Lajmet

​Euronews: Shqipëria vendi i përzgjedhur evropian i gjelbër i muajit

Çfarë projektesh të tjera pozitive mjedisore ka Shqipëria?

Published

on

Krizat e klimës dhe natyrës i kanë futur vendet evropiane në një lloj të ri rivaliteti të shëndetshëm me njëra-tjetrën, sipas Euronews.

Në garën për të arritur emetimet neto zero dhe për të rivendosur ekosistemet e varfëruara, fitorja e çdo vendi është një fitore për të gjithë ne. Por, shikimi i shembujve më pozitivë në kontinent mund të ndihmojë në frymëzimin dhe presionin e politikanëve tanë që të ndjekin shembullin.

Sigurisht që nuk është një fushë loje e barabartë. Nga fushat me diell të Spanjës deri te nxehtësia nëntokësore e Islandës, çdo vend ka burimet e veta natyrore unike. Si dhe kontekstin e tij të veçantë politik dhe ekonomik që mund të ndihmojë ose pengojë veprimin e klimës.

Këtë muaj, ne po festojmë një vend evropian që ka bërë gjënë e duhur për një nga veçoritë e tij më të çmuara natyrore: Shqipërinë.

Shqipëria mbrojti një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës

Më 15 mars, qeveria shqiptare e shpalli lumin Vjosa një park kombëtar, duke e ruajtur atë për brezat që do të vijnë.

Vjosa është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës me rrjedhje të lirë.

Duke u shtrirë nga shpatet e maleve të Pindit të Greqisë deri në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, ky është i pari “park kombëtar i lumit të egër” në kontinent.

“Ndoshta Shqipëria nuk ka fuqinë për të ndryshuar botën, por mund të krijojë modele të suksesshme të mbrojtjes së biodiversitetit dhe pasurive natyrore”, thotë Mirela Kumbaro Furxhi, ministre e Turizmit dhe Mjedisit.

“Qeveria shqiptare ka marrë vendimin e guximshëm për të krijuar një Park Kombëtar prej 12,727 hektarësh, duke përfshirë edhe Vjosën 190 kilometra të gjatë, ku mbi 60,000 banorë kanë jetuar prej shekujsh”, shton ajo.

Statusi i parkut të mbrojtur është një mburojë për mbi 1 000 specie që jetojnë në lumë dhe zonat përreth tij, nga shkabat e rralla dhe ngjalat evropiane, tek lundërzat dhe rrëqebulli i Ballkanit i rrezikuar në mënyrë kritike.

Shqyrtimi i interesave konkurruese njerëzore në lumë nuk ishte detyrë e lehtë. Në një moment u propozuan 45 diga në Vjosë dhe degët e saj. Zhvilluesit kërkuan të shfrytëzonin sa më shumë potencialin e tij hidroenergjetik pasi vendi varet nga ky burim i rinovueshëm.

Pas vitesh fushate nga koalicioni “Save the Blue Heart of Europe”, asnjë digë, nxjerrje zhavorri apo aktivitete të tjera të dëmshme nuk lejohen tani në brigjet e saj.

Fuqia e njerëzve ka qenë gjithashtu një pjesë e madhe e kësaj historie dhe ka çuar në ecuri më pozitive. Në fshatin e vogël jugor të Kutës, banorët e kanalizuan rezistencën e tyre ndaj një hidrocentrali të propozuar në një projekt ambicioz të energjisë diellore, duke vendosur panele në ndërtesat publike.

Tani fshati është në majë të vetëmjaftueshmërisë si komuniteti i parë qytetar energjetik i Shqipërisë.

Çfarë projektesh të tjera pozitive mjedisore ka Shqipëria?

Prodhimi i energjisë në Shqipëri është tashmë 100 për qind i rinovueshëm, por vendi po punon për të diversifikuar burimet e tij pasi mbështetja te uji është shumë e varur nga klima.

“Ne [kemi] një strategji afatgjatë dhe një plan veprimi për të rritur kapacitetin e gjenerimit të burimeve të rinovueshme të energjisë duke instaluar termocentrale të rinj diellorë dhe të erës”, shpjegon Mirela Kumbaro Furxhi.

Shqipëria rishikoi gjithashtu angazhimin e saj të Kontributit të Përcaktuar Kombëtar (NDC) me një ambicie për të reduktuar emetimet e saj tashmë të ulëta të gazeve serrë me 20,9 për qind deri në vitin 2030.

Vendi kërkon të zhvillojë industrinë e tij të turizmit, por në përpjekje për ta bërë këtë në mënyrë të qëndrueshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit janë nën të njëjtën çati, e drejtuar nga një ministre.

“Shqipëria është një vend i vogël që nuk mund ta ndryshojë botën, por ne mund të krijojmë modele”, thotë ministrja.

“Vitin e kaluar kur hyri në fuqi ligji që ndalon prodhimin, importin dhe tregtimin e qeseve plastike njëpërdorimshe, ne ishim të parët në Ballkan që e bëmë këtë. Për botën e madhe, këto mund të jenë ndryshime të vogla, por për ne këto janë revolucione të vërteta”, shton ajo./ATSh.

Lajmet

FBI parandalon plan për sulm ndaj eventit UFC në Shtëpinë e Bardhë, arrestohen 5 persona

Published

on

FBI ka thënë se ka parandaluar një plan për sulm ndaj një eventi të UFC-së që u mbajt në Shtëpinë e Bardhë të dielën dhe ka arrestuar pesë persona të dyshuar për përfshirje në komplot.

Sipas Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, pjesë e planit dyshohej të ishin sulme me dronë të pajisur me eksplozivë ndaj ndërtesave përreth, si dhe sulme me armë ndaj “objektivave me vlerë të lartë”.

Një nga të dyshuarit është arrestuar në Ohio, ndërsa hetuesit kanë analizuar mesazhe të koduara që lidhen me grupin e dyshuar. Autoritetet thonë se të arrestuarit kishin shprehur ide ekstremiste dhe kundër qeverisë.

FBI deklaroi se plani u ndal “në kohë” dhe operacioni u zhvillua në disa shtete të SHBA-së. Të arrestuarit akuzohen për komplot për vrasje dhe rrezikojnë dënim deri në burgim të përjetshëm.

Sipas dokumenteve të gjykatës, grupi dyshohet se kishte diskutuar edhe skenarë për sulme ndaj zyrtarëve të lartë amerikanë, përfshirë presidentin dhe figura të tjera publike.

Hetuesit thonë se komunikimet janë zhvilluar përmes platformave të enkriptuara si Signal dhe përmes rrjeteve sociale, ku grupi dyshohet se ka rekrutuar anëtarë të rinj.

FBI e cilësoi rastin si një “kërcënim serioz”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Burimi: BBC

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Irani: Tërheqja e Izraelit nga Libani kusht për paqe të plotë

Published

on

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se lufta nuk mund të konsiderohet e përfunduar plotësisht pa tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e pushtuara në Liban. Sipas tij, fundi i konfliktit në Liban është pjesë e pandashme e marrëveshjes së përkohshme mes Iranit dhe SHBA-së.

“Pa tërheqjen e forcave izraelite nga territoret që pushtuan gjatë kësaj lufte, lufta nuk ka përfunduar plotësisht”, ka deklaruar Araghchi.

Megjithatë, kjo kërkesë është kundërshtuar nga Izraeli. Zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se marrëveshja e arritur ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit nuk përfshin kushtin për tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Libani.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se forcat izraelite do të qëndrojnë në Liban për aq kohë sa do të konsiderohet e nevojshme.

Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit, e cila ende nuk është publikuar zyrtarisht, pritet të nënshkruhet të premten në Zvicër dhe synon vendosjen e një armëpushimi më të gjerë, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave 60-ditore për programin bërthamor iranian dhe lehtësimin e sanksioneve.

Konflikti në Liban mbetet një nga çështjet më të ndërlikuara të marrëveshjes, ndërsa palët vazhdojnë të japin interpretime të ndryshme për përmbajtjen e saj.

Burimi: Reuters.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Përditësohen rezultatet: LVV-ja shkon në 53 ulëse, LDK-ja bie në 18

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar rezultatet e partive politike teksa po vazhdon numërimi i votave të ardhura me postë nga diaspora.

Sipas të dhënave më të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur në 53 ulëse të siguruara në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 18 ulëse.

Partia Demokratike e Kosovës ka ruajtur 22 ulëset që kishte më parë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdon të ketë 7 ulëse.

KQZ-ja ka bërë të ditur se deri në mesditën e së mërkurës pritet të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga votimi jashtë Kosovës përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se deri në fund të ditës do të procedohen për numërim 216 nga gjithsej 223 kuti votimi me vota të diasporës, ndërsa shtatë kutitë e mbetura do të numërohen gjatë orëve të paradites së të mërkurës.

Paralelisht, KQZ-ja do të nisë edhe numërimin e votave me kusht, ku janë evidentuar 8,751 votues në 52 vendvotime në mbarë vendin. Gjithashtu, do të fillojë edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta.

Me këto procese, numërimi i rezultateve zgjedhore po hyn në fazën përmbyllëse.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

KQZ drejt përmbylljes së numërimit të votave nga diaspora, nis numërimi i votave me kusht

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri sot në mesditë pritet të përfundojë numërimi i të gjitha fletëvotimeve të ardhura nga votimi jashtë Kosovës përmes postës.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, shtatë kutitë e fundit me vota nga diaspora pritet të numërohen gjatë orëve të paradites së të mërkurës, duke shënuar përfundimin e një prej fazave kryesore të procesit zgjedhor.

Ndërkohë, KQZ-ja do të nisë edhe numërimin e votave me kusht, proces i cili është zhvilluar në 52 vendvotime në të gjithë vendin. Në këtë kategori janë regjistruar gjithsej 8,751 votues.

Po ashtu, do të fillojë edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta.

Me përfundimin e numërimit të votave nga diaspora dhe nisjen e trajtimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, procesi i numërimit të rezultateve zgjedhore po hyn në fazën përmbyllëse.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara