Lajmet
Hovenier: Pritjet tona janë që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri
Hovenier ripërsëriti kërkesat për depërshkallëzim të plotë të situatës në veri.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiAmbasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe të vendosë kuadrin ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Po ashtu, Hovenier ka nënvizuar edhe kërkesat që u janë dhënë udhëheqësve të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri, gjatë qëndrimit të tyre në Uashington javën e kaluar.
Krahas këtyre, Hovenier ripërsëriti kërkesat për depërshkallëzim të plotë të situatës në veri dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Jam i sigurt se liderët e Listës Serbe kanë dëgjuar, sepse kam pasur biseda me Escobarin, pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara që serbët e Kosovës, përfshirë Listën Serbe, do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja komunale kur të caktohen, kjo është pjesë e përgjegjësive të partive demokratike në demokraci, ju merrni pjesë në procesin demokratik gjë që është pritshmëria jonë, kjo është kërkesa jonë. Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe kjo ishte pjesë e asaj që u diskutua edhe në Uashington, të vendoset kuadri ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe kjo sigurisht ishte pjesë e bisedës që ndodhi gjithashtu”, tha ai.
Ai kërkoi nga Lista Serbe që të luajë rolin e saj si në parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur, pasi nuk e konsiderojnë atë si parti politike serbe, por si parti e serbëve etnikë në Kosovë.
“Ne e konsiderojmë Kosovën shtet sovran, të pavarur dhe demokratik. Dhe kështu, puna që bëjmë me Listën Serbe, një parti që është parti politike e Kosovës, parti opozitare në Kosovë, është e ngjashme me punën që bëjmë me partitë e tjera opozitare në Kosovë, por nuk duhet të bëhet fjalë për pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara, ne hedhim poshtë çdo sugjerim se Kosova është disi diçka tjetër përveç shtetit të pavarur, dhe kjo përfshin veriun e Kosovës. Siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht se ku është kufiri, është në veri të Mitrovicës, apo jo? Dhe kështu, ne kërkojmë që Lista Serbe të luajë rolin e saj si parti politike në një Kosovë sovrane, demokratike dhe të pavarur. Ne nuk e konsiderojmë atë si parti politike serbe, ne e konsiderojmë si një parti të serbëve etnikë në Kosovë, duhet ta bëj të qartë këtë pikë”, tha ai.
Ai tha se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është rruga e vetme përpara, andaj kërkoi angazhim nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin veprime që iu ndihmon dy vendeve në rrugën e tyre drejt integrimit në institucionet evropiane.
“Ne mendojmë se është e rëndësishme të arrihet një de-përshkallëzim i mëtejshëm i situatës në veri, të shmangen rrethanat kur ka pika ndezjeje ose kërcënime dhune që pengojnë gjënë e dytë. Gjëja e dytë që duam të shohim janë përpjekjet e ripërtërira si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia për të arritur zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Ohër. Kjo është rruga përpara. Kjo është ajo që e ndihmon Kosovën të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe të ri pozicionojë marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve”, tha ai.
Hovenier përmendi edhe nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Për Qeverinë e Kosovës, ne po kërkojmë që ajo të ndërmarrë veprime që de-eskalojnë tensionet në veri dhe krijojnë një mjedis të ndryshëm në të cilin të dyja vendet mund të punojnë drejt zbatimit të plotë të zotimeve që kanë marrë në marrëveshjen e Ohrit. Për Kosovën kjo do të thotë të ecë përpara me njëfarë urgjence në procesin e negociatave dhe themelimit të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, si pjesë e angazhimit të marrë nga Qeveria e Kosovës. Nuk është i vetmi detyrim që ka dhe kjo nuk është dispozita e vetme e marrëveshjes së Ohrit, por është e rëndësishme. Por po ashtu ne shikojmë që edhe qeveria e Serbisë t’i zbatojë obligimet e saj, ajo ka hyrë në një sërë obligimesh dhe ato duhet të përmbushen. Dhe kjo është pjesë e asaj që diplomacia amerikane dhe diplomacia e kolegëve tanë të Bashkimit Evropian po përpiqet të arrijë. Një përpjekje e ripërtërirë nga të dyja palët për të bërë më mirë sepse ne mendojmë se të dyja palët nuk po përmbushin plotësisht detyrimet e tyre për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, kjo është shpresa jonë, dhe nëse kjo shkon përpara atëherë po, mendoj se mund të kemi besim se kjo ndihmon në zgjidhjen e konfliktit, zvogëlon tensionet dhe e vendos këtë marrëdhënie në një vend tjetër në dobi të të dyja vendeve. Kjo është ajo që ne duam të arrijmë”, shtoi ambasadori amerikan.
Ambasadori amerikan foli edhe për rastin e Klan Kosovës, ku tha se është i shqetësuar për heqjen e licencës së biznesit ndaj tyre. Sipas tij, këtë nuk e shohin vetëm si çështje të regjistrimit të biznesit, por edhe si një çështje të lirisë së medias.
“Për situatën e Klan Kosovës, nuk mendoj se është mister që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë janë të shqetësuar nga situata, thellësisht të shqetësuar, ne lëshuam një deklaratë të ambasadave të Quint-it të premten, disa orë pas vendimit për pezullimin e licencës së biznesit. Ne nuk e shohim këtë thjesht si një çështje të regjistrimit të biznesit, ne e shohim këtë si një çështje të lirisë së medias dhe po e trajtojmë si të tillë. Është mirëkuptimi ynë bazuar në atë që kemi dëgjuar nga pronarët e Klan Kosovës se ata kanë dorëzuar dokumente të reja që adresojnë shqetësimet specifike të parashtruara, dhe thonë se sa herë që një qeveri merr një vendim që mund të ketë ndikim në aftësinë e një…Ne presim nga qeveria që ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë transparente dhe të drejtë, dhe shpresojmë se në një mënyrë të shpejtë, ne do të donim të shohim që të gjitha mediat që duan të raportojnë në Kosovë janë në gjendje ta bëjnë këtë”, tha ai.
Këto komente Hovenier i bëri pasi dhuroi donacion prej 250 kamerave të trupit e 113 të instaluara në vetura, për Policinë e Kosovës.
Lajmet
PDK: Qëndrimet e Prokurorisë në Hagë i shërbejnë narrativës së rreme serbe
Published
1 hour agoon
February 9, 2026By
UBTNEWS
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj qëndrimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë, duke i cilësuar ato si devijim nga e vërteta dhe drejtësia, dhe si shërbim ndaj narrativës serbe për luftën në Kosovë.
PDK vlerëson se që nga dita e parë e fazës përmbyllëse të gjykimit është bërë e qartë se procesi nuk po zhvillohet si një procedurë e zakonshme gjyqësore, por si përpjekje për deformim të së vërtetës historike.
“Kjo gjykatë ka devijuar nga misioni i saj themelor për të sjellë drejtësi dhe po tenton të ndërtojë një narrativë të rreme, ku lufta çlirimtare e popullit të Kosovës paraqitet si projekt kriminal”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, faktet historike dhe mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë kanë dëshmuar se Serbia ishte agresore, ndërsa populli i Kosovës viktimë e krimeve të rënda, përfshirë spastrimin etnik dhe gjenocidin.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizim popullor, i lindur nga nevoja për rezistencë përballë një regjimi shtypës dhe gjenocidal”, thekson PDK.
PDK vlerëson se ish-krerët e UÇK-së nuk po gjykohen si individë të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës dhe shtetformimit të Kosovës, ndërsa kërkesat për dënime i cilëson si politike dhe selektive.
“Hashim Thaqi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk po gjykohen si individ të shkëputur nga konteksti historik, por si simbole të rezistencës, të çlirimit dhe të shtetformimit të Kosovës. Kjo qasje synon barazimin e viktimës me agresorin dhe kriminalizimin e luftës për liri”, thuhet në deklaratë”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Në fund, PDK-ja rikonfirmon qëndrimin e saj për legjitimitetin e luftës së UÇK-së dhe pafajësinë e ish-krerëve të saj, duke kundërshtuar çdo përpjekje për rishkrim të historisë.
“Liria nuk është krim dhe historia nuk mund të rishkruhet”, përfundon reagimi.
Lajmet
VV: Kërkesa për dënime ndaj ish-krerëve të UÇK-së synon përmbysjen e së vërtetës historike
Published
2 hours agoon
February 9, 2026By
UBTNEWS
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënime ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një ndërhyrje politike dhe jo si kërkim të drejtësisë.
Sipas VV-së, “kërkesa e prokurorisë për dënime maksimale ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është një akt për kërkim drejtësie, por një politikë që synon ta përmbysë rendin e së vërtetës”.
E vërteta sipas LVV-së është se “Jugosllavia e Serbisë së Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. UÇK ka luftuar kundër planeve dhe veprimeve gjenocidale duke mbrojtur popullin me gjithë forcën në dispozicion.
Në reagim thuhet se procesi gjyqësor po e zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima, duke kriminalizuar rezistencën çlirimtare.
“Këtu nuk po gjykohen individë të shkëputur nga konteksti, por po tentohet të gjykohet vetë akti i çlirimit”, thuhet në deklaratë.
VV-ja thekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kurrë plane për krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se “krimet kundër njerëzimit kërkojnë aparat shtetëror dhe mekanizma sistematikë dhune, të cilat UÇK-ja kurrë nuk i ka pasur”.
“Kjo gjykatë nuk erdhi nga një nevojë e brendshme për drejtësi, por nga një projekt ndërkombëtar i ndërtuar mbi raporte politike, presione diplomatike dhe interesa gjeopolitike, ku Rusia, Serbia dhe aleatët e saj kanë pasur rol aktiv. Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë proces që nga fillimi e madje edhe para fillimit, sepse drejtësia nuk mund të jetë selektive, njëetnike dhe e ndërtuar mbi shtrembërimin e historisë. Një drejtësi e tillë nuk shëron plagë, por i thellon ato”, thuhet në reagimin e LVV-së.
Më tej, në reagim thuhet se Serbia ishte pushtuesja dhe ushtruesja e dhunës shtetërore, ndërsa populli shqiptar viktimë e saj.
Në fund, Lëvizja Vetëvendosje rithekson qëndrimin e saj se “çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet nga aktakuza që i shërbejnë narrativës së agresorit”.
Lajmet
Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e pastër, historia nuk rishkruhet
Published
3 hours agoon
February 9, 2026By
UBTNEWS
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një deklarate ka rikujtuar se shtetësia e Kosovës është rezultat i vullnetit të patjetërsueshëm të popullit dhe luftës heroike për liri.
Deklarata e Osmanit vjen pas seancës që po vazhdon ende në Gjykatën Speciale, ku nga Kryeprokurorja Kimberly West nga Prokuroria është kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për ish-krerët e UÇK-së.
Sipas Presidentes Osmani, pavarësia e vendit erdhi si pasojë e një sakrifice shekullore, ku humbën jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm. Ajo vuri në dukje se në këtë rrugëtim, roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte vendimtar dhe i shenjtë.
“Pavarësia e Kosovës ishte vullnet i popullit të Kosovës. Ishte sakrificë shekullore për të cilën dhanë jetën mijëra dëshmorë e civilë të pafajshëm e për të cilën luftuan, me heroizëm dhe me luftë të pastër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës,” u shpreh Presidentja.
Tutje Osmani është shprehur se çdo tentative për ta barazuar luftën e UÇK-së me krimet serbe minon drejtësin dhe dëmton paqen.
“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, qëllim të cilin e shpërfaqi nëpërmjet vrasjes dhe masakrimit të mijërave fëmijëve, grave, burrave e të moshuarve, dhunimeve të mijëra grave e burrave, shkatërrimit të qindra mijëra shtëpive, dëbimit të mbi 80% të qytetarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre, spastrimit etnik, zhdukjes me dhunë të mijëra personave dhe krimeve të tjera të llahtarshme”, shkruan Osmani.
Lajmet
Heshtja mbretëroi në qytetin e vogël italian, a është identifikuar personi i parë i “Sarajeva Safari”?
Published
6 hours agoon
February 9, 2026
Hetimi nga Milano po përhapet drejt Hagës, ndërsa banorët e një qyteti të vogël në veri të Italisë heshtin, të gjithë të frikësuar nga turpi.
Tronditja dhe një ndjenjë tmerri mbretëroi në qytetin italian të San Vito al Tagliamento pas identifikimit të snajperit të parë, të dyshuar, që qëlloi mbi civilët e pafuqishëm në Sarajevën e rrethuar midis viteve 1992 dhe 1996. Ky është një vazhdim i hetimit të të ashtuquajturit “safari lufte”, pra turizmit të dyshuar lufte në të cilin evropianët e pasur paguan shuma të mëdha parash palës serbe për të synuar civilët, i cili deri më tani është nisur vetëm në Itali.
Zyra e prokurorit italian hapi së fundmi një hetim kundër një burri të moshuar, dhe në një qytet të vogël në veri të Italisë, jo shumë larg kufirit slloven, të gjithë e dinë se kush është.
– Ai është një djalë shumë i pasjellshëm, e njoh prej vitesh. Ajo është një person i mbyllur dhe nuk tregon ndjenja. Ai ka pikëpamje të krahut të djathtë dhe është shumë i irrituar. Në fakt, e mbajmë mend shpërthimin e tij në një bar lokal për shkak të një makine, dhe më pas për shkak të një automjeti tjetër të parkuar gabimisht përpara, pranë shtëpisë së tij – i thanë disa vendas gazetarit të gazetës italiane La Repubblica, i cili vuri re se duket se ka një betim heshtjeje në vend për këtë temë.
Hetimi nga zyra e prokurorit të Milanos, i udhëhequr nga kryeprokurori Marcello Viola dhe prokurori publik Alessandro Gobbis, së shpejti duhet të marrë një dimension ndërkombëtar pasi hetuesit planifikojnë të udhëtojnë në Hagë. I dyshuari tani është në të tetëdhjetat, dhe në kohën e rrethimit të Sarajevës ishte në të pesëdhjetat. Ai është një ish-shofer kamioni që punoi për një kompani lokale të asgjësimit të mbeturinave deri në vitin 1997. Edhe pse punëdhënësit e tij në atë kohë konfirmuan se ai nuk i fshehu kurrë pikëpamjet e tij të krahut të djathtë dhe fashist, ata pretendojnë se nuk dinin për “udhëtimet e tij të supozuara të fundjavës” në Ballkan.
Sipas dokumenteve të prokurorisë, dyshohet se ky italian po shkonte në fushën e betejës së Sarajevës për t’u bashkuar me trupat serbe në të shtënat ndaj civilëve, por edhe se ai ishte i përfshirë në tregtinë e armëve. Duhet pranuar se në të përditshmen e respektuar italiane La Republica, ekziston fjalia “se ai qëlloi civilë me ustashët”, por është e qartë se ky është një gabim, qoftë lista apo dëshmia e pronarit të kompanisë për të cilën punonte burri.
Italianët nisën një hetim kundër një burri për një krim të tmerrshëm në Sarajevë: Ai dyshohet se u mburr se “gjuante njerëz”.
Civilë të shumtë u vranë në Sarajevë gjatë luftës, disa, për fat të keq, në duart e “turistëve snajperë”.
Dëshmitari kryesor zbulon detajet monstruoze të “Sarajeva Safari”: “Ishte një qytet për hobin e tyre të veçantë”.
Raporti që nisi ortekun bazohet në burime lokale dhe dëshmitë e shkrimtarit Ezi Gavazzeni dhe gazetares Marianne Maiorino. Ata përshkruajnë një burrë që me një kostum të zi u mburr për “arritjet” e tij në Ballkan, që është një pamje krejtësisht e ndryshme nga ajo që kanë të njohurit e tij. Për ta, ai është thjesht një gjuetar dhe peshkatar i apasionuar, në një kohë ai madje mbante rekordin për kapjen e troftës në liqenin La Terribile aty pranë. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, njësia speciale e karabinierëve ROS gjeti shtatë armë të ligjshme, pesë me tyta të gjata dhe dy me të shkurtra. Ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë përgjegjësinë e tij, në publik po rrjedh informacion se ai nuk është i vetmi dhe se emra të tjerë në linjën nga Torino në Trieste janë gjithashtu nën hetim.
Autoritetet lokale të San Vitos u habitën nga zbulimet e prokurorisë. Kryetari i bashkisë Alberto Bernava deklaroi se vërtetimi i këtyre akuzave do të shkaktonte një “plagë të pariparueshme” për qytetin dhe shtoi se, në rast të vërtetimit të fajësisë, ai do t’i bashkohej gjyqit si palë e dëmtuar, ashtu siç kishte vendosur tashmë qyteti i Sarajevës.
Vetë i dyshuari dyshohet se i ka thirrur një të njohuri në telefon: “Ata erdhën në shtëpinë time, po më tërheqin në diçka të madhe, do të më vrasin”.
Familja e tij, gruaja dhe fëmijët e tij, njëri prej të cilëve punon në shërbimin civil, refuzojnë të komunikojnë me median, ndërsa pastori vendas, me një rruzare në duar, thotë vetëm shkurt se lajmi është i tmerrshëm. /J.List/
PDK: Qëndrimet e Prokurorisë në Hagë i shërbejnë narrativës së rreme serbe
VV: Kërkesa për dënime ndaj ish-krerëve të UÇK-së synon përmbysjen e së vërtetës historike
Osmani: Lufta e UÇK-së ishte e pastër, historia nuk rishkruhet
Këshilltari i Liderit Suprem të Iranit viziton Omanin të martën pas bisedimeve SHBA-Iran
Policia nis kontrolle të shtuara për kamionë dhe autobusë
Policia e Kosovës sekuestron 7 kg marihuanë në Merdarë
Heshtja mbretëroi në qytetin e vogël italian, a është identifikuar personi i parë i “Sarajeva Safari”?
WSJ: Vala e dytë e zemërimit popullor po fillon në Iran, regjimi po tërhiqet, por tani është tepër vonë!
Lista e vendeve ku përgatitet pica më e mirë në Evropë
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet nga UBT2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNga klasa në praktikë! Studentët e drejtimit Media dhe Komunikim vizitojnë shtypshkronjën e UBT-së
-
Lajmet nga UBT2 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
