Lajmet

​Kundërshtohet testimi i mësimdhënësve

Published

on

Ideja për një testim të mësimdhënësve po konsiderohet e gabuar dhe se nuk duhet të ndodhë. Në vend të kësaj propozohet që të shtohet numri i inspektorëve të arsimit në mënyrë që të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, po edhe njohës të fushës së arsimit, thonë se testimi nuk do të prodhonte asnjë rezultat në ngritje të cilësisë së arsimit në Kosovë.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet se a ka gjasa që të realizohet një testim i tillë dhe se a do të kishte ndikim tek ngritja e cilësisë në arsim.

Kundër testimit të mësimdhënësve është kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, i cili thotë se një gjë të tillë nuk do ta lejojnë asnjëherë të bëhet.

“Atë që e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë, sepse ka aty këtu informata, thashetheme për ndonjë ide eventuale që të bëhet testi me shkrim për punëtorët e arsimit. Ne ketë gjë e kemi kritikuar edhe në kohën e ministrave të tjerë dhe po e them edhe një herë, SBASHK-u nuk do të lejojë asnjëherë që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Ne kërkojmë që të shkojnë inspektorët në orë të shohin si po punojnë ata”, thotë ai.

Testimin e mësimdhënësve e kundërshtojnë edhe njohës së fushës së arsimit, të cilët thonë se duhet të ketë një mbikëqyrje të vazhdueshme të performancës së mësimdhënësve.

Drejtori i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, deklaron se duhet të ketë vlerësim të vazhdueshëm të performancës së mësimdhënësve, si dhe të përditësohet legjislacioni aktual për të rritur më shumë llogaridhënien brenda komunitetit të mësimdhënësve.

“Në Kosovë nuk ka mësimdhënës jo të mirë, mirëpo ka mësimdhënës të cilët janë shumë rehat në profesionin e tyre, kanë krijuar një lloj komoditeti të jashtëzakonshëm i cili dikur pastaj kthehet në një performancë jo të mirë. E kjo mund të eliminohet nëse kemi një infrastrukturë të mirëfilltë ligjore dhe kapacitet të mjaftueshëm prej anës së Ministrisë për një vlerësim meritokratik dhe transparent të performancës së tyre, dhe jo vlerësim një herë në pesë vite, mirëpo vlerësim të performancës së vazhdueshme që rrit presionin po edhe e rrit përgjegjësinë tek mësimdhënësit për punën”, thotë Qehaja.

Edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, është kundër testimit të mësimdhënësve. Sipas tij, një gjë e tillë do të kishte vetëm efekte negative.

“Personalisht jam kundër një testimi të tillë, për shkak se konsideroj që këta mësimdhënës kanë marrë diploma universitare nga institucione legjitime të Republikës së Kosovës apo edhe të vendeve të tjera, pastaj janë licencuar si mësimdhënës po nga këto institucione legjitime të Republikës së Kosovës dhe tash ku është kuptimi që ne t’i fusim ata në testim përderisa kemi një menaxhim të cilësisë duke filluar nga drejtori i shkollës, pastaj inspektorët përkatës, por edhe koordinatorët e cilësisë brenda shkollave. Personalisht mendoj se kjo nuk do të ndikojë pozitivisht në motivimin e mësimdhënësve, por më tepër do të krijojë një lloj stresi ta quajmë tek ta, një lloj mospërfillje dhe në përgjithësi i shoh pasojat negative nga ky lloj testimi”, thotë ai.

Vite më radhë është kërkuar shtimi i numrit të inspektorëve të arsimit në mënyrë që të arrihet të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.

Lajmet

Mbyllen tri qendra masazhi dhe shqiptohen pesë gjoba

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës, ka ndërmarrë një aksion të gjerë kontrolli, duke realizuar 98 inspektime të përbashkëta në qendrat e masazhit dhe lokalet e muzikës në të gjithë territorin e vendit.

Siç njofton Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, si rezultat i mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe mosrespektimit të orarit të punës, janë mbyllur tri qendra masazhi, prej të cilave dy në Komunën e Gjakovës dhe një në Komunën e Rahovecit.

Përveç mbylljes së këtyre lokaleve, IQMT ka shqiptuar edhe pesë gjoba ndaj subjekteve të tjera ekonomike që nuk kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar ligjor gjatë procesit të inspektimit.

Nga ministria theksojn se me qëllim të garantimit të ushtrimit të ligjshëm të veprimtarive ekonomike, IQMT në koordinim me institucionet përgjegjëse do të vazhdojë organizimin e aksioneve të tilla në të gjithë vendin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Zbulime të reja arkeologjike në Istog, gjendet banesë 3.900-vjeçare në Pepaj

Published

on

Zëvendësministrja e Kulturës, Nora Arapi Krasniqi, ka vizituar lokalitetin arkeologjik të Pepajt në Lubozhdë të Istogut, ku po zhvillohen gërmime në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Universitetit të Miçiganit.

Sipas njoftimit, lokaliteti prehistorik, i banuar që nga fundi i Epokës së Hershme të Bronzit, po sjell rezultate të rëndësishme shkencore.

Gjatë hulumtimeve është zbuluar një banesë e datuar rreth vitit 1900 para erës sonë, e cila ofron njohuri të reja për jetën dhe organizimin e komuniteteve që kanë jetuar në këtë zonë mijëra vjet më parë.

Nga Ministria e Kulturës është vlerësuar rëndësia e këtij projekti, i cili dëshmon rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar në kërkimin shkencor, si dhe kontributin e studentëve dhe studiuesve të rinj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet 62-vjeçari në Prizren, dyshohet për vjedhjen e qengjave

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një 62-vjeçar në Prizren, i dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pas vjedhjes së disa qengjave në fshatin Piranë.

Sipas policisë, i dyshuari D.T. nga fshati Serbicë e Poshtme dyshohet se më 14 qershor ka vjedhur disa qengja me vlerë rreth 1 mijë euro, të cilët më pas i ka shitur te persona të ndryshëm.

Pas identifikimit dhe lokalizimit të tij më 23 qershor, me vendim të prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë dhe është ngritur kallëzim penal.

Në vazhdim të hetimeve, më 24 qershor, policia ka gjetur tre nga qengjat e vjedhur në oborrin e një shtëpie në fshatin Serbicë e Poshtme. Pas procedurave ligjore, bagëtitë e sekuestruara i janë kthyer pronarit.

Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton shfaqjen “Terminal” në festivalin ndërkombëtar në Austri

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë shfaqjen “Terminal” në kuadër të edicionit të 35-të të Festivalit Ndërkombëtar Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater, që mbahet në Graz të Austrisë.

Shfaqja, me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Romane Petite, do të vihet në skenë më 15 korrik 2026, me ftesë të organizatorëve të festivalit.

Pjesëmarrja në këtë ngjarje ndërkombëtare përfaqëson një mundësi të rëndësishme për promovimin e artit skenik dhe krijimtarisë koreografike të Kosovës para publikut ndërkombëtar.

Festivali Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater konsiderohet një nga ngjarjet e rëndësishme artistike që mbledh artistë dhe trupa të vallëzimit nga vende të ndryshme të botës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara