“Qytetarët amerikanë që janë në ose afër Hotel Serena duhet të largohen menjëherë”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit, duke cituar “kërcënimet e sigurisë”, transmeton UBT News.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania paralajmëruan qytetarët e tyre të hënën që të shmangin hotelet në Afganistan, disa ditë pasi dhjetëra persona u vranë në një xhami në një sulm që pretendohet se u krye nga grupi ISIS.
Talibanët, të cilët morën pushtetin në gusht po kërkojnë njohje dhe ndihmë ndërkombëtare për të shmangur një katastrofë humanitare dhe për të lehtësuar krizën ekonomike të Afganistanit.
Por, ndërsa po kalojnë nga një ushtri rebele në një fuqi qeverisëse, ata tani po përpiqen të kontrollojnë kërcënimin nga ISIS-i.
“Qytetarët amerikanë që janë në ose afër Hotel Serena duhet të largohen menjëherë”, tha Departamenti Amerikan i Shtetit, duke cituar “kërcënimet e sigurisë” në zonë.
“Në dritën e rreziqeve të rritura ju këshillojmë të mos qëndroni në hotele, veçanërisht në Kabul (siç është Hoteli Serena)”, shtoi Zyra e Jashtme e Britanisë.
Që nga marrja e kontrollit nga talibanët, shumë të huaj janë larguar nga Afganistani, por disa gazetarë dhe punonjës të ndihmës vazhdojnë të qëndrojnë në kryeqytet.
Serena e mirënjohur, një hotel luksoz i popullarizuar me udhëtarët e biznesit dhe mysafirët e huaj, ka qenë dy herë objekt i sulmeve nga talibanët.
Hotel Serena, Kabul.
Në vitin 2014, vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale, katër adoleshentë të armatosur me pistoleta të fshehura në çorapet e tyre arritën të depërtojnë brenda, duke vrarë nëntë persona, përfshirë një gazetar të AFP dhe anëtarë të familjes së tij.
Kurse në vitin 2008, një bombë vetëvrasëse la gjashtë të vdekur, përcjell UBT News.
Gjatë fundjavës, delegacionet e larta talebane dhe amerikane zhvilluan bisedimet e tyre të para ballë për ballë në kryeqytetin e Katarit, që nga tërheqja e SHBA.
Bisedimet “u përqëndruan në shqetësimet e sigurisë dhe terrorizmit dhe kalimin e sigurt për qytetarët amerikanë, shtetas të tjerë të huaj dhe partnerët tanë afganë”, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price.
“Të drejtat e njeriut, përfshirë pjesëmarrjen kuptimplotë të grave dhe vajzave në të gjitha aspektet e shoqërisë afgane”, u ngritën gjithashtu, tha Price në një deklaratë.
Sipas Departamentit të Shtetit, diskutimet ishin “të sinqerta dhe profesionale” dhe zyrtarët amerikanë përsëritën se “talebanët do të gjykohen për veprimet e tyre, jo vetëm fjalët e tyre”./UBTNews/
Një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri. A2 CNN raporton se një email ka kërcënues ka mbërritur në kryeministri, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë.
“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në mesazh.
Pas marrjes së mesazhit, është boshatisur Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë. /A2 CNN/
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes, duke theksuar rëndësinë e zbulimit të hershëm për suksesin e trajtimit dhe rritjen e mundësive për mbijetesë.
Këtë deklaratë Vitia e bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për ndërgjegjësimin, diagnostikimin e hershëm dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë.
Ai bëri të ditur se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa gjatë këtij viti pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komunat ku mungojnë këto pajisje. Gjithashtu, përmes mamografit mobil, shërbimi po u ofrohet edhe grave në komunat që nuk kanë aparatura të tilla.
Sipas Vitisë, Kosova tashmë ka edhe planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028, me synim përmirësimin e diagnostikimit dhe qasjes në shërbime shëndetësore.
Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, bëri të ditur se gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 1.847 mamografi në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Prej tyre, 463 janë kryer vetëm gjatë muajit tetor.
Gashi njoftoi gjithashtu se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, prej të cilave rreth 150 gjatë muajit tetor.
UBT do të mirëpresë më 21 tetor, Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive – ICSM 2026, e cila do të bëjë bashkë profesionistë shëndetësorë, hulumtues, akademikë dhe ekspertë të sportit për të diskutuar zhvillimet e reja në mjekësinë sportive, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në praktikën klinike dhe sportive.
Konferenca, e organizuar nga Instituti për Mjekësi Sportive i UBT-së, në bashkëpunim me International Federation of Sports Medicine (FIMS), SHAPE Project – Sport, Health, and the People dhe Kosovo Association of Sports and Exercise Medicine (KASEM), në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, do të zhvillohet nën temën “Innovation and Resilience in Sport Medicine”, duke krijuar një platformë për shkëmbimin e njohurive shkencore, përvojave profesionale dhe praktikave bashkëkohore në këtë fushë.
Në kuadër të konferencës do të trajtohen tema me rëndësi për zhvillimin e mjekësisë sportive, përfshirë shëndetin funksional, radiologjinë, ortopedinë, teknologjitë e veshshme (wearable technologies), inteligjencën artificiale dhe mundësitë që sjell inovacioni teknologjik në përmirësimin e kujdesit shëndetësor dhe performancës sportive.
Konferenca synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunitetit akademik, profesionistëve shëndetësorë dhe sektorit sportiv, duke nxitur diskutimin mbi qasjet e reja shkencore dhe zbatimin e tyre në praktikë.
Konferenca është e akredituar nga Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK), në kuadër të Edukimit të Vazhdueshëm Profesional (EVP).
Për më shumë informata rreth programit, të interesuarit mund të vizitojnë: LINKU.
Një person është shoqëruar në polici pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të qenit të një bashkëqytetari në Skenderaj. Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 18 tetor, rreth orës 10:20.
Pas raportimit të rastit, Policia e Kosovës, në konsultim me prokurorin e shtetit, ka ushtruar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie.
I dyshuari është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. Rasti po hetohet nën dyshimin për veprat penale “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /E.A/