Ministria e Rinisë dhe Sportit ka bërë publike listën përfundimtare të kategorizimit të sporteve në Republikën e Kosovës, ku përfshihen gjithsej 37 federata sportive.
Sipas njoftimit zyrtar, 6 federata janë renditur në kategorinë A, një në kategorinë B, katër në kategorinë C, ndërsa 26 federata janë përfshirë në kategorinë D.
Në kategorinë A kryeson Federata e Xhudos e Kosovës me 115.26 pikë, duke dëshmuar vazhdimësinë e sukseseve në arenën ndërkombëtare. Në vendin e dytë renditet Federata e Karatesë e Kosovës me 97.5 pikë, ndërsa e treta është Federata e Volejbollit të Kosovës me 88 pikë. Pasojnë Federata e Hendbollit e Kosovës me 87.8 pikë, Federata e Futbollit e Kosovës me 85.5 pikë dhe Federata e Basketbollit e Kosovës me 85.3 pikë.
Në kategorinë B është renditur vetëm Federata e Boksit e Kosovës me 83.1 pikë.
Ndërkaq, në kategorinë C bëjnë pjesë Federata e Atletikës e Kosovës, Federata e Pingpongut e Kosovës, Federata e Aeronautikës e Kosovës dhe Federata e Sportit Shkollor e Kosovës.
Sipas ministrisë, pjesa më e madhe e federatave gjithsej 26 janë të renditura në kategorinë D, në bazë të pikëzimit dhe kritereve të përcaktuara nga komisioni profesional për procesin e kategorizimit.
