Lajmet

​Muric: Do të jemi në garë me Zvicrën edhe për vendin e parë

Published

on

Në prag të dy ndeshjeve vendimtare të Kombëtares së Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, portieri i Dardanëve, Arijanet Muriç, ishte i ftuari i radhës në “FFK Podcast”.

Edhe pse nuk do të mund të jetë pjesë e ndeshjes së parë për shkak të pezullimit nga dy kartonë të verdhë, Muriç shfaqi besim dhe motivim të madh për ekipin, duke theksuar se Kosova është në garë edhe për vendin e parë.

“Sigurisht, duam të paktën vendin e dytë për të luajtur ‘play-off’-in. Por mendoj se do të jemi në garë me Zvicrën edhe për vendin e parë. Shpresoj kështu. Fillimisht duhet të përqendrohemi në ndeshjen kundër Sllovenisë, jemi në formë shumë të mirë, të gjithë lojtarët janë të shëndetshëm. S’ka lëndime dhe ekipi është i plotë. Vetëm unë s’mund të jem pjesë për shkak të dy kartonëve të verdhë”, tha Muriç.

Ai nuk e fsheh keqardhjen që nuk do të jetë pjesë e ekipit në ndeshjen kundër Sllovenisë.

“Po, sigurisht që më vjen keq. Do të ishte më e lehtë sikur të luaja. Nëse skuadra humb pa mua, më dhemb më shumë”, theksoi ai, por njëkohësisht shprehu besim të plotë te bashkëlojtarët në portë: “Stërviten njësoj si unë dhe japin maksimumin çdo ditë për t’u përmirësuar, prandaj janë gati”, tha ai.

Sa i përket atmosferës në kampin e Dardanëve, portieri i Kombëtares u shpreh optimist.

“Ne nuk kemi frikë. Nuk ka tension apo energji negative në ekip për ndeshjen e radhës. Dhe nuk duhet të kemi frikë ta luajmë ndeshjen. Nuk kemi presion, vetëm energji pozitive. Dhe kur i shikoj lojtarët, më duket që të gjithë e ndjejnë njësoj. Të gjithë janë të motivuar, kjo më jep ndjesi shumë pozitive”, shtoi Muriç.

Tutje Muriç foli për karrierën e tij me Kombëtaren dhe klubet, duke kujtuar debutimin e tij ndaj Azerbajxhanit dhe disa nga momentet më të veçanta me fanellën e Kosovës. “Ndeshja ndaj Republikës Çeke në Prishtinë ishte shumë e veçantë. Ata ishin në formë të lartë, por ne luajtëm shkëlqyeshëm. Edhe ajo ndaj Suedisë 2–0 ishte shumë e bukur”, u shpreh ai.

Portieri 27-vjeçar tregoi edhe për rrugëtimin e tij në klubet evropiane, teksa theksoi se një kohë pauzoi nga futbolli./S.K/KP/

 

Continue Reading

Vendi

Kurti merr pjesë në mbledhjen e parë të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare

Published

on

By

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë këtë të martë në mbledhjen e parë me Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare.

Takimi do të zhvillohet në Ndërtesën e Qeverisë, përkatësisht në sallën P-38, duke filluar nga ora 11:00.

Siç bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, mediat do të kenë mundësi të marrin pamje në fillim të këtij takimi të rëndësishëm që shënon fillimin e përgatitjeve për organizimin e kësaj ngjarjeje madhore sportive.

Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 shënojnë ngjarjen më të madhe multisportive që është organizuar ndonjëherë në Kosovë. Vendimi u mor zyrtarisht në shtator të vitit 2023 nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, i cili ia besoi Prishtinës rolin e qytetit mikpritës për edicionin e 21-të të këtij kompeticioni.

Kjo ngjarje do të mbledhë mijëra sportistë nga 26 shtete të tre kontinenteve (Evropë, Azi dhe Afrikë), të cilët do të garojnë në dhjetëra disciplina të ndryshme sportive. Për shkak se Kosova nuk ka dalje në det, garat e sporteve ujore detare do të zhvillohen në bashkëpunim me Shqipërinë, përkatësisht në bregdetin e Durrësit.

Organizimi i këtyre lojërave konsiderohet një arritje madhore shtetërore dhe diplomatike, si dhe një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillimin e infrastrukturës moderne sportive në gjithë vendin. /E.A/

Continue Reading

Rajoni

Ligji i ri i BE-së: Çdo përmbajtje e krijuar nga IA duhet të etiketohet qartë

Published

on

By

Pjesë të reja të Aktit gjithëpërfshirës të Bashkimit Evropian për Inteligjencën Artificiale kanë hyrë zyrtarisht në fuqi. Ky ligj i ri u kërkon kompanive dhe përdoruesve profesionistë të identifikojnë qartë çdo material të gjeneruar apo të manipuluar nga inteligjenca artificiale, me qëllim parandalimin e mashtrimit dhe dezinformimit në hapësirën digjitale.

Sipas Nenit 50 të këtij ligji, ofruesit e chatbot-eve duhet të njoftojnë përdoruesit kur ata po komunikojnë me një sistem IA. Gjithashtu, të gjitha tekstet, imazhet, audiot dhe videot e krijuara duhet të pajisen me shënues teknikë të lexueshëm nga makinat, të cilët provojnë prejardhjen e tyre.

Kërkesat janë veçanërisht strikte për falsifikimet e thella, të njohura si “deepfakes”, si dhe për tekstet që lidhen me tema të interesit publik si politika, shëndetësia, mjedisi apo shkenca, sa herë që ato publikohen pa një kontroll thelbësor njerëzor. Komisioni Evropian ka sqaruar se rregullimet e thjeshta gramatikore apo drejtshkrimore nuk konsiderohen si kontroll editorial.

Nga ana tjetër, për veprat artistike, satirike apo fiktive, zbulimi i pranisë së IA-së mbetet i detyrueshëm, por mund të bëhet në mënyrë të tillë që të mos prishë përvojën krijuese. Ndërkohë, personat që e përdorin inteligjencën artificiale thjesht për qëllime personale dhe joprofesionale janë tërësisht të përjashtuar nga kjo rregullore.

 

Continue Reading

lajme

LDK pranon ftesën e VV-së, PDK dhe AAK e refuzojnë

Published

on

By

Tri ditë para seancës konstituive të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje u ka dërguar ftesa të reja tri partive opozitare shqiptare për të diskutuar formimin e institucioneve të reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka pranuar këtë ftesë dhe takimi ndërmjet kryetarit Lumir Abdixhiku dhe Albin Kurtit pritet të mbahet të martën në orën 18:00.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës e ka refuzuar ftesën, me kryetarin Bedri Hamza që rikonfirmoi vendimin e tyre të prerë për të mbetur në opozitë. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka refuzuar si takimin ashtu edhe mundësinë e pjesëmarrjes në Qeveri.

Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, theksoi se nuk shohin arsye për t’u takuar në këtë format, pasi nuk kanë marrë asnjë përgjigje për gjashtë kushtet e tyre strategjike. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK rikonfirmon qëndrimin për të mbetur në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim të dërguar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një letre kthyese drejtuar Kurtit, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultative, duke rikonfirmuar vendimin e partisë për të qëndruar në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Përveç refuzimit të ftesës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të kërkojë marrëveshje me subjektet e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara