Kina deklaroi se është duke “vlerësuar aktualisht” propozimet e Shteteve të Bashkuara për të rifilluar bisedimet tregtare, në një ndryshim të kujdesshëm toni që mund të hapë rrugë për negociata mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë.
Një zëdhënës i Ministrisë kineze të Tregtisë konfirmoi të premten se “SHBA-të kohët e fundit kanë dërguar mesazhe të shumta përmes kanaleve përkatëse, duke shprehur dëshirën për të nisur bisedimet me Kinën. Kina është duke e vlerësuar këtë kërkesë.”
Ky koment vjen si një sinjal për zbutje të qëndrimit të mëparshëm të Pekinit, i cili ka mbajtur një qëndrim sfidues përballë tensioneve të theksuara tregtare të shkaktuara nga lufta e tarifave e nisur nga administrata e ish-Presidentit Donald Trump.
Trump ka pohuar disa herë që nga java e kaluar se SHBA janë në kontakte me zyrtarë kinezë për një marrëveshje tregtare, deklarata që janë hedhur poshtë rregullisht nga Pekini.
Megjithatë, Pekini ka bërë të qartë se çdo negociatë duhet të nisë me përmbushjen e disa parakushteve të domosdoshme.
“Lufta tregtare u nis njëanshëm nga SHBA-ja. Nëse dëshiron të negociojë, ajo duhet të tregojë sinqeritet të vërtetë, duke përfshirë edhe gatishmërinë për të korrigjuar gabimet dhe për të anuluar tarifat e njëanshme,” u shpreh zëdhënësi.
“Pozicioni i Kinës është i pandryshuar: nëse është luftë, do të vazhdojmë. Nëse është dialog, dera mbetet e hapur.”
Ndërkohë, Sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio deklaroi të enjten për Fox News se tarifat e vendosura nga Trump kanë dëmtuar rëndë ekonominë kineze, duke sjellë humbje të vendeve të punës, dhe se Kina është e gatshme të diskutojë. “Kinezët po kërkojnë të takohen dhe të flasin,” u shpreh Rubio, duke shtuar se bisedimet mund të fillojnë së shpejti.
Bashkëpunimi tregtar midis dy vendeve është vënë në rrezik, pasi SHBA rriti tarifat ndaj mallrave kineze deri në 145% në fillim të muajit, duke e vështirësuar ndjeshëm tregtinë për bizneset kineze. Si kundërpërgjigje, Kina vendosi tarifa shtesë prej 125% për importet amerikane.
Tarifat kanë ndikuar negativisht në ekonominë kineze, e cila është e varur nga eksportet. Rënia e porosive dhe ndërprerja e prodhimit në fabrikat kineze është reflektuar në raportin më të fundit, ku tregohet se aktiviteti i fabrikave u tkurr në prill me ritmin më të shpejtë në 16 muaj.
Ndërsa gjigantët amerikanë të shitjes me pakicë si Walmart dhe Target kanë rifilluar disa bashkëpunime me furnizuesit kinezë, një pjesë e madhe e fabrikave në Kinë mbeten të mbyllura, duke kërkuar tregje të reja si Evropa.
Federata Kombëtare e Shitjes me Pakicë parashikon një rënie të importeve në SHBA me 20% në pjesën e dytë të vitit 2025, ndërsa JP Morgan vlerëson se importet nga Kina mund të bien deri në 75-80%.
Komentet e reja të Pekinit pasojnë një sërë diskutimesh mes zyrtarëve të të dy vendeve, ku asnjëra palë nuk ka dashur të duket se po tërhiqet e para.
Javën e kaluar, Trump uli tonin e tij, duke paralajmëruar ulje të ndjeshme të tarifave dhe duke theksuar se do të jetë “i sjellshëm” në tryezën e negociatave, me synimin për të bindur Presidentin Xi Jinping.
Megjithatë, Pekini mbetet i palëkundur në kërkesën që SHBA të heqë të gjitha tarifat si parakusht për nisjen e bisedimeve. Të martën, Ministria e Jashtme e Kinës publikoi një video në rrjetet sociale, duke thënë se vendi nuk do të “gjunjëzohet” para një udhëheqësi “ngacmues” amerikan.