Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
12 shtator 1994
Në Nekoc e Kishnarekë vazhdon represioni i policisë serbe
Tash disa ditë, policia serbe vazhdon t’i keqtrajtoi banorët e fshatrave Nekoc e Kishnarekë të Gllogovcit, nën pretekst të vrasjes së paradoditshme të rojes së pyllit, Milaim Gashi në rrethana ende të panjohura, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogovc.
Më 9 shtator, prej orës 11:00 deri në mbrëmje rreth orës 18:00, një ekspeditë e policisë serbe defiloi tërë ditën nëpër fshatrat e lartëshënuara. Policia ishte e pajisur me një llandrover dhe dy vetura.
Njoftohet se gjatë tërë ditës mbi fshatrat Nekoc e Kishnarekë fluturoi edhe një helikopter i policisë serbe.
Në fshatin Nekoc, policia kërkoi Bajram A.Rukiqin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Bajram A.Rukiqi gjendet i shtrirë në spital, pasi ai ditë më parë është keqtrajtur brutalisht nga ana e policisë serbe, me ç’rast mori plagë të rënda trupore.
Ndërkaq, në fshatin Kishnarekë, policia serbe i provokoi nxënësit dhe arsimtarët e shkollës fillore “7 Marsi” duke i “përshëndetur” me dy gishtat lart.
E njëjta ekspeditë e policisë serbe, vazhdoi rrugën për në fshatin Llapushnik, me ç’rast morën Ferat Sopin dhe djalin e tij (emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë, si dhe veturën e tyre të markës “Reno 4”).
Pardje, në fshatin Kishnarekë, policia kërkoi Rexhep A.Hykollin, i cili nuk gjendej në shtëpi. Më pas, policia legjitimoi çdo kalimtar të rastit, i cili kalonte nëpër fshatin Kishnarekë.
12 shtator 1995
Tragjedi e rëndë e pasagjerëve në një barkë shqiptare
Në një barkë që transportonte refugjatë nga Shqipëria për në Itali, ndodhi një tragjedi e rëndë në të cilën humbën jetën së paku 3 udhëtarë, ndërsa 12 konsiderohen të humbur.
Barka u përmbys për shkak të valëve të larta të shkaktuara nga një trajekt që kaloi fare pranë barkës.
Korrespondenti i BBC-së nga Roma, Ilir Gurakuqi, tha se edhe 10 pasagjerë të tjerë janë të lënduar.
Kjo ngjarje do të ishte edhe më tragjike sikur mos të ndërhynte një anije amerikane që patrullon në ujërat e Adriatikut, në kuadër të embargos ndaj ish-Jugosllavisë.
12 shtator 1997
Vatikani: Nënë Tereza mund të shpallet e shenjtë në kohë rekorde
Sekretari i Shtetit i Vatikanit Angjelo Sodano deklaroi sot se Papa Gjon Pali e donte shumë Nënën Tereze dhe se të gjithë në Kishën Katolike shpresojnë se ajo mund të kanonizohet shumë shpejt. “Procesi i shndërrimit të nënës Tereze në shenjtore mund të realizohet brenda një kohe rekorde – deklaroi ai.
Me rastin e mëparshme të shenjtërimit, zakonisht afati ka qenë i gjatë deri në 30 vjet. Sipas praktikës së deritashme së pari të caktohet një komision nga Vatikani i cili e vlerëson deri në hollësi veprën dhe shëmbëlltyrën e kandidatit për të shenjtë, e pastaj ai vlerësim i dorëzohet Papës. Pikërisht pse shëmbëlltyra dhe vepra e Nënës Tereze është tejet humane, dhe e pastër, mund të pritet që ajo të shpallet e shenjtë në kohë rekorde, thuhet në njoftimin e “Bujkut”.
12 shtator 1998
Gjatë sulmeve të djeshme në fshatrat e Skënderajt janë vrarë 3 dhe janë plagosur 16 shqiptarë
Dje, që në orët e hershme të mëngjesit, një konvoj i madh i forcave të ushtrisë dhe të policisë serbe i përbërë nga 58 tanksa, 38 kamionë dhe automjete të tjera të motorizuara nga Mitrovica arritën në Llaushë, ndërsa menjëherë nga këto forca filluan të granatohen fshatrat Rezallë, Ticë, Plluzhinë, Likoc e Makërmal, i tha sot QIK-ut Fadil Ymeri, përgjegjës i Këshillit për Informim në fshatin Qirez të Skënderajt.
Bëhet e ditur se gjatë kësaj ofensive, janë zhvendosur shumë banorë, të cilët e kaluan natën nën qiellin e hapur dhe gjendja e tyre është shumë e rëndë.
Edhe sot, që në orët e hershme të mëngjesit, forcat e ushtrisë dhe të policisë serbe, filluan t’i granatojnë fshatrat e lartpërmendura dhe fshatrat tjerë si Vërbovcin, Abrinë, Açarevën, Polluzhën e Kryshecin. Këto fshatra po sulmohen me artileri të rëndë, duke filluar nga minahedhësit deri te raketat e tipit tokë-tokë.
Gjatë këtrye dy ditëve, forcat e UÇK-së kanë bërë një rezistencë të fuqishme dhe me heroizëm po u kundërvihen forcave armike.
Si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri tash janë vrarë tre shqiptarë, në mesin e të cilëve dy fëmijë dhe kanë plagosur 16 civilë të tjerë.
Bëhet e ditur se forcat serbe kanë vrarë, Leutrim Ahmetin (9), Xufë Ahmetin (8) dhe Ramë Ahmetin (42), ndërsa kanë plagosur Fatmire Malush Ahmetin (18), Gjyle Racin (30), Brahim Ahmetin (29), Makfirete Ahmetin (14), Bajram Ahmetin (11), Shpresa Ahmetin (9), Naser Gashin (15), Feti Musliun (22), Nuredin Bacajn (39), Xheladin Behramin (53), Rifat Smakiqin (34), Fatmire Ahmetin (35), Arben Makollin (24), Tahir Lladrovcin (22), Jahir Dërgutin (44) dhe Skënder Ahmetin (39).
Gjithashtu, si pasojë e bombardimeve të forcave serbe, deri në Bëhet e ditur se nga pasojat e bombardimeve serbe deri tash janë shkatërruar e djegur qindra shtëpi shqiptare dhe objekte të tjera ndihmëse.