Aktualitet

​Kompanitë hasin në pengesa gjatë eksportit në Serbi, opozita kërkon reciprocitet

Hajdari deklaroi se janë marrë disa masa antidamping karshi produkteve serbe që importohen në Kosovë.

Published

on

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari thekson se Kosova nuk është duke u përfaqësuar ashtu siç duhet në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).

Ministrja Hajdari duke folur në debatin publik “Barrierat tregtare mes Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga Komisioni për Ekonomi e mbështetur nga KDI, deklaroi se janë marrë disa masa antidamping karshi produkteve serbe që importohen në Kosovë. Ajo ka treguar se kanë dërguar letër-shkresë si MINT në Sekretariatin e CEFTA-s për adresimin e drejt të Kosovës, në këtë rast për të larguar UNMIK-un në përfaqësim.

“Është një proces që pret për ndërmarrjen e veprimit dhe për adresimin e letrës drejtuar nga Republika e Kosovës në Komitetin drejtues të CEFTA-s që Kosova të përfaqësohet si shtet e jo përmes UNMIK-ut. Këtë letër mund ta keni edhe ju si kopje e cila pritet që të adresohet. Kjo është sa i përket çështjes bilaterale. Kemi edhe problemin tjetër që është përmes mekanizimit rajonal RÇ, ku aty kemi zakonisht çështjen e mosnjohjes së diplomave dhe certifikatave. Sidoqoftë negociatat për njohjen reciproke profesionale janë duke vazhduar në kornizën e RCC-së dhe CEFTA-s, por që pa sukses ende”, theksoi Hajdari.

Në diskutimin publik përfaqësuesja e KDI-së, Violeta Haxholli ka thënë se pavarësisht se tani nuk ka reciprocitet të plotë tregtar ndaj Serbisë, kompanitë kosovare vazhdojnë të hasin në sfida gjatë eksportit të produkteve në Serbi.

Derisa theksoi se KDI në raportin e saj ka evidentuar dhe njëkohësisht iu ka rekomanduar institucioneve, që çështja e temës së reciprocitetit me Serbinë të mos bëhet çështje e politike, pasi që siç u shpreh Haxholli, pastaj po mungon përkrahja ndërkombëtare.

“Tani kemi një qeveri të re nga muaji prill i këtij viti, e cila deklaruar do të vendoset reciprociteti tregtar me Serbinë, megjithatë ende nuk kemi ndonjë vendim sa i përket kësaj çështje… Ajo çfarë ne si KDI, kemi evidentuar në këtë raport, edhe njëkohësisht iu rekomandojmë institucioneve, është që kjo temë të mos bëhet temë e përplasjeve politike, spektri politik duhet të gjejë një konsensus sa i përket raporteve Kosovë-Serbi. Ne kemi parë që në mungesë të konsensusit ne të mos kemi as përkrahje ndërkombëtare për masat tregtare të cilat i kemi marrë ndaj shtetit serb. Dhe gjithashtu kjo temë nuk duhet të politizohet… Serbia ka aplikuar për një kohë të gjatë me barriera dhe masa tregtare ndaj Kosovës, të cilat fare nuk i ka shpallur, por ata janë në terren”, theksoi ajo.

Duke iu përgjigjur Haxhollit, ministrja Hajdari tha se është mirë të veçohen edhe përpjekjet e ministrisë së MINT në raport tregtar me rajonin dhe po ashtu me Serbinë, e jo vetëm të thuhet që Qeveria Kurti nuk ka vendosur masën e reciprocitetit.

“Është mirë të flitet dhe për punët e mira, e jo vetëm ajo se Qeveria Kurti nuk ka vepruar me reciprocitet. Unë reciprocitetin e shoh në çdo aspekt, nuk është vetëm për çështje tregtare. Kjo ka të bëj edhe si në përfaqësimin e Kosovës në politikë, si në transport, si në çdo sektor tjetër Kosova duhet të jetë e barabartë”, theksoi Hajdari.

Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu tha se përveç moszbatimit të IBM-së ose Marrëveshjes së Integruar të Kufirit, Kosova përballet edhe me pengesa të shumta nga autoritetet serbe, siç potencoi ai edhe me imponimin e dokumenteve nga strukturat paralele.

“Përveç këtyre pengesave për mosnjohjen e dokumenteve, që imponon dokumente të strukturave paralele që Serbia i aplikon për tregtinë e Kosovës, është me rëndësi të theksojmë edhe faktin logjistik që përmendi ministrja… Gjithashtu kemi probleme transitet që kalojnë përmes Serbisë dhe që vijnë nga vendet e treta, por edhe për eksportet tona që shkojnë në vendet e treta. Shpesh autoritetet serbe nuk e njohin Kosovën si territor të ndarë dhe për këtë kërkojnë të bëhen procedura sikur importi të kishte ndodhur nga ose në Serbi”, tha ai.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala u shprehet i habitur nga partia në pushtet që dikur ka rrokullisur kamionët me mallra serbe dhe nuk vendos reciprocitetin e premtuar.

“Sa i përket pritjeve tona për reciprocitetin, me thënë të drejtën kur iu shoh prej juve disave që keni qenë duke i përmbysur kamionët atje, unë kam pritë, seriozisht kam pritë. Ku rrokullisshi kamionë, mos pini ujë, dimër e ftohet keni qëndruar në barrikada kundër produkteve serbe dhe sot nuk shkoni andej hiç dhe shikoni rrugë alternative. Prandaj, edhe kjo pritje e jona është e natyrshme. Na keni proklamuar, keni demonstruar, thyer dhe demoluar për reciprocitetin, tash kur i keni krejt përgjegjësitë institucionale, po thoni pritni pak ta shkruajmë një letër. Qe 8 muaj ditë e keni shkruar një letër CEFTA-s. Këtë e mbështesim, ama qe tetë muaj ditë në qeveri një letër e keni çuar”, tha Shala.

Ndërsa, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi theksoi se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare kanë qenë të dëmshme për Kosovën.

Krasniqi ka thënë se kjo Odë ka kërkuar largimin e Kosovës nga CEFTA. Derisa ka kërkuar ndryshimin e politikave tregtare për të pasur prodhimtari dhe rritje të mirëqenies.

“Ne si Odë e Afarizmit kemi kërkuar që Kosova të rinegociojë marrëveshjen e CEFTA-s dhe të shkojë atje si shtet e jo në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, si UNMIK siç është duke ndodhur. Në rast se kjo nuk arrihet, ne kemi kërkuar që Kosova të largohet nga CEFTA, sepse edhe ashtu raportet e të bërit biznes në mes nesh dhe këtyre shteteve janë në dëm të Kosovës në përgjithësi. 90 përqind importojmë nga këto vende. Po ashtu ne kërkojmë nga Dogana që të përdorë reciprocitet dhe jo të krenohet me shpejtësi, por edhe me vonesa të jashtëzakonshme ndaj vendeve që përdorin reciprocitet ndaj neve, sidomos ndaj Serbisë dhe pengesave tarifore dhe jo tarifore… Në përgjithësi marrëveshjet tona ndërkombëtare kanë qenë të dëmshme. Të gjitha marrëveshjet që i ka nënshkruar Kosova kanë ndikuar në rritje të importit dhe jo në rritjen e eksportit. Me CEFTA nuk janë mbrojtur produktet, ashtu edhe me MSA-në, si dhe me Turqinë”, theksoi Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i OEK, Berat Rukiqi, ka thënë se çështja e raporteve tregtare me Serbinë është shumë më specifike se sa me vendet e tjera për shkak të konotacionit politik.

“Shumica e barrierave apo sfidave të këmbimeve tregtare me Serbinë kanë konotacion politik. Sfondi i shumë veprimeve nuk është tregtar, nuk është për shkak se ne po rrezikojmë ndonjë sektor në Serbi me konkurrencë, por në rastin e Serbisë janë veprime administrative dhe veprime politike të tyre”, theksoi ai.

Kurse deputeti Pal Lekaj nga AAK ka kërkuar nga qeveria aktuale që të mos flasë për historikun 20-vjeçar për raportet tregtare me Serbinë, por të veprojë karshi pengesave që janë duke u bërë nga Serbia.

“Mos të flasim për histori këtu nga ekzekutivi dhe mos të kthehemi në periudhën, thuajse 20 vjet asgjë nuk ka ndodhur dhe thuajse Kosova po lulëzon tani me ardhjen e Qeverisë Kurti. Është për të ardhur keq që nuk kanë memorie institucionale. Ne mund të flasim sa të doni sa i përket barrierave dhe reciprocitetit ndaj Serbisë. Por ne duhet të pajtohemi që ne nuk kemi ingirenca që të përzihemi në një shtet tjetër që s’na njeh, përpos vijës së Brukselit. Dhe ajo vijë duket se na ka vendosur në një qorrsokak dhe thuaja se ne jemi fajtor, e jo Serbia që po na i qet të gjitha këto pengesa”, tha ai. 

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 22 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

22 nëntor 1993

Në fatkeqësinë ajrore në aeroportin e Ohrit humbën jetën 97 shqiptarë

Në fatkeqësinë e parmbrëmshme ajrore në afërsi të Ohrit, sipas njoftimeve dhe të dhënave të deritashme humbën jetën 115 persona, prej tzre, 107 udhëtarë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa thuhet se shpëtoi vetëm një person.

Në bazë të të dhënave që i siguruan burimet tona në Gjenevë, mirret vesh se përkatësia etnike e viktimave është: 97 shqiptarë, 9 maqedonas dhe 2 francezë. Në mesin e viktimave 4 janë fëmijë të moshës gjer në 2 vjeç, 4 të tjerë gjer në moshën 12-vjeçare, 19 janë femra dhe 81 meshkuj.

Pesë nga viktimat ishin kërkues të strehimit politik në Zvicër, të cilët policia zvicerane i përcolli gjer në aeroplan: Shemsie Hoxha nga Gjakova me të bijën Shukrien fëmijë), Avdurrahim Orlati, Isuf Berisha nga Shkupi dhe Emin Sopi.

Dy prej viktimave ishin francez: Thierry Joubert, anëtar i shoqatës bëmirëse “Equilibre”, i cili shkonte me mision në Kosovë dhe Pierre Ollier, nëpunës i Komisariatit të Lartë për Refugjatë. Udhëtarët ishin kryesisht të punësuar në Zvicër dhe jetonin në kantonet e Gjenevës, Vaud Lozanë), Valesë, Neuchatelit dhe Bernë.

Aeroplani “Yak 42” ishte i prodhimit rus, ndërsa kompania maqedonase e kishte huazuar nga Ukraina.

 

22 nëntor 1994

Në vend të bustit të Hivzi Sulejmanit u vu shtatorja e njëfar srpski sokolit

Më 17 nëntor, në oborrin e Shtëpisë së Kulturës “Hivzi Sulejmani” në Ferizaj, në bazamentin e bustit më parë të përdhosur të Hivzi Sulejmanit, u vu shtatorja e njëfar srpski sokolit, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Bëhet me dije se zyrtarët e instasluar serbë në Ferizaj organizuan edhe një solemnitet rasti, në të cilin morën pjesë edhe qytetarë serbë e malazias.

22 nëntor 1995

Dita e Flamurit shënohet edhe në Bullgari

Në organizim të Ambasadës shqiptare në Bullgari, Shoqatës së miqve të Shqipërisë në Bullgari dhe Shoqatës së shqiptarëve në Bullagri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, nesër në Sofje do të mbahet një manifestim rasti me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

Sipas njoftimit të kryetarit të Shoqatës së shqiptarëve në Bullgari “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Thoma Kacorri këtë manifestim do të shpallë të hapur historiani Bobi Bobev, ndërsa për rëndësinë e kësaj date historike për shqiptarë do të flasë ambasadori i Shqipërisë në Bullgari Xhelal Tahiri.

Në kuadër të këtij manifestimi është paraparë të shfaqet edhe një program kulturo-artistik, në të cilin do të paraqiten këngëtarë dhe artistë që do të lexojnë vargjet tonë social, Migjenit.

22 nëntor 1996

Veshmbathje për familjet e rrezikuara

Forumi i Gruas në krye me Xhylferije Krasniqin dhe Dega e LDK-së në Prizren organizuan një aksion për grumbullimin e veshmbathjes për familjet e rrezikuara të Mitrovicës.

Të shtunën e kaluar, më 16 nëntor një delegacion i FG të LDK-së të Degës së Prizrenit ia dorëzuan FG dhe Degës së LDK-së në Mitrovicë  një sasi veshmbathjehe në një vlerë rreht 3200 DM.

Gjatë kësaj jave vazhdoi ndarja e këtyre ndihmave familjeve të nevojtarëve në Mitrovicë.

 

22 nëntor 1997

Finlandë: Ndihma për Kosovën në ushqim, veshmbathje e barëra

Shqiptarët që jetojnë në Hyvinks të Finlandës, në bashkëpunim me asociacionet e ndryshme humanitare të këtij qyteti, kohë ma përë ndërmorën një aksion për grumbullimin e ndihmave materiale për Kosovën.

Kryetari i Nëndegës së LDK-së dhe i shoqatës “Kosova” në këtë qytet, z. Faton Mulaj, i tha KI të Degës së LDK-së në Finlandë se këto ndihma, kryesisht ushqim, veshmbathje dhe barëra, janë dërguar në Kosovë dhe janë dorëzuar në selinë e shoqatës “Nëna Terezë” në Prishtinë, nga bartësi i këtyre ndihmave, z. Karl Aguson.

 

22 nëntor 1998

Mbi 10.000 shqiptarë demonstruan në Bernë me kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Mbi 10 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria e viset tjera shqiptare demonstruan dje në sheshin para Parlamentit të Zvicrës në Bernë me kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për ndaljen e terrorit serb në Kosovë.

Në demonstratës me moton “Të njihet pavarësia e Kosovës”, të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të cilën morën pjesë anëtarë të të gjitha partive dhe shoqatave politike e jopolitike shqiptare, si dhe zviceran, miq të shqiptarëve, iu dha përkrahje e plotë politikës së Kryetarit Rugova, si dhe mbështetje e fuqishme luftëtarëve të UÇK-së, drejt realizimit të synimeve kombëtare shqiptare.

Pjesëmarrësit e demonstratës kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare ndërprerjen e terrorit serb në Kosovë dhe dënimin e kryetarit serb Millosheviqe dërgimin e tij në Gjykatën e Hagës.

Para pjesëmarrësve folën shumë oratorë dhe përfaqësues të strukturave politike shqiptare që veprojnë në diasporë, si Hysen Gërvalla, kryetar i Degës së LDK-së për Zvicër, Hafiz Gagica, kryetar i Kolegjiumit të degëve të LDK-së për Diasporë, valdet Avdiu, kryetar i FR të LDK-së për Zvicër, dhe oratorë zviceranë, të cilët dënuan politikën dhe terrorin e regjimit të Beogradit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Para pjesëmarrësve u lexua edhe telegrami i kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovësm, akademik Idriz Ajeti.

Demonstratës së shqiptarëve i dhanë publicitet të madh mediat zvicerane.

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Vrasja e Georgi Markovit: kur një ombrellë u shndërrua në armë kundër lirisë së shprehjes

Published

on

By

Në historinë e medias së shekullit XX, pak raste ilustrojnë aq fuqishëm përplasjen midis gazetarisë së lirë dhe regjimeve autoritare sa vrasja e gazetarit dhe disidentit bullgar Georgi Markov në vitin 1978. Ngjarja, e njohur më vonë në mbarë botën si “Umbrella Murder” (Vrasja me Ombrellë), u shndërrua në simbol të metodave të fshehta që regjimet komuniste përdornin kundër kundërshtarëve të tyre politikë dhe kritikëve të pushtetit.

Ajo që e bëri këtë rast të famshëm nuk ishte vetëm viktima apo motivi politik, por edhe mënyra e pazakontë e atentatit. Për herë të parë, opinioni ndërkombëtar u njoh me një operacion sekret ku një mjet krejt i zakonshëm, një ombrellë, u shndërrua në armë vdekjeprurëse. Për shumë njerëz, historia dukej si një skenar filmi spiunazhi. Megjithatë, pas saj qëndronte një realitet i errët i Luftës së Ftohtë dhe i kontrollit të informacionit në shtetet komuniste.

 

Nga shkrimtar i suksesshëm në kritik të regjimit

Georgi Markov lindi në Sofje në vitin 1929. Në vitet 1960 ai konsiderohej një nga shkrimtarët më të njohur bullgarë. Romanet, dramat dhe tregimet e tij botoheshin rregullisht dhe gëzonin mbështetjen e institucioneve kulturore shtetërore.

Megjithatë, me kalimin e kohës Markovi u bë gjithnjë e më kritik ndaj sistemit komunist dhe veçanërisht ndaj udhëheqësit bullgar Todor Zhivkov, i cili sundoi Bullgarinë për më shumë se tri dekada.

Në fund të viteve 1960 ai udhëtoi në Itali dhe më pas vendosi të mos kthehej më në Bullgari. Vendimi i tij u konsiderua tradhti nga autoritetet komuniste. Regjimi filloi ta portretizonte si armik të shtetit, ndërsa veprat e tij u ndaluan.

Pasi u vendos në Perëndim, fillimisht në Itali dhe më pas në Britaninë e Madhe, Markovi filloi një karrierë të re si gazetar dhe komentator politik.

 

Zëri i një disidenti

Në Londër, Markovi nisi bashkëpunimin me BBC World Service, ndërsa më vonë edhe me Radio Free Europe dhe Deutsche Welle.

Pikërisht këtu filloi konflikti i tij më i madh me regjimin bullgar.

Përmes emisioneve radiofonike që transmetoheshin në Bullgari, ai fliste hapur për korrupsionin, privilegjet e elitës komuniste, represionin politik dhe kultin e udhëheqësit Todor Zhivkov. Në një kohë kur mediat bullgare kontrolloheshin plotësisht nga shteti, komentet e Markovit përbënin një alternativë të rrallë informative.

Veçanërisht të njohura u bënë seritë e tij të quajtura “Raportet nga Mungesa” (In Absentia Reports), në të cilat ai përshkruante me hollësi jetën e elitës komuniste dhe kontrastin midis propagandës zyrtare dhe realitetit.

Miliona dëgjues bullgarë ndiqnin fshehurazi transmetimet e tij. Për pushtetin në Sofje, Markovi ishte shndërruar në një nga kritikët më të rrezikshëm të regjimit.

 

E heshtën! Regjimi komunist bullgar, me ndihmën e KGB ruse, e vrau në Londër.

Sot, vrasja e Georgi Markovit konsiderohet një nga sulmet më të famshme kundër një gazetari në Evropën e shekullit XX. Rasti tregon se sa larg mund të shkojnë regjimet autoritare për të heshtur zërat kritikë dhe për të kontrolluar informacionin.

 

Regjimi vendos ta heshtë

Shërbimet sekrete bullgare, të njohura si Darzhavna Sigurnost (Sigurimi i Shtetit), mbanin nën vëzhgim disidentët që jetonin jashtë vendit. Dokumente të publikuara pas rënies së komunizmit treguan se Markovi konsiderohej objektiv me prioritet të lartë.

Bullgaria gëzonte marrëdhënie shumë të ngushta me Bashkimin Sovjetik. Për këtë arsye, shumë studiues dhe hetues kanë besuar se operacioni kundër Markovit është realizuar me ndihmën teknike të shërbimit sekret sovjetik KGB.

Në fund të viteve 1970 u mor vendimi për eliminimin e tij.

 

Atentati në urën Waterloo

Më 7 shtator 1978, në ditëlindjen e Todor Zhivkovit, Georgi Markov po shkonte në punë në selinë e BBC-së në Londër.

Ndërsa priste autobusin pranë urës Waterloo, ai ndjeu një pickim të lehtë në pjesën e pasme të kofshës. Kur u kthye, pa një burrë që po ngrinte një ombrellë nga toka. Burri kërkoi shkurt falje dhe u largua me shpejtësi.

Fillimisht incidenti nuk iu duk i rëndësishëm. Megjithatë, disa orë më vonë Markovi filloi të ndiente temperaturë të lartë dhe dhimbje të forta.

Gjatë autopsisë, mjekët zbuluan diçka të pazakontë. Brenda këmbës së Markovit gjendej një kapsulë mikroskopike metalike me diametër rreth 1.7 milimetra.

Kapsula kishte dy vrima të vogla që përmbanin gjurmë të helmit ricin, një substancë jashtëzakonisht toksike e nxjerrë nga fara e bimës së ricinit.

 

Gjendja u përkeqësua me shpejtësi. Ai u shtrua në spital, por mjekët nuk arrinin të kuptonin arsyen e simptomave. Pavarësisht përpjekjeve intensive për ta shpëtuar, Markovi vdiq katër ditë më vonë, më 11 shtator 1978, në moshën 49-vjeçare.

 

Misteri i ombrellës

Gjatë autopsisë, mjekët zbuluan diçka të pazakontë. Brenda këmbës së Markovit gjendej një kapsulë mikroskopike metalike me diametër rreth 1.7 milimetra.

Kapsula kishte dy vrima të vogla që përmbanin gjurmë të helmit ricin, një substancë jashtëzakonisht toksike e nxjerrë nga fara e bimës së ricinit.

Hetuesit arritën në përfundimin se kapsula ishte injektuar përmes një mekanizmi të fshehur në ombrellë. Sapo kapsula kishte hyrë në trup, helmi ishte liruar gradualisht në qarkullimin e gjakut.

Kjo metodë ishte aq e sofistikuar sa u bë menjëherë një nga rastet më të famshme në historinë e spiunazhit modern.

Termi “Vrasja me Ombrellë” hyri në historinë e Luftës së Ftohtë dhe vazhdon të përdoret edhe sot për të përshkruar atentatin.

 

Reagimi ndërkombëtar

Vrasja shkaktoi tronditje në Britani dhe në gjithë Perëndimin. Për shumë vëzhgues ishte e qartë se atentati kishte motive politike.

Megjithatë, gjatë viteve të Luftës së Ftohtë ishte tepër e vështirë të siguroheshin prova të drejtpërdrejta kundër shërbimeve sekrete bullgare ose sovjetike.

Autoritetet komuniste mohuan çdo përfshirje. Mediat shtetërore bullgare e paraqitën rastin si propagandë perëndimore dhe shmangën raportimet e hollësishme.

Për shumë vite, rasti mbeti i pazgjidhur juridikisht, megjithëse shumica e ekspertëve dhe historianëve ishin të bindur për natyrën politike të atentatit.

 

E vërteta pas rënies së komunizmit

Pas vitit 1989 dhe rënies së regjimeve komuniste në Evropën Lindore, një pjesë e arkivave të shërbimeve sekrete u hapën për studiuesit.

Dokumentet e publikuara forcuan bindjen se atentati ishte organizuar nga shërbimi sekret bullgar me ndihmën e KGB-së sovjetike. Megjithëse shumë pyetje mbetën pa përgjigje dhe autorët kryesorë nuk u dënuan kurrë, u bë gjithnjë e më e qartë se Markovi kishte qenë objektiv i një operacioni shtetëror.

Në Bullgarinë postkomuniste, Georgi Markov filloi të rehabilitohej si figurë kombëtare. Librat e tij u ribotuan, ndërsa puna e tij gazetareske u vlerësua si shembull i guximit intelektual.

 

Simbol i luftës për fjalën e lirë

Sot, vrasja e Georgi Markovit konsiderohet një nga sulmet më të famshme kundër një gazetari në Evropën e shekullit XX. Rasti tregon se sa larg mund të shkojnë regjimet autoritare për të heshtur zërat kritikë dhe për të kontrolluar informacionin.

Për studiuesit e medias, Markovi përfaqëson figurën e gazetarit që zgjodhi të flasë hapur edhe kur kjo e vinte në rrezik jetën e tij. Ndërsa për historianët e Luftës së Ftohtë, atentati mbetet një shembull klasik i konfliktit midis propagandës shtetërore dhe lirisë së shprehjes.

Mbi të gjitha, historia e tij dëshmon se në regjimet komuniste beteja për kontrollin e informacionit nuk zhvillohej vetëm në redaksi, radio dhe televizione, por shpesh edhe në nivelet më të errëta të aparateve të sigurisë. Për këtë arsye, Georgi Markov mbetet një simbol ndërkombëtar i rezistencës intelektuale dhe i çmimit që mund të ketë kërkimi i së vërtetës.

Continue Reading

lajme

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit në Prizren

Published

on

By

Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore të Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit (BAUNAS), e cila u mbajt sot në Prizren, duke riafirmuar angazhimin e UBT-së në bashkëpunimin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në rajon dhe më gjerë.

Gjatë punimeve të Asamblesë u diskutuan dhe u miratuan çështje me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e asociacionit, përfshirë pranimin e anëtarëve të rinj dhe votimin e rregullores së re. Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve anëtare.

Në kuadër të këtij aktiviteti, rektori Hajrizi zhvilloi takime me përfaqësues të universiteteve të ndryshme anëtare, përfshirë rektorin dhe sekretarin e përgjithshëm të Universitetit Trakya, si dhe përfaqësues të tjerë akademikë. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike, zhvillimi i projekteve të përbashkëta, shkëmbimi i stafit dhe studentëve, si dhe krijimi i partneriteteve të reja ndërinstitucionale.

UBT është anëtar i rregullt i Asociacionit të Universiteteve të Ballkanit prej disa vitesh dhe merr pjesë aktive në aktivitetet dhe iniciativat e tij. Përveç këtij asociacioni, UBT është pjesë edhe e rrjeteve dhe organizatave të rëndësishme ndërkombëtare të arsimit të lartë, përfshirë Asociacionin e Universiteteve Evropiane (EUA), Magna Charta Universitatum dhe UNIMED-in.

Pjesëmarrja e UBT-së në këto platforma ndërkombëtare dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për zgjerimin e bashkëpunimit akademik, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Përmes pjesëmarrjes aktive në asociacione dhe rrjete ndërkombëtare, UBT vazhdon të kontribuojë në avancimin e arsimit të lartë, forcimin e lidhjeve akademike rajonale dhe ndërkombëtare dhe zhvillimin e partneriteteve strategjike me universitete nga vende të ndryshme.

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

21 nëntor 1994

Gazeta suedeze “Folket”: Republika e Kosovës duhet të njihet si shtet sovran

Më 17 nëntor e përdithmja suedeze “Folket” nga qyteti Eskilstuna botoi një artikull me titull “Republika e Kosovës duhet të njihet si shtet sovran”.

Artikulli bën fjalë për historinë, traditat, kulturën dhe gjuhën shqipe dhe vazhdon me një pasqyrë të okupimit të Kosovës në vitin 1989 nga ana e Serbisë.

Shqiptarët, thuhet më tej në artikull, u përjashtuan nga puna për shkak të përkatësisë kombëtare, ata po vriten, burgosen, ndiqen, keqtrajtohen, helmohen; kundër tyre po aplikohet politikë e hapët e aparteidit dhe si pasojë e të gjitha këtyre po bëhet pastrimi etnik i shqiptarëve nga trojet e tyre.

Më tej në artikull bëhet fjalë për mençurinë e shqiptarëve në organizimin e partive politike, arsimit, shëndetësisë, ekonomisë së vogël, sistemit të shpërndarjes së ndihmave, sportit, kulturës etj., në kushte tejet të vështira.

Shqiptarët e Kosovës kanë shpallë Kushtetutën e vet në vitin 1990, kanë mbajtur Referendumin gjithëpopullor ku janë deklaruar për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, kanë mbajtur zgjedhjet e lira dhe shumëpartiake si dhe kanë zgjedhë presidentin e Republikës së Kosovës.

Në vitet e fundit shqiptarët e Kosovës, të prirë nga presidenti i Republikës së Kosovës dr.Ibrahim Rugova, kanë bërë mjaft për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke shtruar para bashkësisë ndërkombëtare kërkesat legjitime të popullit shqiptar. Shqiptarëve të Kosovës duhet t’u njihet e drejta për vetëvendosje. Republika e Kosovës duhet të njihet si shtet sovran dhe i pavarur.

Prandaj të mos harrohet Kosova! Përndryshe do të jetë burim i përhershëm i konflikteve dhe njollë e zezë e bashkësisë evropiane dhe botërore, thuhet në fund të artikullit të gazetës suedeze “Folket”, të cilin e hartoi Dega e LDK-së në Suedi.

 

21 nëntor 1995

Ngritet akuza e dytë për gjenocid kundër Fatos Nanos

Pas akuzës për gjenocid ndaj disa personave të vrarë në periudhën shkurt-mars 1992, Fatos Nano, lider i Partisë Socialiste, dhe ish-kryeministër para dhe pas zgjedhjeve të vitit 1991, i burgosur për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare, tash akuzohet edhe për ngjarjet e 2 prillit të vitit 1991, në Shkodër, njofton ATSH.

Sipas këtij njoftimi të plagosurit e masakrës së Shkodrës, po përgatisin një aktakuzë që së shpejti do t’i kalojë prokurorisë. Në këtë akuzë kërkohet që së bashku me të dënuarit e tjerë për këtë ngjarje të ulen në bankën e të akuzuarve edhe urdhërdhënësit për gjenocidin e ushtruar ndaj popullit të kësaj zone.

Përkujtohet se më 2 prill të vitit 1991 në Shkodër u vranë 4 persona dhe u plagosën 57 të tjerë, shumica e të cilëve edhe sot vuajnë pasojat e plagëve të marra. Gjykata e rrethit për ngjarjet e atëhershme tashmë ka dhënë dënimin për 5 persona të akuzuar për vrasje, por ky vendim ka lënë të pakënaqur njerëzit të cilët duan që përpara drejtësisë të dalin autorët e vërtetë të krimit dhe urdhërdhënësit e tyre.

 

21 nëntor 1996

Në fatkeqësi komunikacioni humbi jetën prof.dr. Xhavit Ahmeti

Nga plagët e marra në një aksident komunikacioni në afërsi të Smederevës, sot në orën 11,30 vdiq prof.dr. Xhavit Ahmeti, këshilltar për arsim i kryetarit të Republikës së Kosovës.

Në aksidentin që ndodhi sot rreth orës 8 në autostradën Nish-Beograd, afër Smederevës, u lënduan rëndë edhe Mr. Fatmir Sejdiu, sekretar i përgjithshëm i LDK-së e Agim Spanca, vozitës në Kryesinë e LDK-së, ndërsa nënkryetari i LDK-së Hydajet Hyseni mori lëndime të lehta.

  1. Hyseni i tha QIK-ut se dr. Xhavit Ahmeti u dërgua me plagë të rënda në spitalin e Neurokirurgjisë në Beograd. Përgjegjësit e këtij spitali thanë se plagët ishin vdekjeprurërse.

Një përgjegjës i spitalit të Smederevës tha se me plagë të rënda në këtë spital gjenden mr. Fatmir Sejdiu dhe Agim Spanca.

Ndërsa Hydajet Hyseni ka marrë lëndime të lehta.

Funksionarët e lartë të LDK-së dhe këshilltari për arsim i kryetarit të Kosovës udhëtonin për në Beograd për të kryer punë në disa ambasada të vendeve perëndimore.

Me vdekjen e prof. dr. Xhavit Ahmetit, shkenca, arsimi dhe lëvizja për pavarësi e Kosovës humbën një prej personaliteteve më të shquara.

 

21 nëntor 1997 

AFP: Franca dhe Gjermania kërkojnë palë të tretë në bisedimet për Kosovën

Prishtinë, 21 nëntor (QIK)

Në një mesazh të përbashkët të enjtën Franca dhe Gjermania kanë ftuar presidentin e Jugosllavisë që të fillojë bisedimet për një status special për Kosovën, ku 9 nga 10 banorët e saj janë shqiptarë etnikë, thuhet në një njoftim të agjencisë frenge AFP, në versionin anglisht.

Në një letër të dërguar, që mbanë datën e të mërkurës (19 nëntor -QIK), e cila i është dërguar presidentit Sllobodan Millosheviq, Ministrat e Punëve të Jashtme të Francës dhe Gjermanisë, Yber Vedren dhe Klaus Kinkel theksojnë se janë të gatshëm të diskutojnë me Millosheviqin për një numër zotimesh të favor të Jugosllavisë.

“As pavarësia për Kosovën e as status quo-ja nuk mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje paqësore dhe afatgjate për Kosovën”, thuhet në letër. Në versionin frengjisht të lajmit citohet pos kësaj fjalie edhe formulimi: “Një zgjidhje e qëndrueshme në nivelin evropian duhet të parashikojë një status të veçantë për Kosovën”.

Parisi dhe Boni kanë kërkuar nga autoritetet jugosllave të fillojnë bisedimet me shumicën shqiptare në Kosovë nën mbikëqyrje të palës së tretë.

“Vetëm një zgjidhje me negociata në mes përfaqësuesve të Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi), Republikës së Serbisë dhe komunitetit shqiptar të Kosovës mund të krijojë themelet për paqë stabile dhe të qëndrueshme në rajon, ndërsa një palë e tretë e pranuar nga palët negociuese do të duhej të mirrte pjesë në bisedime”, theksojnë liderët frengë dhe gjermanë.

Vedren dhe Kinkel do të udhëtojnë për në Bosnje më 4 dhjetor për të diskutuar përgatitjet për një konferencë, e cila to të analizojë rezultatet e marrëveshjes paqësore për Bosnjë të vitit 1995. Ata poashtu kishin planifikuar një vizitë në Serbi për të diskutuar gjendjen në Kosovë, por kjo vizitë është shtyer, thanë ata. Vizita ende qëndron në “orarin e tyre edhe pse është shtyrë për një kohë”, i kanë thënë ata Millosheviqit.

“Franca dhe Gjermania do të ndërmarrin nisma që Unioni Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare do të reagojnë pozitivisht ndaj çdo progresi drejt zgjidhjes paqësore të problemit të Kosovës”, thanë ata.

Në mesin e masave të parapara Vedren dhe Kinkel përmendin hapjen e misionit të UE-së në Prishtinë, kryeqytet i Kosovës, rivendosjen e marrëdhënieve normale diplomatike në mes të UE-së dhe Jugosllavisë, përkrahje përpjekjeve të Jugosllavisë për t’iu bashkuar Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, vazhdimin e marrëveshjes tregtare në mes të UE-së dhe Jugosllavisë dhe përparimin drejt qëllimit afatgjatë të riintegrimit të Jugosllavisë në institucionet ndërkombëtare si dhe ripërtrirjen e bashkëpunimit me UE.

21 nëntor 1998

Forcat serbe mbajtën dje në shtetrrethim fshatin Prejlep të Deçanit

Forca të shumta të ushtrisë dhe të policisë serbe gjatë tërë ditës së djeshme kanë mbajtur nën rrethim fshatin Prejlep të Deçanit për shkak të vrasjes së dy dhe plagosjes së katër policëve serbë në këtë fshat në rrethana ende të pasqaruara, njofton KI i Degës së LDK-së për Deçan.

Me këtë preteskt forca të mëdha serbe rrethuan në fillim tri shtëpitë e familjes Latifaj, të vetmet shtëpi të fshatit Prejlep që kanë mbetur pa u djegur, dhe në prani të anëtarëve të familjes në mënyrë barbare rrahën e torturuan vellezërit Azem dhe Hazir Latifaj që të dy pleq dhe djalin e Azemit, Musliun, 50 vjeçar. Më vonë këta tre persona forcat policore serbe i morën dhe i dërguan në drejtim të panjohur.

Forcat serbe në këto shtëpi kanë rrahur dhe kanë maltretuar edhe gratë dhe vajzat e këtyre familjeve, Zade dhe Gale Latifaj, pastaj vajzat e Azemit Ajmane e Zylfie si dhe dy vogëlushet e tij Shqipen dhe Gentianën.

Mbrëmë në orët e vona, me ndihmën e verifikuesve të Misionit të OSBE-së, janë liruar të gjithë këta persona. Mirëpo për shkak të dhunës së ushtruar nga forcat serbe, gjendja e tyre shëndetësore është e rëndë.

Gjatë ditës së djeshme edhe në disa fshatra janë dëgjuar të shtëna nga automatikët.

Situatën në komunën e Deçanit e ka rënduar tepër edhe bora e cila tash dy ditë po bie pandërprerë, sidomos për ato familje të cilat ishin të zhvendosura në vende të tjera dhe janë kthyer në shtëpitë e tyre të djegura e të rrënuara, thuhet në njoftim.

Foto: Xhavit Ahmeti

Continue Reading

Të kërkuara