Lajmet

Serbia mohon se ka përdorur top zanor, e gatshme për hetime nga FBI dhe FSB

Published

on

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Ushtria e Serbisë dhe Njësia e Policisë Ushtarake “Kobrat” nuk kanë top zanor, për të cilin disa pretendojnë se është përdorur në protestën e së shtunës në Beograd.

Ndërkaq, kryeministri serb në largim, Millosh Vuçeviq, tha se ekzekutivi është i gatshëm të ftojë për hetime Byronë Federale amerikane të Hetimit (FBI) dhe Shërbimin Federal rus të Sigurisë (FSB).

“Jemi të gatshëm që menjëherë të ftojmë amerikanët dhe rusët”, tha Vuçeviq në një konferencë për media në Qeverinë serbe.

Presidenti Vuçiq paralajmëroi se brenda 48 orëve do të përfundojë hetimi për ata që, sipas tij, kanë shpërndarë gënjeshtra rreth kësaj çështjeje.

“Hetimi do të përfundojë plotësisht brenda 48 orëve dhe më pas të gjithë përgjegjësit për këto trillime dhe gënjeshtra do të dalin përpara drejtësisë”, tha Vuçiq përmes një video-mesazhi të publikuar në Instagram.

Ai pretendoi se topi zanor nuk ishte në rrugë, sepse, siç tha ai, “nuk mund të mos e shihni, nuk mund të mos e dëgjoni”. Edhe Vuçeviq tha se përdorimi i topave zanor është “histori e trilluar”, duke shtuar se nuk janë përdorur armë të tilla.

Vuçiq theksoi se disa persona gabimisht menduan se pjesëtarët e njësisë “Kobrat”, që ishin mbi ndërtesën e Presidencës po mbanin këtë armë, por që në të vërtetë, sipas tij, bëhej fjalë për një pushkë antidron.

Presidenti serb pretendoi gjithashtu se ditën e protestës askush nuk është ankuar për gjendje të keqe shëndetësore apo për përkeqësim të saj, por se “të nesërmen i dërguan aktivistët e tyre”.

Ai vlerësoi se histori të ngjashme ishin shpërndarë edhe gjatë protestave në Ukrainë, që çuan në rrëzimin e presidentit prorus, Viktor Yanukovich.

“E mbani mend akuzat se Yanukovich kishte futur snajperistë që qëllonin mbi popullin… Ja, ashtu filluan edhe këtu”, tha Vuçiq.

KE kërkon hetim transparent

Komisioni Evropian tha se ka parë raportime për përdorimin e supozuar të topave zanorë apo armëve të ngjashme ndaj protestuesve paqësorë në Serbi dhe u ka bërë thirrje autoriteteve serbe që të hetojnë plotësisht këto pretendime, tha zëdhënësi Guillaume Mercier.

“Ne presim një hetim të shpejtë, transparent dhe të besueshëm për këto pretendime dhe kujtojmë që sipas Ligjit për të drejtat e njeriut i Bashkimit Evropian, autoritetet duhet të mbrojnë të gjithë pjesëmarrësit në protestë nga lëndimet dhe dhuna”, Mercier.

Ai shtoi se BE-ja po monitoron nga afër situatën dhe “protestat në Serbi, ku njerëzit po kërkojnë sundim të ligjit dhe institucione të forta demokratike dhe llogaridhënie”.

KE-ja po ashtu konfirmoi se pret që javën e ardhshme, Vuçiq të shkojë në Bruksel për t’u takuar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Çfarë pretendojnë protestuesit?

Në video-incizimet e publikuara në rrjetet sociale, shihen qytetarë të mbledhur në protestën e së shtunës pranë Sheshit Slavija, që po protestojnë për muaj të tërë për shkak të vdekjes së 15 personave nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad, që largohen pasi dërguan një zhurmë.

Ngjarja shkaktoi panik mes qytetarëve dhe për momentin nuk ka informacione zyrtare mbi atë që shkaktoi një reagim të tillë të turmës.

Studentët protestues, që e organizuan protestën e 15 marsit duke kërkuar se duhet të përcaktohet përgjegjësia për ngjarjen në Novi Sad, akuzuan autoritetet se kanë përdorur top zanor teksa protestuesit po mbanin 15 minuta heshtje për 15 të vdekurit.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes më herët po ashtu mohuan përdorimin e topit zanor në protestën e 15 marsit.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka urdhëruar Prokurorinë Themelore Publike të hapë çështje dhe të identifikojë personat që kanë shpërndarë në publik informacione se qendra emergjente të shtunën ka pranuar dhjetëra qytetarë me shqetësime që mund të jenë shkaktuar nga ndikimi i të ashtuquajturit top zanor.

Në deklaratën e Prokurorisë së Lartë të Beogradit u tha se ata kanë reaguar pasi qendra emergjente e Qendrës Klinike Universitare të Serbisë i ka mohuar këto pretendime që qarkulluan në rrjetet sociale.

Organizata joqeveritare Qendra e Beogradit për të Drejtat e Njeriut njoftoi më 16 mars se një numër i madh qytetarësh i ishte drejtuar atyre duke raportuar se kishin ndjerë efektet e topit zanor gjatë protestës të së shtunës.

Gjithashtu, kjo OJQ tha se qytetarët ndjenë një valë të fortë të nxehtësisë, një zhurmë dhe diçka që i ngjante një tingulli avioni ose makine që lëviz me shpejtësi të madhe, dhe më pas “si një erë që i lëvizte dhe i rrëzonte, si të kishte kaluar një raketë”.

Partia opozitare Liria dhe Drejtësia njoftoi më 17 mars se kishte dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë për Krim të Organizuar kundër funksionarëve përgjegjës të emëruar nga Kuvendi i Serbisë, presidenti i Serbisë dhe Qeveria, si dhe ekzekutuesve të tyre, për, siç pretendojnë, përdorimin e paligjshëm të armës zanore kundër qytetarëve të qetë gjatë protestës së së shtunës në Beograd.

Edhe Partia opozitare Demokratike ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë për Krim të Organizuar kundër personave të panjohur, duke dyshuar se në protestën studentore të së shtunës është “aktivizuar topi zanor”, përdorimi i të cilit nuk është i rregulluar me ligjet e Serbisë./REL/

Live

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Aktualitet

Nagavci njofton shqyrtimin e katër marrëveshjeve ndërkombëtare dhe diskutimet me PDK-në për Ligjin për Specialen

Published

on

By

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet të enjten duke filluar nga ora 10:00, ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohen edhe katër marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e drejtësisë.

Nagavci ka folur gjithashtu për kthimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend nga ana e Presidentes, duke konfirmuar se janë në bisedime me Partinë Demokratike të Kosovës si iniciuese e këtij projektligji për të gjetur një rrugëdalje institucionalisht të matur.

Ajo për këtë çështje theksoi se synohet shmangia e çfarëdo përplasjeje të re mes presidencës dhe parlamentit, ndërsa vuri në dukje kufizimet ligjore që ekzistojnë sa i përket amandamentimit:

“Ne jemi dëshmitarë se presidentja e ka kthyer projektligjin. Në lidhje me letrën e presidentes, ka praktika edhe për këtë çështje. Ne jemi duke diskutuar me PDK-në, si partia iniciuese, dhe e kemi bërë të qartë se nuk është mirë të krijojmë një situatë të re mes presidentes dhe Kuvendit. Sa u përket çështjeve përmbajtjesore, besoj se do të arrijmë një pajtueshmëri. Ne e kemi të qartë se tashmë ka një aktgjykim të Kushtetueses dhe ka edhe dy raste të tjera që e bëjnë të qartë se ligji nuk mund të amandamentohet”. /E.A/

Continue Reading

lajme

Komisioni për Punë të Jashtme pret në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë

Published

on

By

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, László Dux.

Takimi mes anëtarëve të komisionit parlamentar dhe diplomatit hungarez po zhvillohet prapa dyerve të mbyllura për mediat.

Deri më tani nuk janë bërë me dije detaje zyrtare lidhur me temat konkrete të cilat janë përfshirë në agjendën e këtij takimi. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova e përmbyll Kampionatin Ballkanik të Karatesë me 10 medalje

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka arritur një rezultat të shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Stamboll të Turqisë, duke grumbulluar gjithsej 10 medalje, prej të cilave një e artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta.

Dita e fundit e garave solli tri medalje të bronzta në konkurrencën ekipore. Ekipi i djemve për kadetë, ekipi i vajzave për kadete si dhe ekipi i djemve për juniorë arritën të ngjiten në podiumin e fituesve duke siguruar medalje të bronzta për Kosovën.

Në garat individuale, suksesin më të madh e shënoi Emira Maqedonci, e cila u kurorëzua kampione e Ballkanit duke fituar medaljen e artë. Me medalje të argjendta u nderuan Suela Arifi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, ndërsa medaljet e bronzta në konkurrencën individuale i rrëmbyen Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.

Rezultati i arritur në Stamboll rikonfirmon ngritjen e karatesë kosovare në arenën rajonale, me federatën, trajnerët dhe sportistët që morën urime të shumta për përfaqësimin dinjitoz të flamurit të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara