Op-Ed

Skajshmëria e një lufte

Shkruan Prof.Dr Bahri Gashi

Published

on

(Fundi i një lufte pa fitues)

Në njëvjetorin e invazionit ushtarak të pushtimit rus mbi Ukrainën, paralajmëruar për pashmangshmërinë e një lufte konvencionale, dy ditë përpara se të fillonte lufta frontale, në artikullin e publikuar më 22 shkurt 2022, si një paralajmërim serioz se lufta ishte e patejkalueshme. Ajo filloi dy ditë më vonë, me 24 shkurt 2022 me agresionin ushtarak, sulme intensive luftarake të përshkallëzuara në shkallë të gjerë.

Qëkur ushtria ruse dislokoi trupat e saj përgjatë kufirit me Ukrainën rreth një vit më parë, shumë ekspertë ushtarakë dhe politikanë në perëndim menduan se Kievi në rast invazioni do të binte brenda disa ditësh.

Pas fillimit të sulmeve luftarake, ndryshe nga të gjitha parashikimet për përparim të shpejtë të ushtrisë ruse, forcat e ushtrisë ukrainase rimorën kontrollin dhe mbajtën të gjallë shpirtin luftarak të popullit ukrainas me në krye presidentin Zelensky si simbol i luftës për Ukrainën dhe shembull për botën, duke ruajtur epërsinë gjatë ritmit të betejave.

Putini dhe rusët, sikur gabim bënë llogarinë luftës, për shkak të shumë faktorëve defansiv në terren, aspektet e izolimit dhe saksioneve nga Perëndimi.

Paranvera e këtij fillimviti parashihet të shënojë ofenzivën më të madhe të luftës Rusi-Ukrainë të parë ndonjëherë, duke i dhënë goditjen përfundimtare agresionit rus ndaj Ukrainës, sikurse një përballje dhe mësymje të madhe ushtarake me intensitet të lartë luftimi nga të dyja palët në këtë terren kritik lufte.

Derisa lufta kishte shënuar rënie për shkak të dimrit, një lloj (armëpushimi stinor), kishte rifilluar armatimi nga aleatët perëndimorë, në këtë rast Gjermania ia zotoj Ukrainës një ngrkesë mjetesh ushtarake, në total prej rreth 80 tankesh luftarake Leopard 2, sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar po ashtu. “Dy batalione (gjithsej rreth 80 tanke kryesore luftarake) të tipit Leopard-2-A6 do të dorëzohen së shpejti”, ka qenë zotimi i Partisë Social Demokrate (SPD), ndërsa aty thuhej se, 14 prej tyre vijnë nga aksionet e Bundeswehr-it.

Po ashtu, përveç aleatëve evropianë, edhe Shtetet e Bashkuara u zotuan të dërgojnë 31 tanke M1 Abrams, ndërkohë Mbretëria e Bashkuar ka premtuar 14 tanke Challenger 2. Kjo do të thotë se vendet e tjera si; Polonia, Spanja dhe Norvegjia, që kanë rezerva të tankeve të standardeve të NATO-s, tani mund t’i dhurojnë ato Ukrainës, si paketë e ndihmës ushtarake, duke e rritë arsenalin sulmues të llojeve të tankeve dhe artilerisë goditëse. Edhe sistemi rimodelimit të raketave, që shkatërron në masë, të cilat shërbejnë si bombardues droni për shpërndarjen e eksplozivit, përbënë një tjetër arritje tek armët shkatërruese ukrainase.

Në këtë situatë krtike – gjendje lufte, Ukraina ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE qershorin e vitit të kaluar.

Shtetet e BE-së e kanë mbështetur me vendosmëri Ukrainë qëkur Moska nisi pushtimin në shkurt të vitit 2022, duke goditur Rusinë me një valë ndëshkimesh ekonomike dhe duke i dërguar vazhdimisht armë Kievit. Në këtë kuadër me 3 shkurt të këtij viti u ,bajt “Samiti Ukrainë-BE” në Kiev, ku u ritheksua mbështetja politike integruese dhe ushtarake për çlirimin e Ukraninës.

Duke i parë këto zhvillime, përfshirjen e edhe të mercenarëve paraushtarak Wagner, mbështetjen kineze dhe shtete tradicionale mike të rusisë, Rusia ka marrë masa rigoroze të riorganizimit të luftës me karakter shumëdimensional si goditje përfundimtare.

Rusia supozohet se ka përgatitur gjini të ndryshme ushtarake, njësi elite dhe mjete të sofistikuara luftarake të sinkronizuara, të ndërveprueshëm në terrene lufte, duke përfshirë 2 mijë tanke dhe 300 mijë ushtarë për një ofensivë të madhe në Donbas në javët e ardhshme. Paralajmërimet nga shërbimet e inteligjencës ukrainase, thuhet se fuqia e sulmeve pritet të përforcohet me mijëra mjete luftarake të tjera të blinduara, sisteme artilerie, si dhe qindra avionë luftarakë dhe helikopterë bombardues.

Sulmi pritet të përkojë me përvjetorin e 24 shkurtit të pushtimit të Ukrainës. Në këtë situatë kritike, në mes rritjes së luftimeve, besohet se ofensiva e shumëpritur ruse tashmë ka filluar dhe pritet të përshpejtohet me afrimin e datës simbolike të fillimit të invazionit ushtarak Rus në Ukrainë.

Zhvillimet atje priten të përshkallëzohen me një ripushtim të madh në dy tri javët ardhshme”. Informacionet e inteligjencës ushtarake, shërbimet e kundërzbulimimit të Ukrainës nxjerrin të dhëna se Rusia tanimë ka koncentruar më shumë se 300 mijë trupa brenda vendit, pothuajse sa dyfishi i numrit të ushtarëve të mobilizuar dhe aktiv në luftë në kufijtë e saj pak para fillimit të luftës.

Të dhënat flasin se ushtria ruse ka përgatitur gjithashtu 1 mijë e 800 tanke, mbi 3 mijë e 900 automjete të blinduara, 2 mijë e 700 lloje sistemesh artilerie, 810 sisteme lëshimi të shumëfishta të epokës sovjetike, 400 avionë luftarakë dhe 300 helikopterë për ofensivën e re, sipas vlerësimeve të inteligjencës në Kievit.

I gjithë ky përforcim ushtarak dhe koncentrim i arsenalit luftarak në zonat kritike, tregon një kundërpërgjigjie ndaj Perëndimit për ndihmat ushtarake ndaj Ukrainës, sidomos për kontigjentet e fundit dhe për një dimension të ri të luftës Rusi-Ukrainë. Ofensiva e madhe goditëse tanimë veç ka filluar, rrjedhimisht goditja përfundimtare do të pasqyrohet me vrasje të shumtë në njerëz, shkatërrime të infrastrukturës kritike me dëme katastrofale.

Derisa një vit më parë invazioni i pushtimit rus mbi Ukrainën ishte pashmangshmëria e një lufte konvencionale, tani po shfaqet skajshmëria e një lufte shkatërrimtare e cila është evidente dhe e pakapërcyeshme.

Grumbullimi i një arsenali të tërë luftarak nga të dyja palët, trysnia e mbidominimit ushtarak dhe mobilizimi i gjithanshëm, ngutshmëria ndërvepruese taktike e një ofenzive të madhe, pa mohuar frikën nga armët bërthamore, shpërfaq godijen përfundimtare që nuk tregon se fundi shkatrrimtar është afër nën ritmin e gjatë të betejave të stërgjatura, shënon edhe fundin e një “strategjie lufte” pa fitues.

Shënim:

(Autori është doktor shkence, profesor në programin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i politikave të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës)

Aktualitet

“BBVK”: Eksperiment social apo degradim i shoqërisë?

Published

on

Një shfaqje e realitetit tonë të shoqërisë aktuale, përkufizohet si një eksperiment social, ku disa individë me profesione të caktuara bëhen pjesë e një shtëpie dhe janë të izoluar brenda katër mureve. Është një lloj programi televiziv që përfshin individë të zakonshëm, të cilët vendosen në situata specifike për të krijuar drama, duke u rrethuar nga konkurrenca ose eksperienca të tjera që synojnë të kapin emocionet dhe reagimet e tyre reale. Ajo që e bën të veçantë këtë format është se ngjarjet shpesh janë të paplanifikuara, duke sjellë kështu një ndjenjë autenticiteti dhe pasigurie, si për protagonistët e ngjarjes, ashtu edhe për shikuesit.

Në Kosovë, tash e 3 vjet ky format është ‘përqafuar’ nga masa, duke bërë që për 3 muaj radhazi sytë dhe veshët e audiencës të jenë dy herë në javë në Prime, por jo vetëm. Ata bëhen të varur nga këto diskutime që për bazë kanë gjithçka tjetër përveç argumentit të pastër. Epo, nuk thuhet më kot që debati me tone të larta dhe sulmi ndodhin pikërisht kur mungon argumentimi për tematikën e caktuar apo mungesa e informacionit bazë për çështjen në fjalë.

“Big Brother nuk ka një veçanti për të cilën duhej të admirohej, debatet e ashpra dhe termi ‘bullizëm’ në një format të tillë janë vetëm për të nxitur sherr, në mënyrë që masa ta ndjekë edhe më shumë”, kështu e nis këtë intervistë psikologu Dorjan Krasniqi, i cili mes tjerash thekson se ky term po keqpërdoret dhe nuk po përcaktohet saktë kufiri i tij, duke mos u bërë e qartë se cili është përkufizimi i saj.

Ai më tutje nënvizon faktin se këto formate ndikojnë edhe në psikologjinë e njerëzve që me apo padashje bëhen pjesë e debatit ani pse duke e shikuar nga ekrani apo rrjetet e ndryshme sociale. “Po sigurisht që ato ndikojnë, por do të thoja më shumë në mënyrën se si ne i përceptojmë apo pranojmë këto fakte, ama dramat në përgjithësi nuk sjellin dobi as për shëndetin mendor të një personi”, vazhdon tutje Krasniqi.

Ajo çka mund të cilësohet pikë pozitive është që një personazh apo individ do të rrëfejë sfidat, vështirësitë por dhe sukseset, natyrisht dikush më pak e dikush më shumë në profesionet që ata ushtrojnë. Këto formate shpesh kanë mbështetur edhe disa kauza siç janë; Denoncimi i dhunës së burrave ndaj grave, roli vendimmarrës i gruas në shoqëri, normalizimin e një divorci kur mes çiftit ka mirëkuptim apo dhe solidarizimi mes personave që vuajnë nga sëmundje të ndryshme.

“Një gjë kryesore që duhet thënë është se personat me probleme të ngjashme nuk do të ndihen inferior, sepse tek e fundit një shëndet mendor jo i mirë nuk i atakon vetëm ata por edhe të tjerët qofshin ata imazhe publike apo persona të thjeshtë”, u shpreh psikologu kosovar.

Frika më e madhe e prindërve është se mos fëmijët e tyre kanë tendencë t’i kopjojnë sjelljet e këtyre banorëve duke tentuar ta marrin primatin dhe respektin nga të tjerët, sepse vëmendjen dikush e dëshiron me çdo kusht, e meriton apo jo, kjo pak ka rëndësi.

“Secili person ka një idol dhe ai/ajo mund të jetë pikërisht një konkurrent në këtë format, pra një person model që e admiron dhe ja kopjon edhe mënyrën e komunikimit”, u shpreh ai.

E, nëse flitet për presionin që atyre u bëhet gjithmonë në kuadër të lojës për dikë mund të jetë e papërballueshme dhe psikologu për këtë pjesë shton se vetëm një është fitues, ndërsa për të tjerët kjo do të jetë një humbje. Ai shton se nga izolimi brenda katër mureve, dalja mund të jetë me problematika, sepse ata përballen me realitetin.

“Rrezik të madh konsideroj tranzicionin që është i vështirë, e madje me raste shoqërohet edhe me pasoja. Duhet parë se si mund të menaxhohet kjo famë e madhe dhe t’i bëhet ballë edhe me komente negative”, përfundoi Dorjan Krasniqi.

UBT News ka realizuar një intervistë edhe me ish-banorin e edicionit të parë të ‘BBVK’, Artan Thaqi i cili fillimisht shpreh keqardhje për këtë sezon duke theksuar se dallon nga dy edicionet e kaluara.

“Edicioni i parë ku kam qenë prezent unë, pavarësisht se ka pasur debate mendoj që nuk kemi kaluar në banalitet e dhe nuk ka pasur eskalime. E kemi ditur se kur është momenti për t’u ndalur dhe, në fund të fundit, e kemi respektuar njëri-tjetrin. Edhe edicioni i dytë ka pasur momente kur situaae ka dalë jashtë kontrollit dhe madje shumica e debateve kanë përfunduar me ofendime. Kurse, sezona e tretë, që duhej të merrnin shembull nga ne, në vend që të sillen në suaza të normale, ka tendencë të bëjnë zhurma sa për të rënë në sy dhe për të marrë epitetin ‘Lider” mirëpo ka ‘ huqe të mëdha’. Pra, me pak fjalë, në këtë edicion banorët janë shumë larg nga të qenurit fitues”, theksoi Thaqi.

Sa ka ndikuar kjo eksperiencë televizive në psikologjikën e Artanit? 

Sa i përket aspektit psikologjik si banor duke e ditur faktin që isha në izolim dhe truri në një formë apo tjetër kalon nga realiteti në ikje nga përditshmëria, duhet të mendosh që jetesa do të zhvillohet vetëm brenda katër mureve. Pra, gjithçka ndodh aty dhe madje ndodh shumë shpejt, Në momentin që përfundon kjo aventurë, atëherë e dallon qartë se brenda ekziston një energji jo e mirë, shpeshherë negative, sepse secili ish-konkurrent brenda vetes i akumulon ato, dhe vjen një moment kur ndjehesh keq në muajt e parë pas daljes.

I pyetur në lidhje me ndikimin që ky format ka për të rinjë, kjo është përgjigja e tij: “ Kur flitet për rininë, nëse është fjala si shikues nga TV-ja, ky edicion besoj se e keni parë që është +18 dhe kanalet  me kod, për shkak se askush nuk mund të sigurohet se çfarë ndodh  dhe çfarë shprehje eksplicite, mund të përdoren. Kjo gjë transmetohet tek rinia, ku shumica prej tyre i përdorin si “MEME” në rrjetet sociale, dhe sigurisht që nuk ka efekt të mirë. Kontrolli i plotë për prindërit është një mision i pamundur, sepse fëmijët e tyre tashmë po përdorin pajisje teknologjike: Tv , Telefon, iPad etj.

Mund të thuhet se Big Brother VIP dhe formate të ngjashme kanë një ndikim negativ në shoqëri. Përpjekja për të krijuar drama dhe konflikte përmes një realiteti të manipulueshëm mund të ketë pasoja negative, duke ushqyer një kulturë të dhunës verbale dhe përçarjes. Kjo çon në një pyetje kritike: A janë këto formate të ardhshme të shëndetshme për shoqërinë, apo vetëm një mënyrë për të konsumuar kohë dhe emocione të manipuluara, që i shërbejnë vetëm përfitimeve komerciale dhe një publiku të lodhur nga spektaklet pa thellësi? E vërteta mbetet diku në mes, dhe ndikimi i këtyre programeve në psikologjinë e individëve dhe kulturën shoqërore është ende një temë për diskutim të vazhdueshëm./UBTNews/

 

Artikull i shkruar nga Albina Zeneli

 

Continue Reading

Aktualitet

Politika si terren i burrave: Ku janë gratë?

Published

on

Përfaqësimi i grave në politikën e Kosovës është një proces që pasqyron jo vetëm një përpjekje për barazi gjinore, por dhe një reflektim të thellë të shtresave sociale, kulturore dhe historike që kanë përcaktuar zhvillimin e shoqërisë kosovare. Ky rrugëtim, i mbushur me pengesa dhe sfida, ka nisur nga margjinalizimi dhe shtypja deri në arritjen e disa sukseseve të dukshme që tregojnë ndryshimet e ngadalshme, por të nevojshme. Megjithatë, sfidat e kësaj rruge mbeten të shumëfishta dhe të kompleksuara, duke kërkuar një trajtim të thelluar dhe një qasje më gjithëpërfshirëse.

Një moment historik për përfaqësimin gjinor ishte viti 2021, kur zgjedhjet parlamentare shënuan një kapitull të ri për Kosovën. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani – Sadriu u bë politikania më e votuar në historinë e vendit, duke arritur një mbështetje prej 300.756 votuesve. Për më tepër, Kuvendi i Kosovës regjistroi një rekord prej 43 deputetesh gra nga 120 anëtarë, duke tejkaluar kuotën gjinore prej 30 për qind.

Në qeverinë e formuar pas këtyre zgjedhjeve, gratë zënë 6 nga 18 poste ministrore, duke arritur një përfaqësim prej 33.33 për qind. Megjithatë, përfaqësimi gjinor në institucionet ekzekutive vazhdon të jetë i ulët. Situata është edhe më e vështirë në nivelin lokal, ku vetëm një grua, Ljiljana Shubariq, arriti të fitojë mandatin për të udhëhequr Komunën e Graçanicës, një nga 38 komunat e Kosovës në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Një nga mekanizmat më efektivë për rritjen e përfshirjes së grave ka qenë vendosja e kuotës gjinore. Ky sistem ka ndihmuar në rritjen e numrit të grave në politikë dhe ka ndërgjegjësuar elektoratin për rëndësinë e barazisë gjinore. Sipas raportit të “Studimit të Grave në Republikën e Kosovës (2021/2022)” nga Fondacioni Friedrich – Ebert, reforma zgjedhore duhet të përfshijë futjen e kuotës 50/50 në listat e kandidatëve, përveç vendeve të garantuara në parlament.

Sipas Liridona Berisha – Shabanit, nga SIT – Center for Counseling, Social Services and Research, përfshirja e grave në politikë ka frymëzuar brezat e rinj të vajzave dhe grave për të ndjekur këtë rrugë. Kuota gjinore ka qenë vendimtare për të tejkaluar mentalitetin patriarkal dhe për të rritur përfaqësimin e grave, edhe pse shumë gra tashmë kanë dëshmuar se mund të jenë lidere të forta edhe pa ndihmën e saj!

“Fakti që gratë janë përfshirë në politikë në masë më të madhe gjatë viteve të fundit është një hap frymëzues për gratë tjera dhe vajzat e reja që duan të jenë pjesë e politikës në të ardhmen. Kuota gjinore ka ndihmuar shumë në këtë aspekt, duke pasur parasysh mendësinë ngulfatëse të burrave politikanë. Megjithatë, ka gra të shumta që e kanë dëshmuar veten në shumë aspekte dhe mund t’i bëjnë ballë jetës politike dhe sfidave që ajo sjell edhe pa ndihmën e kuotës”, është shprehur Berisha – Shabani.

Profesoresha universitare, Shqipe Mjekiqi është e mendimit se, kuota gjinore që nga viti 2001, ka kontribuar në ndërgjegjësimin e elektoratit për të votuar më shumë gra, edhe pa nevojën për të.

“Mendoj se ka pasur përparim. Për shembull, kuota gjinore, e cila është aplikuar që nga zgjedhjet e vitit 2001, ka ndihmuar në rritjen e përfaqësimit të grave në Kuvend, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Kjo kuotë, në një afat të gjatë, ka arritur të kontribuojë në vetëdijesimin e elektoratit për të votuar më shumë gra përfaqësuese. Sot, një numër më i madh i grave në Kuvend zgjedhen pa pasur më nevojë për kuotën”, potencoi Mjekiqi.

Në aspektin institucional, deputetja Fatmire Mulhaxha – Kollçaku vlerëson se kuota ka ndihmuar në rritjen e përfaqësimit të grave, duke garantuar një minimum prej 30 për qind përfaqësim në lista zgjedhore dhe institucione qendrore. Ajo e cilëson kuotën si një mekanizëm të nevojshëm fillestar për të tejkaluar përfaqësimin e ulët, ndërsa sot, falë performancës dhe mbështetjes në rritje, gratë po zënë pozita më të avancuara edhe përtej saj.

“Fillimisht, kuota ka qenë një detyrim, dhe është vërtetuar se pa të, përfaqësimi i grave ka qenë shumë i vogël. Me vendosjen e kuotës, gjendja filloi të ndryshojë, duke u krijuar mundësi që një numër grash të zgjidheshin me votë, ndërsa disa të tjera të përfshiheshin përmes kuotës. Me kalimin e kohës, gratë kanë dëshmuar se çdo pozitë që kanë marrë e kanë merituar me punën dhe angazhimin e tyre. Subjektet politike, duke parë rritjen e mbështetjes nga gratë dhe vajzat që votojnë për partitë që përfshijnë më shumë gra në listat e tyre, kanë filluar të ndryshojnë qasjen. Për më tepër, kjo ka ndihmuar në ndryshimin e mentalitetit edhe brenda subjekteve politike, të cilat jo vetëm që kanë respektuar kuotat, por kanë krijuar hapësira përtej tyre”, u shpreh Mulhaxha – Kollçaku.

Deputetja Arjeta Fejza e konsideron rolin e grave në politikë esencial për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe humane. Ajo veçon faktin se brezi i ri i grave po tregon gjithnjë e më shumë interes për të hyrë në politikë, duke sjellë energji të domosdoshme për zhvillimin politik.

“Është inkurajues fakti që brezi i ri i grave po tregon interes në rritje për politikën. Dëshira për të bërë ndryshim dhe për të kontribuuar në shoqëri është një motivues i fuqishëm për to. Ky brez i ri sjell një energji që është e domosdoshme për zhvillimin e politikës sonë. Gratë kontribuojnë në vendimmarrje duke sjellë një këndvështrim ndryshe ndaj nevojave të komunitetit. Kontributi i grave nuk është thjesht i nevojshëm; është esencial për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më humane për të gjithë”, tha Fejza.

Sfidat kryesore për gratë në politikë

Deputetja Fatmire Mulhaxha – Kollçaku thekson se barrierat për gratë kanë ekzistuar gjithmonë, megjithëse me kalimin e kohës ato kanë ndryshuar. Ajo identifikon sfidat fillestare për të balancuar jetën familjare dhe angazhimin profesional si një ndër pengesat kryesore. Ndër vite, gratë janë përballur me një shoqëri më shumë tradicionale, ku angazhimi i tyre në politikë perceptohej si një fushë kryesisht e burrave. Megjithatë, ajo thekson se me mbështetjen e familjes dhe angazhimin e tyre në profesione të ndryshme, gratë kanë dëshmuar aftësitë dhe suksesin e tyre edhe në politikë.

“Barrierat kanë ekzistuar gjithmonë, megjithëse gjatë kohës kanë ndryshuar disi. Është gjithmonë e vështirë të arrihet një balancë mes punës dhe jetës. Si më herët, ashtu edhe sot, për t’u angazhuar në politikë, është e domosdoshme të kesh përkrahjen e familjes, sepse shoqëria jonë ka qenë tradicionalisht më konservatore në lidhje me rolin e grave në këtë fushë. Politikën, për një kohë të gjatë, njerëzit e kanë perceptuar si një fushë të rezervuar për burrat. Me kalimin e kohës, gratë jo vetëm që kanë qenë të angazhuara në familje, por kanë treguar sukses edhe në çdo profesion, përfshirë politikën. Kjo ka ndodhur gjatë dekadave, dhe sot kemi shumë gra të suksesshme”, u shpreh Mulhaxha – Kollçaku.

Deputetja Mulhaxha – Kollçaku nënvizon se edhe pse gratë profesioniste dhe në politikë kanë përparuar, ato mbeten të ngarkuara me përgjegjësi të mëdha familjare, si kujdesi për fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët, një ndarje e cila ende nuk është bërë barabar mes anëtarëve të familjes.

“Megjithatë, edhe kur je pjesë e politikës apo një profesioniste e zonja, sfidat ndaj familjes mbeten të shumta. Gratë vazhdojnë të jenë kryesisht ato që kujdesen për fëmijët, punët e shtëpisë, të sëmurët dhe të moshuarit në familje. Ende mungon një ndarje e mirëfilltë e përgjegjësive mes anëtarëve të familjes, gjë që do t’ua lehtësonte grave ushtrimin e profesionit të tyre dhe veçanërisht angazhimin në politikë, e cila bart një përgjegjësi edhe më të madhe”.

Megjithatë, ajo evidenton se përfaqësimi i grave është më i ulët në nivelet lokale dhe në komunat e vendit, duke theksuar nevojën për përmirësim. Sipas saj, gratë kanë dëshmuar se shpeshherë mund të jenë më të suksesshme se burrat në shumë fusha, dhe shembujt e shumtë të sukseseve të tyre duhet të shërbejnë si frymëzim për të adresuar sfidat ekzistuese.

Megjithëse ka pasur përparime, sfidat mbeten një pengesë e madhe për përfshirjen e plotë të grave në politikë. Liridona Berisha – Shabani thekson mungesën e hapësirës dhe përkrahjes brenda partive, ku shumë gra mbeten të bllokuara në pozita administrative për shkak të dominimit mashkullor në politikë. Po ashtu, ajo thekson rëndësinë e ndryshimit të mendësisë patriarkale dhe ndërtimit të besimit se gratë mund të jenë lidere të forta dhe të afta.

“Ka gra që ende vazhdojnë të punojnë në administratat e partive përkundër potencialit të tyre, për faktin që burrat e kanë zaptuar jetën politike dhe nuk ofrojnë mundësi të barabarta për përfshirje në baza meritore. Duhet krijuar besim që gratë janë lidere të forta dhe mund të përfaqësojnë interesat e popullit në të gjitha sferat. Një përfaqësim i balancuar gjinor nënkupton siguri që asnjë pjesë e shoqërisë nuk anashkalohet. Kjo siguron që hapësira publike nuk është përjashtuese e linçuese. Kjo siguron një vendimmarrje më të drejtë dhe më të ndjeshme gjinore”, theksoi Berisha – Shabani.

Profesoresha Shqipe Mjekiqi nënvizon problemet e tjera, si vendosja e grave kandidate në zona të pashpresa elektorale dhe mungesën e mbështetjes për t’i përgatitur për pozita drejtuese. Ajo përmend gjithashtu paragjykimet gjinore dhe dhunën verbale me të cilat përballen gratë, si dhe faktin që shpeshherë ato gjykohen për pamjen e tyre, në vend të kontributit politik.

“Një pengesë tjetër është mungesa e mbështetjes brenda partive politike. Përfaqësimi i grave shpesh bëhet vetëm për të përmbushur obligimin ligjor (kuotën), mirëpo pak prej tyre zgjidhen në pozita qeverisëse apo vendimmarrëse. Nuk mjafton të ekzistojë një forum i gruas brenda partisë për të rritur përfaqësimin. Më mirë të mos ketë fare, por të sigurohet një përfaqësim i barabartë i grave dhe burrave, si në zgjedhje ashtu edhe në procesin e formimit dhe përfaqësimit në institucione. Ka të dhëna që tregojnë se gratë në politikë dhe vendimmarrje sjellin një qasje më gjithëpërfshirëse. Ato tregohen më të ndjeshme ndaj çështjeve sociale dhe trajtimit të problemeve shoqërore, duke kontribuar gjithashtu në një përfaqësim dhe vendimmarrje më transparente”, u shpreh Mjekiqi.

Deputetja Arjeta Fejza përmend barrierat e padukshme të ngulitura në strukturat shoqërore, duke përfshirë mungesën e burimeve dhe mbështetjes tradicionale. Ajo vëren gjithashtu se perceptimet shoqërore i detyrojnë gratë të punojnë më shumë për t’u pranuar dhe për të dëshmuar aftësitë e tyre, krahasuar me burrat.

“Fatkeqësisht, ekziston një perceptim i ndryshëm për burrat dhe gratë në pozita të larta. Kjo ndikon në mënyrën se si shihen dhe vlerësohen arritjet e tyre. Ndërsa burrat shpesh konsiderohen “liderë të natyrshëm”, gratë duhet të dëshmojnë veten vazhdimisht. Ky perceptim bën që gratë të punojnë dyfish më shumë për t’u pranuar dhe për të pasur sukses të barabartë në këtë fushë”, tha Fejza.

Edhe pse ka përparime në përfshirjen e grave në politikë, ndryshimet më të mëdha kërkojnë eliminimin e barrierave strukturore dhe kulturore. Qasja ndaj grave në politikë nuk duhet të mbetet një detyrim për të përmbushur kuotat, por një domosdoshmëri për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Për të arritur këtë, mbështetja brenda partive, ndryshimi i perceptimeve dhe rritja e solidaritetit mes grave janë të domosdoshme. Rruga është e gjatë, por përkushtimi dhe këmbëngulja mund të sjellin ndryshime thelbësore në politikën kosovare.

Një përfaqësim më i barabartë gjinor në politikë është i domosdoshëm jo vetëm për drejtësinë gjinore, por edhe për zhvillimin demokratik dhe social të Kosovës. Kjo do të mundësonte një vendimmarrje më gjithëpërfshirëse dhe më të orientuar drejt nevojave të qytetarëve. Për të arritur këtë, nevojitet përkushtim i përbashkët dhe këmbëngulje për një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë./UBTNews/

 

Artikulli i shkruar nga Driton Hyseni

 

Continue Reading

Aktualitet

Kosova ballë për ballë me Sulmet Kibernetike!

Published

on

Në një botë gjithnjë e më të lidhur dhe të digjitalizuar, ku informacioni dhe teknologjia janë jetike për funksionimin e shoqërive dhe shteteve, kërcënimet kibernetike kanë evoluar në një sfidë të jashtëzakonshme për sigurinë kombëtare. Kosova, një shtet i ri që po kalon faza të rëndësishme të zhvillimit dhe integrimit në komunitetin ndërkombëtar, është vendosur në një pikë kyçe. Kërcënimet kibernetike, që nga sulmet ndaj sektorëve kritikë si financat dhe energjia, deri te vjedhjet e të dhënave dhe manipulimi i informacionit, po e sfidojnë çdo hap të avancimit të vendit.

Kosova, si shumë shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor, është e ekspozuar ndaj një mori rreziqesh që burojnë nga përdorimi gjithnjë e më i gjerë i internetit dhe platformave digjitale. Këto sulme nuk janë vetëm teknologji të avancuara që shfrytëzojnë hapësirat e errëta të rrjetit, por janë gjithashtu një luftë për informacionin, për të dhënat dhe për sigurinë e individëve dhe institucioneve. Rreziku që qytetarët e Kosovës të bëhen viktima të krimeve kibernetike, përfshirë vjedhjen e të dhënave personale, mashtrimet online dhe sulmet ndaj institucioneve të shtetit, është gjithnjë e më real. Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar infrastrukturën ligjore dhe teknologjike, kjo luftë po kërkon një reagim të shpejtë dhe të koordinuar nga të gjitha shtresat e shoqërisë: nga qytetarët, institucioni dhe sektori privat, deri te partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë kontekst, një pyetje e thellë dhe filozofike lind, si mund të ruajmë sigurinë në një epokë ku kufijtë ndërmjet botës reale dhe asaj digjitale janë shkrirë? A mund të gjejmë ekuilibrin midis zhvillimit teknologjik dhe mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë? Si mund të mbrojmë një shtet që është ende në rrugën e konsolidimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik, përballë kërcënimeve që janë globale, por që gjithashtu kanë natyrë shumë specifike dhe të ndjeshme për realitetin kosovar? Ky është një debat që kërkon përgjigje të thella dhe angazhim të vazhdueshëm për të ruajtur një rend të sigurt dhe të drejtë në këtë botë digjitale që po formohet me shpejtësi.

Përballë këtyre kërcënimeve, përgatitja e institucioneve, ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe krijimi i një mjedisi të besueshëm online janë më të rëndësishëm se kurrë. Kosova duhet të jetë e gatshme të reagojë ndaj këtyre sfidave dhe të ndërtojë një mbrojtje të fortë kibernetike, e cila nuk është vetëm mbrojtje teknologjike, por një angazhim moral dhe qytetar për të ruajtur lirinë, sigurinë dhe prosperitetin e një shteti të ri në botën digjitale.

Alban Maliqi: Kosova është një shtet i ri dhe ka kapacitete të kufizuara për të luftuar sulmet kibernetike

Në pyetjen se cilat janë kërcënimet më të mëdha kibernetike me të cilat përballet aktualisht Kosova, profesori Alban Maliqi, ekspert dhe profesor në Studimet e Sigurisë shpjegoi disa nga kërcënimet më të mëdha kibernetike që po sfidojnë Kosovën.

Maliqi theksoi se, aktualisht, Kosova është e ekspozuar ndaj një morie kërcënimesh kibernetike, të cilat prekin si sektorin publik, ashtu edhe atë privat. “Rreziku më i madh mbeten qytetarët e Kosovës”, deklaroi ai. Po ashtu, ai u shpreh se digjitalizimi i shërbimeve publike ka rritur ndjeshëm rrezikun nga sulmet kibernetike. “Çdo hap që bëjmë në përparimin e shërbimeve online, shërben si mundësi për sulme të reja, veçanërisht për ata që nuk janë të kujdesshëm”, tha Maliqi, duke paralajmëruar se këto sulme mund të kenë pasoja të rënda për qytetarët, si për jetën personale, ashtu edhe për atë profesionale.

Ai theksoi veçanërisht sektorin financiar si një nga më të ndjeshmit ndaj këtyre sulmeve. “Për shkak të rritjes së shërbimeve financiare online, qytetarët dhe institucionet bankare janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj sulmeve që mund të cenojnë integritetin e transaksioneve dhe të dhënave të ndjeshme”.

Profesori Maliqi shpjegoi gjithashtu se kërcënimet kibernetike në Kosovë janë shumëdimensionale dhe kërkojnë një përgjigje të përbashkët nga qeveria dhe shoqëria civile. Sipas tij, “Kosova duhet të ballafaqohet me këto kërcënime duke rritur kapacitetet e saj institucionale dhe duke investuar më shumë në mbrojtjen e sigurisë kibernetike”.

Sa i përgatitur është sistemi ynë i sigurisë kibernetike për t’iu kundërvënë sulmeve të avancuara, Prof. Maliqi ka një vlerësim të qartë, “Kosova ka krijuar një bazë ligjore dhe një strategji kombëtare për të përballuar kërcënimet kibernetike, por legjislacioni aktual është larg të qenurit i mjaftueshëm”. Ai shpjegon se, megjithëse ka pasur përpjekje për të krijuar një kuadër ligjor, ai nuk është ende në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe kërcënimet që evoluojnë vazhdimisht.

Maliqi ka vënë në dukje se sektori publik dhe privat duhet të investojnë më shumë në përmirësimin e sistemeve të sigurisë për të mbrojtur infrastrukturat kritike, duke theksuar se: “Mungesa e investimeve të mjaftueshme mund të ketë pasoja serioze për sigurinë e vendit”. Ky koment është një alarm për të gjithë ata që mendohen për sigurinë e shtetit të Kosovës dhe nevojën për një plan të fortë dhe afatgjatë për mbrojtjen e informacionit dhe resurseve të rëndësishme.

A ndikon zhvillimi i shpejtë teknologjik në Kosovë në rritjen e rrezikut për sulme kibernetike, përgjigja e Prof. Maliqit është një pohim i drejtpërdrejtë mbi sfidat që ka përballë Kosova në këtë drejtim: “Zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe digjitalizimi kanë sjellë përfitime, por ato gjithashtu kanë rritur ndjeshëm rrezikun për sulme kibernetike”. Ai argumenton se, ndërsa teknologjia i jep mundësi për avancimin e shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit, ajo gjithashtu i bën vendet të tilla si Kosova të ekspozuara ndaj rreziqeve që vijnë nga kriminelët kibernetikë. Kosova është një shtet i ri dhe ka kapacitete të kufizuara për të luftuar këto sulme”, shton ai, duke theksuar se shpejtësia e zhvillimit të teknologjisë është një përballje me rreziqe të dyfishta për shtetet që nuk kanë burime të mjaftueshme.

Në këtë kontekst, profesori rekomandon një bashkëpunim më të ngushtë me shtetet aleate të Kosovës, duke përmendur modelin e shteteve më të zhvilluara që kanë krijuar një strategji të suksesshme për menaxhimin e këtyre kërcënimeve.

Si ndikon niveli i ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe institucioneve për rreziqet kibernetike në ruajtjen e sigurisë kombëtare, Profesor Maliqi thekson se ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe institucioneve është një element kyç për mbrojtjen e sigurisë kombëtare: “Një ndërgjegjësim i lartë mund të funksionojë si një preventivë e fuqishme”. Ai sugjeron që duhet të organizohen fushata të vazhdueshme edukative për qytetarët, pasi “Një pjesë e madhe e popullsisë nuk i kuptojnë pasojat që vijnë nga krimet kibernetike”, dhe si rezultat, ata janë më të predispozuar të bien viktima të mashtrimeve dhe sulmeve.

Sa të ekspozuar janë qytetarët kosovarë ndaj sulmeve kibernetike që synojnë të dhënat e tyre personale, Prof. Maliqi vë në dukje se qytetarët e Kosovës janë gjithashtu të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike që synojnë të dhënat e tyre personale, siç ndodh në çdo vend tjetër: “Edhe qytetarët e Kosovës nuk janë imun ndaj krimeve kibernetike“, theksoi ai.

Maliqi shpjegoi se, ndërsa ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale ekzistojnë, Kosova ka një sfidë të veçantë pasi “Nuk njihet nga disa platforma të mëdha sociale”, dhe kjo e bën më të vështirë mbrojtjen institucionale të qytetarëve të saj.

Profesori theksoi se, si pasojë e zhvillimit të teknologjisë, format dhe metodat e krimeve kibernetike po evoluojnë vazhdimisht: “Mashtrimet financiare online, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe private, si dhe shantazhi përmes materialeve të ndryshme, janë disa nga format më të reja që po shfaqen”.

Për të luftuar këto kërcënime, ai theksoi se Kosova ka krijuar një bazë ligjore dhe ka zhvilluar strategji institucionale për parandalimin e krimit kibernetik. Megjithatë, ai theksoi se “Nuk është i mjaftueshëm vetëm ligji, është e rëndësishme të investohet në mekanizma mbrojtës dhe të sigurohet zbatimi i plotë i legjislacionit”.

Mejreme Asllani: Mungesa e ndërgjegjësimit krijon një terren të favorshëm për krimin kibernetik

Mejreme Asllani, njohëse e fushës së sigurisë dhe eksperte e njohur në studimin e kërcënimeve kibernetike, diskutoi rreth sfidave të mëdha që Kosova po përballet në fushën e sigurisë kibernetike. Asllani theksoi se, “Avancimi i shpejtë i digjitalizimit dhe varësia e shoqërisë nga teknologjia po krijojnë një terren shumë të përshtatshëm për sulme kibernetike”. Ajo theksoi se, ndonëse shtetet më të zhvilluara janë gjithashtu të rrezikuara, për vendet më të vogla dhe ato në zhvillim, si Kosova, përballja me këto kërcënime është më e vështirë, pasi burimet dhe kapacitetet janë më të kufizuara.

Asllani nënvizon se kërcënimet që i kanosen Kosovës janë të natyrave të ndryshme, duke përfshirë phishing, malware, ransomware, dhe vjedhjen e të dhënave. “Përveç pasojave të drejtpërdrejta si shkeljet e privatësisë dhe vjedhja e të dhënave personale, këto sulme mund të çojnë në shkelje të të drejtave të njeriut, rrezikimin e infrastrukturës kritike dhe rrezikimin e sigurisë kombëtare”, shpjegoi ajo. Sipas Asllanit, për të parandaluar dhe përballur kërcenimet kibernetike Kosova duhet të ketë zbatueshmëri të infrastrukturës ligjore dhe kordinim ndërinstitucional në nivel vendor, ndërsa bashkëpunim më të madh në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Sa i përgatitur është sistemi ynë i sigurisë kibernetike për t’iu kundërvënë sulmeve të avancuara, Asllani theksoi se Kosova ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim. “Kosova përballet me një numër sfidash të mëdha në fushën e sigurisë kibernetike, përfshirë mungesën e normave dhe rregulloreve të përshtatshme”. Ajo theksoi gjithashtu se mungesa e ndërgjegjësimit publik është një tjetër pengesë e madhe, që krijon një terren të favorshëm për krimin kibernetik. “Kur nuk ka informacion të mjaftueshëm dhe nuk krijohet një kulturë sigurie, qytetarët dhe organizatat janë më të predispozuar ndaj kërcënimeve”.

Mungesa e një legjislacioni të plotë dhe i infrastrukturës mbrojtëse është një tjetër shqetësim. “Nëse Kosova nuk e forcon më tej kapacitetin e saj institucional dhe ligjor, do të jetë shumë e vështirë të përballojë sulmet kibernetike të nivelit të avancuar”, shtoi Asllani. Ajo theksoi se “investimi në siguri kibernetike duhet të jetë prioritet i shtetit dhe të gjitha sektorëve që ofrojnë shërbime për qytetarët”.

Sa të ekspozuar janë qytetarët kosovarë ndaj sulmeve kibernetike që synojnë të dhënat e tyre personale, Asllani e theksoi se qytetarët e Kosovës janë shumë të ekspozuar ndaj kërcënimeve kibernetike që lidhen me vjedhjen e të dhënave personale, siç ndodh në shumë vende të tjera. “Të dhënat personale janë një objekt i lakmueshëm për kriminelët kibernetikë, dhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm kur përdorin platforma online”.

Ajo theksoi se, megjithëse ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale ekzistojnë, Kosova ka ende shumë për të bërë në zbatimin e tyre, duke përfshirë edhe një rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave të qytetarëve. Së fundmi,  Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka fituar statusin e Anëtarit Vëzhgues në Aktivitetet e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), një hap i rëndësishëm ky që Kosova të harmonizojë politikat e saj me standarded Evropiane të GDPR (General Data Protection Regulation) për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë.

A po shfaqen forma të reja të krimit kibernetik në Kosovë, përgjigjja e Asllanit është një alarm për përhapjen e kërcënimeve të reja: “Me zhvillimin e vazhdueshëm të teknologjisë, krimi kibernetik është gjithnjë në evoluim. Kampanjat dezinformuese, si ato që janë sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia, janë një shqetësim serioz për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit”, shtoi ajo.

Për të luftuar këto kërcënime, Asllani theksoi rëndësinë e një baze ligjore të fortë dhe të investimeve në sisteme mbrojtëse. “Përveç krijimit të ligjeve, është e domosdoshme që ato të zbatohen në praktikë dhe që të investohet më shumë në teknologji dhe ndërtimin e kapaciteteve të tjera ndërlidhëse për të krijuar një hapsirë kibernetike sa më të qëndrueshme”.

Sumeja Veseli: Përfshirja e sigurisë kibernetike në shkollat e Kosovës është e domosdoshme

Sumeja Veseli, një profesioniste e certifikuar në Cyber Security dhe Software Engineering, si dhe përfaqësuese e grave në Sigurinë Kibernetike e vlerëson edukimin në sigurinë kibernetike si “thelbësore” për të rinjtë e Kosovës. Ajo thekson se “Përfshirja e sigurisë kibernetike në shkollat e Kosovës është e domosdoshme”, duke pasur parasysh faktin që shoqëria e sotme është gjithnjë e më shumë e digjitalizuar dhe se përdorimi i internetit dhe teknologjive është bërë një pjesë e pandashme e jetës së përditshme. Sipas saj, “të rinjtë janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj kërcënimeve të ndryshme kibernetike si vjedhja e të dhënave, bullizmi online, dhe lajmet e rreme”, dhe kjo situatë është përkeqësuar nga njohuritë e pamjaftueshme që ata kanë në lidhje me sigurinë kibernetike.

Veseli thekson se pa një edukim të duhur, shumë të rinj janë të papërgatitur për të menaxhuar këto rreziqe. Ajo thekson gjithashtu se në një shoqëri gjithnjë e më të digjitalizuar, njohuritë për sigurinë kibernetike janë të rëndësishme edhe për zhvillimin e aftësive profesionale të të rinjve, të cilat janë shumë të kërkuara në tregun e punës. “Njohuritë për sigurinë kibernetike janë të rëndësishme për të ndihmuar të rinjtë të bëjnë dallimin mes informacionit të saktë dhe lajmeve të rreme, dhe t’i përdorin mediat dhe teknologjinë në mënyrë etike dhe të sigurt”.

Për Veselin, “integrimi i sigurisë kibernetike në arsim është një investim për një shoqëri të informuar, të sigurt dhe të përgatitur për të përballuar rreziqet e epokës digjitale”. Ajo nënvizon se kjo është një përpjekje për të përgatitur të rinjtë për sfidat e ardhshme dhe për t’i mundësuar ata të zhvillohen si qytetarë të përgjegjshëm që janë të vetëdijshëm për rreziqet e teknologjisë dhe mund të përdorin internetin në mënyrë të sigurt.

A mendon se kjo fushë është mjaftueshëm e mbështetur në sistemin arsimor aktual, Veseli është shumë kritike për situatën e aktuale të edukatës në sigurinë kibernetike në shkollat e Kosovës, duke theksuar se aktualisht kjo fushë nuk është “mjaftueshëm e mbështetur”. “Edhe pse ka përpjekje për përfshirjen e teknologjisë dhe edukatës mediatike, implementimi i sigurisë kibernetike mbetet ende në faza të hershme”, tha ajo. Ajo gjithashtu theksoi se shumë shkolla nuk kanë mësues të trajnuar për të dhënë mësime në këtë fushë, dhe nxënësit po humbin mundësi të mëdha për zhvillimin e aftësive të nevojshme për të mbrojtur veten në internet.

Një tjetër problem, sipas Veselit, është “infrastruktura digjitale në disa shkolla të Kosovës”, e cila është e pamjaftueshme për të integruar në mënyrë efikase temat e sigurisë kibernetike. Pa një përmirësim të infrastrukturës dhe investime të vazhdueshme, është shumë e vështirë të krijohet një mjedis mësimor që mund të mbështesë edukimin e sigurisë kibernetike.

Veseli theksoi se për të përballuar këtë sfidë, është e nevojshme që të bëhen “përpjekje më të koordinuara dhe të qëndrueshme” për të mbështetur këtë fushë dhe për të siguruar që të rinjtë të kenë njohuri të mjaftueshme për të mbrojtur veten dhe informacionin e tyre personal në një mjedis gjithnjë e më të digjitalizuar. Ajo theksoi rëndësinë e “përgatitjes së mësuesve”, duke theksuar se vetëm me mësues të trajnuar dhe resurse të nevojshme mund të sigurohet një arsim cilësor që do të ndihmojë të rinjtë të përballen me rreziqet e sigurisë kibernetike.

Në përfundim, Sumeja Veseli shprehu shqetësimin se “gjeneratat e ardhshme do të duan të jenë më të vetëdijesuar dhe të përgatitur për të mbrojtur veten, dhe ky është një detyrim që duhen mbështetur me investime të mëdha në arsim dhe teknologji”.

Në një botë që gjithnjë e më shumë po varet nga lidhjet digjitale dhe zhvillimi i teknologjisë, sfidat që na paraqiten për mbrojtjen e sigurisë kibernetike janë të paevitueshme dhe të shumëfishta. Kosova, si një shtet që ende po kalon fazat e konsolidimit të institucioneve dhe zhvillimit ekonomik, ka përballë një detyrë të madhe: ruajtjen e një balanci mes përdorimit të teknologjisë për avancim dhe mbrojtjes së privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve të saj.

Në këtë kontekst, filozofikisht mund të pyesim: A mund të ruhet një rend i drejtë dhe i sigurt në një realitet ku kufijtë mes botës fizike dhe asaj digjitale janë të mjegulluara? Kjo sfidë kërkon një reflektim të thellë për mënyrën sesi ne kuptojmë dhe ruajmë sigurinë dhe lirinë në epokën digjitale, duke balancuar nevojën për zhvillim me respektin për privatësinë dhe mbrojtjen e të drejtave individuale. Në fund të fundit, përpjekjet për një siguri të qëndrueshme dhe të përgjegjshme nuk mund të mbështeten vetëm në teknologji, por në një angazhim të thellë moral dhe qytetar, që kërkon një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë./UBTNews/

 

Artikulli i shkruar nga Dionesa Ebibi

 

 

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Beteja e Luginës: Kush po e shkruan fatin e shqiptarëve të rajonit?

Published

on

Në jug të Serbisë, mes maleve të larta dhe fushave pjellore, shtrihet një rajon që mbart në vetvete historinë e një populli që nuk ka hequr kurrë dorë nga shpresa: Lugina e Preshevës. Ky territor që përfshin qytetin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, është shtëpia e mijëra shqiptarëve që jetojnë me një dashuri të thellë për tokën e tyre, por gjithashtu me plagë që nuk mund të shërohen lehtë. E njohur për bukuritë e saj natyrore, fushat e gjelbra dhe malet që e rrethojnë, Lugina e Preshevës ka një histori të ngarkuar me sakrifica dhe sfida të mëdha, që flasin për qëndresën dhe dashurinë e banorëve të saj për atdhenë.

Megjithatë, përtej bukurisë së natyrës dhe traditave të lashta, jeta në këtë trevë është larg asaj që mund të quhet e lehtë. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në këtë rajon, përballen çdo ditë me diskriminimin dhe sfidat e shumta që i sjell politika e shtetit serb. Ata luftojnë për të ruajtur identitetin e tyre, ndërsa përballen me kufizime të rënda në fushën e arsimit, punësimit dhe mundësisë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë.

Në këtë rajon, ku krenaria dhe dhimbja ecin dorë për dore, të rinjtë janë ata që mbajnë barrën më të rëndë. Ata e ndjejnë më shumë se kushdo peshën e kufizimeve që u vendosen, por edhe shpresën për një jetë më të barabartë dhe të dinjitetshme.

Për të kuptuar më mirë realitetin e Luginës së Preshevës, biseduam me Nevzad Lutfiun, Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, një figurë udhëheqëse që përfaqëson shqetësimet dhe aspiratat e shqiptarëve të kësaj treve. Ai ndau me ne historitë e përditshme të banorëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët, pavarësisht sfidave të vazhdueshme, nuk dorëzohen dhe luftojnë për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin e tyre.

Si e përjetoni ndjenjën e përkatësisë në një tokë ku autoritetet synojnë pasivizimin e adresave të qytetarëve për t’i larguar ata nga identiteti dhe historia e tyre? A është e mundur të ketë paqe dhe barazi në një vend ku qenësia juaj kombëtare sfidohet?

Lutfiu: Përjetimi i përkatësisë në një vend ku autoritetet ndërmarrin veprime për të fshirë adresat e qytetarëve dhe për t’i larguar ata nga identiteti dhe historia e tyre është një dhimbje e thellë, një lloj dhune që ka pasoja të rënda. Kur përpjekjet për të hequr një komb nga rrënjët e tij bëhen pjesë e një politike të qëllimshme, kjo ndjenjë e përkatësisë bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe më e pasigurt. Ajo përfaqëson një sfidë të vazhdueshme për të ruajtur identitetin kombëtar dhe kulturor, për të mbrojtur lidhjen me historinë dhe për të pasur mundësinë për të jetuar dhe zhvilluar një jetë të denjë për ata që identifikohen si pjesë e një kombi të caktuar. Paqja dhe barazia janë të vështira për t’u arritur në një vend ku nënshtrimi i një grupi etnik është një pjesë e politikës shtetërore. Pa mbështetje dhe angazhim për të drejtat e njeriut, do të ishte e vështirë të pritej një mundësi e vërtetë për paqe dhe barazi.

Qasja e Serbisë ndaj komunitetit shqiptar ka kaluar kufijtë e racizmit, dhe kjo vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Ka 24 komunitete në Serbi, por askush tjetër nuk ka pasur sfida të ngjashme me shqiptarët. Mungesa e perspektivës ka bërë që një numër i madh njerëzish të largohen, dhe ata janë pasivizuar. Ekzistojnë marrëveshje të miratuara nga ana e Serbisë, të monitoruara nga faktori ndërkombëtar, që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së shqiptarëve, por këto marrëveshje nuk janë zbatuar kurrë. Tani kemi filluar protestat si formën e fundit për të avancuar të drejtat tona dhe për të ruajtur substancën kombëtare.

Serbia ka përdorur një qasje të ashpër ndaj komunitetit shqiptar, duke shkuar përtej diskriminimit të zakonshëm, duke kaluar kufijtë e racizmit dhe duke e bërë përkatësinë etnike një faktor të dalluar për trajtimin e shqiptarëve. Kjo është një politikë që ka shkaktuar vuajtje të mëdha dhe ka privuar shumë individë nga e drejta për të jetuar dhe kontribuar në shoqërinë ku ata lindën. Përkundër ekzistencës së marrëveshjeve ndërkombëtare që synonin avancimin e pozitës së shqiptarëve, ato nuk janë zbatuar asnjëherë. Mungesa e perspektivës ka bërë që shumë shqiptarë të largohen nga atdheu i tyre, dhe shumë prej tyre janë pasivizuar, duke humbur lidhjen me tokën e tyre. Protestat janë shprehja e fundit e mbrojtjes së të drejtave tona dhe një përpjekje për të ruajtur identitetin dhe substancën kombëtare në një situatë të vështirë dhe të pasigurt.

Kur shteti serb përpiqet të asgjësojë identitetin e një komuniteti përmes diskriminimit, cilat janë detyrimet e qeverisë së Kosovës dhe ato ndërkombëtare?

Lutfiu: Kosova ka ngritur vazhdimisht çështjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës në nivele ndërkombëtare. Megjithatë, faktori ndërkombëtar, për fat të keq, ka vazhduar ta mbronte Serbinë dhe ka lënë pas dore angazhimin për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve. Kosova është e angazhuar për të përdorur çdo mundësi që ka për të denoncuar dhe trajtuar diskriminimin, por përballë indiferencës së faktorëve ndërkombëtarë dhe përkrahjes që Serbia gëzon në disa aspekte, situata mbetet e vështirë. Kosova duhet të vazhdojë të luftojë për të drejtat e shqiptarëve të Luginës dhe të kërkojë mbështetje më të fortë nga komuniteti ndërkombëtar. Pa një angazhim të plotë të komunitetit ndërkombëtar dhe veprime konkrete, situata për shqiptarët e Luginës mund të përkeqësohet edhe më shumë.

Nëse të rinjtë shqiptarë do të detyroheshin të përfshiheshin në shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi, si do të ndikonte kjo në identitetin e tyre kombëtar dhe marrëdhëniet ndëretnike?

Lutfiu: Një kërkesë e tillë, që kërkon nga shqiptarët të shërbejnë në ushtrinë e një shteti që i ka shtypur ata për dekada të tëra, do të kishte një ndikim të thellë dhe shkatërrues në identitetin e tyre kombëtar. Në një shtet ku shqiptarët janë konsideruar etnia më e urryer, asnjë familje nuk do të kishte vullnetin të lejonte djemtë e saj të kryenin shërbimin ushtarak në ushtrinë serbe. Ky veprim do të ishte një përpjekje tjetër për të asimiluar shqiptarët dhe për t’i detyruar ata të pranojnë një identitet që nuk i përket dhe që është në kundërshtim me kulturën dhe vlerat e tyre kombëtare. Të rinjtë shqiptarë do të përballeshin me një luftë të brendshme dhe me një presion të jashtëzakonshëm për të mbrojtur identitetin e tyre dhe për të ruajtur lidhjen me kulturën e tyre.

A mendoni se kjo kërkesë përbën një përpjekje për të kontrolluar dhe “asimiluar” shqiptarët në një mënyrë të dhunshme?

Lutfiu: Po, kjo kërkesë është një përpjekje e qartë për të kontrolluar dhe asimiluar shqiptarët në një mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë. Ky proces nuk është vetëm një mënyrë për të imponuar një strukturë politike dhe shtetërore, por është gjithashtu një përpjekje për të fshirë identitetin dhe traditat e një populli. Ne kemi ngritur këtë çështje në nivelet ndërkombëtare dhe do të vazhdojmë të angazhohemi për të penguar realizimin e këtij procesi, i cili do të kishte pasoja të mëdha për shqiptarët dhe për marrëdhëniet ndëretnike në rajon. Nuk mund të lejojmë që ky proces të bëhet një masë e obligueshme për komunitetet shqiptare, sepse do të kishte pasoja shumë negative për identitetin tonë kombëtar dhe për marrëdhëniet ndëretnike.

Çfarë roli ka luajtur Këshilli Kombëtar Shqiptar në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe sa efektiv është bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës për mbrojtjen e tyre?

Lutfiu: Këshilli Kombëtar Shqiptar ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Ne kemi informuar rregullisht faktorin ndërkombëtar për sfidat dhe diskriminimin që shqiptarët përballen në Serbi, kemi realizuar takime dhe kemi angazhuar resurse për të ndihmuar në përmirësimin e pozitës sonë. Bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës ka qenë i dobishëm, por sfidat mbeten të mëdha. Kemi realizuar protestat popullore në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, dhe vazhdojmë të angazhohemi në çdo mundësi që kemi për të mbrojtur interesat dhe të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Këto protestat janë një shprehje e angazhimit të popullit shqiptar për të mos lejuar asimilimin dhe për të ruajtur identitetin e tij kombëtar në çdo kushte.

Në një kohë kur të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës vazhdojnë të cenohen dhe kur shumë herë zërat e tyre mbeten të papërfillur, kjo trevë mbetet një simbol i qëndresës dhe shpresës. Megjithë sfidat e mëdha që përballen, shqiptarët e Luginës janë të vendosur të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore, gjuhën dhe identitetin. Ata i shohin sfidat si mundësi për të bashkuar më shumë popullin dhe për të kërkuar mundësi më të drejta për zhvillim dhe përparim. Ky rajon, i mbushur me histori, krenari dhe dhimbje, është ende një vend ku të rinjtë vazhdojnë të ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë dhe më të barabartë, dhe për një ditë kur do të mund të jetojnë pa frikë dhe pa diskriminim, në paqe me veten dhe me të tjerët!

Gazetare, Fjolla Gashi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara