Policia e Kosovës njofton së brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar shtatë raste të dhunë në familje. Rastet janë regjistruar në Fushë Kosovë, Prishtinë, Dragash, Vushtrri, Skenderaj, Mitrovicë e Jugut dhe në Leposaviq.
Në Fushë Kosovë është arrestuar një burrë, pasi i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën grua, sipas Raportit të Policisë.
Sipas Policisë, viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti ka ndodhur më 08.02.2026 rreth orës 11:45.
Ndërsa, në Prishtinë janë arrestuar dy burra, si shkak i një mosmarrëveshje që ka përfunduar në përleshje mes te dyve.
Sipas Policisë të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po vazhdon procedurën hetimore.
“Raportohet se pas një mosmarrëveshje dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë sulmuar njëri tjetrin. Të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje. Rasti në procedure hetimore”, thuhet në Raportin 24 orësh.
Ndërkaq, në Dragash është arrestuar një burrë, i cili dyshohet se ka sulmuar viktimën grua pas një mosmarrëveshje që ka ndodhur mes tyre.
Policia njofton se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Rasti ka ndodhur më 08.02.2026 rreth orës 13:00.
Edhe në Vushtrri është arrestuar një burrë për veprën e njëjtë- dhunë në familje ndaj viktimës grua.
Ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon te trajtohet ne procedure te rregullt, sipas Policisë së Kosovës.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, dyshohet se kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon te trajtohet ne procedure te rregullt”, thuhet në Raport.
Një burrë tjetër është arrestuar në Skenderaj, pasi i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale- dhunë në familje ndaj viktimës grua.
I dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Në Mitrovicën e Jugut, Policia njofton së po heton një rast për kanosje ndaj dy viktimave gra nga një burrë.
“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka kanosur dy viktimat kosovarë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti po hetohet nga ekipet relevante policore”, thuhet ne Raport.
Rasti i fundit për dhunë në familje është regjistruar në Leposaviq. Një burrë është arrestuar pasi ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës grua.
Sipas Policisë, i dyshuari me vendim te prokurorit është dërguar në mbajtje.