Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.
Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.
“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.
Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.
Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.
“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.
Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/