Shkencëtarët kanë një punë të madhe para tyre. Kanë kaluar 30 vjet që kur një klasë e re antibiotikësh ka dalë në treg, por kjo mund të ndryshojë së shpejti.
Hulumtuesit nga Universiteti McMaster në Hamilton kanë bërë një përparim që mund të ndihmojë në luftën kundër baktereve rezistente ndaj ilaçeve.
I udhëhequr nga shkencëtari Gary Wright, ekipi zbuloi një molekulë të re të fuqishme të quajtur lariocidin.
Lariocidina ka demonstruar aftësinë për të luftuar disa nga bakteret më të forta dhe më rezistente që njihen deri më sot nga shkenca. Zbulimet revolucionare të ekipit u botuan në revistën Nature.
Rritja e numrit të baktereve që mund t’i rezistojnë ilaçeve ekzistuese, fenomen i njohur si rezistencë antimikrobike është bërë një kërcënim i madh për shëndetin global. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, AMR është një nga sfidat më të mëdha që përballet shëndeti publik në nivel botëror.
Nevoja për ilaçe të reja antimikrobike nuk ka qenë kurrë më urgjente, dhe lariocidina ofron shpresë të re për të ardhmen.
“Ilaçet tona të vjetra po bëhen më pak efektive, ndërsa bakteret bëhen më rezistente ndaj tyre. Rreth 4.5 milionë njerëz vdesin çdo vit nga infeksione rezistente ndaj antibiotikëve, dhe situata vetëm sa përkeqësohet”, tha Gary Wright, profesor në Departamentin e Biokimisë dhe Shkencave Biomjekësore në Universitetin McMaster dhe studiues në Institutin Michael G. DeGroote për Kërkimin e Sëmundjeve Infektive.
Wright dhe ekipi i tij zbuluan se kjo molekulë e re, një peptid lasso, është premtuese se sulmon bakteret në një mënyrë ndryshe nga antibiotikët tjerë. Lariocidina lidhet drejtpërdrejt me mekanizmin e sintezës së proteinave të baktereve, duke ndërhyrë në mënyrë të re dhe penguar aftësinë e tyre për t’u rritur dhe për të mbijetuar.
Ku dhe si u zbulua antibiotiku i ri?
Lariocidina prodhohet nga një lloj bakterie Paenibacillus, të cilën studiuesit e izoluan nga një mostër toke e mbledhur në një oborr në Hamilton. Ekipi lejoi që bakteret e tokës të rriteshin në laborator për rreth një vit – një metodë që ndihmoi në zbulimin edhe të specieve me rritje të ngadaltë, që zakonisht anashkalohen.
Një nga këto baktere, Paenibacillus, prodhoi një substancë të re me efekt të fortë kundër baktereve të tjera, përfshirë ato që janë rezistente ndaj antibiotikëve. “Kur kuptuam se si kjo molekulë e re vret baktere të tjera, kjo ishte një pikë kthese,” tha Manoj Jangra, bashkëpunëtor në laboratorin e Wright.
Çfarë bën lariocidina dhe si funksionon?
Përveç mënyrës unike të veprimit e efektivitetit kundër baktereve rezistente ndaj ilaçeve, studiuesit janë optimistë sepse lariocidina vepron në shumë mekanizma biologjikë realë. Ajo nuk është toksike për qelizat njerëzore, nuk ndikohet nga mekanizmat ekzistues të rezistencës ndaj antibiotikëve dhe ka funksionuar mirë në një model shtazor të infeksionit.
Wright dhe ekipi i tij tani janë të përqendruar në gjetjen e mënyrave për të modifikuar molekulën dhe për ta prodhuar në sasi të mjaftueshme për të mundësuar zhvillimin klinik.
“Tani fillon puna e vërtetë e vështirë. Ne po punojmë për ta ‘çmontuar’ këtë molekulë dhe për ta rimontuar në mënyrë që të jetë një kandidat më i mirë për t’u kthyer në ilaç”, tha Wright, duke theksuar se, për shkak se kjo molekulë prodhohet natyrshëm nga bakteret, do të kërkojë shumë kohë dhe burime për t’u zhvilluar për përdorim klinik.