Lajmet

Si po na ndihmon teknologjia që të komunikojmë me kafshët?

Sot, mjete si dronët, regjistruesit dixhitalë dhe Inteligjenca Artificiale po na ndihmojnë të dëgjojmë tingujt e natyrës.

Publikuar

“Vox”

Bota përreth nesh komunikon me tinguj, të cilat ne njerëzit nuk mund t’i dëgjojmë. Lakuriqët e natës bisedojmë me njëri-tjetrin përmes ultratingujve; elefantët komunikojnë nëpërmjet rrjeteve infrasonike. Për shekuj me radhë, ne as që e dinim se ekzistonin këta tinguj.

Por ndërsa teknologjia ka avancuar, po kështu ka ndodhur edhe më kapacitetin tonë për t’i dëgjuar ato. Sot, mjete si dronët, regjistruesit dixhitalë dhe Inteligjenca Artificiale po na ndihmojnë të dëgjojmë tingujt e natyrës në mënyra të paprecedentë, duke e transformuar botën e kërkimit shkencor dhe duke ngritur një perspektivë joshëse: Një ditë kompjuterët mund të na lejojnë të flasim me kafshët!

Në disa mënyra, kjo gjë tashmë ka filluar. “Teknologjitë dixhitale po na ofrojnë një mundësi unike për të dëgjuar kafshët, duke e ringjallur lidhjen tonë të fortë me botën natyrore” – shkruan Karen Bakker në librin e saj të ri “Tingujt e jetës: Si teknologjia dixhitale po na afron me botën e kafshëve dhe bimëve”. Në një intervistë për “Vox”, ajo flet mbi perspektivën e jashtëzakoshme që kanë krijuar arritjet shkencore të viteve të fundit, por edhe rreziqet qëvijnë nga ngrohja globale.

Si do të funksiononte kjo teknologji në komunikimin me kafshët?

Do t’ju jap një shembull. Një ekip kërkimor në Gjermani kodoi sinjalet e bletëve tek një robot që e dërguan në një koshere. Ai robot është në gjendje të përdorë komunikimin e vallëzimit të bletëve, për t’u thënë bletëve të ndalojnë së lëvizuri. Po ashtu është në gjendje t’u tregojë atyre se ku të fluturojnë për një burim specifik të nektarit.

Faza tjetër në këtë hulumtim, është implantimi i këtyre robotëve në kosheret e bletëve, në mënyrë që kosheret t’i pranojnë që në fillim këta robotë si anëtarë të komunitetit të tyre. Atëherë do të kishim një shkallë të paprecedentë kontrolli mbi kosheren.

Si e kuptuam ne në fillim se kafshët – madje edhe Toka – i lëshonin të gjithë këta tinguj jashtë diapazonit tonë të dëgjimit?

Njerëzit si specie priren të besojnë se ajo që ne nuk mund ta vëzhgojmë nuk ekziston. Shumë nga këto tinguj ishin para veshëve tanë. Por për shkak të një tendence, sidomos në shkencën perëndimore, për të privilegjuar shikimin mbi tingullin, ne thjesht nuk i kishim dëgjuar ato.

Tani teknologjia dixhitale na jep mundësi të dëgjojmë shumë më lehtë speciet në të gjithë planetin. Dhe ajo që ne po zbulojmë, është se një gamë e madhe speciesh për të cilat as nuk dyshonim se mund të prodhonin tingull apo t’i përgjigjeshin tingullit, përbëjnë lloj pjesëmarrjeje në “simfoninë” e natyrës.

Në fillim të librit tuaj, ju përmendni idenë e një versioni zoologjik të Google Translate. Përkthimi në të kaluarën ka qenë gjithmonë për atë që një grup mund të bëjë për të bashkëvepruar me tjetrin. Po ju flisni për një ide që përfshin zgjedhjen aktive për të mos ndërvepruar me një grup, por për të pasur një mënyrë vëzhgimi. Kjo është shumë e ndryshme nga mënyra sesi ne zakonisht mund të mendojmë për këto lloj aplikacionesh…

Shumica e përpjekjeve për t’i mësuar primatëve gjuhën njerëzore ose gjuhën e shenjave në shekullin XX-të, u mbështetën nga supozimi se gjuha është unike për njerëzit, dhe se nëse do të vërtetonim se kafshët e zotërojnë gjuhën, do të duhej të vërtetonim se ata mund të mësonin gjuhën njerëzore.

Dhe në retrospektivë, kjo është një pikëpamje shumë e përqendruar te njeriu. Sot hulumtimet përdorin një qasje shumë të ndryshme. Ato nisin me regjistrimin e tingujve që bëjnë kafshët dhe madje edhe bimët. Më pas përdorin në thelb mësimin e makinerive për të analizuar sasitë e mëdha të të dhënave për të zbuluar modele, dhe për t’i lidhur ato me përpjekjet për të përcaktuar nëse ka informacion kompleks që transmetohet nga tingujt.

Këta studiues nuk po përpiqen t’u mësojnë kafshëve atyre specieve gjuhën njerëzore. Përkundrazi ata përpilojnë fjalorë të sinjaleve, dhe më pas të përpiqen të kuptojnë se çfarë kuptimi kanë ato sinjale brenda atyre specieve. Dhe ne po zbulojmë gjëra mahnitëse.

Për shembull, elefantët kanë një sinjal tjetër për bletën, që është një kërcënim, dhe një sinjal tjetër për njeriun. Për më tepër, ata bëjnë dallimin midis njeriut kërcënues dhe atij jokërcënues. Vetë bletët përdorin qindra tinguj për komunikim. Dhe tani ne e dimë se gjuha e tyre është vibruese dhe pozicionale, si dhe dëgjimore.

Ju shkruani se ndryshimi i klimës po ndikon direkt në tingujt e specieve në Tokë. Si po ndodh diçka e tillë?

Nëse e mendoni planetin si një “simfoni”, apo si një grup muzikor xhazi me shumë ritme sezonale, zhurmat që ne dëgjojmë zhvillohen sipas ritmeve të jetës. Dhe ndryshimet klimatike po i prishin ato ritme. Në disa raste, ndryshimet klimatike mund të pengojnë madje edhe aftësinë e specieve për të komunikuar.

Kështu për shembull, kori në agim dhe muzg i zogjve por edhe i shumë specieve të tjera në savanën afrikane, ndodh pikërisht në ato momente sepse agimi dhe muzgu janë momente kurajri ka një nivel më të lartë lagështie. Pra, në këto periudha të ditës zëri udhëton më shpejt dhe më larg

Ai është një moment i veçantë që kafshët të komunikojnë me të afërmit e tyre apo jo? Por tani, ndërsa ndryshimi i klimës po ndikon mbi temperaturën dhe lagështinë e atmosferës, ne do të ndikojmë në këtë praktikë në mënyra që ende nuk mund t’i kuptojmë plotësisht. Mund t’ua bëjmë më të vështirë komunikimin specieve që jetojnë në mjedise më të thata dhe më të nxehta.

Në rast se ata nuk mund të komunikojnë, do të jenë më pak të sigurt, nuk do të mund të paralajmërojnë njëri-tjetrin për kërcënimet, dhe do ta kenë më të vështirë të gjejnë partner për t’u çiftuar. Dhe kjo do të ndikojë gjithashtu në aftësinë e tyre për të mbijetuar./bota.al

Marrë me shkurtime

Lajmet

​Osmani: Kosova duhet të ecë përpara me statusin e vendit kandidat për BE

Osmani theksoi progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencës.

Publikuar

nga

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit Punues të BE-së për Ballkanin Perëndimor me të cilët ka biseduar mbi zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë.

Osmani theksoi progresin e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencës, qeverisjes së mirë dhe në veçanti respektimit të të drejtave të njeriut.

Ajo rikujtoi se Kosova ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, në dhjetor të vitit 2022 dhe se është e përkushtuar për t’i përmbushur obligimet dhe kriteret për anëtarësim.

“Kosova është në linjë të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Rrjedhimisht duhet të ecet përpara me statusin e vendit kandidat”, tha Osmani.

Duke folur për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë në funksion të rritjes së efektivitetit të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim, duke u dhënë atyre qasje në mekanizmat për të drejta të njeriut.

Osmani theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetje të mëtejme nga shtetet edhe në fazën e fundit, në votimin që mund të mbahet në muajin maj, në Komitetin e Ministrave.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Dalja në zgjedhjet e Maqedonisë deri ora 15:00 është rreth 35 për qind

Sipas të dhënave të deritanishme, pjesëmarrja më e madhe është shënuar në Novaci me 57,69% dhe më e ulëta në Qendër Zhupa, 13,11%.

Publikuar

nga

Deri në orën 15:00, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut ka marrë të dhënat për pjesëmarrjen e votuesve nga 2 mijë e 110 vendvotime. Nga gjithsej 1.092.341 votues të regjistruar në këto vendvotime, votuan 392.066 ose 35.89 për qind.

Sipas të dhënave të deritanishme, pjesëmarrja më e madhe është shënuar në Novaci me 57,69% dhe më e ulëta në Qendër Zhupa, 13,11%.

MPB me detaje për disa parregullsi në vendvotime në Shtip dhe Shkup. Siç ka raportuar Alsat, deri më tani, votimi ka qenë i qetë në të gjitha qendrat e votimit.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski më herë ka njoftuar se për dallim nga zgjedhjet e kaluara presidenciale të vitit 2019, këtë herë dalja është më e madhe për gjashtë për qind.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

Gjermania do të rifillojë bashkëpunimin me UNRWA

Zyra e Jashtme gjermane tha se është e lumtur që UNRWA tha se do të marrë parasysh rekomandimet e hetimit të kryesuar nga ish-ministrja e Jashtme franceze.

Publikuar

nga

Gjermania do të rifillojë bashkëpunimin me agjencinë e OKB-së për ndihmë për palestinezët në Gaza (UNRWA) pasi organizata pranoi rekomandimet për hetimin e pavarur të saj.

Zyra e Jashtme gjermane tha se është e lumtur që UNRWA tha se do të marrë parasysh rekomandimet e hetimit të kryesuar nga ish-ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna dhe do t’i zbatojë ato “me shpejtësi dhe plotësisht”.

“Në mbështetje të këtyre reformave, qeveria gjermane së shpejti do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me UNRWA në Gaza, siç kanë bërë tashmë Australia, Kanadaja, Suedia dhe Japonia, ndër të tjera”, njoftoi zyra e jashtme./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​PE miraton planin 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor

Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Publikuar

nga

Parlamenti Evropian e ka miratuar sot planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në seancën e parafundit të saj para zgjedhjeve të reja në BE në qershor.

Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit të plotë në bllok.

Tani, pasi Parlamenti Evropian e miratoi paketën, ajo duhet të formalizohet edhe nga Këshilli i BE-së. Pas kësaj, mund të fillojnë pagesat e para për përfituesit.

Paketa përmban 6 miliardë euro, prej të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i marrin 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro në formën e kredive të favorshme.

Sipas marrëveshjes mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, e cila është përfshirë në tekstin e rezolutës së sotme në Parlament, për të përfituar nga kjo ndihmë financiare, vendet e rajonit duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.

Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren.

Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, ka edhe kritere të natyrës politike.

Për Kosovën dhe Serbinë parakusht tjetër do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Vlerësimet se a e përmbushin apo jo këtë kriter Kosova apo Serbia do ta japë Komisioni Evropian, i cili – i ndihmuar nga Shërbimit i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), që edhe luan rolin kryesor në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – do të vlerësojë në fund nëse Kosova dhe Serbia e kanë plotësuar këtë parakusht.

Parlamenti Evropian, edhe përmes vendimit të sotëm, kërkon nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përshtatin politikat e tyre të jashtme me vendimet e BE-së, përfshirë edhe me sanksionet kundër Rusisë. Por, gjatë negociatave me Këshillin ka pasur mospajtime nëse ky duhet të jetë kusht specifik apo jo për pagesat nga plani evropian për rritje ekonomike.

Ka dominuar qëndrimi i Komisionit Evropian dhe një numri më të madh të shteteve anëtare se ky nuk duhet të jetë parakusht specifik, por vetëm qëllim i përgjithshëm.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përfitojnë nga kjo ndihmë, duhet të kenë plane operative për reforma dhe t’i bashkërendojnë ato me Komisionin Evropian. Në vendimet finale për pagesat do të përfshihen Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së përmes Këshillit.

Kërkohet edhe transparencë në procesin e prokurimit dhe hetime serioze në rastet e shkeljes së rregullave, apo në rast mashtrimesh. Për rastet e keqpërdorimeve kërkohet të njoftohen Zyra e Prokurorisë Publike të BE-së, dhe Zyra e BE-së për Parandalimin e Mashtrimeve (OLAFD).

Sipas tekstit të miratuar sot në Parlamentin Evropian, nga përdorimi i mundshëm i këtyre fondeve duhet të përjashtohen entitetet të cilat identifikohen si shkelëse të sanksioneve ndaj Rusisë, apo të cilat ndihmojnë në anashkalimin e tyre.

Në emër të Parlamentit Evropian, negociatat i kishin udhëhequr Toni Picula dhe Karlo Resler, dy eurodeputetë nga Kroacia, njëri nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve e tjetri nga Partitë Popullore Evropiane. Të dy kanë thënë se kjo paketë ka rëndësi te veçantë dhe mund t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të krijojnë vende të reja pune, të rrisin ekonominë e tyre dhe të investojnë në programet që janë në përputhje me prioritetet e BE-së, si energjia e pastër dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Parlamenti Evropian ka ngulur këmbë që kjo paketë të jetë e veçantë dhe të mos jetë pjesë e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit (IPA), të cilat janë fonde të rregullta të BE-së për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.

Këto gjashtë miliardë euro shtesë për vendet e Ballkanit do të jenë për periudhën kohore prej vitit 2024 deri në vitin 2027, sa edhe zgjat korniza aktuale shumëvjeçare financiare e Bashkimit Evropian.

Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Komisioni Evropian ka ambicie që pagesat e para për vendet e rajonit të Ballkanit nga kjo paketë të bëhet shumë shpejt, qysh në pjesën e dytë të këtij viti. Por, para se kjo të ndodhë duhet të konstatohet se vendet që duan të përfitojnë i kanë përmbushur kushtet për një gjë të tillë.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara