Lajmet

United Hospital fuqizon Kardiokirurgjinë me Dr. Sulejman Kusin, ekspertizë ndërkombëtare dhe standarde moderne për trajtimin e sëmundjeve të zemrës

Published

on

Prishtinë – Në një kohë kur sëmundjet kardiovaskulare vazhdojnë të mbeten ndër shkaktarët kryesorë të problemeve shëndetësore, investimi në ekspertizë mjekësore dhe teknologji bashkëkohore është bërë një domosdoshmëri. Duke ndjekur këtë vizion, United Hospital vazhdon të zgjerojë kapacitetet e tij klinike, duke konsoliduar Departamentin e Kardiokirurgjisë me ardhjen e Dr. Sulejman Kusit, specialist i kardiokirurgjisë me përvojë profesionale dhe trajnim të avancuar në qendra të njohura mjekësore në Samsun dhe Stamboll, Turqi.

Ky angazhim përfaqëson një tjetër hap në zhvillimin e shërbimeve të specializuara të spitalit, me synimin për t’u ofruar pacientëve kujdes kirurgjikal modern, të sigurt dhe të bazuar në praktikat më të avancuara të mjekësisë bashkëkohore. Duke investuar vazhdimisht në teknologji diagnostikuese, infrastrukturë moderne dhe staf të kualifikuar, United Hospital synon të krijojë një qendër referuese për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive komplekse të zemrës.

Në kuadër të Departamentit të Kardiokirurgjisë, Dr. Sulejman Kusi ofron një gamë të gjerë shërbimesh specialistike, duke filluar nga konsultat dhe vlerësimet paraoperative, deri te ndërhyrjet më të ndërlikuara kardiokirurgjikale.

Procesi i trajtimit fillon me vizitat specialistike dhe vlerësimin multidisiplinar, ku pacienti vlerësohet nga një ekip i përbërë nga kardiokirurgu, anesteziologu dhe specialistë të tjerë përkatës. Ky model bashkëpunimi mundëson planifikim të individualizuar të trajtimit dhe përgatitje optimale për çdo ndërhyrje kirurgjikale.

Në fushën e kirurgjisë së arterieve koronare, pacientëve u ofrohen procedura moderne të bypass-it aortokoronar, si me qarkullim ekstrakorporal (On-Pump CABG) ashtu edhe pa të (Off-Pump CABG), si dhe teknika të avancuara të revaskularizimit arterial dhe venoz të miokardit, me synimin për të përmirësuar furnizimin me gjak të muskulit të zemrës dhe cilësinë e jetës së pacientit.

Një tjetër segment i rëndësishëm përfshin kirurgjinë e valvulave të zemrës, ku realizohen ndërhyrje për zëvendësimin dhe riparimin e valvulave aortale, mitrale dhe trikuspidale, trajtimin kirurgjikal të endokarditit infektiv, si dhe procedura hibride në bashkëpunim me ekipin e kardiologjisë intervenuese.

Departamenti ofron gjithashtu kirurgji minimale invazive, duke përdorur teknika moderne me prerje më të vogla kirurgjikale, të cilat synojnë reduktimin e traumës operative, rikuperim më të shpejtë dhe rezultate më të mira funksionale për pacientët. Në këtë kategori përfshihen procedura të avancuara si ablacioni kirurgjikal i fibrilacionit atrial (Maze Procedure), rekonstruksioni kirurgjikal i ventrikulit të majtë (Dor Procedure) për pacientët me insuficiencë të avancuar kardiake, si dhe miektomia septale për trajtimin e kardiomiopatisë hipertrofike obstruktive.

United Hospital

Ekspertiza e Dr. Kusit shtrihet edhe në trajtimin e sëmundjeve të aortës, përfshirë riparimin dhe zëvendësimin e aneurizmave, trajtimin kirurgjikal të diseksioneve akute dhe kronike të aortës, si dhe korrigjimin e defekteve kongjenitale të zemrës tek pacientët e rritur.

Për pacientët me patologji komplekse, United Hospital ofron edhe procedura të kombinuara, ku ndërhyrjet koronare, valvulare dhe aortike realizohen në të njëjtën seancë operative, përmes një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet kardiokirurgut, kardiologut, anesteziologut dhe ekipit multidisiplinar.

Filozofia e United Hospital mbështetet në ofrimin e kujdesit shëndetësor të bazuar në evidencë shkencore, inovacion teknologjik dhe standarde të larta profesionale, duke e vendosur pacientin në qendër të çdo vendimmarrjeje klinike. Investimet e vazhdueshme në teknologji, aparatura moderne dhe burime njerëzore të specializuara e kanë bërë spitalin një adresë të rëndësishme për trajtimin e patologjive komplekse në Kosovë.

“Zemra juaj meriton kujdesin e profesionistëve” mbetet filozofia që udhëheq këtë shërbim, duke synuar diagnostikim të hershëm, trajtim kirurgjikal cilësor dhe rikthim të sigurt të pacientëve në jetën e tyre të përditshme.

Për informata shtesë dhe rezervimin e një vizite ose konsulte kardiokirurgjikale me Dr. Sulejman Kusin, pacientët mund të kontaktojnë United Hospital në numrat:

📞 038 60 70 70 | 046 60 70 70

📍 M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë

Lajmet

Në UBT nis IFSGC 2026, kongresi ndërkombëtar për ushqimin, shëndetin dhe gastronominë

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së ka nisur sot Kongresi i 2-të Ndërkombëtar i Shkencave të Ushqimit, Shëndetit dhe Gastronomisë – IFSGC 2026, një nga aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare akademike që po zhvillohet në Kosovë, duke mbledhur në UBT profesorë, studiues, ekspertë të industrisë dhe studentë nga Kosova, Turqia dhe vende të ndryshme të botës.

Kongresi, i cili do të mbahet nga 7 deri më 9 shtator 2026, organizohet nën temën “Innovating the Future of Food, Health & Gastronomy”, duke trajtuar zhvillimet më të reja shkencore dhe teknologjike në fushën e ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, si dhe ndërlidhjen e tyre me inovacionin, qëndrueshmërinë dhe transformimin digjital.

UBT është institucioni nikoqir dhe bashkëorganizatori kryesor i IFSGC 2026, në bashkëpunim me Istanbul Nişantaşı University dhe Ondokuz Mayıs University, duke e pozicionuar edhe një herë Kosovën dhe UBT-në në hartën e aktiviteteve akademike me karakter ndërkombëtar.

Në ceremoninë e hapjes, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e bashkimit të disiplinave shkencore dhe të krijimit të modeleve të reja që lidhin kërkimin me zgjidhjet konkrete për shoqërinë.

Duke folur për zhvillimet e kohës dhe rëndësinë e qasjeve ndërdisiplinore, Rektori Hajrizi tha se bota po hyn në një epokë të re të konvergjencës shkencore, ku disiplinat po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat globale.

“Sot po jetojmë një revolucion të konvergjencës, një epokë ku disiplinat që dikur zhvilloheshin të ndara, tashmë po bashkohen për të krijuar zgjidhje të reja për sfidat më të mëdha të shoqërisë”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Në këtë kontekst, Rektori Hajrizi veçoi modelin e UBT Smart City, duke e cilësuar atë si një mjedis real ku teknologjia, arsimi, shëndetësia, energjia, infrastruktura, inovacioni dhe jeta e përditshme mund të studiohen dhe të zhvillohen në mënyrë të integruar.

“UBT Smart City funksionon si një Living Lab, një mjedis real në të cilin sisteme të ndryshme mund të bashkëjetojnë, të ndërveprojnë dhe të studiohen së bashku. Kjo më sjell te një koncept që është thelbësisht i rëndësishëm për këtë Kongres: integrimi i sistemit të ushqimit dhe gastronomisë përmes modelit UBT 5S. Në perspektivën e modelit 5S, ushqimi dhe gastronomia, shëndeti dhe gastronomia nuk mund të kuptohen si sektorë të izoluar, por si një ekosistem i integruar, që ndërlidh arsimin, bujqësinë, mjedisin, kërkimin shkencor, laboratorët, teknologjinë, prodhimin, sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, nutricionin, shëndetin, gastronominë, turizmin, kulturën, industrinë”, tha Rektori Hajrizi.

Në ceremoninë e hapjes foli edhe Prof. Dr. Ece Salihoğlu, Zëvendësrektore e Istanbul Nişantaşı University, e cila vlerësoi pjesëmarrjen ndërkombëtare në kongres dhe bashkëpunimin akademik me UBT-në.

Prof. Dr. Salihoğlu u ndal edhe te rëndësia e shkencave të ushqimit, shëndetit dhe gastronomisë, duke theksuar se këto fusha lidhen drejtpërdrejt me jetën dhe mirëqenien e njeriut. Sipas saj, ushqimi nuk duhet të shihet vetëm si një nevojë ushqyese, por si një faktor që lidhet ngushtë me shëndetin, kulturën, ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë drejtim, ajo vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve akademike dhe shprehu besimin se partneritetet e krijuara do të shndërrohen në projekte konkrete kërkimore.

“Bashkëpunimi ndërmjet Istanbul University, Istanbul Commerce University dhe UBT-së nuk do të kufizohet vetëm në Kongresin e sotëm. Përkundrazi, ne i kushtojmë rëndësi të madhe që, në një periudhë shumë të shkurtër, ky bashkëpunim të shndërrohet në kërkime të përbashkëta dhe studime shkencore konkrete”.

Ceremonia e hapjes së IFSGC 2026 mblodhi në UBT përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, drejtues universitarë, përfaqësues diplomatikë, profesorë, studiues, profesionistë dhe studentë.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Veysel Erden, Përfaqësues i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Kosovë, i cili përshëndeti organizimin e kongresit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit akademik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe Fikrim Damka, Zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, i cili vlerësoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla ndërkombëtare dhe rolin e universiteteve në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe akademik.

Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e “Çmimit të Nderit Akademik” për Rektorin e UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në krijimin e mundësive për akademikët dhe profesionistët e diplomuar, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj tyre, si dhe për forcimin e marrëdhënieve akademike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Pas ceremonisë së hapjes, programi shkencor i kongresit vazhdoi me ligjërata dhe prezantime nga profesorë dhe studiues të njohur ndërkombëtarë.

Ndër folësit kryesorë të IFSGC 2026 janë Prof. Dr. H.P. Vasantha Rupasinghe nga Dalhousie University, Prof. Dr. Charis M. Galanakis nga Taif University dhe Prof. Dr. Muhammad Hamid Zaman nga Boston University.

Gjatë tri ditëve të kongresit, pjesëmarrësit do të prezantojnë kërkimet dhe punimet e tyre shkencore, ndërsa diskutimet do të fokusohen në tema që lidhen me sigurinë dhe cilësinë e ushqimit, teknologjitë ushqimore, nutricionin, shëndetin, gastronominë, qëndrueshmërinë, inovacionin dhe përdorimin e teknologjive të reja.

Për më shumë informata: www.ifsgc.net

Continue Reading

Vendi

Mblidhet PDK-ja

Published

on

Grupi Parlamentar dhe Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është duke mbajtur mbledhjen për zhvillimet e fundit dhe hapat e mëtutjeshëm të këtij subjekti politik.

Kjo mbledhje ka nisur rreth orës 15:00, raporton KP.

Ndërkohë, për të mërkurën, Avni Dehari në cilësinë e kryesuesit të seancës konstitutive, ka thirrur vazhdimin e seancën konstituive, ku pritet zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë do të mbahet në orën 11:00, më 9 shtator.

Ndërkaq, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot vendosi të marrë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kështu tha shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, pas mbledhjes së sotme./A.K/

Continue Reading

Botë

Nepali në ditë zie, mbi 1,300 të vdekur dhe mijëra të zhdukur nga përmbytjet

Published

on

Nepali është sot në ditë zie kombëtare, në kujtim të qindra viktimave të përmbytjeve vdekjeprurëse të 26 gushtit, ndërsa vazhdojnë kërkimet për mijëra persona të zhdukur.

Flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike në vend, në nderim të viktimave të përmbytjeve që autoritetet i kanë cilësuar si të pashembullta.

Sipas të dhënave të përkohshme, të paktën 1 mijë e 398 persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 5 mijë e 500 persona rezultojnë të zhdukur në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës.

Mes të zhdukurve dyshohet se ka turistë, pelegrinë të huaj dhe qindra punëtorë që janë rrëmbyer nga ujërat.

Për të 13-tën ditë radhazi, ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet në sipërfaqe, nga ajri dhe në tunele, me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Autoritetet thonë se operacionet po zhvillohen me të njëjtin intensitet si në ditën e parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Poterq të Klinës: Burri i vë flakën krevatit të motrës dhe sulmon nënën, motra humb jetën

Published

on

Një grua ka humbur jetën pasi u sulmua nga vëllai i saj në fshatin Poterq të Klinës.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 6 shtator, kur i dyshuari, i cili dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij dhe më pas ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë.

Të dyja viktimat kanë pësuar lëndime të rënda. Ato fillimisht janë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas janë transferuar në QKUK në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se më 7 shtator motra e të dyshuarit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri.

I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikike, ai është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e Policisë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara