Aktualitet

​Kompanitë hasin në pengesa gjatë eksportit në Serbi, opozita kërkon reciprocitet

Hajdari deklaroi se janë marrë disa masa antidamping karshi produkteve serbe që importohen në Kosovë.

Published

on

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari thekson se Kosova nuk është duke u përfaqësuar ashtu siç duhet në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).

Ministrja Hajdari duke folur në debatin publik “Barrierat tregtare mes Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga Komisioni për Ekonomi e mbështetur nga KDI, deklaroi se janë marrë disa masa antidamping karshi produkteve serbe që importohen në Kosovë. Ajo ka treguar se kanë dërguar letër-shkresë si MINT në Sekretariatin e CEFTA-s për adresimin e drejt të Kosovës, në këtë rast për të larguar UNMIK-un në përfaqësim.

“Është një proces që pret për ndërmarrjen e veprimit dhe për adresimin e letrës drejtuar nga Republika e Kosovës në Komitetin drejtues të CEFTA-s që Kosova të përfaqësohet si shtet e jo përmes UNMIK-ut. Këtë letër mund ta keni edhe ju si kopje e cila pritet që të adresohet. Kjo është sa i përket çështjes bilaterale. Kemi edhe problemin tjetër që është përmes mekanizimit rajonal RÇ, ku aty kemi zakonisht çështjen e mosnjohjes së diplomave dhe certifikatave. Sidoqoftë negociatat për njohjen reciproke profesionale janë duke vazhduar në kornizën e RCC-së dhe CEFTA-s, por që pa sukses ende”, theksoi Hajdari.

Në diskutimin publik përfaqësuesja e KDI-së, Violeta Haxholli ka thënë se pavarësisht se tani nuk ka reciprocitet të plotë tregtar ndaj Serbisë, kompanitë kosovare vazhdojnë të hasin në sfida gjatë eksportit të produkteve në Serbi.

Derisa theksoi se KDI në raportin e saj ka evidentuar dhe njëkohësisht iu ka rekomanduar institucioneve, që çështja e temës së reciprocitetit me Serbinë të mos bëhet çështje e politike, pasi që siç u shpreh Haxholli, pastaj po mungon përkrahja ndërkombëtare.

“Tani kemi një qeveri të re nga muaji prill i këtij viti, e cila deklaruar do të vendoset reciprociteti tregtar me Serbinë, megjithatë ende nuk kemi ndonjë vendim sa i përket kësaj çështje… Ajo çfarë ne si KDI, kemi evidentuar në këtë raport, edhe njëkohësisht iu rekomandojmë institucioneve, është që kjo temë të mos bëhet temë e përplasjeve politike, spektri politik duhet të gjejë një konsensus sa i përket raporteve Kosovë-Serbi. Ne kemi parë që në mungesë të konsensusit ne të mos kemi as përkrahje ndërkombëtare për masat tregtare të cilat i kemi marrë ndaj shtetit serb. Dhe gjithashtu kjo temë nuk duhet të politizohet… Serbia ka aplikuar për një kohë të gjatë me barriera dhe masa tregtare ndaj Kosovës, të cilat fare nuk i ka shpallur, por ata janë në terren”, theksoi ajo.

Duke iu përgjigjur Haxhollit, ministrja Hajdari tha se është mirë të veçohen edhe përpjekjet e ministrisë së MINT në raport tregtar me rajonin dhe po ashtu me Serbinë, e jo vetëm të thuhet që Qeveria Kurti nuk ka vendosur masën e reciprocitetit.

“Është mirë të flitet dhe për punët e mira, e jo vetëm ajo se Qeveria Kurti nuk ka vepruar me reciprocitet. Unë reciprocitetin e shoh në çdo aspekt, nuk është vetëm për çështje tregtare. Kjo ka të bëj edhe si në përfaqësimin e Kosovës në politikë, si në transport, si në çdo sektor tjetër Kosova duhet të jetë e barabartë”, theksoi Hajdari.

Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu tha se përveç moszbatimit të IBM-së ose Marrëveshjes së Integruar të Kufirit, Kosova përballet edhe me pengesa të shumta nga autoritetet serbe, siç potencoi ai edhe me imponimin e dokumenteve nga strukturat paralele.

“Përveç këtyre pengesave për mosnjohjen e dokumenteve, që imponon dokumente të strukturave paralele që Serbia i aplikon për tregtinë e Kosovës, është me rëndësi të theksojmë edhe faktin logjistik që përmendi ministrja… Gjithashtu kemi probleme transitet që kalojnë përmes Serbisë dhe që vijnë nga vendet e treta, por edhe për eksportet tona që shkojnë në vendet e treta. Shpesh autoritetet serbe nuk e njohin Kosovën si territor të ndarë dhe për këtë kërkojnë të bëhen procedura sikur importi të kishte ndodhur nga ose në Serbi”, tha ai.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala u shprehet i habitur nga partia në pushtet që dikur ka rrokullisur kamionët me mallra serbe dhe nuk vendos reciprocitetin e premtuar.

“Sa i përket pritjeve tona për reciprocitetin, me thënë të drejtën kur iu shoh prej juve disave që keni qenë duke i përmbysur kamionët atje, unë kam pritë, seriozisht kam pritë. Ku rrokullisshi kamionë, mos pini ujë, dimër e ftohet keni qëndruar në barrikada kundër produkteve serbe dhe sot nuk shkoni andej hiç dhe shikoni rrugë alternative. Prandaj, edhe kjo pritje e jona është e natyrshme. Na keni proklamuar, keni demonstruar, thyer dhe demoluar për reciprocitetin, tash kur i keni krejt përgjegjësitë institucionale, po thoni pritni pak ta shkruajmë një letër. Qe 8 muaj ditë e keni shkruar një letër CEFTA-s. Këtë e mbështesim, ama qe tetë muaj ditë në qeveri një letër e keni çuar”, tha Shala.

Ndërsa, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi theksoi se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare kanë qenë të dëmshme për Kosovën.

Krasniqi ka thënë se kjo Odë ka kërkuar largimin e Kosovës nga CEFTA. Derisa ka kërkuar ndryshimin e politikave tregtare për të pasur prodhimtari dhe rritje të mirëqenies.

“Ne si Odë e Afarizmit kemi kërkuar që Kosova të rinegociojë marrëveshjen e CEFTA-s dhe të shkojë atje si shtet e jo në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, si UNMIK siç është duke ndodhur. Në rast se kjo nuk arrihet, ne kemi kërkuar që Kosova të largohet nga CEFTA, sepse edhe ashtu raportet e të bërit biznes në mes nesh dhe këtyre shteteve janë në dëm të Kosovës në përgjithësi. 90 përqind importojmë nga këto vende. Po ashtu ne kërkojmë nga Dogana që të përdorë reciprocitet dhe jo të krenohet me shpejtësi, por edhe me vonesa të jashtëzakonshme ndaj vendeve që përdorin reciprocitet ndaj neve, sidomos ndaj Serbisë dhe pengesave tarifore dhe jo tarifore… Në përgjithësi marrëveshjet tona ndërkombëtare kanë qenë të dëmshme. Të gjitha marrëveshjet që i ka nënshkruar Kosova kanë ndikuar në rritje të importit dhe jo në rritjen e eksportit. Me CEFTA nuk janë mbrojtur produktet, ashtu edhe me MSA-në, si dhe me Turqinë”, theksoi Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i OEK, Berat Rukiqi, ka thënë se çështja e raporteve tregtare me Serbinë është shumë më specifike se sa me vendet e tjera për shkak të konotacionit politik.

“Shumica e barrierave apo sfidave të këmbimeve tregtare me Serbinë kanë konotacion politik. Sfondi i shumë veprimeve nuk është tregtar, nuk është për shkak se ne po rrezikojmë ndonjë sektor në Serbi me konkurrencë, por në rastin e Serbisë janë veprime administrative dhe veprime politike të tyre”, theksoi ai.

Kurse deputeti Pal Lekaj nga AAK ka kërkuar nga qeveria aktuale që të mos flasë për historikun 20-vjeçar për raportet tregtare me Serbinë, por të veprojë karshi pengesave që janë duke u bërë nga Serbia.

“Mos të flasim për histori këtu nga ekzekutivi dhe mos të kthehemi në periudhën, thuajse 20 vjet asgjë nuk ka ndodhur dhe thuajse Kosova po lulëzon tani me ardhjen e Qeverisë Kurti. Është për të ardhur keq që nuk kanë memorie institucionale. Ne mund të flasim sa të doni sa i përket barrierave dhe reciprocitetit ndaj Serbisë. Por ne duhet të pajtohemi që ne nuk kemi ingirenca që të përzihemi në një shtet tjetër që s’na njeh, përpos vijës së Brukselit. Dhe ajo vijë duket se na ka vendosur në një qorrsokak dhe thuaja se ne jemi fajtor, e jo Serbia që po na i qet të gjitha këto pengesa”, tha ai. 

Aktualitet

Vendimi i gjykatës: Popoviq dëbohet nga Kosova

Published

on

By

Igor Popoviq është shpallur fajtor dhe është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe me masën plotësuese të dëbimit nga territori i Kosovës për një periudhë dyvjeçare, pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 gusht 2025 nga PSRK-ja , Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me dashje dhe me qëllim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mos durim midis grupeve etnike.

Në atë mënyrë që i njëjti me datën 18 korrik 2025, rreth orës 12:00 në Rahovec ka mbajtur një fjalim publik me të cilin i është drejtuar një mase të gjerë të qytetarëve, ku mes tjerash ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi, tha se i akuzuari Igor Popoviq, me është shpallur fajtor për veprën penale “nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, gjykata, në përputhje me dispozitat penale dhe procedurale, e ka dënuar Popoviqin me 6 muaj burgim, dënim i cili, me pëlqimin e të akuzuarit, zëvendësohet me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh.

Krasniqi tha se gjykata ka shqiptuar edhe dënim plotësues, dëbimin e Popoviqit nga territori i Republikës së Kosovës dhe ndalimin e hyrjes së tij për një periudhë prej dy vitesh.

I akuzuari Igor Popoviq me shënime personale si në shkresë të lëndës është fajtor për veprën penale nxitja e përqarjes dhe mos durimit nga neni 141, paragrafi 1 i kodit penal të Republikës së Kosovës. Andaj gjykata konform dispozitave penale dhe procedurale të njëjtin e gjykon me dënim me burgim me kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 3 mijë eurove… Koha e kaluar në masën e paraburgimet nga data 18.07.2025 deri më datën 08.08.2025 i llogaritet në dënimin me burgim të shqiptuar. Po ashtu, Gjykata i shqipton edhe dënim plotësues. Urdhërohet dëbimi i të pandehurit Igor Popoviq nga territori i Republikës së Kosovës dhe i ndalohet hyrja për dy vite”, tha Krasniqi.

Mëngjesin e sotëm, më 8 gusht, Prokuroria Speciale i propozoi gjykatës që ndaj Popoviqit të shqiptohet i njëjtit dënim, sipas marrëveshjes, për veprën penale për të cilën akuzohet, gjashtë muaj burgim, i cili të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh.

Sot, prokurorja e rastit, Fikrije Krasniqi-Zejnullahu i propozoi gjykatës që ndaj Popoviqit të shqiptohet edhe dënimi plotësues – dëbimi nga territori i Kosovës për një afat prej dy vitesh, për çka palët janë pajtuar.

Avokati i Popoviq, Millosh Delliviq tha se i qëndrojnë mbrapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë Speciale.

Kujtojmë se arrestimi i Popoviq ndodhi pas mbajtjes së një fjalimi në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai u shpreh kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokuroria vlerësoi se përmes këtyre deklaratave, Popoviq ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, duke nxitur mosbesim dhe tensione ndëretnike, dhe duke rrezikuar bashkëjetesën në shoqërinë kosovare.

Continue Reading

Aktualitet

​Qeveria në detyrë merr këto vendime në mbledhjen e radhës

Published

on

By

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike në të cilën ka marrë disa vendime.

Kabineti qeveritar në detyrë ka miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës me vetiniciativë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e Projektit Infrastrukturor për Interes Publik- Ndërtimi i Urës mbi lumin Ibër që lidh Mitrovicën e veriut dhe Mitrovicën e jugut.

Po ashtu, janë caktuar zonat e shërbimit për ofruesit e shërbimeve të ujit në Kosovë, si dhe është miratuar ndryshimin e Statutit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” sipas vendimit të bordit të drejtorëve.

Continue Reading

Aktualitet

​Kurti takoi ambasadorët e QUINT-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë

Published

on

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Aty u diskutua mbi rrugën e integrimit të vendit tonë në BE, mos konstituimin e Kuvendit dhe arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga Serbia.

Kurti informoi ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë për performancën ekonomike të vendit dhe rezultatet e politikave të qeverisë përgjatë pjesës së parë të këtij viti.

Ai tha se qarkullimi i bizneseve për gjashtë muajt e parë të vitit ka arritur vlerën 10.7 miliardë euro, duke shënuar një rritje 10.3%. Shpenzimet kapitale të qeverisë gjatë këtyre gjashtë muajve të parë janë 24% më të larta sesa në gjysmën e parë 2024.

Në çerekun e parë 2025, ekonomia është rritur për 3.61% të Bruto Produktit Vendor, tha ai.

Kurti ka folur edhe mbi numrin e bizneseve të reja të regjistruara këtë vit, si dhe veçoi të dhënat e fundit nga skema e punësimit “Qeveria për Familjet”, anëtarësimin e Kosovës në Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë dhe në Aleancën Evropiane për Praktikën Profesionale.

Continue Reading

Aktualitet

Ministri Sveçla priti në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosov

Published

on

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, ka pritur në takim, z Tanigaki Hiroyasu, i ngarkuar me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë.

Fillimisht ministri Sveçla i uroi mirëseardhje në Kosovë, z Hiroyasu, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë Japonia në të gjitha hapat e shtet ndërtimit të Republikës së Kosovës, si dhe për rolin aktiv në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Me këtë rast, ministri Sveçla e njoftoi edhe për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, si dhe situatën e fundit me zjarre. Ndërkohë ministri Sveçla e falënderoi Hiroyasu për përkrahen e vazhdueshme që ka dhënë përmes projekteve të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve të Agjencisë për Menaxhim të Emergjencave thuhet në njoftimin nga MPB-ja.

Ndërsa, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, z. Tanigaki Hiroyasu, vlerësoi të arriturat në vitet e fundit në Kosovë dhe u shpreh i gatshëm në thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.

Ambasadori japonez u zotua se edhe në të ardhëm shteti i Japonisë do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës.

Continue Reading

Të kërkuara