Lajmet
Solidariteti impresionues i gjermanëve me refugjatët nga Ukraina
Me gatishmëri të madhe ata po i mirëpret si popullsia, ashtu edhe strukturat shtetërore, landet dhe komunat.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiRefugjatët e luftës nga Ukraina po priten në Gjermani me një solidaritet impresionues. Me gatishmëri të madhe ata po i mirëpret si popullsia, ashtu edhe strukturat shtetërore, landet dhe komunat.
Persona privatë me tabela në duar ofrojnë në stacionet e trenit apartamente banimi për të ardhurit; komunat hapin sallat e bashkive për të strehuar refugjatët; punonjës bashkiakë aktivizojnë qendrat e para të pranimit të refugjatëve, të vitit 2015; gjermanë të thjeshtë organizojnë fqinjët dhe mbledhin rroba e sende të jetës së përditshme për refugjatët; pensionistë që ofrohen për të ndihmuar në qendrat e mbledhjes së refugjatëve. Një pamje e zakonshme këto ditë në shumë qytete gjermane.
Sipas ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, deri sot në Gjermani kanë ardhur mbi 283.000 refugjatë lufte nga Ukraina. Numri i të ardhurve mund të jetë faktikisht edhe më i madh, pasi ukrainasit kanë të drejtë të vijnë pa vizë në Gjermani. Si të tillë ata nuk janë të detyruar të regjistrohen. Por tani shumica po regjistrohen që të marrin ndihma nga shteti gjerman.
Në Gjermani, refugjatët e luftës nga Ukraina mbërrijnë kryesisht në Berlin dhe në Hamburg, prej andej shpërndahen në pjesë të tjera të Gjermanisë. Për një periudhë kohe, në Berlin mbërrinin deri 10.000 refugjatë lufte në ditë.
Mbështetje e strukturuar për refugjatët nga Ukraina
Shteti gjerman ka vënë në dispozicion të të ardhurve strehime, oferta për kualifikim, ushqim, ndihma sociale. Federata dhe landet diskutuan të premten (01.04.) me kancelarin Olaf Scholz për ndarjen e shpenzimeve të konsiderueshme. Për refugjatët e traumatizuar ka oferta për trajtim psikologjik. Shumë ndihmës për refugjatët janë sensibilizuar që të dallojnë refugjatët me shenja traume nga lufta, për t’u ofruar atyre pastaj trajtim të veçantë.
Shumica e të ardhurve janë gra me fëmijë. Ekspertët e arsimit vlerësojnë se të paktën një e treta e refugjatëve nga Ukraina në Gjermani janë fëmijë ose adoleshentë. Ata do të kenë nevojë për shkollë ose për kopshte ditore.
Shkollat në lande të ndryshme të Gjermanisë po ngrejnë klasa mikpritjeje për fëmijët nga Ukraina. Në këto klasa bëhen përpjekje që refugjatët ta mësojnë gjermanishten sa më shpejt që të jetë e mundur, që më pas të integrohen në klasa të rregullta. Në Berlin, p.sh. në shkollat publike të këtij landi ka tashmë 50 klasa të tilla. Në Bavari janë ngritur “grupe edukative të mirëseardhjes”.
Edhe në kopshtet ditore po punohet që të zgjerohet oferta. Ka qytete, ku përkujdesjen për fëmijët e marrin përsipër vetë gra refugjate nga Ukraina. Shumë të rëndësishme për qëndrimin në Gjermani janë njohuritë e gjermanishtes. Autoritetet shohin një nga detyrat kryesore për integrimin, zgjerimin e ofertës me kurse të gjermanishtes, për të ardhurit.
Ukrainasit marrin leje pune
Në dallim nga refugjatët e viteve 2015/2016, ukrainasit kanë të drejtë të punojnë menjëherë. Për herë të parë, në rastin e Ukrainës Bashkimi Evropian aktivizoi të ashtuquajturën „direktivë të fluksit masiv”. Si rrjedhim, refugjatët nga Ukraina mund të qëndrojnë në BE deri në tre vjet, pa shtruar kërkesë për azil. Ata marrin menjëherë edhe një leje pune.
Kompanitë gjermane kanë postuar mijëra oferta pune, në portalet e ndërmjetësimit të punës në internet. Ofrojnë punë dhe praktika për refugjatët nga Ukraina. Kërkohen punonjës me kualifikime të ndryshme, si zhvillues të programeve kompjuterike Java dhe Cloud, ashtu edhe infermierë, luleshitës, kuzhinierë e shoferë kamioni.
Integrim më i shpejtë i ukrainasve
Sa do të qëndrojnë refugjatët nga Ukraina në Gjermani, kjo nuk dihet.
Për ata që do të qëndrojnë, sipas Institutit kërkimor Empirica, integrimi do të jetë më i shpejtë si i emigrantëve të tjerë. Në një studim në mes të marsit, ky institut përshkroi nivelin e lartë arsimor të të ardhurve, “veçanërisht të femrave.” Edhe ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil tha se gjysma e të ardhurve kanë mbaruar shkollat e larta, sjellin kualifikim akademik.
Për këtë arsye Agjencia Federale e Punës dhe Dhomat e Tregtisë po përpiqen së bashku që këta njerëz të mos përfundojnë në punë të nivelit të dytë, p.sh. duke lehtësuar njohjen e diplomave të të ardhurve. Diplomat e refugjatëve shpesh nuk janë të barazvlershme me diplomat gjermane. Vështirësi paraqet edhe fakti që një pjesë e të ikurve nuk kanë marrë dot me vete dokumenta.
Ritmet e ardhjes janë ngadalësuar
Sipas Organizatës së refugjatëve të OKB-së, UNHCR, deri sot nga Ukraina janë larguar katër milionë vetë. Shumica e të larguarve kanë qëndruar në shtete pranë Ukrainës. Rreth 1 milion prej tyre kanë vazhduar rrugën drejt Perëndimit, njoftoi Komisioni Evropian. Por ndërkohë, nga Ukraina po largohen më pak refugjatë. Aktualisht, Ukrainën e braktisin rreth 40.000 vetë në ditë. Shifra më e lartë e largimit ka qenë 200.000 vetë në ditë. Në disa zona kanë filluar edhe kthimet e para të të ikurve.
Dallime me valën e refugjatëve të 2015-ës
Në vitin 2015, mikpritja në Gjermani për refugjatët fillimisht ishte e madhe. Pastaj atmosfera ndryshoi. Prandaj vëzhguesit shtrojnë pyetjen a mund të përsëritet edhe me refugjatët e luftës nga Ukraina një fenomen i tillë.
Ka disa dallime nga situata e vitit 2015. Në vjeshtën e vitit 2015 refugjatët u pritën me duartrokitje kur mbërritën në Gjermani. Por vërshimi i refugjatëve vazhdoi pa u ndalur, duke kaluar shifrën e 850.000 vetëve. Goditje të fortë, entuziazmi mori veçanërisht pas sulmeve seksuale në stacionin kryesor të trenit të Këlnit, natën e vitit të ri 2015/2016. Edhe debati politik në Gjermani, deklaratat e disa politikanëve, ndikuan atëherë në pakësimin e mbështetjes për refugjatët. Prandaj rol vendimtar në kulturën aktuale të mikpritjes do të luajë qëndrimi i mëtejshëm i politikës.
Refugjatët e luftës nga Ukraina dallohen nga refugjatët e viteve 2015/2016. Ukrainasit janë evropianë. Në pikëpamje kulturore ata janë më të afërt me popullsinë e vendeve të BE, edhe të Gjermanisë, ku vijnë. Një nga elementët ku vërehet dallimi kulturor me refugjatët e viteve 2015/2016 është p.sh. edhe ndarja tipike e roleve në familje. Shumica e femrave ukrainase që vijnë tani e kanë të natyrshme të punojnë. Në këtë mënyrë edhe bashkëjetesa është më e lehtë.
Ukrainaisit nuk janë të panjohur në Gjermani. Sidomos prej vitit 2014, në Gjermani kanë ardhur shumë prej tyre. Ata kanë krijuar në Gjermani një komunitet prej rreth 300.000 ukrainaisish.
Edhe autoritetet gjermane kanë mësuar nga përvoja e vitit 2015. Koncepti i trajtimit të të ardhurve është përmirësuar. Të ardhurit trajtohen tani në mënyrë integrative. Në vitin 2022 nuk pritet sa refugjatët të kenë mësuar njëherë gjermanishten dhe pastaj të nisin hapat e tjerë. Por në Jobcenters, në qendrat e punësimit, punohet me ritëm dhe punohet paralelisht: për gjetje strehimi, për situatën familjare dhe për integrimin kulturor njëkohësisht./DW
Lajmet
REL: Rubio në Konferencën e Munihut, ku merr pjesë edhe Kosova
Published
1 hour agoon
February 10, 2026By
UBTNEWS
Kryediplomati amerikan, Marco Rubio, do të udhëtojë për në Gjermani më vonë gjatë javës dhe do të udhëheqë një delegacion të nivelit të lartë në Konferencën për Siguri të Munihut, para se të niset drejt Sllovakisë dhe Hungarisë.
Konferenca e 62-të e Munihut do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt, ku do të marrin pjesë qindra udhëheqës botërorë, përfshirë edhe nga Kosova. Në Munih do të jetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti.
Edhe Serbia do të ketë përfaqësues në Konferencë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, kryediplomatin Marko Gjuriq, dhe disa ministra të tjerë. Ndërkaq, edhe vendet e tjera të rajonit do të përfaqësohen në Munih me zyrtarë të lartë, përfshirë kryeministra.
Pjesëmarrja e Rubios në këtë konferencë ndodh në një moment të rëndësishëm, kur Uashingtoni dhe aleatët evropianë po përballen me mosbesim në rritje lidhur me sigurinë, tregtinë dhe të ardhmen e aleancës transatlantike dhe këto tensione pritet të mbizotërojnë diskutimet në Munih.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, që në fund të shkurtit hyn në vitin e pestë, pritet të jetë temë kryesore e diskutimeve në Konferencë, por edhe tensionet që kanë të bëjnë me Iranin.
Pjesëmarrja e Rubios në Konferencën në Gjermani do të pasohet me një turne diplomatik në Bratisllavë dhe Budapest më 15 dhe 16 shkurt, duke vënë në pah fokusin e administratës amerikane në Evropën Qendrore në një kohë të një pasigurie strategjike.
Në Sllovaki, ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë për të avancuar bashkëpunimin e sigurisë rajonale dhe për projektet e energjisë bërthamore, tha Departamenti amerikan i Shtetit. Në Hungari, ndërkaq, fokusi do të jetë në raportet dypalëshe dhe në përpjekjet e paqes që synojnë zgjidhjen e konflikteve botërore.
Pika kryesore e udhëtimit të Rubios do të jetë fjalimi në Munih më 14 shkurt, i cili pritet të shikohet me vëmendje, veçmas pasi fjalimi i nënpresidentit amerikan, JD Vance, vitin e kaluar në këtë konferencë pati jehonë të madhe.
Atëbotë, deklaratat e Vance – kur ai akuzoi liderët evropianë për shtypje të lirisë së shprehjes dhe dështim në menaxhimin e migracionit – lanë pas një ndjenjë shqetësimi në Bruksel dhe më gjerë.
Kjo ndjesi pasigurie pasqyrohet edhe në raportin vjetor të Konferencës së Sigurisë së Munihut, të hartuar nga organizatorët e forumit dhe të publikuar këtë javë, i cili paralajmëron se Evropa po përballet me një “epokë të prolonguar konfrontimi” të nxitur nga agresioni rus.
Tensionet transatlantike
Sipas raportit, sfida më e madhe për rendin liberal ndërkombëtar mund të vijë tashmë “nga brenda”, duke iu referuar asaj që e përshkruan si një ndryshim tektonik në mënyrën se si SHBA-ja po mendon për aleancat.
Duke e quajtur presidentin amerikan, Donald Trump, “më të fuqishmin ndër ata që i bien me sëpatë rregullave dhe institucioneve ekzistuese”, autorët e raportit parashikojnë se “marrëveshjet transaksionale mund ta zëvendësojnë bashkëpunimin e ndërtuar mbi parime… dhe rajonet mund të dominohen nga fuqitë e mëdha, në vend që të qeverisen nga rregulla dhe norma ndërkombëtare”.
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, e ka kundërshtuar fuqishëm vlerësimin për një “kërcënim të brendshëm”, duke argumentuar se Uashingtoni synon të ribalancojë, e jo të shkatërrojë, rendin e pasluftës.
Duke folur për gazetarët më 9 shkurt, Whitaker kundërshtoi idenë se SHBA-ja po largohet nga aleancat e qëndrueshme.
“Ne po përpiqemi ta bëjmë NATO-n më të fortë”, deklaroi ai, duke argumentuar se presioni ndaj aleatëve evropianë për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen lidhet me rritjen e kapaciteteve, jo me braktisjen e aleancës.
Sa i përket tregtisë, ai e paraqiti qëndrimin e SHBA-së si një përgjigje ndaj asaj që e quajti pabarazi të padrejta.
Sa i përket Grenlandës, për të cilën Trump ka thënë se dëshiron që SHBA-ja ta marrë nën kontroll, Whitaker tha se ky synim ka të bëjë me shqetësime të sigurisë që lidhen me Rusinë dhe Kinën. /REL/
Lajmet
FSK në ushtrimin “Dynamic Front 26” në Gjermani
Published
2 hours agoon
February 10, 2026By
UBTNEWS
Forca e Sigurisë së Kosovës po merr pjesë në ushtrimin ndërkombëtar “Dynamic Front 26”, të organizuar nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), me një kontingjent nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë dhe një togë të mortajave.
“Dynamic Front është një ushtrim shumëkombësh që teston ndërveprueshmërinë e ushtrive të NATO-s dhe partnerëve në fushën e artilerisë dhe zjarrit indirekt”, thuhet në njoftimin e FSK-së, duke bërë të ditur se ushtrimi po zhvillohet paralelisht në Gjermani, Rumani, Poloni, Spanjë dhe Turqi.
FSK ka zbarkuar në Gjermani, në zonën stërvitore Grafenwöhr, me kapacitetet e veta logjistike, përfshirë automjetet, armatimin dhe municionin.

“Togu i mortajave me mortaja 120 mm ka realizuar qitje mbi objektiva në koordinim me Ushtrinë Amerikane dhe trupat italiane”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Sipas njoftimit, gjatë ushtrimit “Dynamic Front 26”, FSK ka demonstruar aftësitë e saj në qitje ditën dhe natën, ndërsa “çdo ditë po dëshmon profesionalizëm dhe disiplinë duke ndërvepruar me partnerët në të mirë të paqes dhe sigurisë”.
Lajmet
AUV ndalon importin e kafshëve të gjalla nga Rumania, shkak sëmundja e tërbimit
Published
3 hours agoon
February 10, 2026By
UBTNEWS
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, njofton se ka ndaluar importin e kafshëve të gjalla nga Rumania.
Ky ndalim i importit sipas komunikatës së AUV, erdhi pas konfirmimit të sëmundjes së tërbimit në një fermë familjare në rajonin e Maramureș, në Republikën e Rumanisë.
“Në përputhje me Ligjin për Veterinarinë, AUV ka marrë vendim për ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, përfshirë gjedhët, delet, dhitë dhe derrat, si dhe produkteve të tyre, me origjinë nga zona e infektuar në shtetin e Rumanisë. Kjo masë hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në komunikatën e AUV.
Ndërkaq, AVU njofton se do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e rregullt të publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo zhvillim të ri.
AUV thekson se mbetet e përkushtuar për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje dhe mbrojtjes së shëndetit publik dhe atij veterinar.
Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë liruar me kusht në Kosovë më 10 shkurt 2026, pas rishikimit të fundit të masës së paraburgimit nga Gjykatësi i Vetëm në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, e njohur si “Çështja gjyqësore 12”.
Sipas vendimeve të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi ka konstatuar se rrethanat kanë ndryshuar që nga rishikimi i fundit i paraburgimit në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e Smakajt dhe Fazliut në paraburgim “nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale”.
Megjithëse është vlerësuar se ekziston ende një rrezik i kufizuar për pengim të procesit, Gjykatësi ka theksuar se “e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe”.
Në vendim është marrë parasysh edhe fakti se koha e kaluar në paraburgim nga të akuzuarit “tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit nëse do të shpalleshin fajtorë”, si dhe se faza e paraqitjes së provave në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit tashmë ka përfunduar.
Po ashtu, Gjykatësi ka konstatuar se “nuk ka rrezik që Smakaj dhe Fazliu të arratisen”, duke përmendur edhe dorëzaninë financiare të ofruar prej tyre. Megjithatë, Smakaj dhe Fazliu mbeten të akuzuar në këtë proces gjyqësor dhe lirimi i tyre është i kushtëzuar me një sërë masash. Versionet e redaktuara publike të vendimeve janë publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
REL: Rubio në Konferencën e Munihut, ku merr pjesë edhe Kosova
Macron u bën thirrje evropianëve: Ka ardhur koha të sillemi si fuqi botërore
FSK në ushtrimin “Dynamic Front 26” në Gjermani
Google paralajmëron përdoruesit e WhatsApp për këtë funksion
AUV ndalon importin e kafshëve të gjalla nga Rumania, shkak sëmundja e tërbimit
Llapi kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Kosovës
Smakaj dhe Fazliu lirohen me kusht
Leposaviq: Policia konfiskon pajisje ushtarake
Pesë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Lajmet nga UBT2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNga klasa në praktikë! Studentët e drejtimit Media dhe Komunikim vizitojnë shtypshkronjën e UBT-së
-
Lajmet nga UBT2 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
