Lajmet

“Tears in Heaven”, tragjedia familjare që frymëzoi këngën hit të Eric Claptonit

Kënga hit u krijua dhe interpretua nga këngëtari dhe kitaristi i famshëm britanik, Eric Clapton.

Published

on

“A do ta njihje emrin tim, po të të shihja në Parajsë? A do të ishte e njëjta gjë, nëse do të shihja në Parajsë?”, thuhet ndër të tjera në tekstin e “Tears in Heaven” (Lotë në Parajsë), kënga hit e krijuar dhe interpretuar nga këngëtari dhe kitaristi i famshëm britanik, Eric Clapton.

E publikuar në vitin 1991, ajo u rendit në krye të renditjes muzikore në më shumë se 20 vende dhe fitoi Grammy Awars si Kënga e Vitit, Albumi i Vitit (Unplugged) dhe si Performanca më e Mirë Vokale për Meshkuj. Por ndonëse arriti një sukses të jashtëzakonshëm, kjo këngë ishte produkt i gjendjes së rënduar emocionale të artistit.

Ajo lindi nga dhimbja e madhe e shkaktuar nga vdekja aksidentale e djalit të tij 4-vjeçar, Conor, dhe është e përshkuar nga ndjenja e humbjes, dhimbjes dhe malli i një prindi të pikëlluar. Mëngjesin e 20 marsit 1991, djali i Clapton ndodhej me ish të dashurën e tij, aktoren italiane Lory del Santo duke luajtur në apartamentin e saj në Nju Jork.

Conor ra aksidentalisht nga rezidenca e katit të 53-të përmes një dritareje që ishte lënë pa dashje hapur pas punimeve në apartament. Clapton ndodhej në një hotel aty pranë dhe po përgatitej ta merrte Conor-in për një drekë të planifikuar babë e bir dhe të vizitonte me të kopshtin zoologjik në Central Park.

“Në një moment pata një telefonatë nga apartamenti i tyre. Në fakt, sa po bëhesha gati të dilja nga dhoma e hotelit për të shkuar dhe për ta marrë për të ngrënë drekë së bashku. Lory ishte në anën tjetër të telefonit dhe ulërinte duk më thënë se ai kishte vdekur. Nuk po i besoja veshëve”– kujtoi Clapton në një intervistë të vitit 1992 për gazetaren britanike Sue Lawley.

Clapton e mbylli menjëherë telefonin dhe duke mos e besuar ende atë që dëgjoi, doli nga vrap nga hoteli dhe u drejtua për në bllokun e apartamenteve ku “pa ambulanca, zjarrfikëse dhe automjete ndihmëse”. Kur hyri në apartamentin e Lory-t, i mbushur plot me punonjës të shërbimit të urgjencës, Clapton kujton se u ndje sikur ajo skenë nuk kishte të bënte me të.

“M’u duk sikur kisha hyrë në jetën e dikujt tjetër. Dhe ndihem ende kështu”– shtoi Clapton në atë intervistë. Funerali i Conor u mbajt dy ditë para ditëlindjes së 46-të të këngëtarit. Eric e përshkroi lidhjen e tij me Conor si marrëdhënien më të ngushtë që ai kishte deri në atë pikë të jetës së tij, dhe ai e vlerëson djalin e tij të ndjerë si një nga arsyet kryesore që u bë dhe mbetet një njeri më i matur.

Nga fundi i viteve 1970, këngëtari i hitit tjetër “Cocaine”, kishte hequr dorë nga zakoni i tij i konsumit të heroinës, por konsumonte ende shumë droga të tjera – përfshirë kokainën – dhe alkool. Ishte lindja e Conor në vitin 1986, ajo që i dha Clapton shtysën për t’u de–intoksinuar dhe për të qëndruar larg drogës.

“Unë e bëra për Conor, sepse mendoja se nuk mund të isha një njeri i denjë pranë tij”, shkruan Clapton në librin e tij me kujtime botuar në vitin 2007 “Clapton:TheAutobiography”. 

Artisti shton se ajo tragjedi familjare i dha forcën për të qenë përgjithmonë larg drogës, në vend se t’i rikthehej konsumit të saj.

Duke u përballur me një pikëllim të thellë, ai e kaloi vetëm pjesën më të madhe të muajve të ardhshëm, duke udhëtuar midis Anglisë dhe Antiguas, ku mori pjesë në seanca meditimi dhe kërkoi ngushëllim në kitarën e tij duke krijuar muzikë. Dy këngë të shkruara në atë periudhë, u frymëzuan direkt nga ajo që kishte ndodhur në jetën e tij.

“Circus Left Town” tregon historinë e ndjekjes së një shfaqjeje cirku bashkë me Conor një natë para vdekjes së tij. “Tears in Heaven” ka një përmasë personale edhe më të fuqishme,dhe shtron pyetjen nëse do të takohemi sërish me ata që kanë vdekur para nesh. Në fillim që të dyja këto këngë nuk ishin menduar të dilnin në publik.

Por Clapton u inkurajua të shtonte këngën e fundit, të bashkëshkruar me Will Jennings, në kolonën zanore për të cilën po punonte për filmin “Rush”. Ajo tragjedi e nxiti Clapton të luante një rol më të madh në jetën e vajzës së tij.

Ruth Kelly Clapton lindi një vit para Conor dhe është fëmija i vetëm i Clapton me Yvonne Kelly, një menaxhere e një studio muzikore nga Montserrat. Oferta e kësaj të fundit për t’u njohur më mirë me vajzën e tij në periudhën pas vdekjes së Conor u pranua nga Eric, dhe gjatë vizitave të shumta, ata krijuan një raport të gushtë.

“Ishte e mrekullueshme të isha sërish në shoqërinë e një fëmije, fëmijës tim”, shkruan Clapton në kujtimet e tij. 

“Duke analizuar në retrospektivë ato vite, e kuptoj se çfarë ndikimi të thellë pati ajo vajzë në mirëqenien time. Prania e saj në jetën time ishte absolutisht jetike për rimëkëmbjen time. Tek ajo, unë gjeta përsëri diçka reale për t’u shqetësuar, dhe kjo ishte e rëndësishme, pasi më bëri sërish një qenie njerëzore aktive”, thekson ai./Biography.com – bota.al

Vendi

Me akreditim nga Cambridge, UBT International Smart Schools sjell modelin modern të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët

Published

on

By

UBT International Smart Schools po vazhdon të udhëheqë në transformimin e arsimit parauniversitar, duke ofruar për nxënësit e klasave 1-9 një model arsimor të fokusuar në teknologji, inovacion dhe zhvillimin e kompetencave për të ardhmen.

Përmes konceptit Classroom 4.0, përdorimit të teknologjisë së avancuar dhe integrimit të inteligjencës artificiale (AI) në procesin e të nxënit, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët u krijon fëmijëve mjedisin ideal për zhvillim akademik dhe praktik në laboratorë modernë.

Cilësia e lartë dhe përputhshmëria me standardet më të larta globale mbështetet edhe nga akreditimi i plotë nga Cambridge International Education.

Përmes këtij ekosistemi inovativ, nxënësit e niveleve primare zhvillojnë që në hapat e parë njohuri akademike, mendim kritik dhe kompetenca digjitale të nevojshme për të përballuar me sukses sfidat e profesioneve të së ardhmes.

Aplikimet për vitin shkollor 2026/2027 për Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët (klasat 1-9) janë ende të hapura.

Siguroni vendin e fëmijës suaj duke plotësuar formularin zyrtar në Udhëzuesin e Aplikimit në UBT.

Continue Reading

Vendi

REL: KFOR-i nis “tranzicionin gradual” të pranisë nga ura mbi Ibër, Lista Serbe kundërshton

Published

on

By

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka njoftuar se ka nisur “tranzicionin gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, KFOR-i tha se ky hap po ndërmerret në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sipas KFOR-it, ky proces “do të jetë gradual, në varësi të kushteve dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.

KFOR-i tha se edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.

Në përgjigjen e tij, KFOR-i siguroi se personeli i tij “është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga OKB-ja”.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, thuhet tutje në përgjigjen e dhënë REL-it.

Më herët gjatë ditës, KFOR-i njoftoi se ka filluar “integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit”.

Policia e Kosovës deri më tani nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, nëse pjesëtarë të saj janë vendosur mbi urën e Ibrit dhe nëse do të vazhdojnë të jenë të pranishëm atje pas largimit të trupave të KFOR-it.

Ura kryesore, që që lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe, ka qenë në vazhdimësi vatër e tensioneve etnike.

Që nga përfundimi i luftës më 1999, ajo është ruajtur vazhdimisht nga trupat e KFOR-it.

Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka kundërshtuar tërheqjen apo çfarëdo zvogëlimi të pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër.

Në një komunikatë për media, kjo parti tha se ka kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri dhe për të kërkuar ndaljen e kësaj mase.

Lista Serbe argumentoi se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë, si dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, “çdo vendim për praninë e forcave të sigurisë aty duhet të merret me kujdes”.

Ajo gjithashtu pretendoi se Policia e Kosovës nuk e ka fituar besimin e serbëve në veri dhe tha se prania e KFOR-it në urë përbën “një faktor të rëndësishëm stabiliteti”.

Lista Serbe i bëri thirrje KFOR-it që të ruajë një prani adekuate në urën kryesore dhe të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

Ura kryesore mbi lumin Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve në korrik të vitit 2024, gjë që kishte nxitur tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për hapjen e urës për trafik në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Marrëveshja parashihte revitalizimin e urës dhe largimin e të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Për të tejkaluar mospajtimet rreth interpretimit të marrëveshjeve të mëparshme, në vitin 2016 u dakordua një plan i ri zbatimi, sipas të cilit ura duhej të hapej për trafik në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizimin përfunduan në qershor të vitit 2018. Megjithëse në projekt u investuan rreth 1.5 milion euro, ura nuk u hap asnjëherë për automjete dhe vazhdoi të përdorej vetëm nga këmbësorët.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, në një qytet që mbetet i ndarë etnikisht që nga lufta. /REL/

 

Continue Reading

lajme

AIP dhe ATK memorandum bashkëpunimi për mbikëqyrjen e aktivitetit ekonomik në mjedisin digjital

Published

on

By

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me qëllim fuqizimin e kontrollit dhe rritjen e transparencës ndaj subjekteve që zhvillojnë aktivitet ekonomik në hapësirën digjitale.

Përmes kësaj marrëveshjeje, të dyja institucionet do të zhvillojnë inspektime të përbashkëta dhe të koordinuara ndaj bizneseve online, faqeve në rrjete sociale, portaleve mediale dhe platformave të tjera digjitale, secila në përputhje me mandatin e saj ligjor.

Kjo iniciativë vjen si përgjigje ndaj rritjes së hovshme të tregtisë online dhe rasteve të evidentuara gjatë monitorimeve, ku janë vërejtur shkelje në mbrojtjen e të dhënave personale si dhe vështirësi në identifikimin e subjekteve ekonomike.

Në kuadër të inspektimeve: AIP do të mbikëqyrë ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, politikat e privatësisë, përdorimin e “cookies” dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

ATK do të verifikojë përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe regjistrimin e rregullt të veprimtarisë ekonomike.

Përmes këtij bashkëpunimi, AIP dhe ATK synojnë të ndërtojnë një mjedis digjital më të sigurt, ku zhvillimi i biznesit bëhet në respektim të plotë të ligjit dhe të drejtave të konsumatorëve. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KFOR-i nis integrimin e Policisë së Kosovës në sigurinë e Manastirit të Deçanit

Published

on

By

Misioni i KFOR-it ka njoftuar se ka nisur procesin e integrimit të personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë përveç mbrojtjes së Manastirit të Deçanit. Përmes një komunikate zyrtare, KFOR-i bëri të ditur se ky hap vjen në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë dhe është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të misionit në terren.

Sipas njoftimit, ky proces do të realizohet në mënyrë graduale dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore e ndërkombëtare.

“Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushte, si dhe po koordinohet ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe të institucioneve të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).”

Pavarësisht këtij riorganizimi, KFOR-i njoftoi se mbetet reaguesi i parë për sigurinë e këtij monumenti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore e fetare.

“Personeli ynë është i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi, në përputhje me mandatin e KFOR-it të përcaktuar nga Kombet e Bashkuara. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, sipas reagimit të KFOR-it.

Po ashtu, misioni i udhëhequr nga NATO nënvizoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me të gjitha palët e përfshira, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Serbisë, për të ruajtur transparencën dhe për të shmangur keqkuptimet, duke i bërë thirrje të gjithëve për angazhim konstruktiv në dialog.

Në përmbyllje, KFOR-i rikonfirmoi përkushtimin për përmbushjen e mandatit të tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara