Lajmet
BE: Kosova e Serbia rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët evropiane
BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiBashkimi Evropian nëpërmjet një deklarate ka shprehur mbështetjen e plotë për përpjekjet e përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell në cilësinë e lehtësuesit të dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe përfaqësuesit special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe kujton se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre.
Pas takimit të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë, më 14 shtator në Bruksel, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, për të cilat të dyja palët ranë dakord më herët këtë vit, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.
Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, nëpërmjet një deklarate thekson se BE-ja u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim.
“Kjo nënkupton fillimin e zbatimit bazuar në Propozimin e BE-së pa vonesa të mëtejshme, i cili gjithashtu përfshin detyrimin e të dyja palëve për të zbatuar plotësisht të gjitha Marrëveshjet e kaluara të Dialogut. Puna për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm. BE-ja u kujton palëve përgjegjësinë e tyre për të respektuar parimin e konfidencialitetit në Dialog, i cili është një komponent kyç i çdo procesi negociator të ndjeshëm politik. BE-ja mbetet po aq e shqetësuar për mungesën e progresit nga të dyja palët në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës, disa muaj pas shpërthimit të fundit të dhunës që la të plagosur qytetarë, trupa të KFOR-it, forca të rendit dhe përfaqësues të mediave, disa me pasoja të rënda dhe të përhershme. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat e ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. Në këtë kontekst, lëvizjet e Kosovës – duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, kërkesat për zhvendosje, telekomunikacionin, dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve. Sulmet e vazhdueshme në shkallë të vogël nga grupet kriminale dhe frikësimi i kadetëve të policisë serbe të Kosovës të sapo rekrutuar/popullatës lokale janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi nga Serbia i udhërrëfyesit të Energjisë, si dhe përpjekjet e tjera që nuk janë në përputhje me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e saj, bien ndesh me frymën e procesit të Dialogut. Kërkesat e bëra në Deklaratën në emër të BE-së të datës 3 qershor mbeten plotësisht të vlefshme. Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.
BE-ja rikujton rëndësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme lokale në veri të Kosovës për të ndihmuar në uljen e tensioneve. Është e nevojshme zgjidhja më e shpejtë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve. Ne inkurajojmë serbët e Kosovës që të angazhohen plotësisht në procesin zgjedhor dhe të deklarojnë publikisht pjesëmarrjen e tyre të pakushtëzuar.
BE nëpërmejt kësaj deklarate u bën thirrje të gjithë akterëve politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës, të shmangin hapat e mëtejshëm përshkallëzues dhe të mbështesin përparimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
“BE-ja shpreh mbështetjen e plotë për përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell në cilësinë e Lehtësuesit të Dialogut Beograd-Prishtinë, si dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Miroslav Lajçak, dhe u kujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon nëpër Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në deklaratë.
Vendi
Zgjedhja e presidentit, Haxhiu kërkon që partitë të shmangin qëndrimet bllokuese
Published
35 minutes agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se pa u zyrtarizuar kandidatët për president, nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e të parit të vendit. Ajo njoftoi se deri tani nuk ka asnjë kandidat që ka siguruar tridhjetë nënshkrime të deputetëve, të nevojshme për të kandiduar.
Haxhiu theksoi se secili deputet mund të nënshkruajë vetëm një kandidat dhe se Kuvendi i Kosovës, me 120 deputetë, mund të ketë dy deri në katër kandidatë të mundshëm. Ajo bëri thirrje për bashkëpunim ndërpartiak për të shmangur qëndrimet bllokuese, duke theksuar se insistimi i partive për kandidatë vetëm nga radhët e tyre nuk është i mirëpritur.
Kryetarja e Kuvendit paralajmëroi se futja e vendit në një cikël të ri zgjedhor do të ishte një kosto e panevojshme politike dhe institucionale. Deri tani, sipas saj, LVV nuk ka propozuar emra të veçantë për president, pavarësisht shumicës parlamentare që ka në Kuvend.
Haxhiu po ashtu bëri thirrje që të respektohet Kushtetuta dhe vendimet e institucioneve më të larta juridike, duke nënvizuar rëndësinë që deputetët të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë për presidentin.
Në përfundim, ajo njoftoi se Kryesia vendosi të premten të mbahet një seancë solemne për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. /Kosova Press/
Vendi
Hagë: Seanca për akuzat ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë
Published
2 hours agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Të hënën, 2 mars 2026, dëshmitari i parë nga stafi i Zyrës së Prokurorit Special (ZPS) dha dëshmi nën masa mbrojtëse. Ai deklaroi se nuk ka njohuri të drejtpërdrejta për çështjen, por ka qasje në të gjitha dokumentet e dosjes, përfshirë edhe rastin e Thaçit për krime lufte.
Pas marrjes në pyetje nga Prokuroria, mbrojtja e Thaçit, e përfaqësuar nga avokatja Sophie Menegon, vazhdoi me kundërpyetje, pjesë e së cilës u mbajt me seancë private për publikun.
Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm në seancën fillestare më 27 shkurt 2026.
Aktakuza kundër Thaçit dhe bashkëakuzuarve përfshin pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Ata akuzohen për veprime të koordinuara që synonin ndikimin tek dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara në vitin 2023.
Vendi
UBT kryeson në renditjet edhe në viti 2026 në SCImago, lider në kërkimin shkencor në rajon
Published
3 hours agoon
March 2, 2026By
ubtnews
UBT ka konfirmuar edhe një herë pozicionin e tij si institucion lider në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin, si në nivel rajonal ashtu edhe ndërkombëtar, i përforcuar nga të dhënat më të fundit të renditjes së vitit 2026 nga SCImago Institutions Rankings.
SCImago Institutions Rankings (SIR) është një sistem vlerësimi ndërkombëtarisht i njohur që analizon universitetet dhe institucionet kërkimore në mbarë botën, bazuar në prodhimtarinë shkencore, performancën në inovacion dhe ndikimin shoqëror, duke u mbështetur në të dhënat e publikimeve dhe citimeve nga Scopus dhe indikatorë të tjerë relevantë.
Ekselencë rajonale në renditje
Sipas të dhënave nga raportet më të fundit rajonale dhe në përputhje me metodologjinë e SCImago:
UBT është renditur nder vendet e para në përgjithësi ndër të gjitha universitetet në vendet kryesore shqipfolëse, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke zënë vendin e parë ndër universitetet private në rajon.
Në fushën e ekselencës në kërkim shkencor, UBT është renditur i pari në Kosovë dhe i pari ndër universitetet private në hapësirat kryesore shqipfolëse, duke u pozicionuar i dyti ndër të gjitha universitetet në nivel rajonal.
Në fushën e Inxhinierisë së Ndërtimit, UBT ka zënë vendin e parë në vendet shqipfolëse dhe është renditur në mesin e pesë universiteteve më të mira (vendi i pestë) në rajonin më të gjerë të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Kosovë).
Këto arritje reflektojnë një performancë të qëndrueshme akademike dhe shkencore, duke e pozicionuar UBT-në ndër institucionet më të avancuara të arsimit të lartë në Evropën Juglindore.
Njohja nga SCImago dhe konteksti global
Renditja e SCImago Institutions Rankings përpilohet çdo vit dhe përfshin mijëra universitete dhe institucione kërkimore në nivel global, bazuar në tregues sasiorë si produktiviteti shkencor, bashkëpunimi ndërkombëtar, indikatorët e inovacionit dhe ndikimi shoqëror. Ky sistem ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi ndikimin shkencor të institucioneve.
Megjithëse lista zyrtare e vitit 2026 është e gjerë dhe përfshin institucione nga sektorë të ndryshëm, si qeveritarë, shëndetësorë dhe të arsimit të lartë, pozicionimi udhëheqës i UBT-së në kërkim dhe inovacion në nivel rajonal spikat qartë në kontekstin e këtyre standardeve globale.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i mirëpriti këto rezultate si një dëshmi e përkushtimit të universitetit për ndërtimin e një mjedisi kërkimor me ndikim të lartë. Ai theksoi se performanca e qëndrueshme në renditjet e SCImago, krahas vlerësimeve të tjera ndërkombëtare, dëshmon angazhimin e UBT-së për të ngritur cilësinë e shkencës, inovacionit dhe arsimit në Kosovë dhe më gjerë.
Me një bazë të fortë në prodhimtarinë shkencore, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe cilësinë akademike, UBT po vazhdon të ndërtojë momentum drejt njohjes edhe më të madhe në renditjet globale të arsimit të lartë. Performanca në renditjen SCImago, veçanërisht lidershipi në hapësirat shqipfolëse dhe në kategoritë përkatëse të Ballkanit Perëndimor, konfirmon një trajektore të qartë të rritjes së ndikimit dhe prezencës në skenën akademike rajonale dhe globale.
Lajmet
Kryeparlamentari shqiptar në takim me Haxhiun
Published
3 hours agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Kosovë, ku u prit nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Takimi u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe shënoi fillimin e vizitës së kryeparlamentarit shqiptar në Kosovë.
Gjatë ditës, Peleshi do të zhvillojë takime edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në orën 11:15, dhe me Kryeministrin, Albin Kurti, në orën 11:50. Vizita ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe forcimin e marrëdhënieve politike mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Foto: Ekonomia online
REL: Kosova përballë një testi të mundshëm të sigurisë
Astera Tuhina nderohet në NCAA
Zgjedhja e presidentit, Haxhiu kërkon që partitë të shmangin qëndrimet bllokuese
Rafineria kryesore saudite mbyllet pas sulmit iranian me dron
Medalje e artë për Kosovën në Sofje
Hagë: Seanca për akuzat ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë
UBT kryeson në renditjet edhe në viti 2026 në SCImago, lider në kërkimin shkencor në rajon
Kryeparlamentari shqiptar në takim me Haxhiun
Gjykata e Strasburgut regjistron padinë kundër Serbisë për pasivizimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
