Lajmet

Horoskopi i vjeshtës për 12 shenjat e Zodiakut

Lamtumirë verë, vjeshta ka ardhur zyrtarisht!

Published

on

Për të ditur se çfarë ju pret këtë vjeshtë në një nivel biznesi, dashurie apo emocionale, ne kemi përgatitur një horoskop të vjeshtës.

Vjeshta fillon me hënën më të madhe të plotë të vitit, dhe më 6 tetor, një hënë e re do të shfaqet në Peshore, që do të thotë se të gjitha shenjat e zodiakut do t’i kushtohen më shumë karrierës së tyre. Më 20 tetor, Hëna e plotë në Bricjap sjell një sasi të jashtëzakonshme energjie që na inkurajon të ndjekim pasionet tona.

Dashi

Periudha e hënës së re do t’ju sjellë një sasi mjaft të madhe të vetëbesimit për t’u angazhuar në marrëdhënie me njerëz të rinj, si biznes ashtu edhe dashuri. Po përballeni me një kohë sfidash dhe mundësish të mëdha, kështu që mos lejoni që individët t’ju ndalojnë.

Demi

Demat do të merren me marrëdhënie të pazgjidhura nga e kaluara, por gjithashtu do t’i zgjidhin dhe shkarkojnë përfundimisht ato. Hëna e plotë në shenjën e Dashit do t’i ndihmojë shumë në këtë. Ndërsa vjeshta po përfundon, nostalgjia do të largohet ngadalë dhe ju do të filloni të ndiheni më të fortë. Nuk ka mundësi tjetër përveçse thjesht të durosh këtë periudhë nostalgjike.

Binjakët

Binjakët do të përballen me një test të vështirë të miqësisë dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore këtë vjeshtë. E gjithë durimi dhe qetësia që ata kërkuan pjesën tjetër të vitit tani do të duhet të përdoren në avantazhin e tyre. Do të jetë një periudhë sfiduese, por në asnjë mënyrë mos harroni se ekscentriciteti juaj është gjithashtu virtyti juaj më i madh me të cilin të tjerët ju kujtojnë. Mundohuni të qëndroni të gjallë dhe të gëzuar pavarësisht nga të gjitha sfidat dhe mos u përfshini në analiza shumë të thella të situatës. Ndërsa ditët bëhen më të shkurtra, do të jeni gjithnjë e më të begatë me ndjenjat tuaja.

Gaforrja

Sigurohuni që të lini kohë të mjaftueshme vetëm për veten tuaj. Është gjithashtu koha për të kujtuar se “Jo” është një fjalë aq e fuqishme sa “Po”. Edhe pse gaforrja është një shenjë që fiton energji nga shoqërimi me të tjerët, do të vini re se koha e kaluar me veten do t’ju përshtatet më shumë sesa mendoni.

Luani

Nëse ndiheni sikur keni ngecur në punë dhe nuk shihni një të ardhme të ndritur, një Hënë e re në Peshore do ta ndryshojë atë. Ju mund të pyesni pse po i bëni të gjitha këto dhe nuk shihni rezultate ose po kërkoni frymëzim – mbani mend se qartësia e mendjes po vjen! Koha e marrjes në pyetje, megjithatë, nuk ishte e kotë. Kjo ju ka mësuar se jeni më elastik nga sa mendoni dhe se jeni gati të përballoni çdo sfidë që ju del përpara. Është koha për të rimarrë besimin për të cilin jeni të njohur.

Virgjëresha

Do të mendoni për marrëdhëniet e dështuara dhe arsyet pse ato dështuan, dhe rreziku më i madh që fshihet është ribashkimi me disa prej tyre. Ndonjëherë mund të ndiheni të vetmuar ose të braktisur, por është një ndjenjë kalimtare. Nëse ktheheni në rrugën e vjetër, ju vetëm do të shtyni vuajtjet dhe pakënaqësitë dhe do t’i përjetoni ato më shumë seç duhet. Gjeni forcë në hënën e plotë.

