Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në deklaratën e saj tha se Rusia e ka treguar plotësisht përbuzjen ndaj diplomacisë dhe ligjit ndërkombëtar gjatë muajit të fundit, duke kritikuar sulmet më të mëdha me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës.
Ajo veçoi sulmet ruse në Kiev që goditën zyrën e BE-së në kryeqytet, si dhe shkeljet me dronë rusë në Poloni dhe Rumani.
“Këto nuk janë veprimet e dikujt që dëshiron paqe”.
Paketa e 19-të e sanksioneve vjen si përgjigje ndaj kësaj përshkallëzimi nga Putini, shpjegoi Von Der Leyen duke paraqitur elementët kryesorë të asaj që propozohet.
Ajo tha se BE-ja do të kërkojë të shkurtojë të ardhurat e Rusisë nga lëndët djegëse fosile, duke ndaluar importin e LNG-së ruse në tregjet evropiane.
118 anije shtesë nga “flota hije” ruse do të shtohen në listën e sanksioneve, që tani arrin në 560 anije.
Ajo shtoi se kompanitë kryesore të tregtimit të energjisë Rosneft dhe Gazpromneft tani do të jenë nën ndalim të plotë transaksionesh, dhe kompani të tjera do t’i nënshtrohen ngrirjes së aseteve.
“Në tre vjet, të ardhurat e Rusisë nga nafta në Evropë kanë rënë me 90%. Ne tani po e mbyllim këtë kapitull përgjithmonë. Ne po forcojmë luftën tonë kundër shmangies së sanksioneve. Ndërsa taktikat e shmangies bëhen më të sofistikuara, sanksionet tona do të përshtaten për të qëndruar përpara. Për herë të parë, masat tona kufizuese do të godasin platformat e kriptovalutave dhe do të ndalojnë transaksionet në kriptovaluta. Ne po listojmë banka të huaja të lidhura me sistemet alternative të pagesave të Rusisë. Dhe po kufizojmë transaksionet me entitete në zonat ekonomike speciale”, tha Von Der Leyen.
Paketa do të shtojë kufizime të reja direkte të eksportit për artikujt dhe teknologjitë e përdorura në fushëbetejë, duke ndikuar në 45 kompani në Rusi dhe në vende të treta./S.K/KP/