për formimin e një komiteti të përbashkët për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive.

Takimi u mbajt në fillim të korrikut, gjatë vizitës së ministrit serb në Teheran, që nxiti polemika në Perëndim. Atje, ai përfaqësoi qeverinë e vendit të tij në funeralin e udhëheqësit suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, i vrarë në sulmet me raketa amerikane.

Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë iraniane, Hashemi propozoi shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme, përfshirë qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale.

“Irani është i gatshëm të ndajë me Serbinë përvojën e tij në prodhimin e pajisjeve të veta harduerike, zhvillimin e qendrave të të dhënave dhe të infrastrukturës në ‘cloud’, si dhe në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e inteligjencës artificiale”, tha Hashemi.

Si një nga detyrat më të rëndësishme, ministri iranian përmendi “krijimin e një korridori për transmetimin e të dhënave ndërmjet Iranit dhe rajonit të Ballkanit”.

Deklarata të ngjashme dha edhe homologu i tij serb, Boris Bratina. Ai theksoi se “realizimi i projekteve që lidhen me rrjetet optike, inteligjencën artificiale, mësimin elektronik dhe industrinë e video-lojërave bën pjesë në fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”.

Ministria e Informacionit dhe Telekomunikacionit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse është shënuar ndonjë përparim i mëtejshëm në bashkëpunimin me Iranin dhe çfarë do të përfshinte konkretisht ky bashkëpunim.

“Akrobaci diplomatike”

Aleksandar Linc Gjorgjeviq, ekspert i teknologjisë dhe drejtor i konferencës “Data Science Conference”, nuk pret hapa konkretë në bashkëpunimin serbo-iranian.

“Ne kemi një konflikt të hapur ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë, shumica e kompanive që zhvillojnë inteligjencën artificiale në Serbi janë amerikane ose punojnë për tregun amerikan. Pyetja është se si mund të bashkëpunoni në një kontekst të tillë me një vend që është nën sanksione ndërkombëtare”, thotë Linc Gjorgjeviq.

Sipas të dhënave të Dhomës Amerikane të Tregtisë, në fushën e inteligjencës artificiale në Serbi operojnë gjigantët amerikanë të teknologjisë IBM, Microsoft dhe Oracle.

Në mars të vitit 2026, Zyra për Teknologjinë e Informacionit dhe Qeverisjen Elektronike pranë Qeverisë së Serbisë nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale me përfaqësues të kompanisë IBM.

Sipas Aleksandar Linc Gjorgjeviqit, përfshirja e Iranit në sistemin e informacionit dhe komunikimit të Serbisë mund të shihet si rrezik për kompanitë amerikane.

“Ato, me të drejtë të plotë, mund ta shohin një hap të tillë si sinjal negativ. Nëse bashkëpunimi me Iranin fillon të zbatohet në praktikë, jam i sigurt se administrata amerikane do të reagojë me pasoja të caktuara, duke pasur parasysh se Uashingtoni e ka ngritur çështjen e inteligjencës artificiale në nivelin më të lartë të mundshëm”, vlerëson Linc Gjorgjeviq.

Bashkëpunimin e Serbisë me Iranin në këtë fushë, bashkëbiseduesi i REL-it e sheh si një “akrobaci diplomatike” të Beogradit zyrtar, në përpjekje për të ruajtur marrëdhënie të mira në disa fronte njëkohësisht.

“Më duket se në Serbi askush nuk merret me çështjet në nivel strategjik, por gjërat bëhen në mënyrë ad hoc”, shton ai.

Çfarë kapacitetesh kanë Serbia dhe Irani në fushën e inteligjencës artificiale?

Për shkak të izolimit ndërkombëtar dhe qasjes së kufizuar në teknologjinë perëndimore, Irani prej vitesh është i detyruar të zhvillojë kapacitetet e veta vendore.

Një analizë e kompanisë amerikane “Recorded Future”, e cila merret me sigurinë kibernetike, thotë se Teherani po përpiqet të ndërtojë një ekosistem vendor të inteligjencës artificiale dhe kapacitete kërkimore, por pikërisht izolimi ekonomik ia kufizon qasjen në teknologji dhe kapital njerëzor.

Në nëntor të vitit 2021, udhëheqësi i atëhershëm suprem i Iranit, Ali Khamenei, e quajti inteligjencën artificiale “një çështje të rëndësishme që lidhet me të ardhmen”, e cila do të “luajë rol në qeverisjen e ardhshme të botës”. Ai i bëri thirrje Iranit që të bëhej një nga dhjetë vendet kryesore në fushën e inteligjencës artificiale.

Pas kësaj, Irani nisi hartimin e një udhërrëfyesi kombëtar për inteligjencën artificiale, në kuadër të të cilit u analizuan “dokumentet strategjike” të 23 vendeve në këtë fushë. U hartua gjithashtu një plan për realizimin e synimit të Khameneit deri në vitin 2032.

Objektivat e përcaktuara në këtë dokument parashikonin që “80 për qind e kërkimeve të orientoheshin drejt përmbushjes së nevojave të vendit, inteligjenca artificiale të zbatohej në 45 për qind të sektorëve industrialë, në këtë fushë të investoheshin tetë miliardë dollarë dhe pjesa e inteligjencës artificiale në Prodhimin e Brendshëm Bruto të arrinte në 12 për qind”, thuhet në raportin e kompanisë “Recorded Future”.

Serbia aktualisht nuk ka një ligj që rregullon fushën e inteligjencës artificiale. Në fuqi është Strategjia për Zhvillimin e Inteligjencës Artificiale për periudhën 2025-2030, si dhe Udhëzimet Etike për Zhvillimin dhe Përdorimin e IA-së, të cilat nuk janë ligjërisht të detyrueshme.

Aleksandar Linc Gjorgjeviq thotë se Serbia ka kapacitete të mira teknologjike në fushën e inteligjencës artificiale.

“Serbia renditet veçanërisht mirë sa i përket kompetencave të inxhinierëve”, thotë ai.

Në fund të vitit 2021, në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në Kragujevc, në Serbinë qendrore, nisi punën Platforma Kombëtare për Inteligjencën Artificiale.

Sipas burimeve zyrtare, kjo platformë është një superkompjuter i gjeneratës së fundit, me performancë të lartë, i aftë të përpunojë sasi të mëdha të dhënash brenda një kohe të shkurtër.

Me kë bashkëpunojnë Serbia dhe Irani në fushën e TIK-ut?

Përveç Iranit, Beogradi zyrtar ka nënshkruar gjatë periudhës së fundit marrëveshje dypalëshe në fushën e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, telekomunikacionit, sigurisë së informacionit ose inteligjencës artificiale me rreth dhjetë vende të tjera.

Mes tyre janë Kina, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli, Egjipti, Turqia, Mbretëria e Bashkuar, Burundi dhe Angola.

Që nga viti 2019, Serbia e ka intensifikuar bashkëpunimin me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale. Në vitin 2026, përfaqësuesit e dy vendeve nënshkruan një memorandum bashkëpunimi në këtë fushë, si dhe një marrëveshje për themelimin e Organizatës Botërore për Bashkëpunim në Fushën e Inteligjencës Artificiale.

Për këtë arsye, Beogradi zyrtar është vënë në shënjestër të kritikave nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga Komisioni Evropian, i cili në një përgjigje të mëhershme për REL-in rikujtoi se Serbia është zotuar të harmonizohet me rregulloret e Brukselit, përfshirë kuadrin evropian për rregullimin e inteligjencës artificiale dhe Aktin e miratuar të BE-së për inteligjencën artificiale.

Nga ana tjetër, sipas dokumenteve që janë të qasshme publikisht, Ministria iraniane e Komunikimit dhe Teknologjisë së Informacionit ka marrëveshje bashkëpunimi që përfshijnë shprehimisht inteligjencën artificiale me Serbinë, Irakun dhe Rusinë.

Përveç kësaj, Irani ka edhe marrëveshje bashkëpunimi teknologjik me Kinën, ndërsa burimet zyrtare iraniane e përmendin inteligjencën artificiale si një nga fushat kryesore të bashkëpunimit dypalësh.

Continue Reading

Vendi

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare

Published

on

By

UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Stomatologjike, e cila do të mbledhë studiues, stomatologë, teknikë dentarë dhe profesionistë vendorë e ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet më të fundit shkencore, inovacionet teknologjike dhe sfidat bashkëkohore në fushën e shëndetit oral.

Nën temën “Artificial Intelligence and Digital Dentistry: Smart Solutions for Better Clinical Outcomes – Redefining Diagnosis, Treatment Planning, and Clinical Excellence”, konferenca do të fokusohet në rolin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në diagnostikim, planifikimin e trajtimeve dhe avancimin e praktikës klinike.

Programi përfshin fusha të ndryshme të stomatologjisë, si ortodoncia, implantologjia, protetika, endodoncia, stomatologjia pediatrike dhe shëndeti publik oral. Koordinatorja e Konferencës së Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Asst. Dr. Miranda Sejdiu Abazi, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje në avancimin e njohurive shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të fushës.

“Përmes konferencës shkencore për stomatologji dhe teknikë dentare, synojmë të krijojmë një platformë të përbashkët për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave klinike, duke lidhur zhvillimet më të reja teknologjike me sfidat konkrete të praktikës ditore. Pjesëmarrja e studiuesve dhe profesionistëve vendorë e ndërkombëtarë krijon mundësi të reja për bashkëpunim akademik, zhvillim profesional dhe promovim të trajtimeve të sigurta, të individualizuara dhe të bazuara në evidencë shkencore”, u shpreh ajo

Një element i rëndësishëm i këtij edicioni është akreditimi i konferencës nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë 15 pikë kredituese për pjesëmarrje pasive dhe 20 pikë për pjesëmarrje aktive, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe avancimin e kompetencave në fushën e shëndetësisë. Konferenca do të përfshijë gjithashtu prezantime të hulumtimeve nga Kosova dhe vende të tjera, ndërsa ligjëruese kryesore do të jetë dekania e Fakultetit të Stomatologjisë në Tiranë, Prof. Dr. Edit Xhajanka.

Pjesëmarrja e ekspertëve ndërkombëtarë nga vende si Rumania, Gjermania dhe Austria do të mundësojë shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me qasjet bashkëkohore në stomatologji. Përmes organizimit të Konferencës Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare, UBT vazhdon të promovojë kërkimin shkencor, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke kontribuar në avancimin e praktikave profesionale dhe në përmirësimin e cilësisë së kujdesit për shëndetin oral.

Continue Reading

Lajmet

UBT pret nesër Kongresin e 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ)

Published

on

By

Nesër në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të nisë punimet Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), i cili do të zhvillohet deri më 23 tetor 2026.

Ky ngjarje e nivelit të lartë organizohet nga “Quality Kosova” – anëtare e rregullt e EOQ-së që nga viti 2013 – dhe do të mbledhë në Kosovë profesionistë, akademikë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë nga mbarë bota.

Me temën kryesore “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”, kongresi do të shërbejë si një platformë ndërkombëtare për të diskutuar të ardhmen e menaxhimit të cilësisë, transformimin digjital dhe zhvillimin e institucioneve. Vëmendje e veçantë gjatë takimeve do t’i kushtohet ndikimit të inteligjencës artificiale në arsim, shëndetësi, financa, industri e qytete të mençura, si dhe rëndësisë së besimit e vlerave njerëzore në ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme.

Përmes këtij organizimi, EOQ dhe Quality Kosova synojnë të nxisin shkëmbimin e praktikave më të mira dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet komunitetit akademik, sektorit privat dhe institucioneve publike. Pritja e këtij eventi nga UBT dëshmon angazhimin e saj të vazhdueshëm për promovimin e standardeve ndërkombëtare, duke fuqizuar potencialin inovativ të Kosovës dhe lidhjen e ekspertizës vendore me rrjetet globale.

 

Continue Reading

Të kërkuara