Policia në rajonin e Gjakovës, në kuadër të planit operativ “Alkooli”, ka shtuar kontrollet rrugore gjatë katër ditëve të fundit, duke testuar me alkool-test gjithsej 385 drejtues automjetesh. Si rezultat i këtyre kontrolleve, 63 shoferë janë kapur duke drejtuar mjetin nën ndikimin e alkoolit, në kundërshtim me normat ligjore të lejuara.
Sipas një njoftimi zyrtar, për të gjithë shkelësit është shqiptuar gjobë si dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit me veprim motorik. Po ashtu, atyre u janë konfiskuar përkohësisht patentë-shoferët, për kohëzgjatjen e përcaktuar me ligj.
Krahas kontrolleve për alkoolin, Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor po zbaton edhe planin operativ “Sezoni Veror”, i cili përfshin fushata vetëdijësuese dhe aktivitete preventive. Fokusi kryesor është tek shkeljet që paraqesin rrezik të shtuar për sigurinë në trafik, si ngasja me shpejtësi të lartë, tejkalimet e rrezikshme, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes, mosvendosja e rripit të sigurisë dhe e helmetës mbrojtëse.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë me përpikëri rregullat e komunikacionit dhe të shmangin çdo veprim që rrezikon jetën dhe pronën e qytetarëve. Bashkëpunimi me autoritetet është thelbësor për të garantuar një ambient të sigurt rrugor për të gjithë.