Lajmet

​Begaj për situatën në veri: Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës

Ai ka theksuar se asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Published

on

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dënuar sulmin e protestuesve serbë ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR-it. Ai ka thënë se askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike.

Begaj ka theksuar se asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

“Dënoj ashpër keqpërdorimin e popullsisë serbe të Veriut të Kosovës dhe dhunën e papranueshme ndaj trupave paqeruajtëse të KFOR në Kosovë. Asnjë pretekst nuk mund të përdoret për të penguar zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, që tregon rrugën e duhur të zgjidhjes së problemeve të hapura dhe të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Askush nuk mund të vërë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës, si dhe të drejtën e saj për të ndërtuar e konsoliduar institucionet demokratike dhe multietnike”, ka shkruar Begaj.

Ai ka përsëritur thirrjen për më shumë durim e maturi për autoritetet e Kosovës dhe sidomos koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.

Dje (e hënë), protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Lajmet

Mali i Zi, regjimi i vizave rrezikon integrimin evropian

Published

on

Komisioni Evropian ka paralajmëruar Malin e Zi se mund të humbasë fonde nga Plani i Rritjes nëse nuk tërheq vendimet për ndryshimet në regjimin e vizave për vendet e treta deri në fund të shkurtit 2025. Ky paralajmërim erdhi pas faktit që Mali i Zi shtoi Bahrein në regjimin pa viza dhe ndryshoi statusin e Arabisë Saudite nga vizë sezonale në të përhershme. Për të përmbushur hapat e Agjendës së Reformës, Mali i Zi duhet të heqë dy vende nga regjimi i tij pa viza.

Qeveria e Malit të Zi ka mbrojtur vendimin e saj, duke theksuar se ky hap është në interes të zhvillimit ekonomik, veçanërisht për turizmin dhe investimet, dhe ka premtuar të punojë me BE-në për të gjetur zgjidhje që balancojnë interesat ekonomike dhe detyrimet për integrimin evropian.

Opozita e ka parë këtë veprim si një kërcënim për integrimin evropian të Malit të Zi, duke akuzuar partitë në pushtet për shkatërrimin e institucioneve shtetërore dhe sistemit të sigurisë.

Përveç kësaj, grupi studentor “Kamo Sjutra” ka ngritur padi për shpifje kundër Partisë Demokratike të Malit të Zi, duke akuzuar zyrtarët e partisë për akuzat të pavërteta ndaj organizatorëve të protestës studentore. Protestat vazhdojnë, me kërkesa për dorëheqjen e drejtuesve të sektorit të sigurisë pas një masakre në Cetinë, që la 13 të vdekur dhe 3 të plagosur. Protestat gëzojnë mbështetje të gjerë nga publiku i cili është i shqetësuar për ngadalësinë e reformave të policisë dhe problemet e tjera të brendshme të qeverisë./UBTNews/

Continue Reading

Aktualitet

​Ndahet nga jeta Bajram Qerkini nga shoqata e të pagjeturve

Published

on

Është ndarë nga jeta kryetari i Shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini. Qerkini vdiq pas një sëmundje që e mbajti shtrirë që disa muaj. Kështu është bërë me dije nga familjët e tij.

Varrimi i tij do të bëhet ditën e martë, më 25 shkurt 2025, në orën 12:00, në varrezat e qytetit në Shipol të Mitrovicës.

“Sot i mbylle sytë për të kaluar në amshim. Vdekja të mori dhe të ngjiti në Olimpin e njerëzve që lanë gjurmë për këtë vend. Vërtet, të Zotit jemi dhe vetëm tek Ai është kthimi. Ti sot shkove te Lartmadhëria e Tij. Sëmundja që të mbajti shtrirë tash e tre muaj ishte pushimi për një jetë plot sakrifica dhe brenga.

Sot, u bashkohesh Babës Zenel dhe Babës Sadik, të cilët ndërruan jetë pa e ditur fatin e baballarëve të tyre. Ti shkove me boshllëkun për Reshatin. Njëzet e pesë vite përpjekje për të ditur fatin e djalit dhe të personave të tjerë të pagjetur nga lufta në Kosovë. Njëzet e pesë vite me veshin dhe syrin hapur, duke pritur një lajm për ta. I mbylle sytë dhe veshët sot, pa e marrë atë lajm”, thuhet në njoftimin e familjarëve.

Për rreth 25 vite Qerkini është përpjekur për të ditur fatin e djalit të tij dhe të personave të tjerë të pagjetur nga lufta në Kosovë.

Continue Reading

Bota

Ish-udhëheqësi i Hezbollah do të varroset të dielën

Published

on

Hezbollah ka njoftuar se ish-udhëheqësi i tij, Hasa Nasrallah, do të varroset të dielën pas pesë muajsh që nga vdekja e tij. Nasrallah humbi jetën më 27 shtator 2024, në një sulm ajror të kryer nga Izraeli, ndërkohë që ai ishte duke u takuar me komandantët e lëvizjes Hezbollah.

Nasrallah, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin dhe drejtimin e Hezbollah, është konsideruar një nga liderët më të respektuar të botës arabe, për shkak të ndikimit të madh që ka pasur në rajon dhe përpjekjeve të tij për të krijuar një lëvizje ushtarake islamike me përmasa globale. Kjo ngjarje ka tronditur shumë komunitete, veçanërisht në Lindjen e Mesme.

Të dielën, pas pesë muajsh, trupi i tij do të varroset në një ceremoni të pritur me shumë vëmendje, që pritet të tërheqë vëmendjen e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë nga e gjithë bota arabe.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet ish-kryetarja e Nishit, Dragana Sotirovski

Published

on

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar arrestimin e katër personave, përfshirë ish-kryetaren e Nishit, Dragana Sotirovski, dhe ish-komandantin e Shtabit të Situatave Emergjente të qytetit, nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Nishit.

Sipas njoftimit të MPB-së, dyshimet lidhen me një dëm të vlerësuar prej 460 milionë dinarësh (afro katër milionë euro), i cili është shkaktuar përmes angazhimit të kompanive të caktuara për punime ndërtimore. Gjatë kontrollit të zhvilluar nga policia, janë sekuestruar 11 automjete, si dhe një sërë mjetesh të tjera, duke përfshirë kamionë dhe makineri pune që dyshohet të kenë lidhje me veprimtarinë kriminale.

Sotirovski, gjatë periudhës nga 16 marsi 2022 deri më 9 korrik 2024, ka angazhuar dy kompani, “DN PR” dhe “Sim puk gradnja”, për kryerjen e punëve ndërtimore në qytetin e Nishit, duke shkelur ligjin dhe rregulloret për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe menaxhimin e emergjencave.

Dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe do të dërgohen në prokurorinë kompetente me kallëzim penal.

Ish-kryetarja e Nishit, Sotirovski, ka shërbyer në këtë post nga viti 2020 deri në vitin 2024. Para arrestimit, u raportua se ajo ishte në shënjestër të hetimeve, megjithatë ajo e ka mohuar çdo akuzë./UBTNews/

Continue Reading

Të kërkuara