Peshorja

Ju vini në dyshim gjithçka, nga zgjedhjet e karrierës, partnerët në shtëpi dhe shoqëri. Vjeshta do t’ju ndihmojë të lehtësoni tensionet. Do t’ju sjellë një pamje të qartë të vetes dhe do të përforcojë qëndrimet. Mënyra më e mirë është të shikoni prapa dhe të shihni se sa larg keni arritur. Ju mund të mos jeni të vetëdijshëm për këtë, por intuita juaj është e fortë dhe kështu mos dyshoni në veten tuaj.

Akrepi

Do të përjetoni një ndryshim të madh drejt fundit të vjeshtës dhe do të ndryshoni plotësisht shtëpinë tuaj, marrëdhëniet romantike ose thjesht do të riorganizoni përparësitë tuaja. Çfarëdo që të bëni, mos kërkoni frymëzim në të kaluarën, por shikoni drejt përpara. E ardhmja është shoku juaj më i mirë, prandaj festoni çdo ditë këtë vjeshtë.

Shigjetari

Ju jeni rritur në shumë nivele vitin e kaluar, por nuk keni pasur nevojë t’ia tregoni këtë të tjerëve. Tani është koha për të treguar ndryshimin tuaj. Do të jeni krenarë për gjithçka që keni arritur, dhe energjia pozitive do t’ju frymëzojë të vazhdoni me të njëjtin ritëm. Në jetën tuaj do të hyjë një person i ri, i cili mund t’ju ndihmojë të lulëzoni në botën e biznesit. Pasi të takoheni, do të ndjeni sesi gjërat kanë rënë në vend.

Bricjapi

Të menduarit për të kaluarën mund të jetë e dobishme, por mos lejoni që ajo të mposhtë jetën tuaj dhe marrëdhëniet ekzistuese. Nëse jeni aktualisht të kënaqur dhe të lumtur apo jo është diçka që mund të ndikoni, kështu që mos kaloni shumë kohë në momentet që tashmë kanë kaluar. Nëse jeni duke kërkuar një dozë romantike dhe nostalgjie, përgatitni një recetë tradicionale familjare për të dashurin tuaj që do ta shijoni së bashku.

Ujori

Vjeshta mund të jetë irituese për ju. Është koha të përqendroheni te vetja dhe mendimet tuaja. Mundohuni të shikoni veten përmes dëshirave dhe nevojave tuaja, jo pritjet e njerëzve të tjerë. Imagjinoni qëllimin përfundimtar dhe përqendrohuni vetëm te njerëzit që dëshironi të shihni atje dhe në gjërat që do t’ju bëjnë të lumtur. Pranoni energjinë e stinës dhe drejtojeni atë në rrugën tuaj.

Peshku

Pavarësisht nëse jeni në një lidhje afatgjatë ose të re, kjo periudhë do të jetë plot pasion dhe epsh. Ju mund ta përdorni të gjithë atë pasion jo vetëm për qëllime romantike, por edhe për ato krijuese. Pasi të jeni mbushur me energji, do të keni më shumë dëshirë për të jetuar në maksimum çdo ditë dhe mos humbisni të regjistroni momente të tilla në mënyrë që të motivoheni prej tyre më vonë. Miqtë e vërtetë ju japin shumë dashuri, dhe ju gjithmonë keni nevojë për atë lloj dashurie.

Lajmet

Mbi 2500 tiketa në trafik – shifra të larta të dënimeve nga policia

Published

on

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës ka shqiptuar 2501 tiketa në trafik. Një shifër kjo e lartë për një 24-orësh.

Në raportin e saj ditor, policia ka dhënë edhe statistikat e tjera, për zhvillimet në 24 orët e fundit.

Sipas raportit, kanë ndodhur 26 aksidente trafiku  me të lënduar dhe 29 aksidente me dëme materiale.

Janë arrestuar 20 persona, në mbajtje janë dërguar shtatë, dy persona janë në ndalim policor, derisa në vuajtje të dënimit janë dërguar tre persona.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Xhevahire Millaku: Konferenca shkencore e UBT-së, mundësi për avancimin e medias dhe komunikimit

Published

on

Profesoresha Xhevahire Millaku nga Fakulteti i Medias dhe Komunikimit në UBT, e përfshirë drejtpërdrejt në përgatitjen e Konferencës së 15-të Ndërkombëtare të UBT-së, ka folur në një lidhje telefonike për Radio Campus 100.7 FM, lidhur me përgatitjet, temat kryesore dhe rëndësinë e kësaj konference shkencore.

Po flasim për konferencën ndërkombëtare të UBT-së, e cila tashmë është traditë dhe mbahet çdo vit. Po flasim konkretisht për Fakultetin e Medias dhe Komunikimit, i cili, përmes kësaj konference, arrin të sjellë punime të shumta shkencore nga studiues të ndryshëm, duke përfshirë profesorë, por edhe studentë, të cilëve u kushtohet një hapësirë e veçantë. Si po zhvillohen përgatitjet për konferencën e radhës shkencore të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit?

“Po, atëherë, konferenca shkencore e UBT-së është njëra nga konferencat ndërkombëtare që tashmë ka krijuar një traditë të saj. Këtë vit kemi konferencën e 15-të me radhë, e cila zhvillohet në kampuset e UBT-së, në fakultete të ndryshme. Sikurse edhe në vitet e tjera, edhe kësaj radhe Fakulteti i Medias dhe Komunikimit organizon konferencën shkencore me temën që përfshin gazetarinë, median, inteligjencën artificiale, gjuhën, komunikimin, artin dhe kulturën, e kështu me radhë.”

Ju i keni nisur përgatitjet muaj më herët për konferencën. Cilat janë temat specifike ku jeni orientuar? E përmendët inteligjencën artificiale, por cila do të ishte ndoshta tema me interesimin më të madh nga studiuesit?

“Është e vërtetë që përgatitjet për konferencën kanë filluar nga fillimi i vitit 2026. Temat në të cilat janë orientuar janë kryesisht nga fushat e medias dhe komunikimit. Pjesëmarrësit mund t’i prezantojnë kërkimet e tyre fizikisht në Prishtinë ose online, duke u mundësuar studiuesve nga e gjithë bota të bëhen pjesë e konferencës sonë. Në këtë aspekt, pra, është shumë e rëndësishme që të trajtohen tema si gazetaria, media, inteligjenca artificiale, gjuha, komunikimi dhe arti. Përgjithësisht, këto janë temat që e përfaqësojnë apo e mbulojnë këtë konferencë ndërkombëtare, e cila do të zhvillohet në UBT.”

E kemi parë edhe nga vitet e kaluara që në këtë konferencë angazhohen me punime të ndryshme profesorët dhe asistentët e Medias dhe Komunikimit, gjithashtu edhe studentë të ndryshëm, të gjithë ata që kanë vullnet dhe dëshirojnë të publikojnë punime e të hulumtojnë në fusha të ndryshme të medias. Sa rëndësi u kushton hulumtimeve shkencore ky fakultet?

“Ashtu është. Profesorët, në bashkëpunim me asistentët dhe gjithë stafin e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, janë të angazhuar rreth hulumtimeve shkencore në fushën e gjuhës dhe medias gjatë gjithë vitit. Ndërsa konferenca që zhvillohet çdo vit në UBT, përveç studiuesve jashtë Kosovës që e begatojnë konferencën tonë, si çdo vit, ka pjesëmarrës edhe stafin e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, të cilët, me punimet dhe rezultatet e tyre hulumtuese, sjellin të rejat në fushën e gjuhës, komunikimit dhe inteligjencës artificiale në raport me median.”

Po ndalemi pak edhe te përvoja juaj profesionale dhe personale. Të flasim pak edhe për punimet e shumta që i keni në publikime shkencore. Në çfarë hapash po shkojnë hulumtimet e reja në fushën e medias? Ku është interesimi më i madh dhe për çfarë hulumtohet më së shumti?

“Po, është e vërtetë. Angazhimi im në pjesën e mësimdhënies është parësor, pastaj angazhohem edhe në hulumtimet shkencore dhe jam aktive. Vlen të theksohet se në konferencën e fundit isha pjesëmarrëse në konferencën e Bolonjës, në Itali. Sa i përket platformave që janë publike, unë jam prezente edhe në ato, por gjithmonë do ta kemi parasysh faktorin sfidues, që ka të bëjë me vlerat shqiptare dhe vlerat shkencore në Kosovë, të cilat nuk janë në pozicionin e tyre të merituar. Kemi ende hapësirë dhe punë për të bërë për ta avancuar pjesën shkencore, si në nivel vendi, ashtu edhe në nivel institucional, siç është UBT-ja.”

Konferenca e Medias dhe Komunikimit mbledh edhe studiues nga jashtë UBT-së dhe jashtë Kosovës. Ju tashmë keni mbledhur edhe abstrakte për konferencën. Prej nga janë studiuesit e paraqitur dhe a ka një numër të kënaqshëm të atyre që kanë vendosur t’i paraqesin publikimet apo hulumtimet e tyre?

“Po, konferenca e Medias dhe Komunikimit këtë vit ka mbledhur studiues nga universitete të ndryshme. Kemi studiues nga Universiteti i Elbasanit, pastaj kemi studiues të paraqitur nga Universiteti i Shkupit, Universiteti Publik, nga Universiteti i Tetovës, si dhe profesorë të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit. Të gjithë dashamirët e fushës së medias dhe komunikimit do të jenë të pranishëm në këtë konferencë që do të mbahet gjatë kësaj jave.”

A flasim pak edhe për interesimet kryesore dhe veprimtarinë shkencore?

“Po, sipas përzgjedhjes së kumtesave për të qenë pjesë e konferencave të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, interesimet e punës hulumtuese shkencore të pjesëmarrësve janë të përqendruara në të gjitha fushat e medias online, të inteligjencës artificiale në aspektin gjuhësor, kulturor dhe të komunikimit në përgjithësi, që e përfshin këtë fushë.”

Krahas mësimdhënies, hulumtimi është edhe një prej fushave kryesore që çmohet në kohën tonë, sidomos në fushën akademike. Sa mendoni se në nivel të Kosovës po zhvillohen hulumtime cilësore shkencore në fushën e komunikimit?

“Sa u përket hulumtimeve në fushën tonë, në fushën e medias, mendoj se kemi ende hapësirë për të kontribuar në zhvillime dhe hulumtime në fushën e medias dhe komunikimit. Një nga kontributet e vlefshme në këtë fushë është konferenca shkencore që do të mbahet gjatë kësaj fundjave, më 23, 24 dhe 25 tetor, në ambientet e UBT-së, në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit. Të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë, si ata që janë paraqitur, ashtu edhe ata që nuk janë paraqitur, por dëshirojnë të vijnë në konferencën vjetore të UBT-së. Janë të mirëseardhur për të kontribuar në punimet dhe hulumtimet që do të zhvillohen në konferencën e UBT-së, në Fakultetin e Medias dhe Komunikimit.”

A ka ende kohë për të aplikuar apo kur është mbyllur pjesa e aplikimeve për dorëzimin e abstraktit?

“Realisht, afati për dorëzimin e abstraktit ka përfunduar tashmë. Mirëpo, të gjithë të interesuarit janë të ftuar, edhe pse ndoshta nuk janë pjesëmarrës direktë në konferencë. Ka shumë prej tyre që kanë shprehur interesim dhe vullnet për të qenë pjesë e konferencës sonë. Janë të mirëseardhur për të kontribuar në çfarëdo forme në konferencën e UBT-së, që mbahet në kuadër të Fakultetit të Medias dhe Komunikimit, më 24, ditën e shtunë, në ambientet e UBT-së.”

Profesoresh, një mesazh, një thirrje për të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të jenë pjesë e akademisë, sidomos pjesë e hulumtimeve të ndryshme shkencore në kuadër të Medias dhe Komunikimit?

“Mesazhi im do të ishte hulumtimi në mënyrë korrekte, hulumtimi dhe studimi i shkencës në fushën e medias dhe komunikimit. Kemi mjaft për të trajtuar, si në aspektin gjuhësor, ashtu edhe në atë teknologjik. E dimë dhe jemi dëshmitarë se ku po shkon media në Kosovë. Realisht, të gjitha kumtesat, fjalimet apo ndërtimet shkencore mund të jenë të dobishme në fushën e medias dhe komunikimit. Besoj se kemi mjaftueshëm gazetarë dhe studiues nga fusha profesionale e medias që do të jenë pjesë e kësaj konference vjetore që organizohet në UBT”, thekson profesoresha Xhevahire Millaku.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Konjufca në OKB: Si flet Gjuriq për BE kur del në foto me kriminelin Radoiçiq

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka dhënë një përgjigje të ashpër ndaj ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke ia përplasur në fytyrë lidhjet me strukturat kriminale, luftën hibride dhe të kaluarën e errët të regjimit serb.

Gjatë fjalës së tij, Konjufca ka vënë në pikëpyetje sinqeritetin e pretendimeve të Serbisë për integrim evropian, duke pyetur se për çfarë të ardhme bën fjalë Gjuriqi kur shfaqet publikisht në fotografi me Milan Radoiçiqin — personin e kërkuar nga Interpoli dhe organizatorin kryesor të sulmit terrorist në Banjskë. Ai theksoi se është absurde që një zyrtar i një vendi që synon BE-në të shoqërohet hapur me kriminelë të tillë.

Përplasja mes palëve u tensionua edhe më shumë kur Gjuriq ngriti akuza për gjoja incidente fetare në Kosovë. Konjufca i ka hodhur poshtë këto pretendime, duke kujtuar se Kosova është vend multietnik dhe shembull i harmonisë fetare. Si argument të qartë kundër narrativës serbe, ai përmendi zgjedhjen e fundit të një presidenteje nga komuniteti katolik, Justina Shiroka-Pula.

Duke vijuar replikën, Konjufca ia kujtoi homologut serb se propaganda e Beogradit për gjoja rrezikim të të krishterëve është e rreme, ndërkohë që vetë Serbia i ka shfrytëzuar kishat për ndarje e fabrikim incidentesh që nga vitet ’90 e deri më sot. Ai përmendi Masakrën e Mejës — të cilën e quajti “Srebrenica e Kosovës” — ku u vranë 377 civilë, një pjesë e madhe e të cilëve ishin shqiptarë të besimit katolik të ekzekutuar nga forcat serbe.

Mbledhja e OKB-së u mbyll mes kundërpërgjigjeve të forta, pasi Konjufca akuzoi hapur Serbinë për mohim të drejtësisë, duke i kujtuar se Beogradial vazhdon të hesht dhe të mohojë 12 mijë civilë të pafajshëm të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën më të madhe shkencore për Mjekësinë Sportive, me pjesëmarrjen e profesionistëve botërorë

Published

on

By

UBT do të mirëpresë më 21 tetor, Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive – ICSM 2026, e cila do të bëjë bashkë profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit për të diskutuar zhvillimet e reja në mjekësinë sportive, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në praktikën klinike dhe sportive.

Konferenca, e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me International Federation of Sports Medicine (FIMS), SHAPE Project – Sport, Health, and the People dhe Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM), në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, do të zhvillohet nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave profesionale dhe praktikave bashkëkohore në këtë fushë.

Në kuadër të konferencës do të trajtohen tema me rëndësi për zhvillimin e mjekësisë sportive, përfshirë shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe mundësitë që sjell inovacioni teknologjik në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës sportive.

 

 

Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve shëndetësorë dhe sektorit sportiv, duke nxitur diskutimin mbi qasjet e reja shkencore dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Konferenca është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).

Për më shumë informata rreth programit, të interesuarit mund të vizitojnë: LINKU.

Continue Reading

Të kërkuara