Rajoni

​Shqipëria dorëzon në Komisionin Evropian dokumentacionin e plotë për Kapitullin e Doganave

Published

on

Administrata Doganore e Shqipërisë ka dorëzuar zyrtarisht pranë Komisionit Evropian paketën e plotë të dokumentacionit për përmbushjen e kushteve përmbyllëse në kuadër të Kapitullit 29 “Bashkimi doganor”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt aderimit të vendit në familjen e madhe evropiane.

Administrata Doganore përgatiti dhe dorëzoi kalendarin legjislativ dhe tabelat e konformitetit me acquis të BE-së; strategjitë kryesore të administratës në fushat e biznesit, burimeve njerëzore dhe trajnimit; masat për rritjen e integritetit dhe performancës së strukturës doganore; planin kombëtar shumëvjeçar për sistemet IT dhe masat për ndërveprimin me sistemet e BE-së; informacion mbi ratifikimin e Protokollit të Konventës Kuadër për Kontrollin e Duhanit; raportin vjetor “Libri Jeshil-Dogana 2024 dhe Prioritetet 2025”, i botuar për të katërtin vit radhazi.

Administrata Doganore thotë se mbetet e angazhuar për të vijuar përmbushjen e të gjitha detyrimeve të Kapitullit 29, duke garantuar përafrimin legjislativ, forcimin e kapaciteteve administrative, avancimin e sistemeve digjitale doganore dhe thellimin e bashkëpunimit me BE në luftën kundër tregtisë së paligjshme.

“Ky është një moment historik që i shërben jo vetëm integrimit të Shqipërisë në BE, por edhe ndërtimit të një administrate moderne, të besueshme dhe në shërbim të qytetarëve e biznesit”, thuhet në postimin e ADSH-së në Facebook./D.B/KP

Rajoni

Kryeministri Rama përsërit ftesën për dialog në ditën e 18-të të protestave

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ripërsëritur sot ftesën e tij drejtuar protestuesve për të hyrë në dialog. Në ditën e 18-të të tubimeve para godinës së Kryeministrisë, ai ka publikuar një video në rrjetet sociale ku shfaqet tryeza e betonit e vendosur për përfaqësuesit e protestës.

Pavarësisht një rënieje në numrin e pjesëmarrësve gjatë ditëve të fundit, tubimet po vazhdojnë me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit. Nga ana e tij, Rama ka bërë të ditur se mbetet i hapur për të diskutuar kërkesat, por deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare nga organizatorët e protestës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

Rajoni

Shqiptari 29-vjeçar ekstradohet nga Gjermania, kërkohej për sigurimin e kushteve për vrasje

Published

on

Një 29-vjeçar nga Mati është ekstraduar nga Frankfurti i Gjermanisë drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit “The Wanted”, pas shpalljes së tij në kërkim ndërkombëtar.

Sipas Policisë së Shtetit, shtetasi me inicialet A. Gj. ishte shpallur në kërkim pasi, në maj të vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ai dyshohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Arrestimi i tij në Gjermani u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden. Më pas, specialistët e Interpol Tiranës realizuan ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kamberi i hapur për bashkëpunim me Listën Studentore në Serbi, kërkon trajtimin e çështjes së shqiptarëve

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me Listën Studentore pas zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë duhet të mbështetet në dialog serioz dhe në përmbushjen e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Kamberi ka deklaruar se shqiptarët nuk synojnë të marrin poste vetëm për të krijuar përshtypjen e përfshirjes në institucione, por kërkojnë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen.

Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i Planit 7-pikësh, si dhe adresimi i çështjeve urgjente, përfshirë pasivizimin e adresave, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe të drejtat në arsim.

“Mesazhi im për ta do të ishte i thjeshtë: nëse synoni një Serbi demokratike, të përgjegjshme dhe me marrëdhënie më të mira rajonale, atëherë përfshijeni edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vizionin tuaj për ndryshim”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se Serbia duhet ta trajtojë Kosovën si partnere të barabartë dhe të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e dialogut dhe respektit të ndërsjellë.

Sipas raportimeve për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, Lista Studentore ka siguruar shumicën, duke i dhënë fund pushtetit 12-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit. Megjithatë, përfaqësues të kësaj liste kanë deklaruar se në raport me Kosovën mbështesin Kushtetutën e Serbisë, e cila e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Ndërkohë, partitë shqiptare morën pjesë në zgjedhje përmes një liste të përbashkët, duke siguruar dy ulëse në Kuvendin e Serbisë pas një periudhe të gjatë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara