Lajmet

Zelensky shpalos “planin e fitores” gjatë takimit me Bidenin

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, priti presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator, pasi njoftoi për ndihma ushtarake për Kievin në vlerë prej mbi 8 miliardë dollarë, duke këmbëngulur përsëri se Rusia “nuk do të triumfojë” në pushtimin e saj të Ukrainës.

Zelensky i prezantoi Bidenit atë që ai e ka quajtur “planin e fitores” dhe përsëri kërkoi që Shtetet e Bashkuara të heqin kufizimet për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi, që i ka ofruar Kievit, për të goditur thellë brenda Rusisë për të shënjestruar objektivat ushtarake.

“Rusia nuk do të triumfojë. Ukraina do të triumfojë, dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush në çdo hap të rrugës”, tha Biden ndërsa priti Zelenskyn në Zyrën Ovale dhe pasi e falënderojë për paraqitjen e planit.

“Ne e vlerësojmë thellësisht që Ukraina dhe Amerika kanë qëndruar krah për krah”, tha Zelensky, i veshur me një uniformë të stilit ushtarak ngjyrë jeshile të errët.

Zelensky u takua gjithashtu me nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten e Partisë Demokratike për presidente, më vonë në Shtëpinë e Bardhë dhe ndau me të “planin e tij të fitores”.

Harris i tha Zelenskyt se mbështetja e saj për popullin e Ukrainës ishte e palëkundur.

“Populli ukrainas po mbron me guxim shtëpitë dhe atdheun e tyre, lirinë dhe demokracinë e tyre kundër një diktatori brutal”, tha Harris në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo gjithashtu tha se thirrjet për Ukrainën që t’i japë territor Rusisë ishin “të rrezikshme dhe të papranueshme”. Ajo shtoi se sugjerimet e kandidatit republikan Donald Trump dhe kanditatit të tij për nënpresident, senatorit J.D. Vance, që Ukraina të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, nuk ishin propozime për paqe, por “propozime për dorëzim”.

Trump ka thënë se Ukraina duhet të kishte bërë lëshime ndaj Putinit në muajt para pushtimit të Rusisë. Në një tubim elektoral në Karolinën e Veriut më 25 shtator, ai tha: “Çdo marrëveshje – marrëveshja më e keqe – do të kishte qenë më e mirë se ajo që kemi tani”.

Më herët më 26 shtator, Biden njoftoi për paketën e ndihmës usharake në vlerë mbi 8 miliardë dollarë dhe përsëriti se Shtetet e Bashkuara do t’i “ofrojnë Ukrainës mbështetjen që i nevojitet për të fituar këtë luftë”.

“Përmes këtyre veprimeve, mesazhi im është i qartë: SHBA-ja do t’i japë Ukrainës mbështetjen që i duhet për ta fituar këtë luftë”, tha Biden përmes një deklarate.

Paketa përfshin për herë të parë një sistem, që është një bombë precize rrëshqitëse me rreze prej 130 kilometrash, e që lëshohet nga një avion luftarak. Po ashtu, në paketë përfshihen bateri shtesë të sistemeve Patriot dhe raketa AMRAAM.

Biden, që përfundon mandatin në janar, tha se trajnimi i pilotëve ukrainas për avionët F-16 do të zgjerohet, përfshirë trajnimi i 18 pilotëve shtesë vitin e ardhshëm.

Ai tha se Uashingtoni dhe partnerët e tij po ndërmarrin hapa për të penguar rrjetin e kriptovalutave që po përdoret nga Rusia për të shmangur sanksionet dhe për të shpërlarë para, por nuk elaboroi më shumë.

Biden po ashtu njoftoi se muajin e ardhshëm do të mbahet në Gjermani Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, që përbëhet nga më shumë se 50 shtete. Ai tha se mbledhja do të përqendrohet për të koordinuar më mirë përpjekjet për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Zelensky përmes një postimi në X e falënderoi Bidenin për paketën e re të ndihmës.

Zelensky po kërkon të sigurojë mbështetje për përpjekjet e tij të luftës para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku përballen Harris dhe ish-presidenti Donald Trump. Një takim midis Trump dhe presidentit ukrainas pritej të shtohej në agjendën e Zelenskit, por mbetet e paqartë nëse do të ndodhë.

Trump bëri deklarata provokuese për Ukrainën në një tubim elektoral më 25 shtator, duke thënë se ajo kishte marrë miliarda dollarë nga Uashingtoni, ndërsa në të njëjtën kohë refuzonte të “bënte një marrëveshje” për t’i dhënë fund luftës.

Shtetet e Bashkuara, mbështetësi kryesor i Ukrainës, dhe aleatët perëndimorë i kanë dhënë Kievit miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ndihmë të tjera, ndërkohë që kanë vendosur disa runde sanksionesh ndaj Moskës.

Pak detaje janë të njohura rreth “planit të ashtuquajtur të fitores” të përgatitur nga Zelensky, i cili ka qenë në një mision intensiv diplomatik që kur mbërriti në SHBA për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë javë.

Zelensky ka thënë se plani do të jetë një “urë” drejt përfundimit të konfliktit, ndërsa raportimer e mediave kanë thënë se ai do të kërkojë mbështetje të shtuar ushtarake dhe financiare nga SHBA-ja, garanci të sigurisë, si dhe sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë.

Personat afër Zelenskyt kanë thënë se garancia kryesore e sigurisë që Kievi po kërkon është anëtarësimi në NATO, një kërkesë e kahershme që është pritur me skepticizëm nga SHBA-ja dhe aleatët e saj.

Zelensky gjithashtu ka treguar se do të kërkojë përsëri leje për të përdorur raketa me rreze të gjatë për të goditur objektivat ushtarake thellë brenda Rusisë, me qëllim parandalimin e sulmeve ndaj qyteteve dhe infrastrukturës së Ukrainës, një hap për të cilin aleatët e Ukrainës janë të ndarë.

Shtëpia e Bardhë ka minimizuar shpresat e Ukrainës se vizita e Zelenskyt do të arrijë këtë qëllim.

“Nuk pres që të ketë ndonjë njoftim të ri për këtë veprim të veçantë apo një vendim që do të dalë nga ky takim”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

SHBA-ja, mbështetësja kryesore e Ukrainës, dhe aleatët perëndimorë i kanë dhënë Kievit ndihma ushtarake në vlerë prej miliarda dollarësh dhe kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve kundër Moskës, që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 2022./REL

Vendi

Sejdiu: Jam tërhequr nga gara për president

Published

on

By

Ish-gjygjtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, ka mohuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti se ai vazhdon të jetë kandidat për pozitën e kreut të shtetit.

Në një deklaratë për gazetën “Infokus”, Sejdiu konfirmoi se është tërhequr përfundimisht nga gara për president dhe se për këtë vendim i ka njoftuar krerët e subjekteve politike.

“I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin, jam tërhequr nga gara”, ka thënë Sejdiu.

Pavarësisht këtij qëndrimi, Kryeministri Kurti gjatë konferencës për media e paraqiti kandidaturën e Sejdiut si akt të kryer dhe i kërkoi PDK-së gjysmën e votave për ta mbështetur atë. Kurti u shpreh i bindur se Sejdiu do të pranojë të rikthehet në garë “për ta shpëtuar Kosovën nga zgjedhjet e jashtëzakonshme” përpara skadimit të afatit të mesnatës.

Continue Reading

Lajmet

Kurti kërkon votat e PDK-së për Sejdiun në këmbim të Speciales

Published

on

By

Në orët e fundit para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit, Kryeministri Albin Kurti i ka bërë një ofertë publike Partisë Demokratike të Kosovës për kalimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale.

Kurti deklaroi se nëse PDK-ja zotohet se do t’ia sigurojë të paktën gjysmën e votave të grupit të saj parlamentar (minimumi 11 nga 22 deputetë) për kandidaturën e Bekim Sejdiut si president të ri të Kosovës gjatë seancës së sotme, ai do të garantojë 62 vota nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e koalicionit për miratimin e amandamenteve ligjore për Dhomat e Specializuara.

Kjo lëvizje e minutave të fundit synon të shmangë shpërndarjen e automatshme të Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare nëse pozita e presidentit mbetet e pazgjedhur deri në mesnatë. Kurti tha në konferencë se Sejdiu mbetet kandidat dhe se i nevojiten gjysma e votave të PDK-së për ta siguruar praninë e nevojshme e të paktën 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende për zgjedhjen e tij në ditën e fundit të afatit kushtetues për emërimin e presidentit të ri.

Ai tha se tani pret përgjigje nga PDK-ja, meqë partia opozitare “nuk po dëshiron të takohet më me ne”.

Paraprakisht, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk takohet me Kurtin dhe askënd për asgjë ka kaluar ndryshimet për ligjin i cili synon t’ia kufizojë kompetencat Gjykatës Speciale.

 

Continue Reading

Vendi

Kurti: Zgjedhja e presidentit është emergjente, moszgjedhja na pamundëson mbrojtjen e krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të ri është një çështje emergjente, pa të cilën Kosova nuk do të mund t’iu ndihmojë katër ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelimit të dënimit të tyre nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kurti theksoi se vendi ka nevojë të menjëhershme për një strategji shtetërore e kombëtare, e cila duhet të trajohet gjatë këtij muaji dhe jo vitin e ardhshëm. Sipas tij, nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet presidenti, Kosova rrezikon të mbetet me muaj të tërë pa institucione funksionale për shkak të shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Moszgjedhja e Presidentit na çon drejtpërdrejt në zgjedhje. Por jo vetëm kjo, ajo na kufizon edhe mundësinë që të merremi me strategjinë shtetërore dhe me çështjen e apelit. Pa President, Kosova rrezikon të mbetet pa institucione funksionale”, u shpreh Kurti. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

PDK kërkon nënshkrimet e opozitës dhe shumicës për seancë të jashtëzakonshme për Specialen

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, me qëllim votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Gjatë një konference për media, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, bëri të ditur se deri më tani janë siguruar 29 nënshkrime – 22 nga grupi parlamentar i PDK-së dhe 7 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme sipas Rregullores së Kuvendit nevojiten së paku 40 nënshkrime.

Hamza konfirmoi se i kanë dërguar ftesë zyrtare kryetares së Kuvendit dhe u kanë kërkuar mbështetje me nënshkrime deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje si dhe komuniteteve joshumicë joserbe.

“PDK-ja po pret dhe po kërkon që të thirret seanca në mënyrë që të aprovohet Ligji për Dhomat e Specializuara. Iu kemi dërguar ftesë të gjithë deputetëve të VV-së, LDK-së dhe komuniteteve joshumicë joserbe që të na japin nënshkrimet, meqë kërkojmë me ngulm që ky ligj të miratohet”, deklaroi Hamza. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara