Lajmet

Szunyog: Nuk ka rrugë të shpejtë drejt BE-së pa reforma në sundimin e ligjit

Ai këtë e tha në tryezën “Raporti i BE-së për Kosovën”.

Published

on

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, deklaroi sot se nuk ka rrugë të shpejtë drejt Bashkimit Evropian pa reforma në sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai në tryezën “Raporti i BE-së për Kosovën”, ka thënë se vettingu i paralajmëruar duhet të konsiderohet vetëm si masë e jashtëzakonshme.

“Nuk ka rrugë të shpejta drejt BE-së, duhet të implementohen reformat posaçërisht në sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar”, ka thënë ambasadori Szunyog.

Duke folur për raportin e progresit të Komisionit Evropian, Szunyog ka thënë se Kosova nuk ka bërë progres në përmbushjen e rekomandimeve për administrimin publik.

“Kemi vërejtur me shqetësim interaksionin në rivlerësimin e gjyqtarëve. Vettingu, një proces i tillë duhet të konsiderohet vetëm si një mase e jashtëzakonshme”, ka thënë ai, duke shtuar se një proces i tillë duhet të jetë në pajtim me standardet evropiane.

Ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se raporti i progresit përmban pasaktësi.

“Rekomandimet jemi duke i trajtuar me seriozitetin maksimal dhe do të përmbushim pjesën më të madhe të tyre, përfshirë reformën zgjedhore. Raporti nuk ka arritur të ngërthejë zhvillimet deri në momentin e fundit, ndoshta për çështje teknike”, tha Bislimi.

lajme

Fati i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” në pikëpyetje

Published

on

By

Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse Kosova ende mund ta ruajë të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, në një kohë kur shqetësimet për vonesat në përgatitje dhe përmbushjen e obligimeve po shtohen. Në një përgjigje të shkurtër dërguar të enjten në mbrëmje për KosovaPress-in, Sekretariati i ICMG-së ka shmangur sqarimet se a është ende e mundur realizimi i zotimeve apo nëse procesi ka kaluar pikën e kthimit, duke e orientuar median që për informata të mëtejshme t’i drejtohet Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 (OCMG).

Kjo paqartësi ndërkombëtare vjen paralelisht me një përplasje të hapur institucionale brenda vendit, ku faji për rrezikimin e kësaj ngjarjeje sportive po hidhet nga njëri institucion te tjetri. Një ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti deklaroi se mungesa e unitetit të brendshëm po e rrezikon organizimin e Lojërave, duke e vlerësuar si të mirë bashkëpunimin me Komitetin Olimpik të Kosovës, por duke kritikuar raportet me Komunën e Prishtinës, teksa shtoi se mbetet optimist i përmbajtur se procesi do të çohet përpara pa korrupsion.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi ashpër kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ia atribuoi Qeverisë përgjegjësinë e plotë për dështimin dhe anulimin e takimit të paraparë me përfaqësuesit e ICMG-së në Athinë. Përmes një reagimi publik, Rama theksoi se komunikimi i fundit i ICMG-së konfirmon se takimi është anuluar për tri arsye që binin mbi ekzekutivin: moskryerja e pagesës, mosdërgimi i emrave të delegacionit dhe mungesa e përgjigjeve në postat elektronike.

Këto akuza të ndërsjella pasojnë paralajmërimet serioze që ICMG-ja i kishte dërguar palës kosovare në letrën e 15 tetorit, ku evidentoheshin rreziqet nga mungesa e garancisë bankare ose të sigurimit, pagesat e papërfunduara dhe moskthimi i përgjigjeve. Të gjitha këto zhvillime pritet të marrin një drejtim më të qartë më 19 dhjetor, kur Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së do të shqyrtojë gjendjen aktuale dhe propozimin për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme që do të vendosë për fatin e “Prishtina 2030”, ngjarje kjo e fituar nga Kosova në shtator të vitit 2023 dhe e paraparë të mbahet nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030 në disa komuna të Kosovës dhe në Durrës. /Kosova Press/

 

Continue Reading

Sport

UEFA dënon FFK-në me 42 mijë e 250 euro gjobë dhe mbyllje të pjesshme me kusht të stadiumit

Published

on

By

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka shqiptuar një dënim të rëndë ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për shkeljet e evidentuara në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Izraelit, e cila u zhvillua javën e kaluar dhe përfundoi me barazim 0:0. Pas hapjes së disa procedurave disiplinore, Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s vendosi ta gjobisë FFK-në me gjithsej 42 mijë e 250 euro, si dhe t’i shqiptojë dënim me kusht për mbylljen e pjesshme të stadiumit “Fadil Vokrri” në ndeshjen e ardhshme si vendase.

Sipas vendimeve të publikuara të enjten, pjesa më e madhe e gjobës, prej 20 mijë eurosh, është shqiptuar për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për ngjarje sportive, pa saktësuar se për cilin mesazh bëhet fjalë. Për sjellje raciste ose diskriminuese, FFK-ja është ndëshkuar me 10 mijë euro gjobë dhe me urdhrin për mbylljen e një sektori të stadiumit për një ndeshje, dënim ky që mbetet me kusht. Po ashtu, 10 mijë euro të tjera janë ndarë për fishkëllimat dhe pengesat gjatë intonimit të himnit të Izraelit, ndërsa 2 mijë e 250 euro për hedhjen e gjësendeve në fushën e lojës.

Ky është ndëshkimi i dytë që UEFA i shqipton Kosovës në edicionin e pestë të Ligës së Kombeve, pas ndeshjes që bëri bujë edhe për faktin se disa lojtarë të Kosovës mbajtën kokën ulur në shenjë proteste gjatë himnit kundërshtar. Në po të njëjtën paketë vendimesh disiplinore, UEFA ka dënuar edhe federatat e Bosnjë-Hercegovinës, Rumanisë dhe Anglisë. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Komisioni Hetimor për rastin e Arlinda Zekajt interviston sot tre zyrtarë institucionalë

Published

on

By

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, do të vazhdojë sot me intervistimin e zyrtarëve përgjegjës.

Në mbledhjen që nis në orën 09:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës, para anëtarëve të këtij komisioni pritet të japin dëshmitë e tyre drejtoresha e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj-Bajraktaraj, zyrtarja për Barazi Gjinore në po këtë komunë, Samka Drançolli, si dhe drejtori i departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Blerim Shabani.

Këto intervistime vijnë në kuadër të hetimeve parlamentare për të zbardhur përgjegjësitë e institucioneve para ngjarjes tragjike në Vitomiricë të Pejës, ku viktima u vra nga ish-kunati i saj, vetëm dy ditë pasi para këtij komisioni dëshmoi edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ndërkaq, krahas punimeve të këtij komisioni, në Kuvendin e Kosovës sot me fillim nga ora 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili do të zhvillojë një takim të përbashkët me Komitetin për Mbrojtje dhe Siguri të Odës Ekonomike Amerikane. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Samiti Britani–BE në Bruksel, pritet marrëveshje për lëvizjen e të rinjve dhe tregtinë

Published

on

By

Andy Burnham do të qëndrojë sot në Bruksel për të marrë pjesë në samitin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, në një përpjekje për të riformësuar marrëdhëniet e Britanisë me bllokun evropian. Gjatë këtij takimi, i cili pritet të nisë zyrtarisht më vonë gjatë mëngjesit të sotëm me ceremoninë e mirëseardhjes, në tryezë janë edhe marrëveshje të reja në fushën e ushqimit dhe tregtisë.

Një nga pikat kryesore që pritet të miratohet është skema e lëvizshmërisë së të rinjve. Sipas burimeve të BBC-së, kjo marrëveshje do t’u mundësojë 100 mijë të rinjve nga Bashkimi Evropian që të udhëtojnë, punojnë dhe studiojnë në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit, ndërsa e njëjta kuotë do të vlejë edhe për të rinjtë britanikë që duan të shkojnë në Evropë. Megjithatë, Downing Street ende nuk ka komentuar mbi detajet e këtij plani.

Këto zhvillime vlerësohen si paketa më e madhe e ndryshimeve në raportet me Brukselin që nga koha e Brexit-it, ndonëse në thelb mbeten një sërë rregullimesh të pjesshme. Siç komenton redaktori politik i BBC-së, Chris Mason, këto hapa ende nuk përbëjnë një rishikim të plotë e rrënjësor të marrëdhënieve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara