Lajmet

Rektori Hajrizi folës kryesor në Kongresin e VII-të Ndërkombëtar TURKIC COSE 2025

Published

on

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte folësi kryesor në Kongresin e VII-të Ndërkombëtar “TURKIC COSE 2025 – Turkic World Congress on Science and Engineering”, i cili po mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së.

Rektori Hajrizi prezantoi punimin me titull: “A Small-Scale, Smart Self-Sustaining Entrepreneurial Innovation-Based Ecosystem Model: Case Studies Related with Smart City, Digital Twins and Sustainable Developments”, një koncept inovativ që përfaqëson filozofinë dhe qasjen unike të UBT-së ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, inovacionit, sipërmarrjes dhe transformimit të qyteteve në ekosisteme të mençura.

Në prezantimin e tij, Rektori Hajrizi theksoi se UBT 5S Model (Small-Scale, Smart, Self-Sustaining, Entrepreneurial Innovation-Based Ecosystem) është rezultat i më shumë se 30 viteve përvojë akademike, kërkimore dhe zhvillimore, dhe përfaqëson një qasje sistemike që lidh arsimin, kërkimin shkencor, biznesin dhe komunitetin në një mjedis të integruar të inovacionit.

Ky model, që tashmë është zbatuar në UBT Smart City dhe UBT Future Campus, funksionon si një ekosistem i qëndrueshëm dhe vetëmbajtës, ku studentët, profesorët, studiuesit dhe partnerët ndërkombëtarë ndërveprojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për të krijuar zgjidhje të reja për qytetet inteligjente, digjitalizimin, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik. Ky model u cilësua si një ndër qasjet më të avancuara në Evropën Juglindore për zhvillimin e ekosistemeve të qëndrueshme të inovacionit dhe për ndërtimin e qyteteve të mençura përmes arsimit dhe kërkimit shkencor.

Lajmet

Pesë të arrestuar në operacionin “White Star”, sekuestrohen armë, drogë dhe pasuri e madhe

Published

on

Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, i zhvilluar në disa qytete të vendit nën emrin “White Star”.

Aksioni është realizuar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale dhe në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore.

Të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit special për 48 orë, nën dyshimin për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe përfshirje në pastrim parash.

Gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme janë sekuestruar:

  • 6 armë zjarri
  • 5 karikatorë dhe 239 fishekë
  • Lëndë narkotike (kokainë dhe fara marihuane)
  • 25 telefona mobilë
  • 7,595 euro para të gatshme
  • 10 automjete dhe 1 motoçikletë
  • 10 kompjuterë
  • 13 USB dhe 1 DVR
  • 16 ora dore

Operacioni është mbështetur nga EUROPOL-i dhe autoritetet e Belgjikës, Francës dhe Holandës, të cilat kanë qenë të pranishme dhe kanë monitoruar zhvillimin e aksionit në terren së bashku me prokurorin e rastit.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se ky operacion paraqet goditje të rëndësishme ndaj krimit të organizuar dhe se veprimet hetimore do të vazhdojnë në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë të përfshirëve. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shefi i OSBE-së bën thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve

Published

on

By

Shefi i Misionit të OSBE në Kosovë, Gerard McGurk, ka përgëzuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për organizimin e zgjedhjeve, si dhe liderin e Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, për rezultatin e arritur në zgjedhje e fundit.

Përmes një reagimi ne rrjetin X, McGurk theksoi se qytetarët tashmë kanë dhënë verdiktin e tyre dhe se përgjegjësia kalon te përfaqësuesit e zgjedhur.

“I përgëzoj KQZ-në për zhvillimin e një tjetër procesi të suksesshëm zgjedhor dhe Albin Kurtin për rezultatin e partisë së tij. Votuesit kanë folur, përgjegjësia tani u takon të zgjedhurve”, deklaroi ai.

Shefi i OSBE-së bëri thirrje për formimin në kohë të institucioneve të reja dhe për zgjedhjen e presidentit përmes dialogut dhe kompromisit politik.

“OSBE-ja nxit formimin në kohë të institucioneve, si dhe zgjedhjen e presidentit përmes dialogut dhe kompromisit”, thuhet në mesazhin e McGurk.

Deklarata vjen në një kohë kur vendi po pret përfundimin e të gjitha procedurave zgjedhore dhe nisjen e procesit për konstituimin e institucioneve të reja. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa rekomandon Prishtinën, zbulon vendet e saj të preferuara në kryeqytet

Published

on

Këngëtarja kosovare me famë botërore Dua Lipa ka ndarë listën e vendeve të saj të preferuara në qytete të ndryshme të botës në bashkëpunim me Google Maps dhe Service95, ku pjesë e rekomandimeve është edhe Prishtina.

Mes vendeve që ajo sugjeron të vizitohen në kryeqytet janë Galeria Kombëtare e Kosovës, Tregu i Gjelbër dhe Muzeu Etnologjik i Kosovës, të cilat sipas saj ofrojnë një pasqyrë të kulturës, historisë dhe jetës së përditshme në qytet.

Sa i përket gastronomisë dhe kafeneve, Dua rekomandon vende të njohura si Tiffany, Soma Slow Food, Churchill dhe Basilico, ndërsa në listën e saj nuk mungon as Sunny Hill Festival, festivali muzikor që organizohet nga vetë ajo dhe babai i saj Dukagjin Lipa.

Si adhuruese e librave, artistja rekomandon gjithashtu edhe Librarinë Dukagjini, një nga libraritë më të njohura në Prishtinë për dashamirët e leximit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Peja Outdoor Festival rikthehet me mbi 40 aktivitete në natyrë

Published

on

Peja do të jetë qendër e aktiviteteve outdoor nga 11 deri më 14 qershor, me organizimin e edicionit të tretë të “Peja Outdoor Festival”, festivalit të parë në Kosovë të dedikuar turizmit aktiv, rekreacionit dhe mirëqenies në natyrë.

Gjatë katër ditëve të festivalit, në Pejë dhe Rugovë do të zhvillohen mbi 40 aktivitete sportive, rekreative, edukative dhe kulturore, përfshirë ecje malore, çiklizëm, vrapim, ngjitje, paragliding, speleologji, punëtori tradicionale dhe programe për fëmijë e të rinj.

Organizatorët theksojnë se festivali synon promovimin e Pejës dhe Rugovës si destinacione të turizmit aktiv, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të përjetojnë natyrën, kulturën lokale dhe aktivitetin fizik në një mënyrë gjithëpërfshirëse.

Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është gara “Peja Trail Run”, e cila do të mbahet më 14 qershor dhe pritet të mbledhë rreth 300 garues nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës në kategoritë 10 dhe 23 kilometra.

Hapja zyrtare e festivalit do të mbahet më 11 qershor, nga ora 20:30, te Mulliri i Haxhi Zekës në Pejë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara