Lajmet

Bieber: Serbia do të fitojë avantazhe edhe pa njohjen e Kosovës

Published

on

A ndodhet Bashkimi Evropian më nën presion pas marrëveshjes së Uashingtonit? A i vendos ajo Kosovën dhe Serbinë në dilemë mes SHBA dhe BE-së?

Analisti austriak, Prof. Florian Bieber, në një intervistë për Deutsche Welle analizon impaktin e marrëveshjes dhe ka një porosi për BE.

Në Kosovë e në Shqipëri marrëveshja ekonomike e Uashingtonit u përshëndet më së shumti si një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. A mendoni edhe ju kështu?

Bieber: Më duhet të them, se marrëveshjen në Uashington nuk e shoh si hap të madh në ndonjë drejtim. Nuk e shoh as si sinjal të rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve e as në drejtim të njohjes së Kosovës. Në fund të fundit në marrëveshje, që në tërësi nga ana përmbajtësore nuk ka shumë thelb, gjenden shumë pak hapa. E vetmja gjë që për Kosovën është një sinjal pozitiv, është njohja nga ana e Izraelit, e para njohje e madhe e rëndësishme që prej një kohe të caktuar. Kurse hapat e tjerë që prekin marrëdhënien Kosovë-Serbi janë më shumë të një natyre simbolike, apo pika që ndërkohë që prej muajsh apo vitesh ka pasur ujdi nga të dyja palët. Mungon qartësia, mungon substanca, dhe nuk mund të them që kjo marrëveshje më bën optimist.

Gjermania e Bashkimi Europian nuk duket se janë shumë entuziast pas marrëveshjes për të cilën nuk pati ndonjë bashkëpunim. A e sheh BE-ja atë më shumë si një listim dëshirash, se sa marrëveshje reale?

Bieber: Problemi që kemi në dialogun me Kosovës dhe Serbisë, ndërkohë që prej gati 10 vjetësh, është se deklaratat, dëshirat apo në dukje ujditë kanë qenë të një niveli deklarativ. Ky ka qenë edhe problemi i ndërmjetësimit të BE-së deri më tani, që deri më tani asnjëra nga palët nuk u shkrua në letër qartë, se çfarë duhet bërë saktësisht, dhe kur ka ardhur puna tek zbatimi, gjithmonë ka pasur grindje, gjë që ka çuar për shembull aty, që tani në marrëveshjen e Uashingtonit sërish përmendet njohja e diplomave, megjithëse kjo që para disa vitesh është ndërmjetësuar nga ana e BE. Në fakt nuk ecet përpara, sepse interpretimi u lihet të dyja palëve dhe secila e interpreton sipas mënyrës së vet.

Megjithatë Kosova dhe Serbia u takuan në Bruksel të hënën (07.09) në nivel të lartë madje për vazhdimin e dialogut. U prekën edhe tema të reja si ajo e asociacionit të komunave serbe, çështja e të zhdukurve, pronat, financat. A është Brukseli nën presion tani të ofrojë një rezultat konkret pas marrëveshjes së Brukselit?

Bieber: Sigurisht që e gjithë përpjekja amerikane, me iniciativën e Grenellit, emërimin e tij si ndërmjetësues i posaçëm ka bërë që BE të jetë më shumë nën presion, dhe madje ka reaguar pak më shpejt, megjithëse do thoja ende shumë ngadalë. Por takimi i tanishëm është pjesë e procesit të ri të Brukselit, përpjekjë që Miroslav Lajçak të ngrejë tani me ngadalë një proces, por të strukturuar mirë, të shpresojmë. Ky proces nuk orientohet si SHBA nga deklarime afatshkurtra të nivelit të lartë, por përpiqet të trajtojë temat e rëndësishme që kanë mbetur të hapura.

Si e shikoni qasjen e SHBA-së, që quhet si qasje ekonomike, a mund të jetë ajo një impuls për afrimin politik, që BE nuk e ka arritur në këto afër 10 vjet ndërmjetësim?

Bieber: Jam fillimisht skeptik, se nuk shoh shumë në atë marrëveshje, për sa i përket marrëdhënieve ekonomike. Bëhet fjalë për infrastrukturë, komunikim, por shkëmbim ekonomik të vërtetë, integrim, shoh shumë pak në këtë marrëveshje. Sigurisht bashkëpunimi ekonomik do vlerësuar pozitivisht, nëse ai vërtet do ecë përpara, por nuk duhet pritur, që ai të çojë automatikisht në një afrim politik. Ju kujtoj, se Greqia për shumë vite ishte investitori kryesor në Maqedoninë e Veriut, marrëdhëniet ekonomike ishin shumë të ngushta, e megjithatë vështirësitë politike mbetën. Nuk duhet besuar naivisht, se vetëm bashkëpunimi ekonomik automatikisht çon në çtensionimin e marrëdhënieve politike.

Po a nuk është një impuls shtesë, që mund t’i ndihmojë edhe BE-së të ecë përpara me procesin?

Bieber: Natyrisht përmirësimi ekonomik nuk është gjë e keqe, çdo lloj lidhjeje e kontakti mes vendeve është pozitiv. Problemi që shoh është se fjalimet për bashkëpunimin ekonomik përfundojnë me atë që thuhet, se po krijojmë lidhje hekurudhore, ajrore që ose janë në realitet, ose ende jo. Kur flet për bashkëpunim bëhet fjalë për më shumë, si qëndron puna me produktet, jo vetëm heqjen e doganave ndëshkuese, por si do veprohet me produktet e Kosovës në Serbi. Nuk duhet harruar, se në radhë të parë këto vende tregtinë e produktet i kanë në një drejtim tjetër. Pra as Kosova dhe as Serbia nuk do përfitojnë kushedi sa shumë, nëse kanë më shumë kontakte ekonomike. Duhet menduar më gjerë, për kontakte të tjera, shkëmbimin mes të rinjve, për nivel shkëmbimi në shoqërinë civile, mes intelektualëve, universiteteve, shkollave. Elitat politike kanë frikë nga një shtrirje në nivel të gjerë, është përshtypja ime, sepse ato mund të humbasin kontrollin për këtë proces.

Qoftë në takimet në Uashington apo Bruksel – për palën kosovare është e qartë dhe ka vetëm një qëllim, njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, edhe marrëveshja e tanishme shihet në këtë kontekst. Për Serbinë çështja e njohjes së Kosovës as që nuk shtrohet. Më larg se kaq, nuk ka si të jetë. Çfarë do të thotë atëherë kjo retorikë?

Bieber: Të dyja palët kanë qëllime të ndryshme. Për Kosovën është e qartë që njohja është qëllimi më i rëndësishëm. Për Serbinë qëllimi është që të shtyjnë sa më shumë një njohje, sepse për Serbinë në dialog në radhë të parë bëhet fjalë, që të shihet pozitivisht nga jashtë. Serbia nuk fiton shumë nga një zgjidhje e problemit. Cilat janë avantazhet atëherë…e vetmja gjë që mund të fitojë Serbia janë avantazhe në drejtim të marrëdhënieve me BE apo SHBA. Për Serbinë ideale do ishte, të fitojë këto avantazhe edhe pa rënë dakord për njohjen e Kosovës. Në një kohë që Kosova është më e bllokuar, nga mohimi serb i njohjes.

E çfarë do ta ndërpriste këtë strategji shtyrjeje?

Bieber: Kjo mund të ndërpritej, kur të bëhet e qartë, që shtyrja nuk mund të vazhdojë përjetësisht si taktikë tërhiq e mos e këput. Deri më tani BE ka qenë zemërgjerë e jo shumë kritike ndaj kësaj taktike shtyrjeje, dhe është mbajtur me premtime nga Vuçiçi, duke besuar, se dikur ai do të ishte në gjendje apo do ishte i gatshëm që të nënshkruajë një marrëveshje. Nga BE duhet njëherë që të vijë një sinjal i qartë – ose ka një marrëveshje që përmban njohjen, de jure apo de facto nga ana e Serbisë, ose ne nuk e shohim si realiste për Serbinë një proces anëtarësimi në BE. Ky mesazh i qartë i BE dikur do të bëhet i nevojshëm. Kësaj i shtohet që gjendja demokratike në Serbi në muajt e fundit është përkeqësuar.

BE e përshëndeti njohjen e Kosovës nga ana e Izraelit, kurse për zhvendosjen e ambasadës së Serbisë apo Kosovës në Jeruzalem pati një paralajmërim nga ana e BE, se kjo mund të minojë procesin e anëtarësimit në BE. A vendosen këto vende kështu në një dilemë mes SHBA-së dhe BE-së?

Bieber: Të dyja këto vende janë vendosur vetë në një dilemë në mes SHBA dhe BE-së, duke iu ekspozuar kështu prioriteteve të ndryshme. Kjo nuk është e re për Serbinë që është ndërkohë në këtë pozicion, mes BE dhe Kinës apo BE dhe Rusisë. E re është se në këtë rast bëhet fjalë për SHBA. Për Kosovën është diçka e re, por edhe aty mund të thuhet, jo pa kufi, se edhe Kosova në të shkuarën në politikën e jashtme është përpjekur gjithmonë të orientohet nga SHBA. Kjo tregon më shumë diferencat mes SHBA-së dhe BE-së. Por për të dyja vendet do thoja, se kjo është një çështje që vendoset në nëntor. Zhvendosja në Jeruzalem do të mbetet relevante, nëse në zgjedhjet presidenciale, Donald Trump rizgjidhet president i SHBA, nëse ai humbet, motivimi i Serbisë është shumë më i vogël. Për Kosovën është diçka tjetër, se Izraeli mund të kërcënojë me tërheqjen e njohjes, nëse Kosova nuk e çon ambasadën në Jeruzalem. /DW/

Vendi

Koordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford

Published

on

By

Koordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, mori pjesë si referuese në konferencën ndërkombëtare Oxford Forum of Open Scholarship 2026 (OxFOS 2026), e organizuar nga Bodleian Libraries në University of Oxford, e cila u mbajt nga 2 deri më 6 mars.

Kjo konferencë akademike mbledh studiues, kërkues dhe ekspertë nga institucione të ndryshme ndërkombëtare për të diskutuar zhvillimet më të fundit në fushat e open research, open data dhe open scholarship, duke promovuar bashkëpunimin dhe ndarjen e njohurive në komunitetin global të kërkimit shkencor.

Në kuadër të kësaj konference, më 4 mars, prof. Zaçellari prezantoi studimin me titull “Open Structured Dictionary Data for Low-Resource Languages”, në të cilin trajtoi çështje që lidhen me strukturimin dhe hapjen e të dhënave leksikografike për gjuhët me burime të kufizuara.

Gjatë prezantimit, ajo u ndal te një pyetje thelbësore që udhëhoqi diskutimin: “Kush e zotëron dijen gjuhësore?”, duke reflektuar mbi rolin e qasjes së hapur në burimet gjuhësore dhe mbi rëndësinë e ndarjes së dijes brenda komunitetit shkencor ndërkombëtar.

Me këtë rast, prof. Zaçellari prezantoi edhe “Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe”, një nga veprat më të rëndësishme të leksikografisë shqiptare, duke theksuar vlerën shkencore të kësaj pune dhe rëndësinë e integrimit të saj në platforma online si burim i open data. Ky proces synon ta bëjë këtë pasuri të rëndësishme gjuhësore më të qasshme për kërkimin shkencor ndërkombëtar dhe për studiuesit e gjuhësisë në mbarë botën.

Continue Reading

Aktualitet

Nga Kahoot te WebQuest: studentët e UBT prezantojnë zgjidhje digjitale për mësimin e anglishtes

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Computer-Assisted Language Learning (CALL) në Fakultetin e Gjuhës Angleze në UBT u organizua një punëtori prezantuese, e cila shërbeu si një platformë për të shfaqur kreativitetin pedagogjik, aftësitë digjitale dhe angazhimin komunitar të studentëve. Aktiviteti kishte për qëllim të demonstrojë se si qasjet e mbështetura në teknologji mund të integrohen në mënyrë efektive në mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës angleze.

Gjatë punëtorisë, studentët prezantuan scrapbook-e që përfaqësonin 12 tema nga plani mësimor, duke përfshirë materiale autentike dhe kreative të dizajnuara për zhvillimin e katër aftësive gjuhësore: dëgjim, të folur, lexim dhe shkrim. Këto materiale pasqyruan ndërthurjen e metodave tradicionale me ato digjitale në procesin e mësimdhënies.

Studentët prezantuan gjithashtu wiki, faqe interneti dhe aplikacione edukative që ndihmojnë në nxënien e gjuhës, duke shpjeguar përdorimin e tyre praktik në klasë dhe përfitimet që ato ofrojnë për nivele të ndryshme të nxënësve. Për më tepër, ata realizuan edhe intervista në komunitet, me qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, traditave dhe bizneseve lokale, duke forcuar lidhjen mes nxënies së gjuhës dhe konteksteve reale shoqërore.

Si pjesë e rezultateve të lëndës CALL, studentët demonstruan lojëra dhe aktivitete digjitale interaktive të krijuara përmes mjeteve si Kahoot, Socrative, Quizlet, Jeopardy dhe aplikacione të inteligjencës artificiale, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të nxënësve, motivimit dhe vlerësimit formativ në procesin mësimor.

Një tjetër komponent i projektit ishte edhe dizajnimi i fletëpalosjeve edukative, të cilat inkurajojnë nxënësit të “mbështesin lokalen (go local)”. Këto materiale përfshinin kode QR që lidhen drejtpërdrejt me burime digjitale, intervista dhe materiale të krijuara nga vetë studentët.

Gjithashtu, studentët demonstruan aftësitë e tyre në krijimin e WebQuest-eve dhe kurseve online, duke theksuar rëndësinë e nxënies së strukturuar dhe kërkimore të mbështetur nga teknologjia. Në këtë kuadër, ata hartuan edhe objektiva të qarta mësimore të bazuara në Taksonominë e Bloom-it, duke siguruar që aktivitetet mësimore të përfshijnë nivele të ndryshme të të menduarit dhe zhvillimit njohës.

Në tërësi, punëtoria dëshmoi një integrim të suksesshëm të teknologjisë, pedagogjisë dhe mësimit të bazuar në komunitet, duke reflektuar objektivat kryesore të lëndës CALL dhe duke theksuar rëndësinë e shkathtësive digjitale, kreativitetit dhe përvojave kuptimplota të të nxënit në mësimdhënien bashkëkohore të gjuhës angleze.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT International Smart Schools shënoi 7 Marsin dhe Ditën e Shkollës me një program festiv dhe artistik

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi një program festiv dhe artistik me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe Ditës së Shkollës, një ngjarje që mblodhi së bashku nxënës, prindër, mësimdhënës, përfaqësues të stafit të UBT-së dhe mysafirë të shumtë.

5, 6 dhe 7 marsi përkujtojnë Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një moment historik që përfaqëson sakrificën dhe qëndresën për liri, ndërsa 7 Marsi shënon Ditën e Mësuesit, një ditë falënderimi për të gjithë ata që me përkushtim dhe dashuri ndriçojnë rrugën e dijes për brezat e rinj. Për komunitetin e shkollës, kjo ditë shënoi edhe Ditën e Shkollës së UBT International Smart Schools.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të mësuesve dhe rëndësinë e arsimit në ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar dhe të orientuar drejt inovacionit. Ai theksoi se arsimi mbetet shtylla kryesore e zhvillimit dhe se institucionet arsimore kanë përgjegjësinë të përgatisin gjenerata të reja të afta për sfidat e kohës moderne.

Rektori Hajrizi gjithashtu theksoi se vizioni i UBT-së për arsimin bashkëkohor bazohet në dije, kreativitet, teknologji dhe inovacion, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe duke i përgatitur ata për një të ardhme globale.

Në vijim të programit, me një fjalë rasti u drejtua edhe zëvendësdrejtoresha e UBT International Smart Schools, Shqipe Agushi, e cila vlerësoi përkushtimin e mësimdhënësve dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin dhe formimin e nxënësve. Ajo theksoi se shkolla synon të ndërtojë një mjedis modern të të nxënit, ku nxënësit zhvillojnë njohuri, kreativitet dhe aftësi që i përgatisin për të ardhmen.

Programi vazhdoi me një pjesë të pasur artistike dhe kulturore, ku nxënësit e UBT International Smart Schools prezantuan këngë, recitime, valle tradicionale dhe pjesë teatrale. Interpretimet muzikore përfshinë këngë si “Pyes lotin”, “Sërish vjen marsi”, “Abetarja ime” dhe “Mësuesja ime”, ndërsa publiku pati mundësinë të shijojë edhe interpretime poetike, valle folklorike si Vallja e Tropojës dhe Vallja e Zanave, si dhe pjesë artistike e komike si “Lajmet e Mesditës”.

Ky aktivitet festiv u shndërrua në një moment të veçantë reflektimi dhe festimi, duke theksuar rëndësinë e arsimit, kulturës dhe historisë në formimin e brezave të rinj, si dhe duke përforcuar misionin e UBT International Smart Schools për të ofruar një edukim modern dhe cilësor në përputhje me standardet bashkëkohore ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

UBT mbështet Institutin për Krimet e Luftës me teknologji dhe ekspertizë për digjitalizimin e arkivës

Published

on

By

Në ditët e Epopesë së UÇK-së, një nga ngjarjet më domethënëse të historisë së vendit, UBT dhe Instituti i Hulumtimit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës (IKKL) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që synon forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ruajtjen e kujtesës historike përmes teknologjisë moderne.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi mes Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe Drejtorit Ekzekutiv të IKKL-së, Dr. Atdhe Hetemi, ku u diskutua për rëndësinë e inicimit të procesit të digjitalizimit të arkivave të Institutit, në përputhje me zhvillimet më të fundit teknologjike.

Në fokus të këtij bashkëpunimi është pikërisht digjitalizimi i materialeve arkivore që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke synuar ruajtjen afatgjatë të tyre, menaxhimin më efikas dhe krijimin e mundësive më të mëdha për hulumtim shkencor dhe institucional.

Sipas marrëveshjes, palët do të bashkëpunojnë në një gamë të gjerë aktivitetesh dhe iniciativash me interes të përbashkët. Këto përfshijnë planifikimin e programeve edukative që trajtojnë historinë dhe pasojat e krimeve të luftës në Kosovë, mbështetjen profesionale në procesin e digjitalizimit dhe aplikimin e programeve specifike për nevojat hulumtuese dhe dokumentuese të Institutit.

Gjithashtu, marrëveshja parashikon ndarjen e burimeve akademike dhe ekspertizës së stafit dhe studentëve të UBT-së, duke përfshirë qasjen në biblioteka dhe arkiva për projekte kërkimore që lidhen me dokumentimin e krimeve të luftës dhe ndikimin e tyre në shoqëri.

Ky proces pritet të përfshijë përdorimin e platformave dhe programeve të avancuara teknologjike për përpunimin, katalogimin dhe arkivimin digjital të dokumenteve, dëshmive dhe materialeve të tjera me rëndësi historike.

Continue Reading

Të kërkuara