Kulturë

Biblioteka Kombëtare, ekspozitë kushtuar Koliqit në 50-vjetorin e largimit nga jeta

Published

on

Biblioteka Kombëtare hapi sot ekspozitën “In Memoriam 1901-1975”, një përkujtim i veçantë për intelektualin dhe shkrimtarin e njohur shqiptar, Ernest Koliqi, me rastin e 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të tij. Kjo ngjarje ka për qëllim të nderojë kontributin e madh që Koliqi la në letërsinë, kulturën dhe politikën shqiptare, duke e vendosur atë si një figurë të pazëvendësueshme në panoramën intelektuale të shekullit të kaluar.

Në një postim të Bibliotekës Kombëtare në rrjetet sociale, theksohet se ekspozita synon të risjellë në vëmendje krijimtarinë e pasur të Koliqit, duke përfshirë punimet e tij artistike, publicistike dhe përkthimet më të njohura, të cilat janë pjesë e trashëgimisë së tij të çmuar. Koliqi, i cili ishte një nga shkrimtarët më të shquar të periudhës së viteve 1920-1930, jo vetëm që ndihmoi në zhvillimin e letërsisë shqipe, por arriti të shndërrohej në një ndër përfaqësuesit më të shquar të një epoke, e cila do të ndikonte për shumë vite në fushën e artit dhe kulturës.

Ekspozita, e vendosur në katin e parë të Bibliotekës Kombëtare, ka në fokus botimet e para të shkrimtarit, përkthimet e tij, ese, publicistikë dhe përzgjedhje poetike, si dhe shkrime të botuara në revistën e njohur periodike “Shêjzat”. Materialet pasqyrojnë jo vetëm talentin e Koliqit si shkrimtar, por edhe pasionin e tij për zhvillimin e kulturës dhe gjuhës shqipe, duke sjellë një panoramë të pasur të veprës së tij.

Ernest Koliqi, i lindur më 20 maj 1903 në Shkodër, ishte një personalitet që, përveç përkushtimit të tij në letërsi, ishte aktiv edhe në skenën politike. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ai u emërua ministër i Arsimit dhe më vonë kryetar i Këshillit Koorporativ Fashist, një periudhë që do të shoqërohej me kritika për angazhimin e tij politik. Megjithatë, veprat e tij më të njohura si “Hija e maleve”, “Tregtarë flamujsh” dhe “Pasqyrat e narcizit” e vendosën atë në piedestal të letërsisë shqipe, duke e bërë të pavdekshëm në historinë e kulturës shqiptare.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Koliqi vazhdoi jetën në Romë, ku drejtoi revistën “Shêjzat” dhe katedrën e Gjuhës Shqipe, një bazë e fortë për ngritjen e Institutit të Studimeve Shqiptare. Në vitet 1960, ai nisi përkthimin e veprës “Lahuta e Malcis” në italisht dhe vazhdoi të punonte për të bërë të njohur letërsinë shqiptare në botën e huaj. Më 15 janar të vitit 1975, Koliqi ndërroi jetë në Romë, por puna e tij e palodhur ka lënë një trashëgimi të thellë dhe të pashlyeshme.

Ekspozita e hapur sot në Bibliotekën Kombëtare është një mundësi e shkëlqyer për të kujtuar dhe nderuar jetën dhe veprën e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, dhe për të rifreskuar kujtesën kolektive për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në pasurimin e kulturës dhe historisë shqiptare. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun dhe ofron mundësinë për të shijuar dhe vlerësuar një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore./UBTNews/

Kulturë

Dokumentari si formë rezistence ndaj apatisë

Published

on

By

Në edicionin e katërt të “Dokudaily”, vëmendja përqendrohet te kinemaja si një formë rezistence ndaj apatisë dhe mënyrë për t’iu qasur më nga afër realitetit.

Në këtë numër, Mark Cousins propozon përdorimin e filmit dokumentar si një mënyrë për ta parë dhe kuptuar botën, ndërsa diskutimi shtrihet edhe në çështje të rëndësishme që lidhen me kinemanë bashkëkohore.

Mes temave të trajtuara janë pronësia mbi historitë dhe mënyra se kush ka të drejtë t’i tregojë ato, përdorimi i gjuhës në kinematë kombëtare, si dhe reagimet e njerëzve ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale (AI).

“Dokudaily” ndalet gjithashtu te puna e ekipit të mikpritjes, i cili përshkruhet si “motori i padukshëm” që qëndron pas atmosferës dhe humorit të veçantë të këtij aktiviteti.

Përmes këtyre temave, edicioni i katërt e vendos dokumentarin në qendër të një diskutimi më të gjerë mbi shoqërinë, identitetin, teknologjinë dhe mënyrën se si kinemaja mund të sfidojë indiferencën.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Etno Fest: Dita e gjashtë sjell traditën e Istogut, artin e familjes Grubi dhe teatrin e Shkodrës në Kukaj

Published

on

By

Nata e gjashtë e festivalit “Etno Fest” në fshatin Kukaj u karakterizua nga një gërshtim i traditës autoktone, muzikës klasike dhe artit skenik, duke mbledhur artistë e dashamirës të kulturës nga treva të ndryshme.

Sipari i mbrëmjes u hap me performancën e Etno Ansamblit “Vullkani i Istogut”, i cili solli në skenë këngë, valle dhe motive tradicionale të trevës së Istogut.

Programi vazhdoi me një koncert artistik të interpretuar nga Blerim Grubi, Nita Grubi dhe Arjana Kuriu Grubi, të cilët sollën një frymë me finesë muzikore për pranishmit.

Ngjarja qendrore e mbrëmjes ishte shfaqja teatrore “Pesë fytyrat e heshtjes”, me regji të Ilir Bokshit, e realizuar nga trupa e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Shfaqja trajtoi tema komplekse njerëzore, me fokus te dhuna familjare dhe përjetimet e pathëna.

Aktivitetet e ditës së gjashtë u përmbyllën në orët e vona me “Etno Nejën”, ku grupi “Melodia e Vjetër” interpretoi pjesë nga repertori i traditës muzikore e shpirtërore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Monodramë, Dokumentarë dhe Muzikë: Çfarë shënoi ditën e tretë të “Etno Fest”

Published

on

By

Dita e tretë e festivalit “Etno Fest” solli një gërshetim të arteve skenike, trashëgimisë kulturore dhe kujtesës kolektive, duke përfshirë shfaqje teatrale, demonstrime tradicionale, dokumentarë historikë dhe muzikë live.

Programi artistik nisi me monodramën “No Surprises”, me regji të Endrit Gashit dhe interpretim të Ergjan Mehmetit. Shfaqja u prezantua përmes një qasjeje skenike interesante, duke trajtuar përjetimet e individit, raportin e tij me realitetin bashkëkohor dhe dimensionin emocional të dashurisë.

Në kuadër të promovimit të trashëgimisë kulturore u prezantua etno-performanca “Zeje në zhdukje: Farkëtari”. Përmes demonstrimit praktik të mjeshtërisë së farkëtimit, performanca vuri në pah rëndësinë e ruajtjes dhe transmetimit të zanateve tradicionale.

Mbrëmja vazhdoi me shfaqjen e dy dokumentarëve me tematikë nga historia e Kosovës:

“Ferdonija” me autorë Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti: Një rrëfim për historinë dhe qëndresën e Ferdonije Qerkezit nga Gjakova, e cila jeton me kujtimin e bashkëshortit dhe katër djemve të saj të humbur gjatë luftës.

“Pesë lulet, një notë e humbur” me autor Fatlum Haziri: Dokumentar që trajton temën e helmimeve të nxënësve në shkollat e Kosovës gjatë viteve ’90, i ndërtuar mbi dëshmi, intervista dhe materiale arkivore.

Aktivitetet e ditës u përmbyllën me “Etno Nejën”, ku interpretoi grupi “Ardian Behrami CIPA & Band”, duke sjellë përpunime muzikore për publikun pranishëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Folklor, energji epike dhe balet modern në natën e dytë të “Etno Fest-it”

Published

on

By

Nata e dytë e edicionit të 16-të të “Etno Fest-it” nisi me Ansamblin “Devolli” nga Korça, i cili solli për publikun valle tradicionale devolliane, veshje autoktone dhe harmoninë e lojës instrumentale ku dominonte klarineta.

Programi vazhdoi me aktorin Armend Baloku dhe shfaqjen e tij mbështetur në veprën monumentale të Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”. Permes një interpretimi me ekspresivitet e temporitëm dinamik, ai përcolli fuqishëm historinë dhe mesazhin aktual të Fishtës “Lidhnju bashkë si kokrrat në shegë”, duke i shtuar mbrëmjes dozën e adrenalinës kombëtare.

Më pas, kompania Dance Theatre nga Gjergj Prevazi prezantoi shfaqjen e baletit “Void” (Bosh). Lëvizjet e precizuara të balerinave Katerina Goga dhe Chiara Xoxi përcollën përmes gjuhës së trupit përpjekjen për të mposhtur apatinë e zbrazëtinë përmes artit. Mbrëmja u përmbyll te “Qilimi fluturues i gjyshes” me performancën e grupit “NA” dhe DJ Cabo, duke gërshetuar muziken tradicionale me atë moderne. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara