Lajmet

Vuçiq në panik: Ukraina do të humbë gjithçka nëse e njeh Kosovën

Ai pretendon se Ukraina do ta humbte plotësisht besueshmërinë e vet politike brenda ditës.

Published

on

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Ukraina “do të humbë brenda ditës gjithçka që ka në dorë”, nëse e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ai pretendon se Ukraina do ta humbte plotësisht besueshmërinë e vet politike brenda ditës.

“Pas kësaj, si mund të thotë Ukraina se i përmbahet ligjit ndërkombëtar? Jam i bindur se [presidenti i Ukrainës Volodymyr] Zelensky nuk do ta hedhë këtë aty”, tha Vuçiq më 8 gusht, shkruan rel.

Ukraina është duke u përballur me një agresion rus që nga shkurti 2022, kur Moska e nisi pushtimin e saj. Në vitin 2014, Rusia e aneksoi gadishullin ukrainas, Krimenë.

Ndonëse nuk ka vendosur sanksione ndaj agresionit rus atje, ai shtoi se Ukraina është mike e Serbisë, dhe se nuk ka telashe në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vuçiqi i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, ku iu përgjigjën pyetjeve rreth një letre të deputetëve nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkuan masa më të rrepta ndaj Serbisë.

Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia dërguan një letër zyrtarëve të lartë të BE-së dhe Uashingtonit, duke iu kërkuar ta ndryshonin qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Beogradi dhe Prishtina janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve.

Vuçiq tha se letra e deputetëve evropianë dhe amerikanë “nuk është kundër meje, por kundër Serbisë.”

“Unë jam krenar që Alicia Kearns dhe Bob Menendez më sulmojnë mua, por jam krenar edhe kur e shoh se emrat që ishin më parë nuk janë më aty”, shtoi Vuçiq.

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, tha të martën se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.

“Qëndrimi i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën e ambasadorit Tolkach.

Por, Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.

Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Ukraina, si vend demokratik i cili e respekton lirinë e fjalës, nuk mund ta kufizojë shprehjen e mendimit të politikanëve të tjerë, të rrethit profesional apo publikut”, theksoi ai.

lajme

Profesorët e UBT-së publikojnë studim ndërkombëtar mbi ndotjen me metale të rënda në ujërat nëntokësore të Kosovës

Published

on

By

Profesorët e UBT-së, Prof. Dr. Hazir S. Çadraku, Prof. Dr. Pajtim Bytyqi dhe Prof. Dr. Osman Fetoshi, në bashkëpunim me studiues nga universitete të vendeve të rajonit, Bashkimit Evropian dhe institucione të tjera ndërkombëtare, kanë publikuar studimin shkencor me titull “Seasonal and Spatial Assessment of Heavy Metal Contamination in Groundwater in the Republic of Kosovo” në revistën prestigjioze ndërkombëtare Limnological Review (MDPI).

Ky publikim paraqet një kontribut të rëndësishëm në fushën e shkencave mjedisore, duke analizuar shpërndarjen hapësinore dhe sezonale të metaleve të rënda në ujërat nëntokësore të Republikës së Kosovës. Studimi ofron të dhëna të rëndësishme shkencore për vlerësimin e cilësisë së ujërave nëntokësore, identifikimin e burimeve potenciale të ndotjes dhe mbështetjen e politikave për mbrojtjen e burimeve ujore dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Punimi është rezultat i një bashkëpunimi të gjerë ndërkombëtar mes studiuesve nga rajoni, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera të botës, duke dëshmuar edhe një herë angazhimin e profesorëve të UBT-së në kërkimin shkencor dhe pjesëmarrjen aktive në projekte me ndikim ndërkombëtar.

Ky sukses përfaqëson një tjetër arritje të rëndësishme të stafit akademik të UBT-së në promovimin e ekselencës në kërkim shkencor dhe forcimin e bashkëpunimit me komunitetin akademik ndërkombëtar.

Punimi i plotë mund të lexohet në lidhjet e mëposhtme: Website

Continue Reading

Rajoni

Akademia Verore e Psikologjisë fillon me fokus në shëndetin mendor dhe zhvillimin profesional

Published

on

By

Akademia Verore e Fakultetit të Psikologjisë nisi me sukses aktivitetet e saj akademike dhe praktike, duke ofruar ligjërata dhe punëtori (workshop-e) interaktive të fokusuara në promovimin e shëndetit mendor dhe zhvillimin e kompetencave profesionale të studentëve.

Në kuadër të aktiviteteve të ditës së parë, PhD cand. Anita Sadikaj mbajti një ligjëratë me temën “Shëndeti mendor si prioritet për mirëqenien psikologjike, sociale dhe komunitare”, gjatë së cilës u trajtua rëndësia e promovimit dhe ruajtjes së shëndetit mendor si një komponent kyç për mirëqenien individuale dhe zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme.

Gjithashtu, specialistja e psikologjisë klinike Fatime Sahiti Bekteshi zhvilloi një punëtori interaktive mbi terapinë me rërë (Sandplay Therapy), ku prezantoi rëndësinë e kësaj metode terapeutike në shprehjen e emocioneve, vetërregullimin, përpunimin e përvojave traumatike dhe lehtësimin e zgjidhjes së konflikteve të brendshme.

Dita e parë e Akademisë Verore u karakterizua nga pjesëmarrja aktive e studentëve, diskutime frytdhënëse dhe ushtrime praktike, duke krijuar një atmosferë bashkëpunimi, reflektimi dhe mësimi interaktiv.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT dhe Fakulteti i Psikologjisë vazhdojnë të ofrojnë mundësi për zhvillim profesional dhe praktik, duke i pajisur studentët me njohuri bashkëkohore dhe aftësi të nevojshme për praktikën psikologjike dhe promovimin e mirëqenies mendore.

Continue Reading

lajme

Akademia Verore e Fakultetit të Sistemeve të Informacionit në UBT sjell në fokus transformimin digjital në industrinë e pijeve

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve të Akademisë Verore të Fakultetit të Sistemeve të Informacionit, e organizuar në kuadër të Global UBT Fest 2026, studentët morën pjesë në ligjëratën me temën “Transformimi Digjital në Industrinë e Pijeve: Sistemet e Informacionit, Analitika e Shitjes dhe Menaxhimi i Brendeve”, të mbajtur nga Dr. Shqipërim Jashari, Menaxher i Marketingut në kompaninë Royal Beverage.

Përmes prezantimit të rasteve konkrete nga industria, pjesëmarrësit u njohën me mënyrën se si sistemet e informacionit mbështesin proceset e prodhimit, analizën e shitjeve, gjurmueshmërinë e produkteve (LOT Traceability), menaxhimin e brendeve dhe vendimmarrjen strategjike të bazuar në analiza të avancuara të të dhënave.

Gjatë ligjëratës u diskutua edhe rëndësia që transformimi digjital ka për kompanitë moderne, duke u theksuar se përdorimi i teknologjive të avancuara dhe i sistemeve inteligjente të informacionit është shndërruar në një faktor kyç për rritjen e efikasitetit, konkurrueshmërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të bizneseve.

Ky aktivitet u ofroi studentëve mundësinë të lidhin njohuritë akademike me praktikat reale të industrisë, duke krijuar një urë bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe sektorit privat. Diskutimet interaktive dhe shembujt praktikë kontribuan në zgjerimin e njohurive të tyre mbi rolin gjithnjë e më të madh të sistemeve të informacionit në transformimin digjital të bizneseve.

Akademia Verore e Fakultetit të Sistemeve të Informacionit vazhdon të sjellë aktivitete që fuqizojnë kompetencat profesionale të studentëve dhe promovojnë bashkëpunimin me industrinë, duke i përgatitur ata për sfidat dhe kërkesat e tregut bashkëkohor të teknologjisë dhe inovacionit.

Continue Reading

Lajmet

Fakulteti i Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë hapi punimet e Akademisë Verore me fokus shkencën moderne, inovacionin dhe praktikën klinike

Published

on

By

Fakulteti i Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT ka hapur punimet e Akademisë Verore, me temën “Shkenca moderne, inovacioni dhe praktika klinike në funksion të së ardhmes së shëndetësisë”.

Në hapje të këtij aktiviteti, dekani i Fakultetit, Prof. Dr. Fisnik Laha, theksoi se e ardhmja e shëndetësisë nuk ndërtohet vetëm duke mësuar atë që tashmë dihet, por duke krijuar hapësirë që studentët, studiuesit dhe profesionistët të sfidojnë kufijtë e dijes. Ai shtoi se UBT po ndërton pikërisht urën që lidh shkencën moderne me diagnostikën, praktikën laboratorike dhe nevojat reale të pacientëve.

Ky aktivitet katërditor përfaqëson një platformë të integruar akademike dhe profesionale, e cila bashkon ekspertizën klinike, kërkimin shkencor, teknologjitë e reja, inteligjencën artificiale, gjenetikën molekulare dhe praktikën intensive laboratorike. Programi është konceptuar në mënyrë që pjesëmarrësit të kalojnë nga bazat e diagnostikës dhe analiza e rasteve klinike, drejt biologjisë së së ardhmes, teknologjive inovative dhe zbatimit praktik të njohurive në avancimet më të fundit shkencore.

Programi katërditor përfshin tema që shtrihen nga biokimia e organizmave me bazë silikoni dhe sistemet alternative biologjike, deri te përdorimi i modeleve të mësimit të thellë (deep learning) për parashikimin e gjenomeve minimale, ndikimi i ndotjes së ajrit në parametrat fiziologjikë, si dhe editimi i gjeneve dhe aplikimet e tij në mjekësinë moderne.

Shkolla Verore e këtij viti ka bërë bashkë profesorë dhe studiues të UBT-së, profesionistë nga klinikat publike të QKUK-së, ekspertë të biokimisë, neonatologjisë, ekologjisë dhe biologjisë molekulare, si dhe ligjërues e hulumtues të njohur ndërkombëtarë, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet akademisë dhe praktikës profesionale.

Përmes një programi që ndërthur shkencën, praktikën klinike, teknologjinë, laboratorin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, Fakulteti i Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë në UBT konfirmon edhe një herë përkushtimin e tij për ofrimin e arsimit bashkëkohor, zhvillimin e kërkimit shkencor me ndikim dhe përgatitjen e profesionistëve të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes së shëndetësisë.

 

Continue Reading

Të kërkuara