Drejtori legjendar i epokës Berlusconi, Adriano Galliani thuhet se mund të ketë një rikthim të bujshëm në strukturat kuqezi.
Prej ditësh janë përhapur thashetheme, hamendësime dhe informacione për një lëvizje që, nëse realizohet, do të përfaqësonte një përgjigje direkte ndaj efektit Giuseppe Marotta te Interi. Në fakt, emri i Gallianit shihet si simbol i identitetit milanist dhe përfaqësim i vërtetë institucional, diçka që aktualisht i mungon klubit.
Ende nuk dihet saktësisht se në çfarë roli mund të angazhohej 82-vjeçari Galliani nëse do të rikthehej. Por ajo që përflitet është një funksion më shumë politik dhe institucional, pa ndërhyrje të drejtpërdrejta në operacionet e përditshme të merkatos apo menaxhimit sportiv.
Përkrahësit e kësaj ideje besojnë se Galliani do të sillte një nivel tjetër përfaqësimi për klubin, duke plotësuar boshllëkun që ka lënë pas largimi i figurave ikonike.
Ndërsa Interi ka përfituar dukshëm nga menaxhimi i Marottës, një prej “nxënësve” më të spikatur të vetë Gallianit, te Milani ndihen të pambuluar në këtë drejtim. Pikërisht për këtë, shumë e shohin rikthimin e tij si një nevojë për të sjellë sërish respekt dhe autoritet për kuqezinjtë në “Palatin” e futbollit italian.
Megjithëse mosha e avancuar nuk i lejon angazhime të ngjashme me ato të viteve të arta, roli i tij mund të jetë më shumë përfaqësues dhe strategjik, një pikë force dhe këshilltar “i pashkruar” për drejtuesit aktualë.
Në këtë pikë, mbetet për t’u parë nëse thashethemet do të konkretizohen në një lëvizje reale. Por një gjë është e qartë, rikthimi i Gallianit te Milani do të ishte një goditje e madhe imazhi dhe një kthim emocional në kohët e lavdishme për tifozët kuqezi.