Një nga shkrimtarët me në zë të momentit, Albatros Rexhaj i ftuar në emisionin “N’STOP” në Radio Campus tregoi për dëgjuesit vështirësitë e të qenit shkrimtar, veprat e tij më të mira dhe kuptimet që fshihen pas tyre.
Sipas Rexhajt, sot nuk është e vështirë të botosh një libër, por t’i gjesh librit vendin tek publiku e qëllim ky sipas të cilit ai e ka arritur, duke pasur parasysh edhe suksesin e tij përgjatë viteve të fundit.
“Sot nuk është vështirë të botosh një libër, sot kanë ndryshuar kohërat nuk është si përpara kur ka qenë vërtet vështirë sepse shoqëria totalitare nën komunizëm ka pas shumë mekanizma që e kanë frenuar veprimin kreativ. Sot është lehtë të botosh një libër, është lehtë edhe ta shkruash ku di unë, por është vështirë që të krijosh botë për librin tënd dhe që libri të gjej rrugën deri te lexuesi edhe këtu ndikojnë shumë faktorë. Pavarësisht që jeta moderne e ka bërë më të lehtë me e nxjerr librin në formë fizike, në të njejtën kohë nuk është më lehtë, madje mund të them është shumë më vështirë që libri të gjej hapësirën e vetë dhe ta krijojë botën e vetë”, tregon ai.
I pyetur për veprat që i ka më përzemër dhe që i do më shumë, ai tregoi nder të tjera edhe kuptimet që fshihen pas veprave të tij.
Ndër veprat më të njohura të tij mbeten “Zonja Z”, “Kthimi” dhe “Edith”, e që sipas tij, secili nga këto libra ka kuptim të veçantë e të ndryshëm nga njëri-tjetri.
“Unë kështu i ndaj do të thotë “Zonja Z” është libri im më provokues, ku unë kam dashur të jem me qëllim provokues, libri “Kthimi” është libri më personal, do më thënë aty jam përpjekur që Albatrosi të duket sa më shumë që është e mundur te libri “Kthimi”, edhe për këtë arsye unë e dua atë libër në mënyrë të veçantë. Ndërsa libri “Edith” është libri më pasionant i imi, ku unë e kam shkrirë të gjithë pasionin që e kam si njeri, pasionin shpirtëror që e kam e kam shkrirë te ai libër”, tregon ai duke treguar ndër të tjera edhe se në këto vepra të tij vërehet fryma e njejtë, mirëpo në mënyra dhe këndvështrime të ndryshme.
Së fundmi, Rexhaj ka filluar studimet në drejtimin “Juridik” në UBT dhe sipas tij, kjo zgjedhje erdhi për arsye që e kishte pasion shumëvjeçar këtë fushë. Tutje ai shton se një ngjarje e tillë me rëndësi në jetën e tij po del te jetë një eksperiment social shumë interesant për të dhe prej të cilit pret të përfitojë shumë.
Krijimtaria e Albatros Rexhajt përbëhet nga këto vepra “Ditar dashurie i një shkrimtari”, “Kthimi”, “Lettera a un amico italiano dal Kosovo”, “Zonja Z”, “Në kërkim të daljes”, “Rebelimi i Lúlus”, “Edith”, dhe “Bombë në Beograd”.
Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve “Amadeus” ka shënuar një paraqitje të suksesshme në koncertin hapës të festivalit garues ndërkombëtar “Musica Orbis”, i cili po mbahet në Pragë të Çekisë.
Ceremonia solemne e hapjes u zhvillua në sallën Mayakovski të Teatrit Vinohrady, ku orkestra hapi festivalin me interpretimin e veprës shqiptare “Malësorja”, e cila u mirëprit me ovacione dhe duartrokitje nga publiku.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Çeki, Albesjana Iberhysaj, e cila në fjalën e saj vlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes së orkestrës në një festival ndërkombëtar dhe rolin e saj në promovimin e Kosovës në arenën kulturore botërore.
Organizatorët dhe anëtarët e orkestrës shprehën mirënjohje për Ambasadën e Kosovës në Çeki për mbështetjen dhe angazhimin gjatë qëndrimit të tyre në Pragë, si dhe falënderuan publikun për përkrahjen e vazhdueshme.
Orkestra “Amadeus” do ta përfaqësojë Kosovën edhe në garën ndërkombëtare të orkestrave në kuadër të festivalit “Musica Orbis 2026”./A.K/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Galerinë Kombëtare të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e artit pamor dhe institucioneve kulturore në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe zhvillimin e jetës publike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ndau përshtypjet e tij nga ekspozitat e fundit, duke vlerësuar Galerinë Kombëtare si një hapësirë të rëndësishme për promovimin e artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe për ndërtimin e identitetit kulturor të vendit.
“Arti nuk është vetëm reflektim i shoqërisë, por edhe udhërrëfyes i saj. Mbështetja për institucionet tona kulturore dhe krijuesit tanë mbetet prioritet, pasi përmes tyre prezantojmë vlerat tona më të mira para botës”, ka shkruar Kurti.
Gjatë vizitës, ai u njoftua edhe me projektet dhe sfidat e Galerisë Kombëtare, duke rikonfirmuar angazhimin e Qeverisë për rritjen e investimeve në infrastrukturën kulturore dhe për mbështetjen e artit bashkëkohor në Kosovë./A.K/
Podujeva ka mirëpritur për të tretin vit me radhë Festivalin Ndërkombëtar “Newborn Kosova”, i cili edhe këtë vit e nisi rrugëtimin nga ky qytet, duke sjellë një atmosferë të veçantë kulturore.
Në Sheshin “Katër Dëshmorët”, qytetarët shijuan një mbrëmje të pasur me art, traditë dhe folklor, ku ansamble nga Bullgaria, Holanda, Kosta Rika dhe Greqia prezantuan vallet tradicionale, muzikën dhe veshjet karakteristike të vendeve të tyre.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se është kënaqësi që qyteti vazhdon të jetë nikoqir i një festivali me karakter ndërkombëtar, i cili promovon shkëmbimin kulturor, miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve.
Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj festivalit, organizatorët i ndanë një mirënjohje kryetarit Bulliqi. Nga ana e tij, ai u dorëzoi mirënjohje ansambleve pjesëmarrëse, duke i falënderuar për kontributin në promovimin e kulturave të tyre përmes muzikës dhe vallëzimit./A.K/
Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë sonte, më 9 korrik 2026, koncertin “Americana” në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kuadër të shënimit të 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke filluar nga ora 20:30, publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë kryevepra të muzikës amerikane, nga kompozitorë të njohur si George Gershwin dhe Leonard Bernstein.
Koncerti do të interpretohet nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Toshio Yanagisawa, duke sjellë një mbrëmje të veçantë me energji dhe emocione muzikore.