Ekspertët britanikë po u bëjnë thirrje mjekëve që të fillojnë të matin perimetrin e qafës së pacientëve, pasi kjo mund të ofrojë një tregues më të saktë të rrezikut për sëmundje të zemrës, trurit dhe diabetit, krahasuar me metodat tradicionale si indeksi i masës trupore (BMI) apo raporti bel–vithe.
Sipas profesorëve Ahmed Elbediwy, biokimist, dhe Nadine Wehida, eksperte në gjenetikë dhe mikrobiologji nga Universiteti Kingston në Mbretërinë e Bashkuar, një qafë më e trashë mund të sinjalizojë probleme serioze shëndetësore, përfshirë:
tension të lartë të gjakut
ritëm të çrregullt të zemrës (fibrilacion atrial)
nivele të larta të sheqerit gjatë shtatzënisë
diabet të tipit 2
Këto gjendje lidhen drejtpërdrejt me rritjen e rrezikut për sulm në zemër, në tru apo dështim të zemrës.
Lidhja mes trashësisë së qafës dhe sëmundjeve të zemrës
Një qafë e gjerë lidhet edhe me apne të gjumit, çrregullim i rrezikshëm ku frymëmarrja ndalon për disa sekonda gjatë gjumit, duke ulur nivelin e oksigjenit në trup dhe duke shtuar rrezikun për sëmundje kardiake.
Ekspertët sugjerojnë kufijtë e mëposhtëm si tregues të rrezikut:
Për meshkujt, mbi 43 cm (17 inç)
Për femrat, mbi 35.5 cm (14 inç)
Matja është e thjeshtë dhe zgjat vetëm disa sekonda:
“Vendosni metrin rreth pjesës më të ngushtë të qafës, duke u siguruar që të jetë i ngjitur, por jo i ngushtë,” shpjegojnë profesorët. Ata shtojnë se një rezultat mbi këto vlera nuk duhet të shkaktojë panik, por të merret si sinjal paralajmërues për kujdes më të madh ndaj shëndetit.
Pse qafa ka rëndësi?
Sipas kërkuesve, qafa pasqyron shpërndarjen e dhjamit në pjesën e sipërme të trupit, i cili ndikon në metabolizmin e kolesterolit dhe të sheqerit në gjak.
Kjo zonë lidhet ngushtë me dhjamin visceral, dhjami i brendshëm që grumbullohet rreth organeve vitale rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje të rënda apo vdekje të parakohshme. Një studim i vitit 2019 tregoi se personat me qafë më të trashë kishin përqindje më të lartë të presionit të lartë të gjakut dhe fibrilacionit atrial – gjendje që mund të çojnë në mpiksje gjaku, goditje në tru dhe dështim të zemrës.
Si mund të përmirësoni gjendjen?
Profesorët theksojnë se rreziku ulet përmes ndryshimeve në stilin e jetesës: Aktivitet fizik: vrap, not, çiklizëm ose ushtrime për forcimin e pjesës së sipërme të trupit. Gjumë cilësor: ndihmon në ruajtjen e funksioneve të zemrës. Ushqyerje e shëndetshme: e pasur me perime e fruta duke shmangur kaloritë e tepërta.
Një sinjal për shëndetin publik
Në Mbretërinë e Bashkuar, rastet e sëmundjeve të zemrës janë në rritje të ndjeshme. Sipas Fondacionit Britanik të Zemrës, numri i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare është rritur me 18% në pesë vitet e fundit, ndërsa rastet e dështimit të zemrës janë shtuar me 21% që nga viti 2020.
Shkaktarët përfshijnë jetesën sedentare, stresin pas pandemisë, problemet e sistemit shëndetësor dhe efektet afatgjata të COVID-19, që dëmtojë sistemin kardiovaskular. Ekspertët përfundojnë se një matje e thjeshtë e qafës mund të bëhet një mjet i vlefshëm parandalues, pa pasur nevojë për analiza të ndërlikuara apo pajisje të shtrenjta – mjafton pak kujdes dhe disa sekonda vëmendje për trupin tuaj. /A.Z/UBT News/