Lajmet

Hiqen nga transmetimi tre këngë të Micheal Jackson, dyshohet se përmbanin vokale të falsifikuara

“Monster”, “Keep Your Head Up” dhe “Breaking News” të gjitha pjesë e albumit të lansuar pas vdekjes së tij.

Published

on

Tre këngë të Michael Jackson janë hequr nga shërbimet e transmetimit, pas pretendimeve të vazhdueshme se ato përmbajnë vokale të falsifikuara.

“Monster”, “Keep Your Head Up” dhe “Breaking News” të gjitha pjesë e albumit të lansuar pas vdekjes së tij.

Që atëherë ato kanë qenë objekt i një çështjeje gjyqësore të ngritur nga një fans, i cili pretendon se vokali është nga një tjetër këngëtar.

Sony Music dhe menaxheri i Jackson thanë se heqja e tyre nga faqet e transmetimit nuk kishte asnjë lidhje me origjinalitetin e tyre.

Në një deklaratë, ata e përshkruan veprimin si “mënyrën më të thjeshtë dhe më të mirë për të kaluar përtej bisedës së lidhur me këto aludime njëherë e përgjithmonë”.

“Fokusi mbetet aty ku i takon – në projektet emocionuese të reja dhe ekzistuese që festojnë trashëgiminë e Michael Jackson”.

I lansuar në vitin 2010, Michael ishte albumi i parë me muzikë të papublikuar që u shfaq pas vdekjes së artistit në 2009.

Edhe para se të dilte në dyqane, familja e Michael kishte dyshime nëse ai kishte performuar në të gjitha këngët.

“Unë u përpoqa shumë për të parandaluar këtë çmenduri, por ata nuk më dëgjonin” shkroi në Twitter nipi i rij, Taryll. “Nuk tingëllon si ai”, shtoi motra e Jackson, La Toya.

Sony u përgjigj me një deklaratë duke thënë se kishte “besim të plotë në rezultatet e kërkimit tonë të gjerë, si dhe në llogaritë e atyre që ishin në studio me Michael, se vokalet … janë të tijat”.

Kur u publikua, kopertina e pasme e albumit thoshte: “Ky album përmban nëntë këngë vokale të papublikuara më parë të realizuara nga Michael Jackson. Këto këngë u përfunduan së fundmi duke përdorur muzikë nga këngët vokale origjinale dhe muzikën e krijuar nga producentët e vlerësuar”.

Megjithatë, pas dëgjimit të muzikës, fansat dyshuan për tre këngët.

Historia zyrtare është se Jackson i shkroi dhe i regjistroi ato me ekipin e produksionit Edward Cascio dhe James Porte në 2007. Megjithatë thashethemet vazhduan se vokalet u dhanë nga një këngëtar amerikan i quajtur Jason Malachi, i cili me sa duket mori meritat për ta në një postim në Facebook të vitit 2011. (Menaxheri i tij më vonë e mohoi këtë, duke pretenduar se postimi ishte i falsifikuar.)/lapsi.al

Lajmet

Rutte nga Shkupi: KFOR-i mbetet garantues i fuqishëm i sigurisë në Kosovë

Published

on

By

Gjatë një vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka rikonfirmuar se misioni i KFOR-it do të mbetet i fuqishëm dhe plotësisht i aftë për të përmbushur detyrat e tij në Kosovë.

Rutte vlerësoi lart partneritetin me Shkupin, duke theksuar se ky shtet ka qenë një mbështetës i kahershëm i forcave paqeruajtëse.

“Maqedonia e Veriut e ka mbështetur prej kohësh misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it dhe për këtë ju falënderoj. KFOR-i vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për qëllimin e tij”, deklaoroi Rutte.

Nga ana tjetër, vetë misioni i KFOR-it ka sqaruar se për momentin nuk ka ndryshime rrënjësore në strukturën apo numrin e forcave të saj, por aleanca rishikon dhe përshtat periodikisht praninë e saj në varësi të zhvillimeve në terren.

Për momentin, në Kosovë shërbejnë mbi 4,600 trupa të KFOR-it, ku Italia prin me mbi 900 ushtarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një rol kyç me rreth 600 trupa të dislokuara.

Continue Reading

Lajmet

UBT sjell në Kaçanik një reflektim akademik mbi trashëgiminë moderne përmes ekspozitës ‘Modernizmi në Kaçanik 1945–1990’

Published

on

By

Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve lokale nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Hanit të Elezit, stafit akademik dhe studentëve të interesuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, u bë hapja solemne e ekspozitës “Modernizmi në Kaçanik 1945–1990”, një projekt hulumtues dhe prezantues i kushtuar zhvillimit arkitektonik, urban dhe kulturor të periudhës së modernizmit në qytetin e Kaçanikut.

Ekspozita, e organizuar, punuar dhe kuruar nga profesori Kujtim Elezi në bashkëpunim me një grup studentësh të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë akademik dhe praktik të studentëve në dokumentimin, analizimin dhe interpretimin e trashëgimisë moderne arkitektonike.

Përmes hulumtimeve në terren, mbledhjes së materialeve arkivore, analizave grafike dhe prezantimeve vizuale, studentët kanë sjellë një pasqyrë të strukturuar të transformimeve urbane dhe arkitektonike që kanë shënuar Kaçanikun në periudhën 1945–1990.

Ky projekt dëshmon qasjen bashkëkohore të Departamentit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, i cili integron mësimdhënien teorike me punën kërkimore dhe angazhimin praktik në komunitet.

Përmes kësaj ekspozite, studentët jo vetëm që kanë zhvilluar aftësitë e tyre profesionale në analizë urbane dhe interpretim arkitektonik, por kanë kontribuar edhe në ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e ruajtjes dhe rivlerësimit të trashëgimisë moderne. Ekspozita synon të nxisë reflektim akademik dhe diskutim profesional mbi vlerat e modernizmit dhe ndikimin e tij në formësimin e identitetit arkitektonik bashkëkohor, duke e vendosur dialogun mbi trashëgiminë në një kontekst aktual të zhvillimit urban.

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në valën e shtrenjtimit global të karburanteve

Published

on

By

Brenda vetëm 24 orësh, çmimi i derivateve në Kosovë u rrit për së paku 14 centë.

Më 3 mars, një litër naftë në disa pika karburanti arriti në 1.39 euro, ndërsa benzina në 1.38 euro.

Një ditë më parë, çmimet ishin deri në 1.25 euro për naftë dhe 1.24 euro për benzinë.

Lëvizja e shpejtë e tregut vendor nuk është rastësi – ajo pasqyron përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe tronditjen e zinxhirit global të furnizimit me energji.

Tensionet gjeopolitike dhe efekti domino

Rritja u nxit nga tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, që shtynë çmimin e naftës Brent – standardi global i referencës – të rritet deri në 10 për qind më 1 mars.

Pasiguria për ndërprerje të furnizimeve u shtua veçanërisht pas pezullimit të një pjese të dërgesave përmes Ngushticës së Hormuzit.

Kjo ngushticë, përmes së cilës kalon mbi një e pesta e furnizimeve ditore globale me naftë, shërben si arterie eksporti për vende si Irani, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Iraku.

Çdo rrezik për bllokim apo kufizim të qarkullimit përkthehet menjëherë në rritje të kostove të sigurimit dhe transportit dhe, për rrjedhojë, në çmime më të larta në tregjet botërore.

Kosova, plotësisht e varur nga importi

Kosova nuk ka rafineri të saj dhe furnizohet tërësisht nga importet.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi importoi mbi 478 milionë euro naftë dhe më shumë se 51 milionë euro benzinë.

Furnizimet kryesore vijnë nga Gjermania, Hungaria, Greqia, Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa një pjesë e konsiderueshme hyn përmes terminalit të Porto Romanos në Durrës.

Kjo varësi strukturore e bën tregun vendor jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj lëkundjeve globale.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimet mund të vazhdojnë të lëvizin, pasi kompanitë furnizohen sipas çmimeve aktuale të bursës dhe nuk mbajnë rezerva të mëdha.

Ai shton se nuk ka vend për panik dhe se nuk priten mungesa në treg, por thekson se dinamika e çmimeve mbetet e varur nga zhvillimet ndërkombëtare.

Institucionet mes paralajmërimeve dhe masave të përkohshme

Përballë rritjes së shpejtë të çmimeve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e Kosovës njoftoi për një intensifikim të inspektimeve dhe përgatitje të raporteve ditore mbi çmimet.

Sipas ministrisë, në rast të rritjeve të pajustifikuara mund të aplikohen masa mbrojtëse dhe rregullim i përkohshëm i çmimeve, me mbikëqyrje nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore.

Një vendim i ngjashëm u mor më 16 dhjetor 2025 nga ministrja e atëhershme Rozeta Hajdari, duke përcaktuar marzhë maksimale tregtare prej 2 centësh për litër në shitje me shumicë dhe prej 12 centësh për litër në shitje me pakicë. Ky vendim qëndroi në fuqi vetëm 30 ditë. /REL/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Mbishkrime nacionaliste serbe në Ambasadën e Kosovës në Berlin

Published

on

By

Mbishkrime me përmbajtje fyese dhe shoviniste në gjuhën serbe janë vendosur në objektin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

Për këto veprime ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

“Mbishkrimet e vendosura përmbajnë slogane nacionaliste dhe nxitëse, përfshirë mesazhe si ‘Nuk ka dorëzim’, ‘Kosova është Serbi’ dhe thirrje të tjera me konotacion propagandistik dhe përçarës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

MPJD njofton se, pas identifikimit të këtij akti, janë informuar autoritetet gjermane.

“Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse në vendngjarje, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve”, bën të ditur Ministria.

Gjithashtu, MPJD ka dënuar këtë akt vandalizmi dhe çdo përpjekje tjetër për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.

“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike, si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve”, thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara