Aktualitet

Shqipëria zgjeron me 1.5 miliard lekë eksportet drejt Kosovës

Sipas INSTAT, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti arritën 25 miliardë lekë.

Published

on

Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës po vijnë duke u zgjeruar vit pas viti.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT) mbi tregtinë e jashtme, eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti arritën 25 miliardë lekë, duke shënuar rritje me 1.5 miliard lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Ndërkohë, edhe importet shënuan rritje duke arritur në 10.4 miliardë lekë, nga 7.6 miliardë lekë që ishin në tetëmujorin e 2021-shit, raporton ATSh. 

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike. Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera.

Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar më tepër drejt Kosovës 11.4 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale dhe rreth 3.6 miliardë lekë minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

Por shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve janë shumë më të gjera se vetëm flukset tregtare. Ato shtrihen në shkëmbime ekonomike në industrinë e turizmit, shërbimeve financiare, shkëmbime në fushën e arsimit dhe teknologjisë, transportit apo telekomunikacionit.

Potenciali është akoma më i madh dhe i qëndrueshëm për specializim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të konkurrueshmërisë, me anë të konsolidimit të zinxhirit të vlerës nëpërmjet shkëmbimeve ndërsektoriale, në fusha si agropërpunim, industri kimike dhe kozmetike, prodhim artikuj paketimi prej plastike dhe letre, përpunim i metaleve, etj.

Nga sektorët e pashfrytëzuar deri tani, potencial për shkëmbime tregtare shfaqin sektorë si tekstilet, prodhimet e lëkurës, makineritë, prodhimet e detit, produkte druri të përpunuar, etj.

Aktualitet

Mungesa e kuorumit, Kuvendi i Prishtinës mbyll mandatin me dështim të seancës

Published

on

Ka dështuar seanca e cila ishte paraparë të mbyllte ciklin katërvjeçar të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, kjo për shkak të mungesës së kuorumit brenda sallës.

Mungesa e ekzekutivit të Komunës dhe grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës pamundësoi vazhdimin e punës dhe shtyu edhe njëherë diskutimin e temave të mbetura në rend dite.

Përfaqësuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, u shpreh se disa çështje të rëndësishme, siç është afati i fundit ligjor për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, apo raporti i auditimit, do duhej të diskutoheshin në këtë mbledhje.

“Kjo nuk është hera e parë që ndodhë kështu, në demokraci të konsoliduara të pakta janë rastet ku pushteti mungon në seanca, mirëpo në Kuvendin Komunal, gjatë këtij mandati, kjo ka qenë një dukuri e shpeshtë”, ka thënë Sveçla.

Kryetarin Rama dhe asamblistët e pozitës, ngjashëm i ka kritikuar edhe përfaqësuesi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Leutrim Retkoceri.

“Përparim Rama dhe ekzekutivi nuk erdhën as sot, e mbyllën mandatin me ikje, me heshtje, me përbuzje ndaj kuvendit dhe ndaj qytetarëve të Prishtinës. Ky është treguesi më i qartë i mënyrës se si kanë qeverisur”- u shpreh Retkoceri.

Pas kësaj, kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina, shpalli mbledhjen e mbyllur.

Kjo ishte mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal të Prishtinës, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Një prej çështjeve të mbetura pezull, e cila ende nuk ka gjetur zgjidhje në Asamblenë e Prishtinës, është miratimi i projektbuxhetit për vitin 2026./S.K/EO/

Continue Reading

Aktualitet

UBT ofron 20 për qind bursë në programin Master në Shkencat dhe Teknologjia e Ushqimit, për teknologët, nutricionistët dhe infermierët

Published

on

UBT po ofron një mundësi të veçantë për profesionistët e industrisë ushqimore. 20 për qind bursë për teknologët ushqimorë, nutricionistët dhe infermierët, në programin Master në Shkencat dhe Teknologjia e Ushqimit, për të zhvilluar njohuri të thella akademike, aftësi praktike të avancuara dhe përvojë ndërkombëtare.

Programi Master në Shkencat dhe Teknologjinë e Ushqimit në UBT është dizajnuar për të ofruar arsimim të avancuar akademik dhe profesional në këtë fushë vitale për zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe shëndetësor të vendit.

Ky program është ndërtuar sipas kurrikulave bashkëkohore, të krahasueshme me ato të universiteteve më të zhvilluara ndërkombëtare, duke përfshirë qasje multidisiplinare, kërkime shkencore dhe praktika laboratorike.

Studentët pajisen me njohuri të thelluara mbi kiminë ushqimore, mikrobiologjinë, inxhinierinë e ushqimit dhe nutricionin, duke mësuar të krijojnë, përpunojnë dhe ruajnë produkte ushqimore të sigurta, cilësore dhe të shëndetshme.

Ky program përgatit profesionistë të aftë për:

  • të punuar në kompani kombëtare dhe ndërkombëtare të industrisë ushqimore,
  • të kontribuar në sektorin publik dhe privat,
  • të udhëheqin projekte të inovacionit në ushqim,
  • të zhvillojnë kërkime shkencore dhe të vazhdojnë studimet në nivel doktorature.

Përmes një mjedisi modern akademik, UBT u ofron studentëve mundësi për mobilitete studimore në universitete partnere evropiane, staf me përvojë ndërkombëtare dhe kushte laboratorike të nivelit më të lartë.

Programi gjithashtu u mundëson studentëve të specializohen në fusha të ndryshme si nutricioni, teknologjia ushqimore dhe menaxhimi i cilësisë e sigurisë së ushqimit, duke i pajisur ata me aftësi për të adresuar sfida komplekse që lidhen me prodhimin, sigurinë dhe ndikimin shëndetësor të ushqimit.

UBT thekson se qëllimi i këtij programi është të krijojë profesionistë dhe ekspertë që jo vetëm plotësojnë nevojat e tregut vendor dhe ndërkombëtar, por gjithashtu kontribuojnë në ngritjen e standardeve të ushqimit, shëndetit dhe inovacionit në Kosovë dhe më gjerë.

APLIKO TANI ONLINE dhe përfito nga bursa 20 për qind për të qenë pjesë e gjeneratës së re të ekspertëve të ushqimit dhe nutricionit.

Continue Reading

Aktualitet

Kurti takohet me Kongresistin Torres, e njofton për progresin ekonomik e demokratik të vendit

Published

on

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, takoi në Washington D.C. kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, Ritchie Torres.

Gjatë takimit, Kryeministri Kurti e falënderoi Torres për qëndrimet e tij të hapura dhe të zëshme në mbështetje të Kosovës dhe në takim e informoi për progresin ekonomik dhe demokratik që vendi ka shënuar vitet e fundit, si dhe për zhvillimet më të fundit në Kosovë dhe rajon.

“Në takim, Kryeministri theksoi aspiratën e palëkundur të Kosovës për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si orientim dhe objektiva strategjike të shtetit tonë. Kryeministri gjithashtu nënvizoi planet e mëdha investive në vend, përfshirë projektin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, zhvillimin e hovshëm të sektorit të teknologjisë dhe mundësitë që kompanitë amerikane të bashkëpunojnë e të investojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit./S.K/EO/

Continue Reading

Aktualitet

Kryeministri Kurti takoi kongresistin amerikan James McGovern

Published

on

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua në Capitol Hill, Washington D.C., me kongresistin nga radhët e Partisë Demokratike, James McGovern. Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli.

Ata diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe me këtë rast kryeministri Kurti e njoftoi kongresistin McGovern për progresin në vend dhe vendimet e Qeverisës së Kosovës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta nga SHBA-të, heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga SHBA, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane.

Kryeministri Kurti gjithashtu e falënderoi kongresistin McGovern për angazhimin e tij të palodhshëm në kërkimin e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë avancimit të marrëdhënieve Kosovë-SHBA.

Gjatë bisedës, të dy u dakorduan të punojnë së bashku për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në rritjen e investimeve në biznes dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik./S.K/EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara