Aktualitet

​Gjakova pa barnatore kujdestare gjatë natës

Kjo çështje është ngritur edhe në mbledhjen e Asamblesë Komunale sot gjatë ditës.

Published

on

Mungesa e operimit të barnatoreve pas mesnatës dhe ditën e diel mbetet shqetësim për qytetarët e Gjakovës. Një çështje e tillë është ngritur edhe në mbledhjen e Asamblesë Komunale të ditës së mërkurë, ku këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që orari i kujdestarisë të bëhet me rregullore, por kryetari Ardian Gjini ka thënë se nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ledian Rexha, deklaroi se vetë farmacistët muaj më parë kanë mbajtur takim ku kanë diskutuar çështjen e kujdestarisë por kanë kërkuar garancinë e zbatimit të orarit nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Asambleja e Komunës së Gjakovës.

“Sikur se shume prej qytetarëve besoj që dhe shumë nga ne në këtë sallë jemi rastisur përballë një urgjence mjekësore, urgjenca të cilat nuk kanë orare të caktuara, ashtu siç nuk kane orare as institucionet që e ofrojnë mjekimin e saj, e orare të caktuar s’duhet të kenë as barnatoret që janë hallka e fundit në renditje e aspak nga rëndësia në trajtimet mjekësore… Përderisa në spital dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare jepen shërbime kujdestarie, është e logjikshme dhe gjithsesi e paevitueshme që të njëjtën gjë ta bëjnë dhe barnatoret të cilat janë pjesa integrale e përfundimit të ciklit të mjekimit”, tha Rexha.

Mirëpo, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, deklaroi se nuk ka bazë ligjore që të rregullohet kjo çështje. Sipas tij, Komuna nuk mund të urdhërojë një barnatore të punojë në një ditë të caktuar e në orar të caktuar.

Sipas tij, farmacistët duhet të mblidhen vetë dhe të sjellin një propozim të tyre ëpr orar që më pas Komuna ta mbështesë të njëjtën.

“Deri tash nuk kam gjetur bazë ligjore, as zyra ime nuk ka gjetur bazë ligjore në bazë të të cilës unë e urdhëroj një barnatore të punojë kujdestare. Nuk ka bazë të tillë ligjore edhe nëse votohet këtu. Cila është mënyra elegante për të kryer këtë punë se e di që është me rëndësi? Është nëse shoqata e farmacistëve pajtohet, e bën një rregullore të veten, e prezanton një plan, ose një orar të vetin dhe ne atëherë e marrim masat qoftë përmes Inspektoratit, ose i shkruajmë policisë që të kenë kujdes te ato barnatore… Komuna nuk mundet t’ju jap urdhër barnatoreve të punojnë kujdestare, kështu është interpretimi që unë e marr. Nëse barnatoret kërkojnë, nëse qytetarët kërkojnë, e kanë shumë të thjeshtë, munden të ulen bashkë, të bëjnë një orar tyre dhe ne e mbështesim dhe e legjitimojmë”, deklaroi Gjini.

Mirëpo Rexha tha se kërkesat e qytetarëve tashmë ekzistojnë ashtu sikurse ka një dakordim edhe nga vetë farmacistët. Ndërsa në lidhje me bazën ligjore, ai solli shembullin e disa komunave, që sipas tij mund të adaptohet edhe nga ajo e Gjakovës.

“Komuna e Mitrovicës, e Podujevës, e Vushtrrisë, e Rahovecit e kanë të rregulluar me rregullore dhe me vendim. Si shembull le kam sjellë rregulloren e Komunës së Vushtrrisë e cila në nenin 14, pika 2 dhe 3 e rregullon shumë qartë këtë çështje që mund ta rregullojmë edhe si komunë. Po ashtu është edhe një vendim mbi caktimin e orarit të barnatoreve kujdestare e Komunës së Rahovecit e cila është ndërmarrë nga barnatoret, Drejtoria e Shëndetësisë, e Inspektimit dhe Stacioni Policor në Rahovec që të impelmentohet një gjë e tillë… Besoj që na duhet pak vullnet politik që ta rregullojmë dhe ta zbatojmë këtë çështje”, vijoi Rexha.

Kreu i Gjakovës tha se nuk është kundër që barnatoret të kujdestarojnë dhe tha se nëse ka ardhur ndonjë propozim nga barnatoret atëherë do ta shqyrtojnë me shpejtësi.

“Nuk jam kundër që në Gjakovë të kemi barnatore kujdestare, jam në gjendje të bëj gjithë çfarë është në fuqinë time që me ndodhë, por nuk mund ta marr vendim unë e as ju. Pa e ditur e përmenda si duhet të ndodhë. Duhet të vijë një propozim prej barnatoreve, duhet të mbështetet prej Komunës, prej policisë dhe e bëjmë. Nëse ka ardhur propozimi e mund të mos e di, kërkoj falje dhe e shohim shpejt”, tha Gjini. 

Vendi

Leonardo da Vinci sjell frymën e Rilindjes në UBT – ekspozitë që ndërthur artin, shkencën dhe inovacionin

Published

on

By

Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.

Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.

E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.

Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.

Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.

 

 

 

Continue Reading

Aktualitet

40 sportistët më të mëdhenj (2000–2026)

Published

on

By

Sporti është një nga veprimtaritë më tërheqëse në botën modern. Interesimi në vazhdim i publikut bën që edhe media ta ketë temë të shpeshtë.

Këtë herë, kemi zgjedhur të sjellim tek ju një listë prej 40 sportistësh më të mëdhenj, të periudhës 2000-20026:

  1. Michael Phelps – Not
  2. Lionel Messi – Futboll
  3. LeBron James – Basketboll
  4. Tom Brady – Futboll amerikan
  5. Roger Federer – Tenis
  6. Tiger Woods – Golf
  7. Usain Bolt – Atletikë
  8. Kobe Bryant – Basketboll
  9. Rafael Nadal – Tenis
  10. Cristiano Ronaldo – Futboll
  11. Stephen Curry – Basketboll
  12. Tim Duncan – Basketboll
  13. Shaquille O’Neal – Basketboll
  14. Patrick Mahomes – Futboll amerikan
  15. Lewis Hamilton – Formula 1
  16. Aaron Donald – Futboll amerikan
  17. Sidney Crosby – Hokej në akull
  18. Kevin Garnett – Basketboll
  19. Albert Pujols – Bejsboll
  20. Floyd Mayweather Jr. – Boks
  21. Peyton Manning – Futboll amerikan
  22. Randy Moss – Futboll amerikan
  23. Michael Schumacher – Formula 1
  24. Mike Trout – Bejsboll
  25. Clayton Kershaw – Bejsboll
  26. Miguel Cabrera – Bejsboll
  27. Dwyane Wade – Basketboll
  28. Ichiro Suzuki – Bejsboll
  29. Kevin Durant – Basketboll
  30. Justin Verlander – Bejsboll
  31. Dirk Nowitzki – Basketboll
  32. Giannis Antetokounmpo – Basketboll
  33. Alex Rodriguez – Bejsboll
  34. David Ortiz – Bejsboll
  35. Max Scherzer – Bejsboll
  36. Jimmie Johnson – NASCAR
  37. Zinedine Zidane – Futboll
  38. Steve Nash – Basketboll
  39. Adrian Beltre – Bejsboll
  40. Dedrek Jeter – Bejsboll

 

Continue Reading

lajme

Mungesa e deputetëve pas pauzës shtyn seancën e Kuvendit për nesër

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që ta shtyjë vazhdimin e seancës së sotme plenare për ditën e nesërme, në orën 11:00, pasi deputetët u vonuan rreth gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.

Duke arsyetuar vendimin, kryeparlamentarja Haxhiu theksoi se është e pamundur të zhvillohen punimet e Kuvendit kur deputetët nuk respektojnë orarin. Në momentin e ndërprerjes, në sallën plenare ndodheshin vetëm disa deputetë të PDK-së, disa të LDK-së dhe vetëm dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për shkak të kësaj shtyrjeje, mbetën pa u shqyrtuar pikat e mbetura të rendit të ditës, ku përfshiheshin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni lidhur me energjinë, si dhe diskutimi për Projektligjin për Gjykatën Speciale. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shkon në tetë numri i viktimave nga shembja e ndërtesës në Brooklyn

Published

on

By

Numri i viktimave nga shembja e një ndërtese trekatëshe në Brooklyn të New York-ut ka arritur në tetë, ndërsa të paktën 17 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Lajmin e ka konfirmuar kryebashkiaku i New York-ut, Zohran Mamdani, i cili përmes një deklarate bëri të ditur se në mesin e të lënduarve janë edhe tre zjarrfikës që morën pjesë në operacionin e shpëtimit.

Autoritetet amerikane kanë nisur tashmë një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet që çuan në shembjen e papritur të këtij objekti banimi.

Fillimisht janë raportuar dy të vdekur, ndërkaq numri i tyre ka vazhduar të rritet teksa zjarrfikësit po vazhdojnë kërkimin nën rrënoja. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara