Kulturë

Vjen në shqip romani “Të lirë” nga Lea Ypi

(Analiza e Financial Times).

Published

on

Romani “Të lirë” i autores dhe akademikes shqiptare Lea Ypi është botuar në gjuhën shqipe. Vepra autobiografike rrëfen tranzicionin e jetës së një vajze të vogël të paralelizuar me tranzicionin politik të një shoqërie dhe shteti që kalon prej një fortifikate komuniste në një vend të hapur liberal (Shqipëria). Në libër shpërfaqet jeta e autores nga fillimi i viteve 1980 e deri në vitin 1997, në vendin më të izoluar e më të varfër në Europë. Ky roman është botuar nga prestigjiozja e librave “Penguin Books” në Londër dhe deri më tani është pritur mjaft mirë nga kritika e shtypit elitar britanik.

Nga: Tim Judah

Në pjesën e pasme të Galerisë Kombëtare të Tiranës gjenden disa statuja të vjetra që përkujtojnë portretin e ish-kreut të shtetit sovjetik Lenin-it me krahë të thyer, dy statuja të tjera të ushëheqësit komunist Stalin dhe një e fundit e diktatorit shqiptar Enver Hoxha me hundë të thyer. Statuja të tilla ishin më se të zakonshme në Tiranën e përgjumur të kohës, në vitet ’90, kur autorja Lea Ypi jetonte në Shqipëri. Ndonëse ish-udhëheqësi Hoxha kishte vdekur në vitin 1985, hija e diktatorit paranojak ende sundonte mbi jetët e popullit shqiptar.

Në një fragment të librit të saj “Të lirë”, Ypi kujton mësuesen e edukatës morale, Norën, të cilën njëherë e pyeti: “A i donte Stalini fëmijët po aq sa xhaxhi Enveri?”. Me një buzëqeshje të ngrohtë, mësuesja i kthen një përgjigje të shpejtë e pa hezitim: “Ti e di përgjigjen”.

Përgjigja e mësueses nuk ishte vetëm një veçse një tregues i qartë i izolimit të madh ideologjik të Shqipërisë, vend në të cilin regjimi komunist u rrëzua më vonë se kudo në Evropë.  Ndonëse Muri i Berlinit kishte rënë një vit më parë, mësuesja e Ypit, Nora vijonte të shpjegonte e pashqetësuar konceptet bazë të shoqërisë socialiste dhe siguronte nxënësit e saj se nuk kishte asnjë arsye pse të shqetësoheshin për ngjarjet e ndodhura në Europë. Pas shkolle, 11-vjeçarja Ypi shkoi të përqafonte statujën e Stalinit në qytetin e saj, të Durrësit. Kur Lea ngriti sytë për të parë fytyrën e statujës kuptoi se demostruesit, që ishin mbledhur përreth shtatores duke bërë thirrje për liri dhe demokraci, i kishin hequr kokën. Ypi kujton se në ato momente ajo mbuloi gojën për të mbytur një britmë teksa vriste mendjen se çfarë donin këta demonstrues. “Ne kishim shumë liri,” pandehte ajo.

Asnjë vend tjetër europian, që nuk ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, nuk ka ndryshuar aq shumë në tre dekadat e fundit sa Shqipëria, me përjashtim të Jugosllavisë dhe pjesëve përbërëse të saj. Shqipëria komuniste u bë fillimisht aleate e më pas u shkëput me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe me vonë me Kinën. Por në kohën kur komunizmi u shemb, vendi ishte në skamje të plotë, njerëzit ishin të uritur dhe të trembur. Kolapsi i regjimit solli lirinë, por bashkë me të erdhi kaosi që kulmoi në vitin 1997, kohë kjo kur vendi iu afrua pragut të kalimit në një luftë civile. Në mars të po këtij viti, Ypi shkroi në librin e saj se i gjithë vendi po ‘kryente vetëvrasje’ dhe se situata ishte shumë më keq se viti 1990.

“Të paktën atëherë kishte shpresë në demokraci. Tani nuk ka asgjë, vetëm një mallkim”, vijon Ypi.

Ishin këto ngjarje të vitit të trazuar 1997, që shënjuan jetën e autores dhe akademikes shqiptare Ypi. Nëse vendi nuk do të kishte regresuar deri në pikën e shkatërrimit të ekonomisë, bankave e bizneseve, Ypi ndoshta nuk do të kishte kishte migruar jashtë vendit dhe sot me gjasa nuk do të ishte profesoreshë e teorisë politike në London School of Economics. Fillimisht Ypi donte të shkruante një libër filozofik për “idetë e mbivendosura të lirisë në traditat liberale dhe socialiste”, por vendosi se kjo nuk ishte historia që donte të tregonte.

Megjithatë, për shumë lexues, edhe një libër me në qendër një adoleshente shqiptar që emigroi në vitet 1990 nuk tingëllon si ndonjë kryevepër, por thjesht si një tjetër histori e trishtë shqiptare. Nëse do të bëhej fjalë për ndonjë roman tjetër, ndër shumë libra që janë botuar për këto vite të vështira në historinë shqiptare, ndoshta termi “i zakontë” do të ishte shumë me vend. Por ky nuk është rasti i veprës “Të lirë” nga Lea Ypi. Ky roman trajton një histori të dhimbshme në mënyrë aq tërheqëse sa nuk është për t’u habitur fakti që ndonëse ka pak muaj që është botuar vëllimi është përkthyer tashmë në gjashtë gjuhë. Mos u befasoni nëse libri do të pasohet edhe nga një film.

Një roman autobigrafik shpërthyes, që fare mirë mund të titullohej “Si i mbijetuam komunizmit dhe madje qeshëm”, nëse autorja kroate Slavenka Drakulic nuk do e kishte shkruar tashmë një libër me këtë titull. Me shumë mjeshtëri Ypi kalon mes realitetit komik dhe vdekjeprurës të vendit ku u rrit. Autorja përshkruan se kur ishte fëmijë, ajo dëgjonte të rriturit të diskutonin për një vend që i referoheshin vetëm me shkronjën e parë të emrit. Më vonë, ajo e kupton se ata po flasin me kode dhe se shkronja “S”, për shembull, do të thotë Spaç, burgu më famëkeq i ish-diktaturës komuniste. Nëse thuhej se “studenti” kishte studiuar marrëdhëniet ndërkombëtare kjo do të thoshte se ai ishte akuzuar për tradhti.

Por ajo çfarë erdhi më pas, nuk ishte në asnjë formë më e lehtë për t’u përballuar. Me rënien e komunizmit erdhi kaosi, një katrahurë jo vetëm politike. Të dy prindërit e Ypit provuan të futen në politikë dhe dështua. Lea kujton një incident të paharrueshëm kur një delegacion i grave franceze vjen për të vizituar nënën e saj dhe ajo i përshëndet me një fustan nate. Ngjarja ndodhi në vitin 1992, atëherë kur rrobat ‘perëndimore’ filluan të vijnë në tregun shqiptar dhe gratë e kishin të vështirë të dallonin se cilat ishin rroba nate dhe cilat jo. Kjo është edhe periudha kur Ypi vë në dukje se fjalorit iu shtua “shoqëria civile”, “pak a shumë si zëvendësim i “Partisë”.

Koleksioni i librave për Shqipërinë dhe shqiptarët në anglisht është i vogël, gjë që është disi e pabesueshme sidomos kur kujtojmë se shtrirja e popullsisë është e ndarë midis republikës së Shqipërisë dhe katër prej shteteve ish-jugosllave. Për këtë arsye, me siguri mund të thuhet se shqiptarët luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e stabilitetit dhe fatit të Europës Juglindore. Diaspora e vendit numëron më shumë se 1.5 milionë banorë dhe përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë emigrante në disa vende.

Për sa u përket librave të botuar për Shqipërinë mund të thuhet se pasqyrimi i ngjarjeve në to është shumë mbrapa asaj që po ndodh realisht në këtë vend. Një devijim i këtyre botimeve është vepra “Mud Sweeter than Honey” i autores polake Margo Rejmer, e cila tregon, historitë e shqiptarëve gjatë komunizmit dhe veçanërisht ato të të burgosurve të regjimit. Koleksioni i tregimeve të Rejmen, njësoj so libri i Ypit, ka në fokus zhgënjimin pas rënies së komunizmit. Në një nga historitë e rrëfyera një peshkar tregon se nëse dikush përpiqej të arratisej nga vendi, rojet kufitare nuk kishin mëshirë. Ai risjell në mendje një fëmjë që u përpoq të notonte jashtë vendit dhe u copëtua nga helikat e varkave shqiptare, teksa rojet shijonin ‘shfaqjen’.

Autorja Rejmer thotë se qëllimi i saj ishte të sigurohej që viktimat e atij regjimi të kishin një zë dhe të dëgjoheshin. Qëllimi i Ypit është i ndryshëm. Në librin e saj ajo e konsideron veten si socialiste, edhe pse gjyshi i saj kaloi 15 vjet në një burg komunist, sepse babai i tij kishte bashkëpunuar me italianët. Ypi tregon se gjithë sistemi i ka lënë një ndjesi faji të ngujuar në të, a thua se dëgjimi dhe bindja sipas ideve të sistemit komunist, e bënte atë përgjegjëse për gjithë të kqëijat që ky sistem solli.

Lea kujton një moment (ndër shumë) kur babai i saj, i cili ishte drejtor i përgjithshëm i portit të Durrësit, u detyrua të pushonte nga puna qindra romë të dëshpëruar në emër të “reformave strukturore”. Prindërit e saj e refuzuan socializmin, shkruan ajo, sepse ai sistem u mohonte atyre gjithë identitetin e tyre. Megjithkëtë Ypi, shkruan se, ajo tashmë e barazon liberalizmin me premtimet e thyera, me shkatërrimin e solidaritetit, të drejtën për të trashëguar privilegjin, shpërfilljen ndaj padrejtësisë. Në pamje të parë këto mund të duken akuza të ashpra, por Ypi thotë se meqenëse ajo ka parë një ndryshim të sistemit një herë, “nuk është aq e vështirë të besosh se ai mund të ndryshojë përsëri“.

©Përktheu: Lapsi.al

Continue Reading

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik” hapet në Muzeun “Marubi”

Published

on

Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.

E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.

Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.

Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.

Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.

Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Dua” dhe “Shame and Money” në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027

Published

on

Dy filma kosovarë, “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.

Ndër vite, disa produksione vendore kanë qenë pjesë e përzgjedhjeve të kësaj gare, në kategori dhe faza të ndryshme.

Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Babai”, me regji të Visar Morinës, dhe “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, u përzgjodhën në vitin 2015. Në vitin 2021, në këtë rrugëtim u përfshi edhe filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.

Edhe filmat e shkurtër kosovarë kanë shënuar pjesëmarrje të rëndësishme. “Në mes” dhe “Rrugës”, të Samir Karahodës, u përzgjodhën për garën evropiane përkatësisht në vitet 2020 dhe 2024, ndërsa “I Believe the Portrait Saved Me”, me regji të Alban Mujës, ishte pjesë e përzgjedhjes për vitin 2026.

Një tjetër sukses ishte filmi “Home”, me regji të Daniel Mulloy, i cili në vitin 2016 u përfshi mes 15 filmave të nominuar për çmimin e filmit të shkurtër evropian. Në vitin 2021, “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës, arriti në fazën finale si njëri prej pesë filmave të nominuar.

Ndërkaq, filmi “Kthimi”, me regji të Blerta Zeqirit, u përzgjodh nga Festivali i Sarajevës për garën evropiane të filmit të shkurtër në vitin 2012, por më pas u tërhoq nga gara.

Përzgjedhja e “Dua” dhe “Shame and Money” për edicionin e vitit 2027 i jep kinematografisë kosovare një tjetër mundësi për të prezantuar historitë e saj para publikut evropian dhe për të vazhduar rrugëtimin në skenën ndërkombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“I Believe the Portrait Saved Me”, vlerësim për filmin e Alban Mujës në DOKUBAKU 2026

Published

on

Filmi dokumentar “I Believe the Portrait Saved Me” (Mua besoj se portreti më shpëtoi), me regji të artistit kosovar Alban Muja, është nderuar me përmendje të veçantë nga çmimi iHuman Award në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DOKUBAKU 2026, në kategorinë DOKUSHORT për dokumentarin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar.

Juria vlerësoi mënyrën se si rrëfimi i filmit kalon nga hutimi fillestar drejt një përjetimi të thellë emocional, duke zbuluar gradualisht kuptimet e një klase të pazakontë. Filmi trajton fuqinë e artit dhe mënyrën se si portretizimi e krijimi artistik shndërrohen në instinkt mbijetese përballë barbarisë së luftës.

Sipas vlerësimit të jurisë, fotografia e filmit shmang romantizimin e luftës dhe, përmes kompozimit të kujdesshëm të kuadrove dhe trajtimit të ngjyrave, përcjell peshën e saj dramatike. Juria veçoi edhe aftësinë e regjisorit për të përmbledhur një përmbajtje kaq të thellë dhe një ndikim të fuqishëm vizual në vetëm dhjetë minuta, duke e vlerësuar filmin me përmendje të veçantë.

Ky vlerësim përbën një tjetër prezantim të krijimtarisë së Alban Mujës në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara