Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 qershor 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut

2 qershor 1993

Dita e dhjetë e grevës së urisë së Adem Demaçit

Adem Demaçi dhe gazetarët e shkrimtarët e tjerë të “Rilindjes”, sot hynë në ditën e dhjetë të grevës së urisë, që e filluan për fjalën dhe mendimin e lirë shqip, i cili me veprimet e fundit të pushtetit serb, rrezikohet plotësisht.

Këshilli grevist i “Rilindjes” po vazhdon kontaktet me përfaqësuesit e KSBE-se, të cilët po mundohen të ndërmjetësojnë në gjetjen e ndonjë zgjidhje tëq pranueshme.

Merret vesh se Greva e urisë e Adem Demaçit dhe e grevistëve të tjerë do të vazhdojë deri në përmbushje të kërkesave dhe nënshkrimit të marrëveshjes me shkrim për lirimin e gazetave dhe revistave shqipe.

 

2 qershor 1994

Deklaratë e rektorit Statovci me rastin e ndërhyrjes së forcave serbe kundër UP

Rektori i Universitetit të Prishtinës prof.dr. Ejup Statovci, me rastin e ndërhyrjes së forcave serbe kundër mbajtjes së Kuvendit të UP-së dhe pas arrestimeve të udhëheqësve të këtij universiteti, shpalli dje një deklaratë, në të cilën thuhet:

“Më 31.5.1994, policia serbe ndërhyri dhe ndërpreu mbledhjen e Kuvendit të UP, në të cilën duhej të merrej vendim për zgjedhjet në Universitet dhe për regjistrimin e studentëve të rinj për vitin shkollor 1994/95.

Pasi ndërpreu mbledhjen, policia legjitimoi të gjithë delegatët dhe një nga një i nxori nga salla, ndërsa nga të ndaluarit në polici ende mbahen profesori Fadil Berisha- kryetar i Kuvendit të UP, dr. Xhavit Ahmeti – kryetar i Këshillit Mësimor, sekretari i UP zoti Destan Halimi, zoti Salih Maqedonci- referent në Rektorat, si dhe zoti Qazim Qazimi – drejtor i Medreses “Alaudin”.

Me këtë rast protestoj energjikisht ndaj ndalimit dhe mbajtjes së mëtejme dhe kërkoj lirimin e tyre të menjëhershëm.

Mua më nxorrën të fundit nga salla ku mbahej mbledhja dhe në atë ditë më mbajtën në lokalet e policisë nga ora 13:00 deri rreth orës 23:00 me urdhër që edhe të nesërmen, më 1.6.1994 të paraqitem për bisedë në orën 11:00.

Punëtorët e sigurimit shtetëror të Serbisë u interesuan për mbledhjen e Kuvendit të UP dhe për atë që duhej të vendosej në të, për punën time si rektor, për komunikimet me organet shtetërore të Kosovës dhe për komunikimet me botën, veçanërisht për pjesëmarrjen në Konferencën e rektorëve të Evropës.

Ata u interesuan edhe lidhur me Dekretligjin mbi shkollimin e Lartë, kopjen e të cilit e kishin në tavolinë, dhe interesoheshin se kush është hartues i tij. U thashë se unë jam hartues, autor i këtij teksti.

Kur u paraqita sot në orën 11:00, më komunikuan se më konfiskohet pasaporta dhe materiale të tjera të komunikimit me jashtë, për të cilat më lëshuan vërtetimin.

Policia po më 31.5.1994 ka hyrë edhe në Rektorat dhe ka marrë tërë dokumentacionin si dhe mjetet e tjera teknike.

Kjo është një ndërhyrje e pa presedan për një universitet, por që është bërë e zakonshme tani në Kosovë.

Kjo ishte edhe një ndërhyrje tjetër për të trazuar e penguar punën në Universitet, për të çrregulluar rrjedhën normale të punës si dhe për të futur frikë.

Megjithatë Universiteti pandalshëm duhet dhe do të vazhdojë punën e vet, sepse është në natyrën e tij të ndërtojë, qoftë edhe në këto kushte të pazakonshme”, thuhet në deklaratën e rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Ejup Statovci.

 

2 qershor 1995

Ann-Marie Bostrom: “Sikur ta mbronim Kosovën më 1981, nuk do ta përjetonim tash këtë lum gjaku në Jugosllavi”

Java që po shkon, Suedinë e përshkoi me debate të nxehta për gjendjen në ish-Jugosllavi. Ekspertë të ndryshëm të problemit jugosllav nuk besojnë se do të arrihet ndonjë paqe në Bosnjë, edhe nëse Millosheviqi e pranon Bosnjën.

Kanali i parë i Radio Suedisë si dhe kanali i parë i TV Suedisë e kishin vazhdimisht në studio eksperten e njohur për Jugosllavi, Ann-Marie Bostrom, e cila tërhiqte vërejtjen për një shpërthim lufte në Kosovë, Sanxhak e Maqedoni.

Ann-Marie Bostrom edhe më parë ka deklaruar se sikur bota të ngritej në këmbë e t’i mbronte të gjitha konventat ndërkombëtare, të cilat ishin nënshkruar, sikur perëndimi ta mbronte Kosovën në vitin 1981, me siguri se nuk do të përjetonim këtë bazen gjaku që po e përjetojnë sot në Jugosllavi.

 

2 qershor 1997

Në Vjenë u mbajt një tubim me temën: “Fuçia e barotit-Kosova”

Në Vjenë të shtunën e kaluar u mbajt një tubim njëditësh me temën “Fuçia e barotit – Kosova”. Siç njofton gazeta “Nasha Borba”, debuteti austriak në Parlamentin Evropian Hanes Svoboda në fjalën hyrëse theksoi se zgjidhja e problemit të Kosovës duhet të gjendet në kuadër të “RFJ-së”. Ndërkaq, Kristina Fon Kol tha se zgjidhja e vetme e problemit të Kosovës është krijimi i republikës së pavarur të Kosovës. Duke i kundërshtuar vlerësimet e Fon Kolit, lideri i Qendrës Demokratike nga Beogradi, Dragolub Miqunoviq, theksoi parimin e mosndryshimit të kufijve dhe të integritetit territorial që i garanton bashkësia ndërkombëtare, dhe shtoi se “zgjidhja e vetme e mundshme është në kuadër të kufijve të Republikës së Serbisë”. Ai përmendi disa opcione për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por sipas mendimit të tij më i miri është kthimi i statusit autonom të Kosovës. Ai hodhi poshtë formimin e shtetit të pavarur, si kërkesë joreale, duke cituar gjoja një diplomat amerikan të ketë thënë se “shqiptarët nuk janë populli më i madh për të pasur dy shtete në Evropë, edhe me një kemi mjaft probleme”.

Shkëlzen Maliqi në këtë tubim ka vlerësuar se për shqiptarët aktualisht është më e mira status-kuoja e tanishme. Ai citohet të ketë thënë se “deri më tash është parë se inicimi i çështjeve kontestuese në Ballkan gjithmonë ka shpierë në luftë”. Në këtë tubim kanë marrë pjesë edhe disa politikanë austriakë, pastaj përfaqësuesi i Institutit të Vjenës për Studime Komparative Ekonomike, Vlladimir Gligorov, zëvendëskryeredaktori i gazetës “Koha”, Ylber Hysa, dhe profesor Millosh Nikolliq, anëtar i “Qarkut të Beogradit”.

 

2 qershor 1998

Vazhdon granatimi i fshatrave të Deçanit

Mbrëmë dhe sot forcat serbe të vendosura në Sukën e Biteshit kanë granatuar Glloxhanin, Gramaçelin, Baballoçin, Dobrixhën e Firajën, fshatra këto të komunës së Deçanit.

Njoftimin për granatime e përcolli KI i Degës së LDK-së në Gjakovë, pasi nga Deçani, për shkak të ndërprerjes së lidhjeve telefonike, tash katër ditë nuk mund të mirren informacione.

Njoftimet e fundit nga Deçani kanë bërë të ditur për granatimin e qytetit dhe të shumë fshatrave, si dhe për një numër më të madh të të vrarëve dhe të plagosurve, por tash për tash e gjithë kjo nuk mund të konfirmohet.

 

Në Poklek të ri 26 shtëpi të djegura – ende nuk dihet për numrin e të vrarëve

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Gllogoc në një raport të ditës së sotme njofton për përmasat e masakrës serbe në Poklek të Ri të kësaj komune.

Në njoftim rikujtohet edhe njëherë se ndërhyrja në fshat ishte mjaft e egër, ndonëse deri tash nuk mund të dihet numri i saktë i të vrarëve dhe të masakruarve pasi policia ka marrë pas aksionit një numër banorësh me vete. Në fshat ka mbetur vetëm kufoma e të riut Ardian Hazir Deliu (18), nxënës i Gjimnazit në Gllogoc, i cili u varros dje në fshatin e tij. Dyshohet se janë vrarë edhe Sefer B. Qorri, Ahmet A. Berisha, Sahit M. Qorri, Hajriz Hajdini, Muhamet Hajdini, ndërsa nuk dihet për fatin e Blerim B. Shishanit (14).

Më tutje në raportin e gjatë të këtij Komisioni thuhet se në fshat janë djegur 26 shtëpi dhe disa të tjera janë dëmtuar e plaçkitur. Janë djegur shtëpitë e Fadil e Vesel Dervishit, Sherife Islamit, Hajdar Zogut, Fehmi Bucollit, në të cilën banonte mësuesi Hysni Çerkinaj, shtëpia e Selim Hotit, Fatmir Zogajt, Ferat e Murat Hotit, Milazim Morinës, në të cilën banonte Ramë Asllani, Muhamet Hajdinit, Xhevdet Pajazitit, Hajriz Hajdinit, Rrustem, Sefer e Sahit Qorrit, Nebih Dervishit, Miftar e Xhevat Mulliqit, Dervish Dervishit, Dibran, Rrustem e Ajet Xhelit, Faik Miftarit, Mustafë Mehmetit dhe Hamëz Bytyçit.

Këto shtëpi, sikur edhe shtëpitë e tjera në fshat, janë plaçkitur nga forcat serbe para se të digjen. Vlen të theksohet se policia ka plaçkitur edhe tëra barnat nga depoja e barnatores private të Xhevdet Pajazitit.

Janë qëlluar me plumba dhe janë dëmtuar edhe shtëpitë e Bajram Halilajt, Sabit Mehmetit, Aziz Morinës, Rexhep Sallahut, Fazli Berishës, Isuf Thaçit, Nasuf Muçakut, dyqani i Faik Miftarit, ndërsa janë demoluar e janë plaçkitur shtëpitë e Qamil e Shaban Bajramit.

Po gjatë këtij aksioni policia plaçkiti një veturë të Xhevdet Pajazitit, dogji tri vetura dhe demoloi katra të tjera.

Në fund të raportit, duke cituar një dëshmitar, KI i Degës së LDK-së njofton se pas aksionit para shtëpisë së Hajriz e Muhamet Hajdinit kanë mbetur gjurmë gjaku, dhe gjymtyrë të tjera të trupave të masakruar, si dhe pjesë të rrobave.

 

KMDLNJ: Spastrim etnik në Kosovë

Dr. Pajazit Nushi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) me seli në Prishtinë, mbajti sot një konferencë me gazetarë.

Kjo, brenda pesë ditësh është konferenca e dytë, tha z. Nushi, ngase për një kohë të shkurtër popullata shqiptare në rajonet e rrezikuara në Kosovë, sidomos në zonën e Drenicës, pati pasoja të rënda. Me këtë rast ai veçoi masakrën serbe në Poklek të Ri dhe në Zabel të Ulët, por edhe masakrën në fshatrat dhe në qytetin e Deçanit, në rrethinën e të cilit ka pësuar shumë rëndë popullsia e fshatrave Lybeniq, Carrabreg, Beleg, Isniq, Strellc i Epërm, Rastavicë, Vranoc, Prejlep dhe lagja e Gërvallajve në Krushec. Z. Nushi theksoi se një pjesë e madhe e qytetit të Deçanit dhe numri më i madh i shtëpive të fshatrave janë djegur dhe shkatërruar në masë të madhe.

Zoti Nushi theksoi se qeveria serbe më 29 maj shpalli botërisht vendin e saj për moszvogëlimin e njësive policore, pikërisht atëherë kur pritej jo vetëm zvogëlimi i tyre, por edhe tërheqja e njësive ushtarake në kazerma dhe reduktimi i dhunës në minimum. Megjithatë, tha ai, ndodhi e kundërta dhe shtoi se KMDLNJ më 31 maj shënoi të dhënat më të rënda gjatë punës së vet; mbytjen mizorisht duke i prerë në fyt dhjetë qytetarë të Poklekut të Ri para fëmijëve dhe grave të tyre, terrorizimin e qytetarëve shqiptarë ditëve të fundit, i cili po merrë modalitete të reja mizore. Ai shtoi se vetëm brenda katër ditëve të kaluara, përkatësisht prej ditës së premte deri në ditën e hënë, u vranë dhe u masakruan 26 shqiptarë moshash e gjinish të ndryshme, që do të thotë se më shumë se 6 të vrarë dhe të masakruar për çdo ditë. Në këtë kontekst ai përmendi edhe zhdukjen e shumë godinave të fshatrave të tëra, si pasojë e granatimeve të forcave ushtarako-policore serbe. Kjo ka pasoja shumë të rënda në trajtimin e drejtë të çështjes së Kosovës nga kriteret e së drejtës ndërkombëtare dhe në këtë kontekst përmendi edhe minimin e disa zonave, sikurse është rasti i minimit të 300 metrave rrugë në Komoran deri te lumi Drenica, pastaj mosafrimin e ndihmave mjekësore, madje edhe konfiskimin e ilaçeve nga barnatoret private të shqiptarëve, siç ndodhi me Xhevdet Pajazitin në Poklek të Ri. Z. Nushi përmendi edhe ndërprerjen e linjave telefonike ndërmjet qyteteve dhe fshatrave nga zonat e rrezikuara dhe më pak të rrezikuara në Kosovë (nga Deçani, Peja, Gjakova etj. ). Ai e gjykoi edhe qëndrimin e regjimit serb për moslejimin e vizitave në zonat e rrezikuara të përfaqësuesve të organizatave humanitare dhe moslejimin e dërgimit të ndihmave familjeve nga më të afërmit e tyre.

Duke folur për zhvendosjen e popullatës shqiptare nga zonat e rrezikuara të Kosovës, z. Nushi tha se ajo po merr dimensione gjithnjë e më të mëdha, ngase shtëpitë, banesat, xhamitë, teçet, kishat e godinat tjera të vendeve më pak të rrezikuara të Kosovës, po bëhen të ngushta për të pranuar numrin gjithnjë e më të madh të të rrezikuarve, të cilët tashmë kanë filluar të kërkojnë strehim në Tropojë, në Bajram Curr e në fshatra të tjera të Shqipërisë.

Po kështu, tha ai, është intensifikuar edhe largimi i shqiptarëve në vendet e Evropës Perëndimore. Ai tha se nëse deri vonë kemi pasur kontura të spastrimit etnik, tash spastrimi etnik i shqiptarëve nga vendet e tyre ka marrë fizionominë e qartë të një dukurie të rëndë sociale dhe se kjo dukuri ditëve të fundit është karakteristike më shumë për zonat më të rrezikuara të Kosovës që po përvijon një ndarje të çuditshme të territorit të Kosovës. Sipas tij, përvijimi i këtillë i kësaj ndarjeje meriton një shqyrtim të thellë profesional e gjeostrategjik.

Regjimi serb, tha më tej Nushi, po e përdor edhe një formë tjetër të dhunës. Kështu shqiptarët e gjithë zonës së rrezikuar, sidomos ata të vendbanimeve dhe të fshatrave shqiptare janë ballafaquar me uri dhe në kushte të mungesës së artikujve ushqimorë dhe të moslejimit të depërtimit të ndihmave humanitare, me qëllim që të dobësohet gjithnjë e më tepër qenia bilogjike dhe ekzistenca e shqiptarëve. Prandaj KMDLNJ ndjen nevojë që sot të merret para së gjithash me çështjen e mbrojtjes së të drejtës së ekzistencës së shqiptarëve. Ai shtoi se mbrojtja dhe zhvillimi demokratik është i lidhur edhe me funksionimin e Parlamentit dhe të Qeverisë së Kosovës, ngase, siç tha ai, KMDLNJ parasheh shkallëzim edhe më të madh të gjendjes me pasoja të rënda masive për qenien e shqiptarëve.

Duke folur për fillimin e negociatave shqiptaro-serbe, ai theksoi se ato nuk duhet të mbahen pa tërheqjen e njësive policore e ushtarake nga Kosova dhe pa reduktimin dhe eliminimin e dhunës, si dhe të terrorit shtetëror serb ndaj shqiptarëve, tha veç të tjerash Pajazit Nushi, kryetar i KMDLNJ-së në konferencën e sotme me gazetarë.

Në vijim, gazetarët u interesuan të mësojnë më shumë për numrin e zhvendosjes së refugjatëve nga Kosova në Shqipëri dhe në vende të tjera, mirëpo z. Nushi tha se tash për tash nuk ka informacione të plota veç atyre që u emetuan mbrëmë në shumë mediume të huaja e vendore.

 

Ismet Shala nga Gllogovci kërkon tre fëmijët e tij

Ismet Shala nga Zabeli i Ulët i komunës së Gllogocit na u lut që të transmetojmë një apel të tij.

Tre fëmijët e tij – Vlora dhe Anita nxënëse të shkollës së mesme të mjekësisë në Gjakovë dhe djali Valoni, nxënës i klasës së pestë të shkollës fillore – qe tre muaj kanë qenë te dajtë e tyre në Pobergjë të Deçanit në familjen Tolaj. Ndërkaq, zoti Shala tash një muaj nuk ka kontaktuar me ta dhe nuk di nëse ende janë në Pobergjë apo janë strehuar në Shqipëri.

Ai apelon te të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që nëse dinë se ku ndodhen fëmijët e tij të njoftojnë QIK-un, apo mjeteve e huaja të informimit në gjuhën shqipe.

 

 

 

Continue Reading

lajme

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Lajmet

Sot seancë e jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme në orën 16:00 lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në një deklarim për media, Nagavci theksoi se të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar të veprojnë apo të ofrojë mbrojtje në këtë rast duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi të plotë.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Continue Reading

Vendi

Policia shpall në kërkim Albert Sylajn, kërkohet ndihma e qytetarëve

Published

on

By

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I kërkuari është Albert (Sylejman) Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.

Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit, të njoftojnë menjëhirë organet e rendit ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Kontaktet për të lajmëruar Policinë e Kosovës:

  • 192 dhe 0800 19999 (të dy numrat pa pagesë)
  • 039 432 327 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë)

Continue Reading

Lajmet

LVV kërkon seancë të jashtëzakonshme dhe komision hetimor parlamentar

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi se seanca synohet të mbahet më 26 tetor 2026, ku do të kërkohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar zinxhirin e përgjegjësisë.

Nagavci theksoi se viktima i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj tri ditë para se të vritej.

“Ajo kërkoi ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë. Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë”, ka shkruar Nagavci. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara