Lajmet

Argumenti për Asociacionin, “në duart” e Vuçiqit

Stefan Surlliq: Serbia nuk heq dorë nga pozicioni se Kosova ka status të diskutueshëm.

Published

on

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të kushtëzojë vazhdimin e dialogut me Kosovën me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, thotë Stefan Surlliq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Surlliq thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me politikat e veta tregon se në Kosovë vlejnë konceptet njëetnike, por vetëm për shqiptarët.

Surlliq nuk pret që në rundin e 15 qershorit, palët të bisedojnë për Asociacionin.

Ai thotë se duhet të gjenden “forca të brendshme” që do t’i detyronin liderët të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, pasi, sipas tij, Bashkimi Evropian ofron vetëm shkopin dhe jo karotën.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Surlliq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të përballet të martën me një bashkëbisedues të ri në Bruksel: kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Cila është ajo gjëja e parë që prisni nga ky takim?

Stefan Surlliq: Pres që të dyja palët të tregojnë dëshirë dhe vullnet për të vazhduar dialogun, për të biseduar për temat që mund të dalin në tryezë gjatë periudhës së ardhshme. Ka pasur shumë mesazhe të ashpra dhe negative nga Beogradi dhe Prishtina, andaj është edhe simbolikisht e rëndësishme që të takohen dhe, nga pozita e udhëheqësve, të dërgojnë mesazhe më të moderuara dhe të dëshmojnë se janë të vendosur për dialog.

Radio Evropa e Lirë: Kurti ka thënë se Kosova do të paraqitet në Bruksel si palë e barabartë me Serbinë. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë të enjten në Tiranë se kjo është e pamundur, sepse – citoj – Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe Kosova jo. Si e shihni ju këtë qasje? Ku mund të çojë?

Stefan Surlliq: Serbia nuk heq dorë nga pozicioni se Kosova ka status të diskutueshëm dhe se ai nuk mund të zgjidhet derisa nuk ka marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës. Në anën tjetër, Kurti e relativizon dialogun dhe konsideron se bëhet fjalë për palë të barabarta. Unë nuk do të pajtohesha. Nëse vërtet bëhet fjalë për palë të barabarta, atëherë përse zhvillohet dialogu? Çështjet teknike, që do të duhej të zgjidheshin midis serbëve dhe shqiptarëve, nuk përmenden më. Autonomia për serbët në Kosovë është lënë plotësisht anash.

Pra, ideja e dialogut është që të arrihet – siç thuhet shpesh – njohja reciproke. Marrë parasysh që Serbia është shtet i pranuar ndërkombëtarisht, zyrtarët evropianë dhe amerikanë presin që gjatë dialogut të arrihet një marrëveshje e atillë, që do të mundësonte zhbllokimin e Kosovës në planin ndërkombëtar dhe anëtarësimin e saj në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare – gjë që tash për tash nuk është e mundur pa pajtimin e Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova, megjithatë, është shtet i pranuar nga vende të shumta…

Stefan Surlliq: Po, [Kosova] është e pranuar. Por, shtrohet pyetja nëse Serbia nuk e njeh Kosovën – as pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin, çfarë është në favor të Serbisë – atëherë cila është perspektiva e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE dhe në NATO, cila është perspektiva e anëtarësimit në Këshillin e Evropës? Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk duhet relativizuar.

Albin Kurti tash i tregon muskujt për tema që janë vërtet të rëndësishme, para së gjithash, për qytetarët e Kosovës. Ai duhet ta thotë hapur se ‘është në interesin tonë’ dialogu me Serbinë, i cili do ta zhbllokojë Kosovën drejt rrugës evropiane dhe anëtarësimit në NATO.

Stefan Surlliq
Stefan Surlliq

Radio Evropa e Lirë: Kurti thotë se ky është fillimi i një procesi të ri të bisedimeve me Serbinë. Bashkimi Evropian thotë se është vazhdim i dialogut. Si komentohet në Serbi?

Stefan Surlliq: Më shumë komentohet në dritën e deklaratave të Kurtit. Ai, në fillim, ka thënë se dialogu nuk është fare i rëndësishëm, se është diku tema e pestë. Nëse është kështu, atëherë përse ai, si kryeministër, shkon në takim me presidentin e Serbisë? Ndoshta [presidentja e Kosovës] Vjosa Osmani do të mund të takohej me Vuçiqin. Por, fakti që ai e ka marrë këtë rol, tregon se ai e ka të rëndësishme të marrë pjesë dhe ta udhëheqë dialogun.

Sa i përket pjesës teknike të dialogut, nëse është vazhdim apo fillimi i një të riu, për ekipin negociues të Kosovës dhe për Albin Kurtin është fillimi i një procesi krejtësisht të ri. Ata nuk kanë kurrfarë përvoje. Në ekip nuk shoh anëtarë që kanë marrë pjesë më herët në proces. Kështu që takimi në Bruksel do të jetë një takim fillestar, me të cilin do të njoftohen. Por, supozoj se Bashkimi Evropian nuk do ta ndryshojë formatin.

Radio Evropa e Lirë: Vuçiq e ka porositur Kurtin se nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel nëse nuk dëshiron të flasë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kurti thotë se nuk mund të formohet ndonjë asociacion njëetnik. A mund të përafrohen këto qëndrime? Nëse po, si?

Stefan Surlliq: Mendoj se argumenti është në duart e Serbisë dhe të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar. Diçka që është rënë dakord në fazën paraprake dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave, si mund të mos zbatohet? Mendoj se kjo pyetje, para së gjithash, është për qytetarët e Kosovës, për elitën politike në Kosovë. A do të sillen ata në mënyrë shtetërore dhe t’i respektojnë vendimet që lidhen me Asociacionin?

Albin Kurti thotë për Asociacionin se është koncept njëetnik, por me politikën e tij ai tregon në njëfarë mënyre se në Kosovë mund të kalojnë konceptet njëetnike, por vetëm për shqiptarët. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit nuk respektohet, marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk zbatohet – çfarë do të thotë që Kosova, si shtet, i respekton ligjet që i përshtaten shumicës shqiptare. Nëse është diçka në favor të komunitetit serb ose dëshirës së tij për autonomi, atëherë kjo nuk vlen dhe nuk do të zbatohet.

Andaj, Vuçiq, edhe pse ndoshta vetë nuk sheh ndonjë dobi të madhe nga Asociacioni, ai e sheh atë si argument të fuqishëm, që do ta përdorë edhe tek akterët ndërkombëtarë, duke këmbëngulur se nuk do të ketë vazhdim të dialogut, derisa ajo që është rënë dakord deri më tani, nuk zbatohet edhe në terren.

Radio Evropa e Lirë: A prisni që të martën në Bruksel të flitet për Asociacionin?

Stefan Surlliq: Mendoj se ka pak gjasa, sepse jo vetëm Albin Kurti, por të gjitha forcat politike në Kosovë janë të bashkuara në atë që Asociacioni është një zgjidhje negative për shoqërinë kosovare. Andaj, në këtë moment, nuk mendoj se do të ketë gatishmëri politike që [Kurti] të pranojë çfarëdo diskutimi për këtë temë. Në anën tjetër, mund të presim që Vuçiq të këmbëngulë pikërisht në këtë dhe kështu të kemi edhe një rund të pasuksesshëm të dialogut.

Radio Evropa e Lirë: Po, Vuçiq ka deklaruar se dialogu i ardhshëm në Bruksel nuk do të jetë i lehtë. A mund të supozoni se në çka ka aluduar?

Stefan Surlliq: Është një presion i vazhdueshëm nga vendet kryesore të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, që duan marrëveshje, që do t’i mundësonte Kosovës njohje të plotë ndërkombëtare dhe anëtarësim në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare. Të tjerat, për to janë tema periferike. Ai është i vetëdijshëm për këto dhe, javëve të fundit, disa herë ka thënë se Serbia përballet me presion të paparë.

Radio Evropa e Lirë: Vuçiq me bashkëbiseduesit paraprakë nga Kosova ka hapur edhe temën e ndryshimit të kufijve. A prisni që kjo temë të hapet edhe në takimit Kurti- Vuçiq?

Stefan Surlliq: Nuk besoj. Mendoj se është bërë e qartë, para së gjithash, nga akterët kryesorë ndërkombëtarë se ky opsion nuk mund të merret në shqyrtim. Kurti po ashtu ka thënë në disa raste se nuk mund të flitet për këtë. Nëse ka dëshirë për shkëmbim territoresh, duhet pajtimi i dy palëve. Në këtë rast, nuk mendoj se kjo do të jetë temë, edhe pse kjo nuk do të thotë se Vuçiq nuk ka ende ide për një ndryshim të vijave kufitare, sepse për marrëveshjen finale nuk shihet mbështetje domethënëse e qytetarëve dhe e akterëve politikë, nëse në tryezë është vetëm njohja e Kosovës, pa ndonjë – të them – përmbushje territoriale.

Radio Evropa e Lirë: A prisni marrëveshje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë?

Stefan Surlliq: Nuk pres. Pres më shumë një marrëveshje si ajo e Uashingtonit, të cilën do ta prezantonte [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak, në bazë të temave që kanë qenë pjesë e dialogut, e që janë: të zhdukurit, krimet, pronat private. Këto do të mund të gjenden në një draft-marrëveshje që do ta nënshkruanin Beogradi dhe Prishtina, por kjo marrëveshje nuk do të kishte karakter final, por do të ishte në vazhdën e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Uashingtonit.

Nuk ka ende gatishmëri politike as në Beograd, as në Prishtinë që të vihet deri te kompromisi dhe të zgjidhen problemet që i mundojnë edhe serbët, edhe shqiptarët. Diçka finale mund të presim në momentin kur Serbia dhe Kosova të gjenden para hyrjes dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë sa do ta dëmtojë rrugën e tyre evropiane mungesa e marrëveshjes?

Stefan Surlliq: Në Serbi, edhe politikanët, edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile vazhdimisht thonë se edhe sikur Serbia e Kosova të merren vesh për çdo gjë nesër, nuk ka perspektivë të hapur [për anëtarësim në BE]. Thjesht, vendet anëtare nuk janë në disponim për politikë të zgjerimit dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe Vuçiq, edhe Kurti. Ndoshta evropianët do të krijojnë një Proces të ri të Berlinit, ndoshta do të ofrojnë mjete të konsiderueshme financiare, por ne nuk kemi ende angazhim të qartë politik që këto dy shoqëri do të jenë pjesë e BE-së në të ardhmen e afërt.

Pra, nëse ofrohet vetëm shkopi dhe jo karota, atëherë nuk çuditem që dialogu, që vazhdon për më shumë se një dekadë, nuk jep rezultate. Besoj se duhet të gjenden forca të brendshme dhe jo ndërkombëtare, që do t’i detyrojnë udhëheqësit politikë të arrijnë marrëveshje, që do të thoshin se për neve normalizimi i marrëdhënieve është i rëndësishëm për të jetuar normalisht dhe jo sa për të përmbushur formalisht një kriter evropian apo ndërkombëtar.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

Lajmet

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara