Gjykata Kushtetuese ka vendosur që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe brenda 30 ditëve.
Në njoftimin e saj të premten, Kushtetuesja ka përcaktuar që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm deri në 3 herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Njëkohësisht, ajo ka shpallur të pavlefshme të gjitha seancat e Kuvendit të mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025, duke konstatuar shkelje të një aktgjykimi të mëparshëm.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesave KO193/25 dhe KO196/25 nga deputetët e udhëhequr nga Memli Krasniqi dhe Hykmete Bajrami, lidhur me kushtetutshmërinë e votimit të Komisionit për votim të fshehtë më 29 qershor 2025.
Gjykata vendosi:
TË DEKLAROJË, njëzëri, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme;
TË KONSTATOJË, njëzëri, që Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;
TË URDHËROJË, njëzëri të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë;
TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të zgjedhin Kryetarin/en dhe nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sipas pikave 3 dhe 4 të rendit të ditës të Seancës Konstituive brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi;
TË VAZHDOJË, njëzëri, masën e përkohshme të vendosur më 24 korrik 2025 deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve.