Lajmet

A mundet Rusia t’i sulmojë anijet tregtare në Detin e Zi?

Po çfarë u lejohet palëve në luftë?

Published

on

Ministria e Mbrojtjes në Moskë kishte deklaruar pas largimit të Rusisë nga marrëveshja për drithërat, se nga 20 korriku të gjitha anijet që kalojnë përmes Detit të Zi në porte ukrainase do të konsiderohen si mbajtës potencialë të armatimeve ushtarake. Vendet, me flamurët e të cilave udhëtojnë këto anijee do të konsiderohen të përfshira në anën e Kievit në konfliktin e Ukrainës. A janë të lejuara sulme të tilla kundër anijeve tregtare nga ana e së drejtës ndërkombëtare dhe çfarë pasojash mund të ketë bllokada faktike e porteve ukrainase nga Rusia? DW ka folur me ekspertë për këtë çështje:

Një palë lufte nuk mund të deklarojë në mënyrë të njëanshme persona të veçantë apo organiazat si objektivë legjitimë të luftës. I këtij mendimi është Johannes Peters, ekspert i sigurisë në Universitetin e Kielit.

“Kur Rusia i sheh si objektiva legjitime anijet, kjo nuk do të thotë aspak se ato janë objektiva legjitime. Një sulm i Rusisë ndaj anijeve tregtare, që ndodhen në lëvizje në ujëra ndërkombëtare mbrohet jo vetëm nga e drejta ndërkombëtare, por edhe nga e drejta ndërkombëtare e luftës”.

Vetëm dyshimi, se një anije civile mund të transportojë material ushtarak nuk e justifikon një sulm ndaj një anijeje.

Po çfarë u lejohet palëve në luftë?

Wolff Heintschel von Heinegg, profesor për të drejtën ndërkombëtare në Unniversitetin VIadrina bën të qartë, se një palë që zhvillon luftë, sipas të drejtës të luftës detare, lejohet të kontrollojë të gjitha anijet që marrin kurs drejt territorit armik. Nëse do të gjendet në këtë rast material kontrabandë, kjo duhet t’i bëhet e ditur botës. Por më parë duhet të publikohet një listë e mallrave që nuk lejohet të transportohen.

“Nëse kontrollohet një anije, tek e cila nuk bëhet fjalë për një anije tregtare armike, por për një anije tregtare neutrale, dhe del, se ajo ka në bord materiale të tilla, palës luftuese i lejohet të konfiskojë anijen, por jo ta sulmojë. Një sulm ndaj anijes do të lejohej, vetëm nëse anija përdoret për të dhënë një kontribut të efektshëm në veprimet ushtarake të armikut. Për shembull një anije, që jep informacione sekrete me vlerë ushtarake, vendos mina, apo gjëra të përafërta. Atëherë kjo anije do të ishte e cënueshme për t’u sulmuar. Thjesht fakti, që ajo lëviz në Detin e Zi, nuk do të thotë, se ekziston e drejta që ajo të kthehet në objektiv sulmi”, shpjegon eksperti.

Heintschel von Heinegg thekson se, “nëse një anije transporton vërtet materiale ushtarake për armikun, mund të kthehet në një objekt sulmi.” Por kjo duhet të bazohet në fakte dhe jo në supozime. Nëse Rusia nuk publikon më parë një listë të materialeve të ndaluara, atëherë sipas ekspertëve nuk do të ketë mallra të ndaluar për transport dhe anijet në drejtim të Ukrainës nuk duhet të konfiskohen nga Rusia. Por ato mund të ndalohen për kontroll. Një ekip shkon në bord, kontrollon anijen dhe duhet ta lejojë të vazhdojë rrugën, nëse nuk është pjesëmarrëse në zhvillimet në Ukrainë, sipas Heintschel von Heinegg.

Cilat janë qëllimet e Rusisë?

Sipas Johannes Peters Rusia me rrezikimin e tregtisë ndërkombëtare në radhë të parë nuk synon të dobësojë Ukrainën, por më shumë perëndimin përmes përdorimit të urisë si armë dhe ta detyrojë atë të lirojë sanksionet.

“Këtu mjafton, kjo është llogaria e Rusisë, që të kërcënohet me masa të caktuara, me qëllim që koncernet e anijeve por edhe shoqëritë e sigurimit të anijeve të mos i hyjnë këtij rreziku dhe kështu t’ia pamundësojnë Ukrainës të eksportojë më tej drithëra”, thotë eksperti.

“Rusia kërkon të detyrojë perëndimin që të lirojë sanksionet e vendosura kundër Rusisë”.

Kërkesat e Moskës janë të qarta: ripranimi i bankës agrare ruse, “Rosselchosbank” në sistemin SWIFT dhe eksportimi më i lehtë i plehrave kimikë.

Fundi i marrëveshjes për drithërat është për Rusinë një rast i mirëpritur, për të vendosur nën presion botën perëndimore, thekson Peters. Edhe forcimi i sulmeve mbi Odesa janë pjesë e strategjisë ruse “për të penguar që anijet me ftesë të Ukrainës të zgjedhin itinerare të tjera alternative që diskutohen për momentin.”

Cilat janë mundësitë e perëndimit?

Peters thotë, se perëndimi duhet tani të vendosë, nëse në rast nevoje do të shoqërojë ushtarakisht anijet tregtare, gjë që po debatohet së fundmi. Megjithate kjo është praktikisht e vështirë të realizohet, sipas ekspertit. Së pari duhet që Turqia të miratojë prezencën e një sërë anijesh ushtarake në Detin e Zi. Tjetra: në kërë rast duhet të vendosen itinerare speciale. Nga ana tjetër sipas Peters, me këtë hap do të rritej shumë rreziku, që shtetet perëndimore, sikur edhe padashur, të përfshiheshin drejtpërdrejt në përplasje ushtarake me anijet ruse të luftës.

“Nga fillimi i luftës si Rusia ashtu edhe perëndimi janë përpjekur të mënjanojnë një shkallëzim të tillë”.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara